Pavarësisht se një sistem mund t’i përmbajë të gjitha institucionet dhe procedurat demokratike, jetësimi i parimeve demokratike përmes së cilave funksionojnë këto institucione varet nga liderët politikë. Njëri prej parimeve më të rëndësishme është llogaridhënia. Nëse ajo funksionon, demokracia është më e plotë dhe më funksionale. Pa të zhvillohet autoritarizmi, korrupsioni dhe hapet rruga për sjellje dhe veprime politike, të cilat bien ndesh edhe me parimet e tjera të cilat e bëjnë një demokraci funksionale. Prandaj LVV-ja si mazhorancë në parlament ka përgjegjësi politike për kultivimin e kulturës demokratike, në të cilën funksionin edhe llogaridhënia. Mungesa e vetëdijes për këtë përgjegjësi rrezikon ta radhisë Kosovën në vargun e shteteve me sistem autoritar
Mënyra se si ndodhin zhvillimet politike në një vend dhe se si funksionon sistemi politik me të tria degët e pushtetit varet shumë nga kultura politike. Ajo është rezultat i historisë politike të një vendi, por edhe i veprimeve apo mosveprimeve të lidershipit politik. Janë ngjarjet apo momentet historike në një vend që përcaktohen nga akte politike dhe ligjore, të cilat mund të kenë ndikim të jashtëzakonshëm në sjelljet e akterëve politikë dhe të trashëgohen nga brezat e ardhshëm. Kështu për shembull, Magna Carta, e cila u nënshkrua nga Mbreti anglez John, në vitin 1215, pati ndikim të madh në mënyrën e jetës së kolonistëve anglezë në Amerikën Veriore. Rrjedhimisht ajo pati ndikim edhe në parimet themeltare të SHBA-së pas Revolucionit Amerikan.
Përvoja politike e Kosovës në këtë mes është unike. Lufta e saj për liri, me mjete të ndryshme, qoftë politike, qoftë përmes armëve zgjati për afër një shekull. Liria dhe të drejtat e njeriut ishin qëllime sine qua non të gjeneratave të tëra të cilat ishin të shtypura nga regjimet autoritare. Në Kosovën e pasluftës u vendos administrimi ndërkombëtar, qëllimi i të cilit ishte të përgatisë Kosovën për një jetë në kushte të lirisë dhe demokracisë. Edhe pse administrimi ndërkombëtar i Kosovës ishte në vetvete autoritar me një pushtet të plotfuqishëm të përfaqësuesve të Kombeve të Bashkuara, ai ishte i karakterit të përkohshëm dhe për nga qëllimi ishte beninj.
Aktet themeltare të Kosovës së pavarur, siç janë Pakoja e Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës, janë në thelb dokumente të cilat do të duhej të garantonin një sistem politik demokratik me balancë të pushteteve ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore, ku funksionon llogaridhënia si parim themelor i një demokracie funksionale. Mirëpo, këto akte sigurojnë funksionimin e sistemit të balancave vetëm për nga forma. Përmbajtjen e atij funksionimi e bëjnë përfaqësuesit politikë.
Pse nuk po them qytetarët, të cilët, në parim, ishte dashur të ishin pjesëmarrës aktivë të funksionimit të demokracisë dhe të kërkonin llogari nga përfaqësuesit e tyre? Për shkak se qytetarët janë kryesisht të shkëputur nga jeta politike dhe ua delegojnë funksionimin e sistemit përfaqësuesve, të cilët ata i zgjedhin përmes votës së lirë dhe në këtë kontekst Kosova nuk bën ndonjë përjashtim, sepse këtë e bëjnë edhe qytetarët e vendeve me një demokraci me përvojë qindravjeçare, siç janë Britania e Madhe, Franca apo SHBA-ja.
Në formë Kosova është një shtet demokratik. Një demokraci parlamentare, në të cilën qytetarët zgjedhin përfaqësuesit e tyre në cikle zgjedhore të rregullta apo të jashtëzakonshme dhe ku ndërrimi i pushteteve bëhet në mënyrë paqësore. Sistemi, si i tillë, është ndërtuar në atë mënyrë që të ketë llogaridhënie përmes ndarjes së pushteteve – ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit. Mirëpo, siç u tha më lart, kjo ndarje e pushteteve tregon një formë demokratike. Përmbajtjen e saj e sigurojnë njerëzit të cilët merren me çështjet e politikës dhe të gjyqësorit. Në këtë shkrim do të ndalem vetëm në pjesën e llogaridhënies së ekzekutivit para parlamentit në situatën kur një parti politike e kontrollon shumicën parlamentare.
A ka nevojë pushteti ekzekutiv t’i japë llogari një opozite, e cila për nga numrat është më e vogël, kurse për nga përbërja është e fragmentuar në tri parti opozitare? Përgjigjja është se jo vetëm që duhet t’i japë llogari opozitës, por edhe mazhorancës, e cila, për nga funksioni që e ka, është e obliguar të kërkojë llogari nga qeveria e jo vetëm të shërbejë si makinë votuese për ligjet dhe vendimet të cilat i “propozon” qeveria.
Edhe pse ka qenë opozitë aktive për një dekadë, me ç’rast ka kërkuar llogari për gati të gjitha çështjet nga ish-pushtetet ekzekutive, LVV-ja e pushtetit nuk e kultivon kulturën e llogaridhënies para parlamentit, si njëra prej shtyllave kryesore të demokracisë. Përgjegjësia për kultivimin e kësaj kulture të llogaridhënies i bien pikësëpari liderit të saj, kryeministrit Albin Kurti. Ai dhe ministrat e tij po e trajtojnë parlamentin jo si vend ku duhet të japin përgjigje dhe llogari për qeverisjen e tyre, por si një zyrë, e cila shërben vetëm për t’i vulosur vendimet e qeverisë. Opozita nuk po arrin që ta përmbushë mandatin e saj si mbikëqyrëse e qeverisë, kryesisht për shkak të obstruksioneve të shumicës parlamentare dhe injorimit nga ana e qeverisë dhe liderit të saj. Ky injorim që e ka tejkaluar kufirin e arrogancës politike ndodh për shkak të komoditetit të shumicës të cilën aktualisht e gëzon LVV-ja. Në fakt, kjo shkon edhe më tej, LVV-ja (lexo: qeveria) është duke e penguar aktivisht modelin e llogaridhënies politike. Ajo e ka instaluar një kulturë të mosllogaridhënies me qëllim që të krijojë perceptimin e një qeverisjeje të përsosur, pa asnjë gabim të vetëm dhe ku çfarëdo vërejtje shkon në mulli të “politikës së vjetër.” Pra, LVV-ja (lexo: kryeministri Kurti) është duke e refuzuar llogaridhënien si koncept dhe si mënyrë të politikëbërjes, edhe pse aq gjatë ka luftuar nga karriget (dhe rruga) e opozitës që të ketë llogaridhënie të pushtetit para opozitës.
Kjo mënyrë e sjelljes politike është e rrezikshme për demokracinë në Kosovë, sepse krijon një kulturë të mosllogaridhënies, e cila mund të karakterizojë edhe pushtetet e ardhshme dhe të përcaktojë Kosovën si një autokraci kompetitive e jo si një demokraci e cila në thelb të saj i ka debatin dhe llogaridhënien. Pra, nuk ka llogaridhënie pa debat dhe kemi parë që shpeshherë kur në agjendë të Kuvendit kanë qenë pikat e rendit të ditës në të cilat opozita ka dashur të kritikonte punën e qeverisë, grupi parlamentar i LVV-së, në vend se të përfshihet në debat, e ka lëshuar sallën e Kuvendit. Pra, nuk ka dashur të debatonte për atë që opozita i shihte si të meta në qeverinë e udhëhequr nga z. Kurti. Këto veprime të partisë në pushtet nuk janë vetëm bojkot i thjeshtë i opozitës, por edhe bojkot i demokracisë, sepse me këto veprime LVV-ja po e privon Kosovën nga një jetë e shëndetshme parlamentare ku debatohet për veprimet, keqveprimet apo mosveprimet e qeverisë dhe ku asaj i kërkohet llogari, qoftë nga deputetët e opozitës, qoftë nga deputetët e partisë në pushtet. Ky është funksioni i parlamentit në një demokraci parlamentare. Politika duhet të zhvillohet në parlament, si forum përfaqësues i qytetarëve të një vendi demokratik. Prandaj LVV-ja e pushtetit, për dallim nga LVV-ja e opozitës, po e privon Kosovën nga politika. LVV-ja është aktualisht një shumicë parlamentare, e cila e ka reduktuar politikën në numra të ulëseve parlamentare për shkak se e ka shumicën dhe numrat janë variabla e vetme që i konvenon asaj. Prandaj, sot në Kosovë ka më shumë politikë nëpër studio televizive sesa në parlament, i cili ka degraduar nga funksionet primare që i ka: mbikëqyrja e qeverisë, llogaridhënia dhe debati politik.
Si përfundim, pavarësisht se një sistem mund t’i përmbajë të gjitha institucionet dhe procedurat demokratike, jetësimi i parimeve demokratike përmes të cilave funksionojnë këto institucione varet nga liderët politikë. Njëri prej parimeve më të rëndësishme është llogaridhënia. Nëse ajo funksionon, demokracia është më e plotë dhe më funksionale. Pa të zhvillohen autoritarizmi, korrupsioni dhe hapet rruga për sjellje dhe veprime politike, të cilat bien ndesh edhe me parimet e tjera, që e bëjnë një demokraci funksionale. Prandaj LVV-ja, si mazhorancë në parlament, ka përgjegjësi politike për kultivimin e kulturës demokratike në të cilën funksionin edhe llogaridhënia. Mungesa e vetëdijes për këtë përgjegjësi rrezikon ta radhisë Kosovën në vargun e shteteve me sistem autoritar.