Kultura e normimit maksimal është një formë e sofistikuar e frikës nga liria. Ajo mund të vishet me gjuhë ligjore apo me dekor institucional, por në thelb mbetet një mjet mbrojtës i një shoqërie që nuk është ende e gatshme të besojë te vetja dhe te qytetari si subjekt politik. Çlirimi nga kjo kulturë nuk vjen përmes më shumë ligjeve apo më shumë kontrolleve, por përmes emancipimit të mendimit, fuqizimit të individit dhe kthimit të politikës në hapësirë të vërtetë dialogu dhe bashkëvendimmarrjeje
Në shoqëritë që nuk e kanë përjetuar një emancipim të thellë demokratik, liria përjetohet më tepër si kërcënim sesa si mundësi. Kjo ndjenjë projektohet në një kulturë të përhapur e cila kërkon të normojë çdo veprim – të rregullojë gjithçka, të kontrollojë gjithçka, të parashikojë gjithçka, të kufizojë gjithçka, të kundërshtojë gjithçka, të debatojë për gjithçka, të mos pajtohet me gjithçka, të refuzojë gjithçka. Ky mentalitet i normimit maksimal nuk është shprehje e përgjegjësisë apo rendit shoqëror, por simptomë e frikës nga e panjohura, e mungesës së dijes dhe e paaftësisë për të kuptuar lirinë. Si i tillë, ky mentalitet shndërrohet në pengesë serioze për zhvillimin demokratik dhe në sulm të drejtpërdrejtë ndaj dijes dhe kulturës politike.
Trashëgimi mesjetare në një realitet modern
Kjo qasje ndaj normës dhe normimit maksimal ka rrënjë të thella historike. Në shoqëritë mesjetare, autoriteti moral, politik dhe shpirtëror ishte absolut, ndërsa çdo shmangie nga norma përjetohej si kërcënim ndaj rendit. Politika nuk njihej si proces i debatit apo përfaqësimit, por si zgjatim i vullnetit të padiskutueshëm të autoritetit.
Sot, edhe pse jemi në shekullin 21, shumë shoqëri – përfshirë edhe shoqërinë kosovare – funksionojnë mbi të njëjtën logjikë: vendimet nuk diskutohen, por vërtetohen; ligji nuk konceptohet si garantues i lirisë, por si mjet i kufizimit të lirisë; qytetari nuk shihet si burim i sovranitetit, por si subjekt që ka nevojë të drejtohet e të kontrollohet, ligji keqinterpretohet dhe përdorët për ta goditur tjetrin. Kjo është një shoqëri me predispozita të shohë politikën, demokracinë dhe çështjet e të drejtave të njeriut vetëm bardh e zi. Shoqëri që dëshiron ambient ku dukemi të njëjtë në bindje dhe veprime, sepse si pasojë e mosdijes nuk është e gatshme ta pranojë ekzistencën e individit për ta realizuar lirinë e tij individuale që buron nga e drejta natyrore.
Shoqëria bardh e zi: pamundësia për pluralizëm
Në këtë realitet të polarizuar, politika përjetohet si fushë besnikërie dhe jo si arenë e konkurrencës së lirë të ideve. Ose je “i yni”, ose “armiku ynë”; ose “mbrojtës i shtetit”, ose “shkatërrues i kombit”. Pamundësia për të menduar në nuanca është thellësisht antidemokratike. Ajo nuk i lë hapësirë qytetarit për qëndrim kritik, nuk lejon dyshim epistemik, as vetëreflektim shoqëror.
Demokracia, e cila jeton nga tensioni ndërmjet të ndryshmes dhe të ndryshuarës, kthehet në një iluzion formal, ndërsa politika zhvishet nga përmbajtja dhe shndërrohet në ritual, në vend që të shndërrohet në proces demokratizimi. Për rrjedhojë, kultura e normimit bëhet zëvendësim i lirisë me rregull dhe i dijes me bindje të gatshme. E dëgjojmë shpesh here duke deklaruar kryeministrin, ministrin, kryetarin e komunës me mburrje se në mandatin tonë miratuam qindra projektligje, ligje, rregullore, vendime, e akte të tjera. Kjo do të thotë se e bëjmë atë për të cilën nuk na keni dhënë mandat, prandaj po ua kufizojmë lirinë, po ua normojmë çdo sjellje, çdo veprim. Sa më shumë rregulla dhe norma, shto këtu edhe norma juridike aq më shumë rritet padija dhe pengohet zhvillimi.
Mst: Papjekuria parlamentare dhe “gjykatizimi” i demokracisë
Kjo logjikë shfaqet edhe në sjelljen institucionale, veçanërisht në Kuvendin e Kosovës. Edhe në këtë legjislaturë po vërehet papjekuria politike dhe mungesa e vetëdijes për rëndësinë e Kuvendit (Parlamentit) si qendër e demokracisë. Në vend që mosmarrëveshjet politike të trajtohen si pjesë përbërëse e jetës parlamentare, ato delegohen menjëherë te Gjykata Kushtetuese. Krejt pavetëdijshëm nga tema politika kthehen në tema teknike ligjore.
Refreni “e dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese” është tregues i heqjes dorë nga prerogativa sovrane e përfaqësuesve të popullit dhe i bartjes së përgjegjësisë te disa juristë. Në këtë mënyrë, pavetëdijshëm, po instalohet një “juristokraci” në vend të zhvillimit dhe forcimit të demokracisë. Kështu, në vend që të demokratizojnë shoqërinë, përfaqësuesit politikë po e “gjykatizojnë” vetë demokracinë, duke e zhveshur nga përmbajtja politike dhe duke e kthyer në çështje teknike ligjore.
Në këtë kontekst, është thelbësore të kujtohet se miratimi i ligjeve është mandat politik, por teknikalitetet ligjore nuk janë fushë veprimi i politikanëve edhe nëse ndonjëri prej tyre rastësisë me qenë jurist. Si jurist mund të shtojë vlerat e demokracisë përmes dijes dhe kulturës juridike. Asnjë jurist nuk ka mund të qëndrojë në politik si jurist. Në politikë edhe juristi është politikan. Ligjet janë produkt i ekspertizës dhe teknokracisë, por përfaqësuesit politikë janë përgjegjës për drejtimin dhe funksionalizimin e institucioneve, jo për krijimin e krizave artificiale duke abuzuar me dispozitat ligjore. Shfaqet një paradoks i rrezikshëm: të njëjtët deputetë që e kanë miratuar një ligj, tani i bëjnë interpretim të lirë, selektiv, sipas nevojave momentale. Pyetja që lind është: A janë të vetëdijshëm se nuk është kjo puna e tyre? Punë – angazhim i politikanëve është zhvillimi i demokracisë, jo interpretimi teknik i ligjit.
Rasti konkret: ligji për qeverinë si shembull i padijes normative
Ja një situatë që e ilustron më së miri krizën e dijes dhe funksionimit institucional: deri më tani, gjatë tetë legjislaturave, edhe pse nuk ka pasur një ligj të veçantë për qeverinë, problemi nuk është shfaqur ndonjëherë, sepse funksioni rregullues ishte mbuluar nga Rregullorja dhe praktika parlamentare. Tani, kur më në fund është miratuar një “ligj për qeverinë”, ai është bërë keq, në mënyrë të gabuar konceptuale dhe teknike. Ligji i cili ia humbi vlerën asaj pak tradite dhe praktike parlamentare të krijuar nga viti 2001.
Edhe një lexim sipërfaqësor e zbulon se ky “ligj”, megjithëse mban këtë titull, në përmbajtje nuk është as ligj e as rregullore. Ai është një dokument me përmbajtje të turbullt, konfuze, me dispozita pa objekt dhe tërësisht abstrakte, i cili më tepër ka shtuar konfuzion mbi nenin 70 dhe 95 të Kushtetutës, sesa që i ka zbërthyer ato në mënyrë funksionale. Kjo është një pasojë klasike e një kulture që normon çdo gjë pa dijeni për çfarë po normon.
Në legjislaturën e nëntë, puna e parë që duhet të bëjë Kuvendi është të ndërmarrë ndryshimin urgjent të këtij ligji, duke e zëvendësuar me një ligj të vërtetë për qeverinë, të harmonizuar me Kushtetutën dhe të bazuar në standardet e teknikës së mirë ligjvënëse. Kjo është detyrë politike dhe institucionale, por para së gjithash, është detyrë e arsyes dhe e përgjegjësisë së dijes.
Mst: Padija si metodë: deformimi i roleve institucionale
Parimet e teknikës ligjore janë të qarta: një normë ligjore që nuk ka objekt konkret, nuk mund të zbatohet. Çdo përpjekje për të zbatuar norma të tilla është shprehje e padijes, jo e profesionalizmit. Dhe kur padija merr pamje politike, deformon rolet institucionale: Kuvendi – një organ politik – shndërrohet në zyrë teknokratike, ndërsa KQZ – një organ profesional – transformohet në institucion politik.
Në vend që të mendohet si të saktësohen normat për të ardhmen, me afate dhe data të qarta (siç bëhet në shumë rende juridike), për shembull, përcaktimi i saktë i datës së certifikimit të rezultatit zgjedhor, në Kosovë ndodh e kundërta: shkaktohet paqartësi ligjore, që krijon diskrecion dhe lë vend për manipulim. Në vend të para shikueshmërisë, prodhohet pasiguri; në vend të shtetit të së drejtës, instalohet një rend i improvizuar.
Nga frika tek emancipimi politik
Kultura e normimit maksimal është një formë e sofistikuar e frikës nga liria. Ajo mund të vishet me gjuhë ligjore apo me dekor institucional, por në thelb mbetet një mjet mbrojtës i një shoqërie që nuk është ende e gatshme të besojë te vetja dhe te qytetari si subjekt politik.
Çlirimi nga kjo kulturë nuk vjen përmes më shumë ligjeve apo më shumë kontrolleve, por përmes emancipimit të mendimit, fuqizimit të individit, dhe kthimit të politikës në hapësirë të vërtetë dialogu dhe bashkëvendimmarrjeje.
A ka më padije se, sa t’i kërkosh dorëheqje një qeverie pasi që mandati i ka përfunduar sipas vendimit të legjislaturës së tetë në datën, muajin dhe vitin e përcaktuar?
A ka më padije se, sa qeveria me mandat të përfunduar të marrë vendime që nuk ka të drejtë t’i marr?
A ka më padije që të sponsorizohet projektligji nga qeveria, pastaj të miratohet ligji i njëjtë në Kuvend në kundërshtim me Kushtetutën, nenin 70 dhe 95, dhe tre vjet më vonë të njëjtin ta shfrytëzojnë për bllokadë të vetë vetes në ditën ceremoniale dhe konstitutive të Kuvendit të Republikës?
Shpresojmë të mos ketë më padije sesa kaq.
Përderisa normimi vazhdon të zëvendësojë dijen, shoqëria do të mbetet në një gjendje të përhershme tranzicioni pa emancipim. Do të ndjekë logjikën e normimit të gjithçka-je. Demokracia nuk zhvillohet me frikë, por me guxim. Guximi më i madh është t’i besosh njeriut si qenie e lirë.
(Autori është profesor i teorisë së shtetit dhe së drejtës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës)