OpEd

Kur çel qershia

Ajo që më ra në sy ishte se kishte çelur qershia. Mund t’i shihje lulet e saja ngjyrë pembe në të bardhë, të cilat e kishin veshur të gjithë kurorën e drurit të qershisë.

Ndryshim i madh klimatik kur çel qershia në muajin shkurt! Për mua, në 50 vjetët e mi, e padëgjuar dhe e pa përjetuar më parë. Por nëse klima ka mundur të ndërrojë kaq drastikisht, pse të mos pranojmë se edhe Albin Kurti ka ndërruar?

Zakonisht preferoj që lëvizjet e mia t’i bëj në këmbë po qe se moti e lejon atë gjë. Nuk e dua shiun dhe këtë muaj mendoj se e kam mbushur normën time për të gjithë vitin që të më zërë shiu dhe të më lagë të më bëjë qull.

Edhe dje po kthehesha këmbë pasi që e kalova një pasdite në PUB me miq dhe me biseda nga më të ndryshmet.

Është ajo copë rruge e drejtë në Hamilton Terrace, me shtëpitë e bukura private, të cilën më bie ta kaloj çdoherë për t’u kthyer në shtëpi, e cila e bën këtë ecje edhe më të bukur. Po kaloja pranë shtëpive të shumta dhe kopshteve të vogla të tyre. Jemi në muajin shkurt dhe trëndafilat kishin çelur. Kishin çelur edhe disa lule të tjera, të cilave nuk ua di as emrin. Ajo që më ra në sy ishte se kishte çelur qershia. Mund t’i shihje lulet e saja ngjyrë pembe në të bardhë, të cilat e kishin veshur të gjithë kurorën e drurit të qershisë.

Ndryshim i madh klimatik kur çel qershia në muajin shkurt! Për mua, në 50 vjetët e mi, e padëgjuar dhe e pa përjetuar më parë. Por nëse klima ka mundur të ndërrojë kaq drastikisht, pse të mos pranojmë se edhe Albin Kurti ka ndërruar?

Analogjia qëndron në atë se qershia u është përshtatur klimës dhe temperaturave, të cilat po mbretërojnë. Natyra funksionon në mënyrë të mistershme. Receptorët e saj do t’i kenë sinjalizuar drurit se "ka ardhur pranvera", koha që të lulëzosh. Është thyer një paradigmë e imja dhe perceptim se prilli dhe maji janë muajt kur lulëzojnë lulet. Ja që po lulëzuakan edhe në muajin shkurt.

Edhe "receptorët" e Albinit e kanë "alarmuar" se tash është një klimë tjetër dhe se ai duhet adaptuar asaj. Mirëpo ashtu si pellazgë të vjetër çfarë jemi neve, asnjëherë asgjë nuk na bie tamam dhe nuk mbaj ndërmend që ndonjë qeveri që nga paslufta e këndej të ketë qenë në kaq trysni të opozitës së saj, e cila, ç'është e vërteta, qeverisi me këtë vend për së paku 12 vjetët e fundit. Trysnia gjithashtu i vjen edhe nga mediat e shumta e një pjesë edhe nga vetë partnerët qeverisës përbrenda Qeverisë.

Për cinikët, jo nuk jam duke e kryer rolin e avokatit të Albinit, sepse unë jam në pritje të punëve dhe si pasojë kritikave për Qeverinë e re, por me diçka të matshme dhe të krahasueshme jo nga pozita e humbësit të privilegjeve. Nuk më lidh mua asnjë interes. Ç'është e vërteta as nuk munden që t'më shkarkojnë nga pozita e ambasadorit në Facebook, pasi që unë i pari kam thënë dhe jam vetëshpall i tillë. Kjo ishte sa për një sqarim të vogël, sa për korrektësi ndaj ditarit tim.

Dje ishim dëshmitarë të një konference për shtyp të thirrur nga ana e kryeministrit Albin Kurti. Aty ai i shpalosi letërkëmbimet ndërmjet kryeministrit të atëhershëm, z. Thaçi dhe sekretarit të NATO, z. Rasmussen. Këto tha se i kishte pranuar nga një oficer i NATO-s në nëntorin e vitit 2019. Përmes këtyre letërkëmbimeve, kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar. Kryeministri Kurti, në shkresën dërguar kryetares Osmani, ka potencuar faktin se pas pranimit zyrtar të detyrës së kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga stafi i Zyrës së Kryeministrit që, pa vonesë, të analizojë përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje sekrete, si dhe implikimet e saj kushtetuese, përkatësisht në lidhje me kërkesat kushtetuese të përcaktuara me nenin 20 [Bartja e Sovranitetit], nenin 18 [Ratifikimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare] dhe nenin 91 [Shkarkimi i Presidentit]. “Qëllimi i kësaj shkrese është që t’ju njoftoj juve, në cilësinë tuaj si kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për ekzistencën e marrëveshjes sekrete, si dhe për rezultatet e analizës së Zyrës së kryeministrit. Për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm, dua të jem sa më i qartë: Unë, si kryeministër, nuk shpreh asnjë qëndrim për ose kundër marrëveshjes sekrete, për sa i përket përmbajtjes së saj. Unë, si kryeministër, e kuptoj dhe e vlerësoj thellësisht rëndësinë e jashtëzakonshme të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s për sigurimin e plotë të integritetit territorial të Republikës dhe të qytetarëve të saj. Dhe unë, si kryeministër, u garantoj Kuvendit, si dhe të gjithë qytetarëve të Republikës se nuk do të ndërmarr asnjë hap që do të rrezikonte këtë aleancë të domosdoshme për sigurinë e vendit tonë”, thuhet në shkresën e kryeministrit Kurti.

Konferenca për shtyp zgjati 40+ minuta, që për mua si ekspert i fushës është kohë shumë e gjatë dhe si tërësi ajo është dashur të bëhej dhe menaxhohej ndryshe. Sidoqoftë, kur lajmet i kapluan portalet e edhe studiot televizive me analistë, aty kryeministri Kurti ishte duke na prishur me NATO-n, dëshiron të na i kthejë Rusinë e edhe Serbinë këtu, dhe këso broçkullash që vetëm kazani i tyre di të ziejë. Janë në një zor të madh. E kuptoj unë që sponsorët më s'do ti kenë në lojë dhe mbijetesa në tregun e mjegullës mediatike do të vështirësohet dhe para se të fillojnë që ta shqyejnë njëri-tjetrin ju mbetet kështu edhe tentativa për ta mënjanuar pengesën, e cila u ka dalë në rrugë dhe të cilën me dëshirën më të madhe do te largonin. Çakenjë, langoi dhe krijesa të tjera stërvina asgjë më shumë.

Mund ta quani koincidencë, mund ta quani edhe probabilitet po deshët, por ja që në të njëjtën kohë që presidenti Hashim Thaçi gjendet në vizitë në Washington DC, edhe Edi Rama, Sokol Balla dhe Baton Haxhiu gjendeshin në Moskë. Thaçi u takua me sekretarin Pompeo, ndërsa Edi, Sokoli dhe Batoni me ministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov.

Pamja e fotove të rusit të mërrolur me pizevengët tanë të buzëqeshur vesh me vesh në doracakun tim diplomatik lanë shije të hidhur. Para 3 javësh, kur kryeministri Kurti vizitoi Tiranën, fytyra e Ramës ishte si kur e takon dilerin që nuk ta ka sjellë mallin, e ti je aq në nevojë për të. Por Rama i madh, kësaj here në Moskë ishte në rolin e kryesuesit të OSCE-së dhe për qëllim kishte zbutjen dhe rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Duke e ditur sa mirë i ka rregulluar ato të vetat me fqinjë, një mini-Shengen i radhës do t’u bënte mirë Ukrainës, Rusisë, Bjellorusisë, Lituanisë, Latvisë dhe Estonisë. E di që Edi nuk do të pajtohej me mua aspak, dhe do të thoshte se asgjë në lidhje me të edhe si njeri shtatlartë që është nuk e ndërlidh me gjëra mini, por ja që do t’ia përkujtoja se është kryeMINIstër. Fjalën mini e ka aty mu në mes të titullarit të vet të fshehur mes shkronjash. Siç di të thoshte Naim Frashëri ynë i madh:

Gjuha jonë sa e mirë!

Sa e ëmbël, sa e gjerë!

Sa e lehtë, sa e lirë!

Sa e bukur, sa e vlerë!

E ç'në me Baton Haxhiun në Moskë? A me të vërtetë është aq jo i informuar Edi Rama ta kuptojë se sa e irriton qytetarin e Kosovës ai njeri apo ndoshta pikërisht për atë arsye edhe e merr me vete? Pyetje-përgjigjën e së cilës e di vetëm Edi Rama dhe mini-ShenGent Cakaj.

Krismën e këtyre vizitave në Washington DC dhe Moskë do ta dëgjojmë shumë shpejt, dhe si gjithnjë Hashimi vazhdon duke e bërë atë që di të bëjë më së miri, ta zërë Qeverinë në gjumë dhe ai të vazhdojë të negociojë dhe të caktojë kornizat punuese për marrëveshjet me Serbinë dhe natyrisht ta faktorizojë veten e tij në këtë proces, duke e lënë Qeverinë në offside sa më shumë që të jetë e mundur. Në ndërkohë mendoj se tre musketarët e Moskës janë thirrur urgjentisht që të kthehen për Tiranë me rastin e vdekjes së Nexhmije Hoxhës.

Në anën tjetër, shoh kabllograme të shumta diplomatike, të cilat e vendosin Richard Grenell, të emëruarin e presidentit Trump për ushtrues detyre të udhëheqësit të shërbimeve të Inteligjencës amerikane, në shënjestër të kritikave të shumta për angazhimet e tija të mëhershme me njerëz politikë të korruptuar të shteteve të tjera, gjë që do ta vështirësonin kalimin e vettingut të tij dhe si i tillë do të paraqiste rrezikshmëri të madhe për administratën dhe shtetin amerikan.

P.S. Kjo është pjesë e rezervuar për mesazhet e mia në ditarin tim, por të dedikuara për kryeministrin Albin Kurti.

Albin, ditari im do të publikohet të premten, por unë nuk do ta pres mbledhjen e Qeverisë të caktuar për të enjten e që pastaj ta dërgoj ditarin tim në redaksi. Do ta dërgoj më herët, sepse kam obligime diplomatike gjatë ditës. Mesazhi im për ty, hiqe tarifën nesër, e sa i përket reciprocitetit, andej në Gjakovë kah ne themi t’u pa e t’u bo…