Në cilindo rast, as dëshira e SHBA-së për ta ndjekur një front të përbashkët karshi Kinës e as realiteti se CAI-ja do të ngecë në krijimin e një Kine më të lirë, më të orientuar kah tregu, nuk janë argumente valide kundër CAI-s dhe aranzhimeve të tjera të ngjashme tregtare dhe të investimit. Nuk do të duhej ta gjykonim CAI-n bazuar në atë nëse ajo ia mundëson Evropës të eksportojë sistemin dhe vlerat e saj. Duhet ta gjykojmë bazuar në atë nëse i lejon Evropës që të mbetet e përnjëmendtë kundruall vetvetes
Kur 2020-a po mbaronte, Bashkimi Evropian dhe Kina shpallën kompletimin e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse për Investime (CAI) midis dy gjigantëve ekonomikë.
“Kjo do të jetë marrëveshja më ambicioze që Kina ka arritur ndonjëherë me ndonjë shtet të tretë”, kapardisej në marrëveshjen zyrtare të publikuar nga Komisioni Evropian.
CAI-ja u jep kompanive evropiane qasje të zgjeruar në tregun kinez, i heq (apo i zbut) kërkesat qeveritare kineze për sipërmarrjet e përbashkëta dhe transferimin e teknologjive në disa sektorë, dhe premton trajtim të barabartë me ndërmarrjet shtetërore, si dhe transparencë më të madhe rregullatore. Për më tepër, Qeveria kineze ka ndërmarrë disa obligime përkitazi me qëndrueshmërinë mjedisore dhe të drejtat e punës, duke u dakorduar që të bëjë “përpjekje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme” rreth ratifikimit të Konventës së Punës së Detyrueshme.
Në letër kjo është një fitore jo vetëm për industrinë evropiane, por edhe për të drejtat e njeriut. Mirëpo pritja që CAI-ja ka gjeneruar nuk ka qenë pozitive në mënyrë uniforme. Reagimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ndryshuar prej zhgënjimi në armiqësi të drejtpërdrejtë. Për mbrojtësit e linjës së sertë, përfshirë edhe zyrtarët e administratës në largim të Donald Trumpit, vendimi i Evropës i ngjason gërryerjes së forcës së ekonomisë kineze dhe dorëzimit të një fitoreje të rëndësishme diplomatike në duart e vendit. Por edhe shumë prej të moderuarve, përfshirë këshilltarin për Siguri Kombëtare të presidentit të zgjedhur Joe Biden, janë tronditur gjithashtu. Administrata në ardhje e Bidenit ka parapëlqyer që ta prezantojë një front të përbashkuar karshi Kinës, duke e arritur së pari një ujdi ekonomike me Evropën.
Për të tjerët, ishte ky naivitet i dukshëm i BE-së karshi premtimeve për të drejta të njeriut në Kinë. Guy Verhofstadt, ish-kryeministër belg dhe anëtar i Parlamentit Evropian, ka shkruar në Twitter se “çdo nënshkrim kinez mbi të drejtat e njeriut nuk ia vlen as letrës në të cilën hidhet”.
Marrëveshja evropiano-kineze e nënvizon një çështje fundamentale të rendit botëror pas pandemisë: Si do të menaxhohen marrëdhëniet strategjike dhe ekonomike midis fuqive madhore me aranzhime krejtësisht të ndryshme institucionale dhe politike? Në veçanti, a munden demokracitë të mbesin të njëmendta në tregti dhe investime me Kinën?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhet t’i kemi parasysh dy fakte. E para, është e pamundur të nënvizohet një shkëputje domethënëse të ekonomisë kineze dhe ekonomive të Perëndimit pa nxitur ndonjë katastrofë ekonomike. Së dyti, pa pak çka që vendet perëndimore mund të bëjnë, individualisht apo kolektivisht, për ta riformësuar modelin ekonomik kinez të nxitur prej shtetit apo regjimin represiv për të drejtat njerëzore dhe të punës.
Marrëveshjet tregtare dhe të investimit nuk mund ta transformojnë Kinën në një ekonomi tregu të stilit perëndimor apo ta shndërrojnë atë në një demokraci. Shpresë kryesoja jona, atëherë, është që të kërkohet një regjim i ri global që e njeh diversitetin e rregullimeve ekonomike dhe politike pa i rrezikuar rëndë përfitimet nga tregtia ndërkombëtare dhe investimet.
Asnjëra prej këtyre nuk aludon se vendet perëndimore duhet t’i lënë mënjanë të drejtat njerëzore apo konsideratat politike, kur ta përfshijnë Kinën në sferën ekonomike. Kjo thjesht do të thotë se SHBA-ja dhe Evropa duhet të ndjekin synime më të kufizuara, më të arritshme dhe përfundimisht më të mbrojtshme.
Këto dy synime janë parësore. Së pari, rregullat për tregti dhe investime duhet të garantojnë që kompanitë dhe konsumatorët perëndimorë të mos jenë bashkëpunëtorë të drejtpërdrejtë në abuzimet e të drejtave të njeriut në Kinë. Së dyti, rregullat e tilla duhet t’i mbrojnë vendet demokratike karshi praktikave kineze që do të mund t’i rrezikonin marrëveshjet e tyre të brendshme institucionale për punën, mjedisin, teknologjinë dhe sigurinë kombëtare. Synimi mëton që t’i mbajë dhe mbrojë vetë vlerat e Perëndimit e jo t’i eksportojë ato.
Andaj, pyetja e rëndësishme që shtrohet nga CAI-ja nuk është nëse BE-ja do të jetë në gjendje që ta ndryshojë sistemin ekonomik kinez apo t’i përmirësojë të drejtat njerëzore dhe regjimin e punës në Kinë. Edhe nëse trajtimi i pakicës kryesisht myslimane të ujgurëve përmirësohet, represioni ndaj disidentëve dhe fjalës së lirë do të vazhdojë.
Dhe edhe në rast se Kina e ratifikon Konventën e Punës së Detyrueshme dhe i zbaton dispozitat e saj – një çështje kjo e dyshimtë – liderët kinezë nuk e kanë në plan që t’i njohin unionet e pavarura. Çështja relevante këtu është nëse BE-ja ka hequr dorë prej lirisë së saj për të ndjekur politika që e kufizojnë bashkëfajësinë në abuzimin me të drejtat e njeriut dhe të punës apo në mbrojtjen e standardeve evropiane të sigurisë kombëtare dhe punës.
Komisioni Evropian ka pretenduar se CAI-ja e lejon BE-në që ta ruajë “hapësirën e saj politike”, sidomos në sektorët e “ndjeshëm” si energjia, infrastruktura, bujqësia dhe shërbimet publike.
Në fushat e mbetura, BE-ja veçse është goxha e hapur në investimet kineze. Kjo e ngre pyetjen se çfarë mendon Qeveria kineze se po nxjerr nga kjo marrëveshje.
Përgjigjja duket të jetë se Kina është duke blerë garanci kundruall kufizimeve të ardhshme në Evropë. Marrëveshja ngërthen një skemë arbitrimi që ua pamundëson palëve që të paraqesin ankesa për shkelje ndaj njëra-tjetrës. Nëse konsultimet dështojnë që ta zgjidhin çështjen, mospajtimet do të nxirren para paneleve të arbitrazhit me anë të procedurave specifike të pajtueshmërisë. Derisa Komisioni Evropian e sheh këtë si një mekanizëm për ta shmangur rrëshqitjen kineze prej përkushtimeve, ajo mund gjithashtu të shërbejë si një mjet i Qeverisë kineze për t’i sfiduar kufizimet specifike të hyrjes ndaj kompanive kineze.
Një kornizë për zgjidhjen e mospajtimeve është kësisoj thelbësore për çdo rend funksional global. Por çfarë nëse, le të themi, një vend evropian synon që ta pengojë një kompani kineze që i trajton punëtorët e saj me të keq apo operon në Xinjiang?
Franca tanimë kërkon që kompanitë e mëdha franceze t’u binden të drejtave ndërkombëtare të njeriut si dhe normave mjedisore gjatë operacioneve të tyre jashtë vendit.
Çfarë ndodh nëse vendet evropiane aprovojnë masa më të ashpra për t’i parandaluar kompanitë kineze me praktika problematike të punës apo mjedisit që të operojnë në BE? A do t’i gjente mekanizmi i arbitrazhit këto rregullime si të përkueshme me CAI-n? Po kështu, çfarë respektimi do të tregonin panelet karshi përjashtimeve në qasjen e tregut, bazuar në konsideratat e “sigurisë kombëtare”?
Përgjigjet për këto pyetje nuk janë të qarta. Shumëçka do të varet nga teksti përfundimtar i CAI-s, dhe nga shkalla sipas së cilës panelet e arbitrazhit do të zgjidhnin ta prioritarizonin qasjen në treg karshi “synimit publik” të vetëpërshkruar të shteteve.
Në cilindo rast, as dëshira e SHBA-së për ta ndjekur një front të përbashkët karshi Kinës e as realiteti se CAI-ja do të ngecë në krijimin e një Kine më të lirë, më të orientuar kah tregu nuk janë argumente valide kundër CAI-s dhe aranzhimeve të tjera të ngjashme tregtare dhe të investimit. Nuk do të duhej ta gjykonim CAI-n bazuar në atë nëse ajo ia mundëson Evropës të eksportojë sistemin dhe vlerat e saj. Duhet ta gjykojmë bazuar në atë nëse ia lejon Evropës që të mbetet e përnjëmendtë kundruall vetvetes.
(Dani Rodrik, profesor i Ekonomisë Ndërkombëtare Politike në shkollën e qeverisjes “John F. Kenney”, në Universitetin e Harvardit, është autor i librit “Straight Talk on Trade: Ideas for a Sane World Economy”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).