OpEd

Kultura e konsensusit

Është me rëndësi që gjatë javëve dhe muajve në vijim pozita dhe opozita të gjejnë mënyrat për të njohur kontributin e njëra-tjetrës në procesin e liberalizimit të vizave. Ky është proces që duhet të na bashkojë. Përderisa pozita duhet të njohë kontributin e opozitës në përmbushjen e pjesës dërrmuese të kritereve të liberalizimit të vizave, opozita duhet të njohë kontributin e pozitës në finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave. Dështimi për t’u unifikuar në procesin më përbashkues të vendit do ta shkundë seriozisht besimin në “klasën e re politike”

Në rrugën e tyre integruese vendet e Ballkanit Perëndimor kthejnë kokën drejt Sllovenisë dhe Kroacisë për të marrë mësimet nga përvoja e tyre e anëtarësimit në BE. Dhe në këtë drejtim një nga mësimet kryesore që çdo herë përsëritet nga vendet tashmë anëtare të BE-së është që në rrugën tonë integruese duhet të kultivojmë kulturën e konsensusit ndërpartiak. Kjo për dy arsye. E para, çdo reformë serioze në rrugën integruese kërkon mbështetje të gjerë politike. Me fjalë të tjera, çfarëdo që negocion dhe dakordon në Bruksel duhet të miratosh në Kuvendin e vendit tënd. E aty çdo herë do kesh nevojë për opozitën. Prandaj për të evituar bllokimin e reformave evropiane partitë politike duhet të kultivojnë kulturën e konsensusit dhe unitetit politik për agjendën integruese. E dyta, çdo reformë serioze në rrugën integruese zgjat me vite. Pra, që një reformë të jetësohet duhen bërë analiza dhe studime, duhen hartuar ligje dhe udhëzime administrative, duhen ndarë mjetet financiare për zbatimin e strategjive dhe planeve të veprimit dhe duhen rekrutuar dhe trajnuar shërbyes civilë për zbatimin e politikave të reja. Dhe, e gjithë kjo merr kohë. Prandaj një reformë që fillohet nga një parti politike, mbetet të vazhdohet nga një parti tjetër politike. Dhe kështu me radhë duke kaluar stafetën nga një parti politike tek tjetra për hir të një interesit strategjik shtetëror sikur që është anëtarësimi në BE.

Tani duke u kthyer te ne këtu. Këtë javë menjëherë pas votimit të liberalizimit të vizave për Kosovën nga Parlamenti Evropian, Qeveria e Kosovës kishte lëshuar një komunikatë për media, ku përveçse merrte të gjitha meritat për liberalizimin e vizave, njoftonte publikun se “liberalizimi i vizave tashmë është realitet”. E para, liberalizmi nuk është realitet. Ai mbase mund të jetë realitet nga 1 janari 2024, por tani për tani nuk është. Por duke e lënë këtë anash, në komunikatën prej 233 fjalësh nuk kishte asnjë fjalë për meritat e qeverive të mëparshme apo opozitës në këtë proces. Kjo, përkundër faktit se së paku sipas Komisionit dhe Parlamentit Evropian ishin pikërisht ato qeveritë e mëparshme që kanë siguruar përmbushjen e 95 kritereve të liberalizimit të vizave. Pra, ato e kishin filluar, VV-ja po e përfundon. Por edhe nëse dakordohemi se ishte falë qeverisjes së VV-së që u bë progres në fushën e sundimit të ligjit si kriter i mbetur i liberalizimit të vizave, prapë mbesin 94 kritere të tjera të cilat i kanë përmbushur qeveritë e mëparshme dhe jo qeveria e sotme.

Kjo mungesa e njohjes së meritës të partive të tjera politike në procesin e liberalizimit të vizave u reflektua edhe në ceremoninë e nënshkrimit të Rregullores 2018/1806 që u mbajt dje në Strasburg. Aty ishin vetëm dy përfaqësues të Qeverisë. Kjo pikturë e djeshme e zyrtarëve të Qeverisë nga ceremonia e nënshkrimit ishte në kontrast të thellë me pikturën e nisjes së procesit të liberalizimit të vizave në vitin 2012. Asokohe në Bruksel ishin bashkuar i gjithë spektri politik për të lansuar procesin e liberalizimit të vizave. Ndoshta përfaqësuesit politikë të asaj kohe nuk e pëlqenin njëri- tjetrin, ndoshta fshehurazi edhe uronin dështimin e njëri-tjetrit, por ajo nuk ishte me rëndësi, ajo çfarë ishte me rëndësi ishte simbolika e bashkimit për hir të procesit integrues dhe ndërtimi i kulturës së konsensusit.

Kohëve të fundit kemi parë një polarizim dhe intoksikim të skenës politike në Kosovë. Nga dialogu e deri te trusti, partitë politike nuk arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët. Në këtë sfond konsideroj se këtë javë u humb një mundësi ideale e bashkimit të spektri politik dhe ndërtimit të kulturës së konsensusit.

Por sidoqoftë kjo është tani histori. Duke shikuar përpara është me rëndësi që gjatë javëve dhe muajve në vijim pozita dhe opozita të gjejnë mënyrat për të njohur kontributin e njëra-tjetrës në procesin e liberalizimit të vizave. Ky është proces që duhet të na bashkojë. Përderisa pozita duhet të njohë kontributin e opozitës në përmbushjen e pjesës dërrmuese të kritereve të liberalizimit të vizave, opozita duhet të njohë kontributin e pozitës në finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave. Dështimi për t’u unifikuar në procesin më përbashkues të vendit do ta shkundë seriozisht besimin në “klasën e re politike”.

Këtë kulturë konsensusi liderët e dy krahëve do të kanë mundësi ta ndërtojnë me deklaratat politike, por edhe në aktet politike sikur që janë ngjarjet publike dhe vizitat në BE. Nuk shoh asnjë arsyeje pse, për shembull, zëvendëskryeministri Bislimi të mos shoqërohet në Bruksel nga kolegët e tij opozitarë nga Komisioni për Integrim Evropian? Një përfaqësim i tillë ndërpartiak vetëm do ta bënte përfaqësimin e Kosovës më të begatshëm. Në Prishtinë ata mund të kanë dallime për detaje të vogla politike, por në Bruksel ata bashkohen për qëllimin madhor shtetëror.