...për luftën për vota, për gjyqësinë kanceroze dhe stimulimin e parazitizmit...
Nuk e di se përse këto ditë flitet aq pak për vaksinimin anti-Covid dhe faktin se Qeveria megjithatë nuk do t'ia dalë, me këtë ritëm, ta arrijë vaksinimin e 60% të popullatës, që kishte qenë premtim zgjedhor.
Trendi i vaksinimit me dozat e para ka rënë në formë drastike dhe sërish e besoj se kjo do të duhej të ishte një sinjal për alarm. Në javën e fundit, për pesë ditët për të cilat gjenden shënimet në faqen e MSH-së në FB, janë administruar afër 26 mijë doza, prej të cilave vetëm rreth 3,300 janë vaksinat e para.
Deri tash janë administruar 1,558.528 doza, prej të cilave 720.378 veta i kanë marrë dy dozat (pra 1,48 milionë doza) që tregon se vetëm edhe 100 mijë njerëz i kanë marrë vaksinat e para. Pra, së bashku bëjnë më pak se gjysma e popullsisë së përgjithshme të Kosovës. Të kujtojmë se 60% e popullsisë e bëjnë rreth 1.05 milionë banorë.
Se a ka Kosova kapacitet për t'i administruar dozat e nevojshme, tashmë u dëshmua se ka. Pra, po të donin të vaksinoheshin, të gjithë të mbeturit do të mund të vaksinoheshin brenda më pak se një muaji. Porse problemi është se vazhdon të ketë rezistencë dhe vazhdon të mos ketë fushatë të mirëfilltë nga institucionet si ftesë për t'u vaksinuar. Dalja nëpër qendrat rajonale me ndihmën e FSK-së nuk po sjell rezultat të duhur, sepse numri i atyre që vaksinohen në rrugë është simbolik.
Meqë kjo qeveri ka vendosur t’u japë ndihma dhe përkrahje financiare grupeve të caktuara të shoqërisë, tash me arsyetimin se janë rritur çmimet dhe në këtë formë do të zbutet problemi, atëherë do të duhej të mendonte edhe për subvencionimin e vaksinimit. Të vendoste që ata që refuzojnë, rezistojnë ose hamenden të vaksinohen, të joshen me një pagesë prej ta zëmë 20 eurosh për të dyja vaksinat. Jam e sigurt se kjo cytje do të kishte pasur efekt pozitiv të synuar.
* * *
Ndërkohë, pas zgjedhjeve që kryesisht shkuan mirë dhe me gjithë akuzat se aty-këtu pati vjedhje votash, madje edhe brendapartiake, sërish publikimi dhe certifikimi i rezultateve marrin shumë kohë.
Kësaj radhe numërimi i votave shkoi më shpejt se zakonisht, ani pse paksa u tjerr çështja e votave me postë, e më pas edhe të atyre me kusht. Numri i tyre nuk ka qenë aq i madh sa të mos përballohej brenda ditës, por megjithatë kjo mori dy ditë.
Pra, tash thuajse e dimë se më 14 nëntor do të kemi balotazh në 21 komuna dhe natyrisht se do të jetë garë interesante në të gjitha komunat, porse që vëmendja do të përqendrohet në qytetet më të mëdha, si Prishtinë, Prizren, Gjakovë e Gjilan. Aty shumë rol do të mund të luajnë koalicionet eventuale që partitë do t'i krijojnë, e të cilat mund t'i bëjnë publike e me gjasë edhe jo për të mos i trazuar gjërat edhe më.
Fushata e balotazhit do të zgjasë pesë ditë, që është mirë, dhe numri i debatuesve do të jetë më i vogël. Mbase edhe do të jetë rast ideal për kandidatët që t'i shpalosin programet e tyre më në detaje dhe me seriozitet, kjo e fundit e munguar jo rrallë, në raundin e parë të votimeve.
* * *
Dhe derisa ende pjesa më e madhe e vëmendjes është kthyer nga zgjedhjet, dhe natyrisht, rritja e çmimeve, si dhe ndihmat që Qeveria zgjedh t'i japë para rundit të dytë të votimeve, në Kosovë ndodhin gjëra që na dëshmojnë se sistemi ynë gjyqësor është madje njëra nga pengesat më të mëdha që e koçit zhvillimin e kësaj shoqërie.
U bë publik një aktgjykim i Themelores së Pejës, i marrë dy muaj më parë, ndaj të cilit nuk ishte ushtruar ankesa, për dënimin e një dhunuesi me 8 muaj e 8 ditë burgim. Vepra penale e kryer para dhjetë vjetësh, kur një 21-vjeçar, nën kërcënimin me armë të bardhë, e kishte dhunuar një 15-vjeçare, ishte zvarritur me vjet. Ashtu siç në Kosovë ndodh rëndom me shumë lëndë, e posaçërisht me lëndë ku janë përfshirë figurat politike.
Pikëllues në këtë rast qe fakti se personi që e gjykoi, se kishte rrethana lehtësuese që e favorizonin kryerësin e veprës penale, ishte grua. Pra një gjykatëse vlerësoi se dënimi, në kundërshtim me Kodin Penal që parasheh dënim shumë më të rëndë, mund t'i zbutej për aq kohë sa ky kishte qëndruar në paraburgim, për shkak se "ky ishte penduar, kishte qenë i ri atëherë dhe se ndërkohë ishte martuar dhe ishte bërë baba".
Fare nuk e mori parasysh se çfarë ndiente gruaja tash 25-vjeçare, dhe me çfarë traumash duhej ballafaquar gjithë jetën për shkak të veprimit shtazarak të dhunuesit.
E keqja e gjithë këtij rasti është se më askush nuk ka çfarë bën ligjërisht për viktimën. Afatet janë mbyllur. Tash vetëm mund të ketë veprime kozmetike disiplinore nga KPK-ja dhe KGJK-ja dhe me aq do të mbyllet kjo çështje.
Po në këtë kohë, KOHA në një analizë të jashtëzakonshme, javën e shkuar i numëroi një varg gjykimesh të profilit të lartë që me gjasë do të përfundojnë me vendime parashkruese dhe pa epilog të gjykuar për rastet e korrupsionit.
Sa për shkak të paaftësisë (së qëllimshme?) të prokurorëve, sa për ndryshimin e shpeshtë (të qëllimshëm?) të trupave gjykues një mori rastesh janë ende në procedurë, madje qe tetë vjet.
Rasti "TOKA", ku është akuzuar ish-komandanti i UÇK-së dhe ish -deputet i PDK-së, Azem Syla, për shpronësimin ilegal të pronave të huaja, ka nisur para pesë vjetësh kur u ngrit aktakuza, kurse gjykimi në shkallën e parë as që ka përfunduar, meqë brenda dy vjetësh janë mbajtur vetëm dy seanca.
Afera "Stenta" ka nisur para thuajse gjashtë vjetësh. Nuk ka aktgjykim për asnjërën nga tri pjesët e procedurës, ndërkohë që një pjesë e veprave penale janë parashkruar.
Kontrabandimi i hidrocentraleve ka ndodhur para tetë vjetësh, atëherë kur edhe u privatizua shpërndarja e KEK-ut. Ka një vit e gjysmë që është ngritur aktakuza dhe gjykimi ka nisur e s'ka nisur. Gjykimi në shkallë të dytë duhet të përfundojë në maj të 2023-tës. Në të kundërtën lënda do të parashkruhet, dhe askujt asgjë.
Vizat e Ukë Rugovës është lënda që është nisur në maj 2016 dhe janë ndërruar gjyqtarët disa herë. Sa herë janë ndërruar ata, procesi ka filluar nga e para. Pra me këtë ritëm, edhe kjo është nisur rrugës për në parashkrim.
E besoj se secili qytetar që ndonjëherë është ballafaquar me gjyqin do ta ketë përjetuar frustrimin e procedurave që thuajse nuk kanë fund. Nëse ju tregoj se unë vetë po e pres aktgjykimin përfundimtar të Apelit qe tre vjet e gjysmë për një padi të ngritur para tetë vjetësh e gjysmë, e besoj se jua kam thënë të gjitha. Në rastin tim vendosa të mos hiqja dorë - dhe ende e besoj se ai vendim do të vijë. Uroj që të ndodhë para se ligjërisht të dal në pension, pra brenda 7 vjetëve të ardhshëm.
* * *
Me kësi rrëfimi nuk është se njeriu ka shumë shpresa se gjërat do të ndryshohen për të mirë dhe shpejt. As me buxhetin e planifikuar, e të miratuar nga Qeveria, për vitin 2022. Thuhet se ai do të jetë 2,7 miliardë euro dhe se do të sjellë zhvillim.
Uroj që të mblidhen të gjitha këto para, dhe uroj që njëmend të ketë bile pak zhvillim. Porse nuk kam si të mos e shpreh sërish protestën në emër të sektorit privat jotregtar, i cili ka mbetur i anashkaluar nga çfarëdo ndihme a përkrahjeje nga kjo qeveri. Përderisa më 2020, Qeveria Kurti I kishte subvencionuar pjesërisht nga dy rroga, një përqindje të kontributeve dhe i kishte shtyrë afatet për pagesat e tatimeve, Qeveria Kurti II i ka dhënë mjete gastronomisë dhe ua ka bllokuar llogaritë taksapaguesve që nuk kanë arritur t'i paguajnë detyrimet me kohë.
Ndërkohë, sektori publik si punoi, si nuk punoi u pagua nga mjetet e buxhetit të shtetit, të cilit i kontribuon jo pak sektori privat. E ky i fundit u detyrua në shumë raste edhe t'i pushojë nga puna punëtorët për shkak të pamundësisë për t'i mbajtur.
Nuk e kuptoj filozofinë e zhvillimit të ministrit të Financave - nuk e kuptoj se përse duhet krijuar më shumë raste për të marrë ndihmë sociale, në vend se të përkrahen punëdhënësit me grante të pakthyeshme për t'i konsoliduar radhë dhe për t'i kryer detyrimet me kohë. Fundja mjetet që do t'u jepeshin firmave private prodhuese e jotregtare, do të ktheheshin sërish në qarkullim dhe në buxhet. Lehtë është të thuash ta ndihmoj kredinë me pagesën e kufizuar të interesit. Vështirë është të kthehet kredia në kushtet kur qarkullimi i parasë në Kosovë vazhdon të jetë problem shumë, shumë i madh.
* * *
Uroj që këto zgjedhje të kryhen sa më shpejt. Mbase atëherë vërtet do t'u kthehemi realitetit dhe idesë së nevojës për ta zhvilluar këtë vend. Porse një gjë e di, e këtë na e ka mësuar përvoja në njëzet vjetët e fundit, se me ndihma sociale dhe subvencione të çastit kategorive të caktuara të popullsisë (hiç pensionistët) vetëm sa krijon parazitizëm dhe varshmëri nga dora e shtetit. Kështu askujt nuk mund t'ia mësosh kulturën e punës, edhe po të doje.