OpEd

Kumari i Macronit me punën

Njerëzit në qarkun e ngushtë të Macronit u kanë thënë mençurisht të gjithë atyre që i dëgjojnë që të mos presin shumë prej kodit të ri të punës. Ekonomia e reformave të propozuara sugjeron se ato nuk mund të bëjnë një ndryshim të madh vetvetiu. Telashi është se Macroni ka pak shigjeta për harkun e tij, kur bëhet fjala për nxitjen e rritjes ekonomike të Francës. Nëse e përkufizojmë këtë, sipas politikave makroekonomike, duart e tij i lidh eurozona, ndërkaq ka fare pak gjasa që Gjermania të ndihmojë me rritjen e investimeve dhe shpenzimeve të saj. Kështu që, pavarësisht nëse i pëlqen apo jo Macronit, presidenca e tij pritet të gjykohet sipas reperkusioneve ekonomike dhe politike të reformave të tij të punës

Cambridge – Në fund të gushtit, presidenti francez, Emmanuel Macron, e shpalosi planin për rishikimin e tregut të punës që mund ose ta forcojë ose ta minojë presidencën e tij dhe mbase ta përcaktojë vetë të ardhmen e eurozonës. Synimi i tij është ulja e shkallës kokëfortësish të lartë të papunësisë në Francë, që aktualisht ndodhet në kuotën prej diç më pak se 10 për qind, dhe ta aktivizojë ekonominë që ka së tepërmi nevojë për një fillim të ri.

Reforma e punës ka qenë prej kohësh në agjendë të Francës. Faktikisht secila administratë franceze e viteve të fundit është përpjekur ta rishkruajë kodin problematik të punës, për të përfunduar pothuajse secilën herë me dështim përballë protestave të unionit tregtar.

Macroni e thotë qartë se e di se përballë çkaje është vënë: e ka përshkruar këtë si revolucion Kopernikas. Mirëpo, kësaj radhe mund të jetë ndryshe. Ndonëse unioni i dytë më i madh i vendit ka bërë thirrje për grevë të përgjithshme, ka indikacione se Macroni do ta ketë mbështetjen politike që i duhet.

Reformat e Macronit synojnë rritjen e asaj që në mënyrë eufemike është quajtur fleksibilitet i tregut të punës. Reformat e propozuara do t’ua bëjnë kompanive më të lehtë shkarkimin e nëpunësve, decentralizimin e marrëveshjeve ndërmjet punonjësve dhe punëdhënësve në kompanitë e vogla (me anë të eliminimit të marrëveshjeve të nivelit sektorial) dhe zbatimin e një kufiri për dëmshpërblime në rast të shkarkimeve të padrejta, duke u ofruar kompanive lehtësime përballë dëmeve të paparashikueshme që ndahen me anë të arbitrimit. Për më tepër, reformat i mënjanojnë obligimet që i lidhnin pezullimet masive në kompanitë e mëdha me përfitimet e kompanive të tilla globale; kompanive tani do t’u lejohet t’i shkarkojnë punonjësit bazuar ekskluzivisht në përfitimet e brendshme.

Logjika prapa reformave të tregut të punës të Macronit e ka përcaktuar agjendën e reformave strukturore të ekonomistëve dhe institucioneve ndërkombëtare, prej Fondit Monetar Ndërkombëtar deri te OECD-ja. gjatë tri dekadave të fundit.

Fleksibiliteti më i madh, sipas këtij këndvështrimi, do t’ua bënte të mundur kompanive franceze t’i përshtaten në mënyrë më efikase kushteve të ndryshueshme të tregut, gjë kjo që si këmbim do t’i bënte ato edhe më konkurruese dhe dinamike, me t’i dhënë kësisoj një shtysë të konsiderueshme ekonomisë franceze.

Ideja se lehtësimi i shkarkimit të punëtorëve do ta reduktojë, në vend se ta rrisë, papunësisë nuk është aq e çmendur sa mund të tingëllojë. Nëse kostoja e shkarkimit të punëtorëve është shumë e lartë, atëherë kompanitë mund të mos punësojnë punëtorë shtesë në përmirësim të tregut, nga frika se mund të mos jenë në gjendje t’i ulin kostot e tyre të punës në rast të rënieve të ardhshme. Kostoja e shkarkimit është kosto e punësimit, siç ekonomistëve u pëlqen të thonë. Reduktoni koston e shkarkimit dhe do ta reduktoni edhe koston e punësimit. Nëse reduktimi i kostos së shkarkimit do t’i japë shtysë punësimit kjo varet prej balancës së këtyre dy faktorëve. Rezultati varet prej asaj nëse kompanitë sforcohen më shumë nga kostoja e shkarkimit, apo ajo e punësimit.

Në kohëra të mira, kur kompanitë synojnë zgjerimin, është kostoja e punësimit ajo që shtrëngohet, ndërsa lehtësimi i punësimit të punëtorëve do ta eliminojë pengesën kryesore për investim dhe kapacitet zgjerimi. Në kohëra më pesimiste, ulja e kostos së shkarkimit thjesht do të hapë rrugën për pezullime të tjera. Secili prej këtyre faktorëve do të mbizotërojë varet prej kërkesës agregate dhe “shpirtit kafsharak” të punëdhënësve.

Kjo dykuptimësi shpjegon se pse është dëshmuar si i zorshëm krijimi i një marrëdhënieje të qartë empirike, ndërmjet mbrojtjes së punësimit dhe performancës së tregut të punës, me gjithë entuziazmin e shumë ekonomistëve dhe politikëbërësve të reformave që nxisin fleksibilitet. Ekzistojnë dëshmi të konsiderueshme për atë se ligjet e serta të mbrojtjes së punësimit e ulin qarkullimin e vendeve të punës – numrin e punësimeve dhe të shkarkimeve. Mirëpo, kur bëhet fjalë për nivelet e përgjithshme të punësimit dhe të papunësisë, “juria ende po shqyrton”, siç ka treguar një studim i kohëve të fundit. Të dhënat krahasuese na japin pak hapësirë për të besuar se reformat franceze do të prodhojnë një shtysë në fushën e punësimit.

Franca mendohet se ka ligje veçanërisht të serta të punës. Megjithatë, shumë ekonomi me të cilat ajo konkurron kanë masa ngjashëm të serta të mbrojtjes së tregut të punës. Në fakt, sipas indikatorëve të OECD-së për mbrojtjen e punësimit, punëtorët gjermanë dhe ata holandezë me kontrata të përhershme gëzojnë siguri edhe më të madhe sesa punëtorët francezë. (Fusha ku sistemi francez duket të jetë veçanërisht kufizues është ai i kontratave të përkohshme).

Sipas disa matjeve, Franca ka qenë e dyta vetëm pas Gjermanisë për sa i përket kushteve të derregullimit të tregut të punës para nisjes së krizës globale financiare. Megjithatë, shkallët e papunësisë në Gjermani dhe Holandë përbëjnë një fraksion të asaj në Francë.

Dallimi real ndërmjet këtyre ekonomive është se Gjermania dhe Holanda, për dallim prej Francës, gëzojnë tepri të rrjedhjes së parasë. Kjo do të thotë se ekonomitë e tyre kanë marrë një shtysë të madhe nga kërkesa e jashtme. Franca, për dallim, ka deficit të rrjedhjes së parasë.

A mund t’i japin reformat e rritjes së fleksibilitetit të tregut të punës një shtysë të ngjashme industrisë franceze? Mbase. Mirëpo një gjë e tillë do të kërkonte rritje të “shpirtrave kafsharakë” të industrialistëve francezë. Në fund të fundit, psikologjia mund të luaj rol më të madh se sa vetë hollësitë e reformave.

Në një diskutim të tillë teknokratik, është fare e lehtë të harrohet se ato që ekonomistët i quajnë “ashpërsi të tregut të punës” në fakt janë një komponentë e rëndësishme e ujdisë shoqërore në ekonomitë e avancuara kapitaliste. Ato ofrojnë siguri për të ardhurat dhe punësimin e punëtorët, jetët e të cilëve mund përndryshe të jenë subjekt i trazimeve. Dhe, siç e cekë ekonomisti italian, Giuseppe Bertola, ato mund të jenë frytdhënëse edhe nga perspektiva ekskluzivisht ekonomike, për shkak se e lehtësojnë zbutjen e të ardhurave të punës.

Njerëzit në qarkun e ngushtë të Macronit u kanë thënë mençurisht të gjithë atyre që i dëgjojnë që të mos presin shumë prej kodit të ri të punës. Ekonomia e reformave të propozuara sugjeron se ato nuk mund të bëjnë një ndryshim të madh vetvetiu. Telashi është se Macroni ka pak shigjeta për harkun e tij, kur bëhet fjala për nxitjen e rritjes ekonomike të Francës. Nëse e përkufizojmë këtë, sipas politikave makroekonomike, duart e tij i lidh eurozona, ndërkaq ka fare pak gjasa që Gjermania të ndihmojë me rritjen e investimeve dhe shpenzimeve të saj. Kështu që, pavarësisht nëse i pëlqen apo jo Macronit, presidenca e tij pritet të gjykohet sipas reperkusioneve ekonomike dhe politike të reformave të tij të punës.


(Dani Rodrik, profesor i politikave ndërkombëtare ekonomike në shkollën e qeverisjes “John F. Kennedy” në Universitetin e Harvardit, është autor i librit: “Economics Rules: The Rights and Wrongs of the Dismal Science”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).