Krishtlindjet festohen tri herë në Betlehem, duke pasqyruar ritet e tri kishave kryesore që kanë qenë këtu për shekuj. Katolikët dhe ata që ndjekin kalendarin Gregorian mbajnë meshën e mesnatës më 25 dhjetor, ndërsa te krishterët ortodoksë, të cilët ndjekin kalendarin lindor, fillojnë festimet e tyre të Krishtlindjeve më 6 janar. Armenët e mbajnë ritualin më 18 janar. Siç bëjmë çdo vit, ne do të respektojmë të gjitha formalitetet e diktuara nga Status Quo-ja osmane
Si kryebashkiak i qytetit palestinez të Betlehemit, kam privilegjin të ndez dritat e pemës së Kërshëndellave në Sheshin Manger dhe të marr pjesë në meshën e mesnatës në një nga kishat më të vjetra në botë, e ndërtuar në shekullin e katërt nga perandoresha bizantine Helena. Por detyra ime më e rëndësishme është të ndihmoj t'u jap njerëzve besim dhe inkurajim. Kur ndeza dritat e Kërshëndellave më 3 dhjetor, shpreha shpresën time se drita do të rrezatonte në botë dëshirën tonë për paqe dhe u lutëm së bashku që Krishtlindja të përmbushte premtimin e saj dhe t’i bashkonte njerëzit.
Të bashkosh njerëzit ka dy kuptime për palestinezët që jetojnë nën okupim. Mund të nënkuptojë bashkësinë e kohës së ndarë me miqtë dhe të afërmit. Por si kryebashkiak i qytetit ku filloi gjithçka për të krishterët 2000 vjet më parë, duhet të mendoj për familjen më të madhe palestineze.
Fakti që jetojmë për dekada nën okupim do të thotë se nuk mund ta gëzojmë ndjenjën e bashkimit që duan të gjithë njerëzit gjatë festave të mëdha, veçanërisht ato fetare. Njerëzit tanë në Gaza nuk mund të vijnë lirisht në Betlehem dhe vëllezërit dhe motrat tona në Jordani dhe vende të tjera nuk mund të marrin lehtësisht viza nga një fuqi pushtuese që zbaton kufizime rigoroze të hyrjes. Qytetarët e vendeve të tjera të Lindjes së Mesme, si Libani dhe Siria, të cilat nuk kanë marrëveshje paqeje me Izraelin, nuk kanë fare shanse.
Fakti që një i krishterë palestinez si unë ose një i krishterë që jeton në një vend arab aty pranë, nuk mund të vijë thjesht në Betlehem për Krishtlindje dhe duhet të jetë i papranueshëm për të gjithë – ashtu si muri tetë metra i lartë, që ende rrethon qytetin tonë, pavarësisht se është shpallur i paligjshëm nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2004. Ky mur është kujtesë e vazhdueshme e ndarjes dhe jo e bashkimit.
Këtë vit mbushen 150 vjet nga themelimi i Komunës së Betlehemit. Sipas Ligjit të Autoritetit Palestinez, një arab i krishterë shërben si kryetar bashkie këtu dhe në qytete të ngjashme palestineze. Por sfida e mbajtjes së arabëve të krishterë në Palestinë është bërë më e vështirë për shkak të okupimit. Ndërsa shumë palestinezë vuajnë nën sundimin ushtarak të huaj dhe dëshirojnë që të mund të largohen, të krishterët palestinezë po largohen në numër më të madh thjesht sepse kanë lidhje me botën e gjerë përmes kishave dhe biznesit të turizmit.
Popullsia e Betlehemit është rritur me kalimin e viteve dhe po kështu është rritur edhe numri i dhomave të hoteleve – diçka që nuk ishte për Marinë dhe Jozefin 2000 vjet më parë. Por rritja e popullsisë sonë dhe akomodimeve turistike është kufizuar nga muri i ndërtuar nga Izraeli në tokën tonë dhe nga refuzimi i pushtuesve për të na lejuar të ndjekim planifikimin normal urban, pjesërisht për shkak të aktivitetit të vendbanimeve izraelite. Këto vendbanime, gjithashtu, janë konsideruar prej kohësh të paligjshme nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, megjithatë Izraeli vazhdon të ndërtojë dhe konfiskojë toka në kundërshtim me Ligjin Ndërkombëtar, i cili i ndalon pushtuesit të përfitojnë nga pushtimet e tyre ushtarake.
Krishtlindjet festohen tri herë në Betlehem, duke pasqyruar ritet e tri kishave kryesore që kanë qenë këtu për shekuj. Katolikët dhe ata që ndjekin kalendarin Gregorian mbajnë meshën e mesnatës më 25 dhjetor, ndërsa të krishterët ortodoksë, të cilët ndjekin kalendarin lindor, fillojnë festimet e tyre të krishtlindjeve më 6 janar. Armenët e mbajnë ritualin më 18 janar. Siç bëjmë çdo vit, ne do të respektojmë të gjitha formalitetet e diktuara nga Status Quo-ja osmane. Ky sistem shekullor rregullash të pashkruara kërkon një protokoll shumë të rreptë ku krerët lokalë takohen me kreun e kishës përkatëse dhe i cili lejohet të shoqërojë patriarkët dhe peshkopët në pika të ndryshme hyrjeje.
Dhjetë vjet më parë, UNESCO deklaroi se Kisha e Lindjes së Krishtit të Betlehemit ishte në rrezik. Pas rinovimit të gjerë nga Qeveria palestineze, financuar nga donatorë privatë dhe zyrtarë, u restauruan mozaikët e kishës dhe elementë të tjerë, të dëmtuar nga zjarri shekuj më parë. Por ne të krishterët palestinezë, që jetojmë vazhdimisht në Betlehem për 2000 vjet, nuk duam që kishat tona të bëhen muze. Ne duam që pelegrinët e krishterë nga e gjithë bota, përfshirë të krishterët arabë, të vijnë në Betlehem për t’i vizituar gurët e gjallë. Tani për tani, ne jemi të bekuar që populli ynë ende shpreson dhe këmbëngul për të nesërmen më të mirë, pavarësisht mungesës së ndonjë bisede serioze për paqen.
Kur ndezëm pemën e Krishtlindjes, u lutëm që drita nga Betlehemi - nga errësira e pushtimit ushtarak - të arrinte në të gjithë botën. Besimi ynë nuk është në ndryshimin e zemrës nga pushtuesit tanë, por në drejtësinë e çështjes sonë. Dy mijëvjeçarë më parë, qiejt e Betlehemit u ndezën, ndërsa engjëjt paralajmëruan lindjen e Jezusit, duke deklaruar: "Paqe në tokë dhe vullnet i mirë për të gjithë". Këtë Krishtlindje, të gjithë ne në vendlindjen e tij vazhdojmë të dëshirojmë atë paqe të vërtetë.
(Hanna Hanania është kryebashkiak i Betlehemit. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”. Përktheu: Gent Mehmeti)