Asnjëherë nuk është dashur të diskutohej me Serbinë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Serbia e ka humbur Kosovën për shkak të shkeljeve të të drejtave të popullatës. Për shkak të shkeljeve serioze ndaj njerëzimit. Kjo ka qenë arsyeja për intervenimin e faktorit ndërkombëtar në Kosovë. Kosova nuk është dashur të lejonte të binte në një situatë, e cila duket sikur Kosova është duke e lutur Serbinë për njohje të pavarësisë. Nuk është dashur të lejohej asnjëherë që viktima të viktimizohej prapë
Para 20 vjetësh diplomati i ndjerë Richard Holbrooke ishte ngarkuar me detyrën që të bisedonte në cilësinë e të dërguarit të posaçëm për Ballkanin me kasapin e Ballkanit, Milosheviqin. Marrëveshjet që bëheshin atëbotë me Milosheviqin mendohej se do ta parandalonin një përshkallëzim të situatës dramatike emergjente në terren në Kosovë. Të paktën kështu shpresonte e tërë bota demokratike e sigurisht edhe Richard Holbrooke.
Mirëpo Milosheviqi nuk e kishte fare bezdi të dakordohej për një marrëveshje, duke luajtur rolin e një politikani racional. Në ndërkohë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, Milosheviqi e vazhdonte zbatimin e planeve të tij makabre dhe jonjerëzore ndaj popullatës civile të pambrojtur në Kosovë. Fare nuk i bënte përshtypje marrëveshja për tërheqje të trupave ushtarake që e kishte pranuar botërisht, kur ishte në pyetje arritja e qëllimit të shfarosjes së shqiptarëve. Për Milosheviqin, marrëveshjet dhe takimet diplomatike ishin fitim në kohë për arritjen e papenguar në prapaskenë të synimeve të tij çnjerëzore. Millosheviqi nuk i respektonte marrëveshjet e arritura asnjëherë. Dhe nuk i ndalte veprimet e tija djallëzore asnjëherë.
Formati i bërjes dialog nga klasa politike e Serbisë, siç është dëshmuar edhe gjatë këtyre viteve të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, qartazi ravijëzohet në trajtën e njëjtë sikurse ai i Milosheviçit. Serbia dialogon për çështje manovrimi. Dialogu shndërrohet në një mbulim maskerade për të zhvendosur vëmendjen nga veprimet reale të dëmshme në realitet. Gjersa Bashkimi Evropian, Amerika dhe Kosova mbahen nën iluzionin se Serbia po dialogon me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, në realitet agjenda e fshehur e Serbisë është totalisht tjetër. Serbia gjatë gjithë kohës prejse kanë filluar negociatat për gjoja normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, nën petkun e “dialogut” e ka ndjekur strategjinë e saj të minimit të shtetësisë së Kosovës nga jashtë dhe nga brenda.
Nga jashtë Serbia asnjëherë nuk ka ndaluar së lobuari kundër shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës, duke përdorur të gjithë arsenalin diplomatik në të gjitha forumet ndërkombëtare për ta penguar rrjetëzimin diplomatik të Kosovës me botën dhe organizatat ndërkombëtare.
Nga brenda, Serbia përmes investimeve në strukturat paralele dhe ndikimit përmes qytetarëve serbë në Kosovë ka bërë çmos që ta pamundësojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës.
Dialogu nga ana e Serbisë nuk është kuptuar asnjëherë si një bashkëbisedim mes palëve të njëjta, pra mes dy shteteve. Përkundrazi, Serbia Kosovën e ka trajtuar vazhdimisht si pjesë integrale të saj dhe për të arritur marrëveshje, Kosova është dashur të bëjë koncesione të panumërta, me shpresë se Serbia pastaj do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Kësisoj, ky format nuk mund të quhet dialog, por më së shumti është një relacion varshmërie i Kosovës prej Serbisë, me Bashkimin Evropian si vëzhgues indiferent i një procesi sado-masokist mes këtyre dy vendeve. Serbia, që si sadiste e keqtrajton Kosovën, dhe Kosova me përfaqësues masokist që ndiejnë një lloj përulësie ndaj nënçmimeve që ua bën Serbia.
Kjo është absolutisht absurde dhe e papranueshme. Kjo e ka shkelur dinjitetin tonë si popull dhe si shtet, duke na vënë në një pozitë kur duhet të kërkosh mëshirë nga xhelati. Asnjëherë nuk është dashur të diskutohet me Serbinë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Serbia e ka humbur Kosovën për shkak të shkeljeve të të drejtave të popullatës. Për shkak të shkeljeve serioze ndaj njerëzimit. Kjo ka qenë arsyeja për intervenimin e faktorit ndërkombëtar në Kosovë. Kosova nuk është dashur të lejojë të bjerë në një situatë, që duket sikur Kosova është duke e lutur Serbinë për njohje të pavarësisë. Nuk është dashur të lejohet asnjëherë që viktima të viktimizohet prapë. Serbia ka qenë agresor në katër luftëra. Ne është dashur si Kosovë të mbajmë qëndrim tjetër dhe këtë ta potencojmë edhe para partnerëve ndërkombëtarë.
Sidoqoftë, çfarë ka ndodhur, nuk mund të kthehet mbrapa. Por çfarë mund të bëjmë është të jemi vigjilentë si ta kthejmë kursin në favor tonin duke përdorur faktet aktuale. Kjo nënkupton se ekziston mundësia të potencohet se marrëveshjet e arritura deri më tani nuk janë zbatuar nga ana e Serbisë. As marrëveshja për njohjen e diplomave, as ajo për energjinë, për telekomunikacionin. Mbi të gjitha, Serbia ka lobuar haptazi kundër Kosovës në UNESCO dhe INTERPOL, megjithëse në bazë të parimeve të nënshkruara nga të dyja palët e ka pasur të ndaluar ta pengojë Kosovën gjatë rrugëtimit të saj për anëtarësim në këto organizata. Kjo nënkupton se Serbia në njërën anë kumton se dëshiron vazhdim të dialogut dhe vazhdon të bisedojë, por në anën tjetër nuk i ka zbatuar as marrëveshjet e nënshkruara dhe të ratifikuara. Pse do të duhej ne të vazhdonim një dialog të këtij formati? Çfarë interesi kemi ne si Kosovë që të vazhdojë ky lloj dialogu? Asnjë. Fare hiç.
Për këtë dialog të këtij formati kanë nevojë vetëm Serbia dhe BE-ja. Serbia për ta çuar përpara planin e saj për defunksionalizim konstant të institucioneve qeverisëse, të cilat në vend së të merren me krijimin e kushteve më të favorshme për jetesë të qytetarëve tanë, duhet të merren me makinacionet dhe manovrimet milosheviqiane të Serbisë. Dhe paralelisht, duke pretenduar se është një lojtar korrekt i diplomacisë meqë po rri në lojë dialogu, Serbia mundohet këtë gjë ta kapitalizojë për t’u përafruar me BE-në. Vetëm edhe dy kapituj i kanë mbetur të papërmbyllur për ta marrë rolin e kandidatit për anëtarësim në BE. Kapitullin 35 nuk e përmbyll dot pa i definuar qartë kufijtë e saj. Prandaj Serbia e ka me nguti. Sepse dëshiron ta ndajë Kosovën me ndihmën e Thaçit, gjersa këtë të fundit nuk e ka gllabëruar Gjykata Speciale dhe sa e ka Frederica Mogherinin, e cila lakmon ta mbyllë këtë çështje para se ta dorëzojë mandatin e saj. Edhe Bashkimi Evropian ka interes ta përmbyllë këtë çështje me Hashim Thaçin, sepse me partnerë të tjerë do të ketë kokëçarje të dyfishtë. Tani për tani vetëm Vuçiqi u shkakton kokëçarje. Thaçit mund t’i thonë çfarë të duan dhe ai pranon. Se ai fundja “nuk është problematik”.
Por lënë anash çfarë duan të tjerët, çështje esenciale në këtë mes është çfarë duam ne? Ne duam dialog për çështje teknike, siç i zgjidhin të gjitha shtetet fqinje mes vete. Çështjet politike si ajo e organizimit të brendshëm për mbrojtjen e interesave të minoriteteve apo edhe organizimit të gjykatave e komandantëve tanë rajonalë, ato fare nuk janë relevante për Serbinë dhe nuk duhet të lejojmë që Serbia të ndërhyjë.
Dialogu i deritanishëm, duke filluar nga viti 2012 e deri më tani nuk i ka arritur synimet e deklaruara. Thaçi kishte thënë se do të largohen strukturat paralele serbe, por me ndarjen e gjykatës në Mitrovicë dhe caktimin e komandantit serb të policisë, ai vetëm se i ka legalizuar një pjesë të tyre, dhe pjesa tjetër vazhdon ende aktivitetet e saj. Këto koncesione dhe pranimi i asociacionit ishte thënë të ishin kushtet për integrimin e veriut përmes shtrirjes së sistemit ligjor të Kosovës. Këto nuk ndodhën. Thaçi, pas 6 vjetësh dialog doli i pasuksesshëm. Nuk e shtriu dot kontrollin në pjesën veriore mbi Mitrovicë. Tani që dështoi, po thotë se ajo pjesë nuk paska qenë në kontroll tonin dhe më mire t’ia japim Serbisë! Si është ai proverbi “Rrushi i thartë e nuk po me hahet?”.
Serbia, Bashkimi Evropian dhe Thaçi i kanë secili agjendat e tyre. Por ne, ne qytetarët e Kosovës, duhet të mësohemi të themi “Boll Ma!” Duhet pastaj të ndalemi të reflektojmë pa nguti, t’i marrim në shqyrtim çfarë është bërë deri më tani, ku kanë ngecur dhe pse kanë ngecur marrëveshjet. E pastaj flasim për marrëveshje të reja.
Nëse i ngutet Serbisë, le të bëhet pak më kreative. Ndoshta ia gjejmë ndonjë këshilltar të mirë për një format të ri dialogu. Meqë janë shoqëruar shume kohëve të fundit, me gjithë zemër ia japim Hashim Thaçin. Kishin shpëtuar edhe ata me një argat kaq të mire. Kishim shpëtuar edhe ne. Eh, kjo po që pastaj është marrëveshje, kompromis e dialog!
E për t’iu treguar se i kemi kuptuar edhe në këto lojëra më në fund, edhe pse jemi të vonshëm, të shtunën më 29 shtator duhet të dalim të gjithë qytetarët, gra e burra, profesionistë e të papunë, studentë e nxënës, të gjithë duhet të dalin në protestë. Sepse nuk lejojmë të luajnë më me ne. Nuk lejojmë që një njeri t’i manipulojë Kushtetutën, Kuvendin e gjithë vendin. Nuk duam që Hashim Thaçi të na përfaqësojë. Ai duhet të tërhiqet vetë normalisht. Por kur i hipën pushteti në kokë dikujt, nuk e di kur është boll. Këtë njeri duhet ta ndalim. Sepse ky njeri nuk di të bëjë as dallim mes ndarjes dhe korrigjimit të kufijve. Ose thënë më mirë, nuk e di se ne e dimë se nuk ka dallim aty. Se i kemi mësuar dallaveret e tij me lojën me eufemizma. Kot ia ndërron tani emrin. Nuk beson më askush.
(Autorja është politologe dhe aktiviste për drejtësi)