Është tepër lehtë të sillesh arrogant me dikë që është i dobët. Është tepër lehtë ta dënosh dikë veç pse mundesh dhe askush nuk të qorton. Është shumë lehtë të jesh bullizues kur para vetes ke dikë të dobët e që nuk mund të mbrohet, sepse varet nga ti. Lehtë është të jesh viktimizues. Shumë rëndë është të jesh viktimë
Mbase lajmi më i mirë i javës qe nënshkrimi i tri marrëveshjeve rajonale në Berlin (për lëvizjen e lirë me letërnjoftime për shtetasit e rajonit, njohja e diplomave universitare, dhe njohja e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve). Një proces i nisur që nga koha e Angela Merkelit, më në fund e pa së paku një rezultat formal: nënshkrimin e disa marrëveshjeve që lejojnë qarkullimin e lirë të njerëzve në rajonin e nëmur të Ballkanit.
Lajm edhe më i mirë që rrjedh nga ky lajm është se këto marrëveshje, e besoj, përfundimisht e qesin në plan të dytë nismën Open Balkan, shtyrë përpara me kaq shumë vrull prej Ramës dhe Vuçiqit, saqë nuk e kuptonim pse.
Tjetër janë marrëveshjet bilaterale a trelaterale pa një mekanizëm mbikëqyrës, e tjera janë marrëveshjet nën ombrellën e një shteti të fortë evropian dhe të vetë BE-së, ngase këto të fundit përherë e kanë nga një karotë, e më shumë shkopinj, për të treguar se çfarë ndodh po qe se marrëveshjet nuk respektohen.
Mbetet të shohim se si do të zbatohen këto marrëveshje dhe kush do të ketë më së shumti telashe për t’i realizuar këto të drejta, porse gjasat janë që këto do të jenë më të zbatueshme sesa çfarëdo marrëveshje e arritur deri tash në procesin e stërzgjatur të negociatave të normalizimit me Serbinë.
* * *
Te rasti i negociatave me Serbinë, BE-ja i pati edhe karotat, edhe shkopinjtë dhe i përdori ato në formë efikase për t’ia ofruar të gjitha përparësitë Serbisë dhe për t’ia dhënë dy premtime të “zaifta” Kosovës: një që kishte të bënte me Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit dhe e dyta me liberalizimin e famshëm që është bërë aq bozë dhe është shndërruar në nocion tepër përçmues për shqiptarët që barazohet me fjalën geto.
Serbisë iu dha statusi i vendit kandidat, Kosova ende rri mbyllur si vendi i vetëm në Evropë dhe tash me kushtin e ri, që ta fitojë liberalizimin kur të futet në funksion njëfarë sistemi që as vetë Evropa nuk e di nëse do të funksionojë deri në fund të vitit tjetër. Se përse del Franca me kësi propozimi do të ishte interesant të dihej. Shqiptarët mund të jemi problematikë në shtete që na japin strehim, por nuk jemi të vetmit.
Pra, përderisa askush nuk do ta harrojë angazhimin e shteteve perëndimore, përfshirë Francën, për të na shpëtuar e çliruar, kjo nuk do të thotë se tash duhet duartrokitur secilin propozim eksperimental që dikujt i kujtohet për ta testuar në ne. E nëse duan t’i parandalojnë pasojat e liberalizimit, pra daljen masive të njerëzve për në shtetet perëndimore, edhe ajo ka zgjidhje: investim në krijimin e vendeve të punës këtu. Dhe jo, nuk do të ishte një punë që do të bëhej për filantropi, por për afarizëm, ku hairin do t’ia shihnin firmat e huaja që mund të angazhojnë fuqi punëtore të lirë këtu. Natyrisht, mes atyre njerëzve që punojnë pa menduar për vete se do të bëhen drejtorë e menaxherë ende pa e kaluar as praktikën e domosdoshme.
Sido që të zhvillohen gjërat në muajt në vijim, nuk po mundem pa e shkruar këtë në vijim. Është tepër lehtë të sillesh arrogant me dikë që është i dobët. Është tepër lehtë ta dënosh dikë veç pse mundesh dhe askush nuk të qorton. Është shumë lehtë të jesh bullizues kur para vetes ke dikë të dobët e që nuk mund të mbrohet se varet nga ti. Lehtë është të jesh viktimizues. Shumë rëndë është të jesh viktimë.
* * *
Se sa lehtë është ta sulmosh të dobëtin e pamë në një video që qarkulloi gjatë gjithë ditës të mërkurën. Një ngjarje që kishte ndodhur disa ditë më herët e ishte xhiruar nuk e di për çfarë arsyeje, mbase sadiste. Incizimi ra në duart e dikujt që kishte ndërgjegje, dhe e bëri publike në FB.
Në të shihej një infermiere tek i mëshonte shuplaka, i mëshonte me gju, dhe ia mbante duart me dhunë një gruaje të moshuar, e cila dëgjohej qartë se nuk mund të fliste, por vetëm emetonte zëra, sikur të qante, për atë që po e përjetonte.
Më vonë do të merrej vesh se bëhej fjalë për një grua që vuante nga demenca dhe se në atë gjendje e kishte absolutisht të pamundur të mbrohej, as verbalisht e as fizikisht, nga një grua shumë më e re dhe shumë më e fuqishme.
Nuk mbaj mend kur kisha parë një video kaq të shëmtuar që më shkaktonte dhimbje emocionale. E moshuara ishte vetë viktima, porse ka mundur të ishte, nënë, gjyshe, fëmijë, person me aftësi të kufizuar, apo cilido individ që i nënshtrohet një dhune të pakuptimtë, për shkak se personi që e sulmon e ka “autoritetin” për të ushtruar dhunë mbi të.
Dhe siç do të komentohej gjerë, ky ishte një rast që u zbulua. Por kush e di edhe sa raste të këtilla a të ngjashme ka, e për të cilat ne nuk dimë. Gjasat janë se raste të tilla ka shumë, dhe se këto raste më pas nuk e gëzojnë “mbrojtjen” e presionit publik, i cili, siç bëhet zakon në Kosovë, më pas del jashtë kontrollit.
Linçimi publik që në dy ditët e fundit iu bë infermiereve të arrestuara tregon për një shoqëri që nuk i beson sistemit të vet të drejtësisë. Në vend se t’i lihet hapësirë gjyqësisë që ta zgjidhë rastin, shoqëria jonë mori rolin e akuzuesit e të gjykatësit dhe e shqiptoi vendimin për dënime drakoniane të këtij apo atij lloji.
Dhe kur e mendoj më thellë, është mbase mirë që mendime të këtilla mbesin vetëm të shënuara në FB dhe nuk marrin formën e veprimit “alla kanunçe”, sepse përfundimisht ishim shndërruar në një anarki që s’kishte pasur kush ta fuste në rend.
* * *
Rasti i shtëpisë për të moshuarit në Pejë i shpërfaqi edhe një herë, në formën e vet më brutale, mangësitë e shoqërisë sonë. Sjellja e infermiereve fillimisht nis nga edukata familjare, vazhdon me arsimimin në Kosovë dhe përfundon me ndjenjën e ulët të përgjegjësisë, ngase sundimi i ligjit, që nga fundi i luftës, ka qenë më shumë formë sesa substancë në Kosovë.
Problem tjetër shumë serioz është mungesa e mbrojtjes institucionale për rastet sikur ky i zonjës viktimë. Nuk e di po qe se ka diku edhe një qendër geriatrike në Kosovë pos Shtëpisë së Pleqve në Prishtinë. Nuk e besoj të jetë krijuar një bazë shënimesh që evidencon raste të personave me alzheimer dhe vendndodhjen e tyre. Nuk jam e sigurt se fakultetet e infermierisë publike e private kanë profilizim trajnimi, sepse pacientët, për t’i quajtur disi edhe rastet sikur i zonjës së sulmuar, kanë nevojë për përkujdesje specifike.
Natyrisht, dhe e shpërfaq problemin më të madh në sistemin e shëndetësisë: mungesën e sigurimit shëndetësor, nga i cili të gjithë do të përfitonin në mënyrë të barabartë, pavarësisht se jo të gjithë do të mund të kontribuonin në të. Por fundja, e besoj se solidariteti i dëshmuar për shëndetin është kyç për një shoqëri të shëndoshë, dhe nuk duhet as madje diskutuar. Tjetër muhabet është keqpërdorimi i fondit për shërim jashtë vendit. Ajo është punë për prokurorinë.
* * *
Viti ka nisur t’i afrohet fundit, kurse dritë në fund të tunelit nuk është se po shohim. E kemi nisur vitin me shumë telashe dhe po e përfundojmë atë edhe më keq, për shkak se një luftë në Evropë i hallakati krejt tregjet ndërkombëtare dhe na e solli inflacionin bakshish.
Ndërkohë, Qeveria vazhdon t’i mbyllë sytë para realitetit dhe vazhdon me skemat e saj skajshmërisht diskriminuese që mbështeten mbi premisën se “krejt privatët në Kosovë prejnë pare”. E nëse kjo qenka bindja, le t’i nisin bizneset e tyre private dhe le t’i blejnë ca sharra të mëdha, e mbase do t’u ngihet syri.
Shumë ndryshime i duhen këtij vendi, për të nisur të frymojë si shtet normal. Ndryshime që duhen përfshirë si opozitën absolutisht jokreative, ashtu edhe Qeverinë jo rrallë të humbur në oborrin e vet.