Rreziku që i vjen demokracisë nga cinizmi
Është lehtë me ra në cinizëm. Jam i vetëdijshëm që në jo pak raste edhe unë kam luajtur cinikun. Dështimet e vazhdueshme të qeverive për të përmbushur premtimet, izolimi, gjendja e rëndë sociale dhe ekonomike, të gjitha këto ushqejnë cinizmin.
Fjalori i gjuhës shqipe cinizmin e përkufizon si “qëndrim shpërfillës e tallës, qëndrim i vrazhdë e i pacipë”. Në një përkufizim më të gjerë, cinizmi nënkupton humbjen e shpresës, dorëzimin, bindjen se të gjithë njerëzit udhëhiqen nga interesat e ngushta personale, se gjithkush dhe gjithçka e ka një çmim dhe është i/e korruptueshëm, se nuk ia vlen të angazhoheni për të mirën publike.
Shumë shkencëtarë politikë e shohin cinizmin si të dëmshëm për politikën. Madje, sipas një studimi të London School of Economics, në vitet e fundit, cinizmi është një ndër rreziqet kryesore ndaj demokracisë. Aq i rrezikshëm sa LSE ka provuar të hartojë një indeks për matjen e cinizmit në shoqëri.
Në shoqërinë tonë qasja ndaj zhvillimeve politike në vend zakonisht është qasje cinike. Merrini për shembull masat e qeverive për frenimin e përhapjes së virusit korona. Në momentin kur vendosen masat e reja, ende pa u komunikuar mirë nga institucionet, fillon gara për përqeshjen e të gjitha masave. I njëjti cinizëm shprehet edhe kur institucionet nuk ndërmarrin asnjë masë kufizuese. Çdo nismë e re politike shihet me dyshim dhe mbytet në cinizëm që në fillet e saj.
Cinizmi nuk duhet të ngatërrohet me mungesën e besimit në politikat qeveritare. Ai që është mosbesues mban një qëndrim të hapur, pa rënë në gjykime të parakohshme. Ciniku ia mbyll derën çdo gjëje që në fillim.
Mediat sociale i kanë dhënë zë gjithsecilit që të shprehë qëndrimet e tij/saj kundrejt zhvillimeve politike, e fatkeqësisht ky zë në të shumtën e rasteve është cinik. Por ajo çfarë është duke i fryrë më shumë përhapjes së cinizmit janë mediat dhe analistët. Në “debatet” e përnatshme televizive, të cilat mbulohen me petkun e analizës e kritikës, drejtues mediash, gazetarë e analistë mbajnë një qasje cinike ndaj politikave.
Rreziku më i madh për demokracinë është kur cinizmi ngatërrohet me kritikën e aktivizmin. Të shumtë janë ata të cilët një status në media sociale apo një qëndrim cinik në studio televizive e marrin si qëndrim kritik qytetar apo si aktivizëm. Kritika është shenjë e demokracisë së shëndetshme, ngase kritikat ndihmojnë në përmirësimin e politikave publike, u japin zë formave të reja të aktivizmit politik dhe protestës. Kritika është e informuar, ngase ai që kritikon merr mundin të informohet mirë për politikat publike dhe ka përgatitje të mjaftueshme për të kritikuar një politikë bazuar në një analizë logjike. Ciniku nuk merr fare mundin për t’u informuar, ngase çfarë vlere mund të ketë informimi dhe analiza kur në parim gjithçka dhe të gjithë janë të këqij e të korruptuar?
Njësoj, cinizmi mbyt aktivizmin qytetar. Nëse mban një qëndrim cinik për politikën, atëherë nuk ia vlen të angazhohesh për të mirën publike, ngase nuk mund të ndryshosh asgjë.
Cinizmi fatkeqësisht është edhe vetëpërmbushës. Bindja se të gjithë politikanët janë të këqij dhe progresi është i pamundshëm, u krijon hapësirë vetëm atyre politikanëve të cilët nuk kanë fare ndjeshmëri ndaj qëndrimit publik dhe bindjet morale ua mundësojnë veprimin në një ambient cinik.
Më shumë sesa për cinikët, shoqëria ka nevojë për kritikë, të cilët synim kanë përmirësimin e politikave publike e jo dekurajimin e çfarëdo nisme të re. Më shumë sesa për cinikët, kemi nevojë për aktivizëm qytetar, i cili angazhohet për progres shoqëror e jo për disfatizëm kolektiv.