Po të kishte prokurori ky vend, ka mbi një javë që dikujt i kishte krisur një kallëzim penal. Por, prokurori nuk ka, e as kallëzim; ka zhurmë shurdhuese dhe ndrydhje ligji deri sa të plasë. Sepse ligji vlen për të gjithë, por jo edhe për Komunën e Prishtinës. Pra, me fjalë të tjera dhe duke e cituar dikë që këtë shprehje e ka modus operandi, kësaj i thuhet: “F*CK the law”
Para nja pesë netësh, Prishtina më në fund e pa shiun pas një kohe shumë të gjatë, dhe brenda pak çastesh u shndërrua në Venecie. Nuk e di nëse ka arritur të kthehet kanalizimi mbi rrugë (sepse e vështroja rrjedhën e ujit nga brendia e banesës), ama për që u bë temë që i dogji rrjetet, u bë. Veç e prisja çastin kur do të dilte ndonjë tregtar kreativ me ca gondola për t’i lëshuar me qira, dhe t’ua mundësonte kalimtarëve të rastit një shëtitje romantike nëpër Prishtinën pa lumë, por me shumë ujë.
Nejse, derisa reshjet vazhdonin me furi, natyrisht se trafiku u bllokua dyfish më shumë, sepse tash të gjitha veturat duheshin rreshtuar nga pjesa e rrugës që nuk ishte vërshuar. Të ngujuarit nëpër vetura shkruanin postime në FB duke i paralajmëruar miqtë se do të ishte më mirë të niseshin këmbë, po qe se e kishin ndërmend të dilnin.
Edhe pse nuk e thoshin shprehimisht, që të gjithë venecianët megjithatë ia kishin gjetur çarenë vetes që të mos mërziteshin, ngase prej kohësh mbajnë pjesëza bibliotekash në veturat e tyre – pra, sa më shumë që u bie të presin në trafik, aq më të mëdha do t’i kenë gjasat për të lexuar diçka, qoftë ajo edhe nja dhjetë faqe libra...
* * *
Një ditë prej ditësh para nja tre vjetësh, në pikë të natës dhe në një hapësirë që dukej si “situation room” u mblodh paria e Komunës së Prishtinës për na treguar se po lansohej një produkt që edhe Silicon Valley do t’ia kishte lakminë: softueri për matjen e zhurmës akustike në Prishtinë.
U miratua një rregullore, kafeterive u tha që nëse nuk i blinin pajisjet për matjen e zhurmës, do të pasonin dënimet. Dhe siç ndodh rëndom në shtetin e së drejtës të Kosovës, pajisjet i blenë vetëm një përqindje e vogël e zhurmaxhinjve - ata të tjerët, me aminin e Inspektoratit, e vazhduan punën pa to. Ashtu siç ia kanë bërë plot vjet pa arka fiskale. Po fundja, çka ka lidhje një copë letër - me rëndësi me pi kafe.
Epo mirë, ai farë produkti fantastik punoi nja një muaj - sa për me pa përqendrimin e zhurmës aty ku kishte pajisje... dhe për çdo natë të lume, e posaçërisht të premten, ajo e kuqja e alarmit sa nuk bëhej ngjyrë gjaku prej piskamës së decibelëve që e zgjojnë prej gjumit edhe atë që ka vështirësi dëgjimi.
Në “shpikjen teknologjike” ishte vendosur një numër telefoni, në të cilin askush nuk përgjigjej – kurse sa herë që ftohej Policia për ta ndalur shfrenimin akustik, përgjigjja ishte “Thirreni Inspektoratin”. Nuk ishte me rëndësi, se Inspektorati thuajse nuk ishte.
Kishte shumë kohë që aplikacioni, “i vetmi në rajon”, nuk funksiononte – sepse vazhdonte “të regjistronte” zhurmë edhe në lokalet që janë mbyllur ka mbi një vit. E prej pardje, tash nuk ka më as faqe ku të përcillet edhe ndotja e rreme: https:\\ndotja-akustike.info është domen i lirë që mund ta blini, për nuk e di sa para, në njëfarë site që quhet GoDaddy. Po çuditem se si nuk e ka blerë Komuna për të vazhduar ta qesë në hije qendrën e teknologjisë botërore me këtë gjetje. Rrenë e kulluar... si edhe shumë gjëra të tjera në kryeqytet.
* * *
Megjithatë, gjetja më e madhe ndër shqiptarë, është shndërrimi i rrugëve e rrugicave në sheshe. Dhe fare nuk është me rëndësi nëse i kanë një mijë metra a njëqind metra. Rrugët janë sheshe – për pasojë, studentët e arkitekturës tash e kanë kuptuar se nocionet që ua kanë mësuar në studime kanë qenë të gabuara: definicionet i kanë dallash. Arkitekturë nuk di askush më mirë sesa njerëzit që e udhëheqin Prishtinën e përjetimeve.
Janë do kubëza që e kanë ngjyrën si të ishin lyer me llak thonjsh, asi që nuk është as ngjyrë tulle, e as ngjyrë krejt e kuqe në të pembe – nuk e di nëse importohen prej Kinës, ama janë si të ishin prerë me thikë të shtypshkronjës: krejt në vijë dhe forma të rregullta.
Eh pra, këso kubëzash blihen me gjasë me tonelata dhe shpërndahen gjithandej Kosovës, por më së shumti në Prishtinë - së cilës tash do t’ia ketë lakminë vetë Kina: po çka i duhet bre kujtdo një shesh prej 1.6 kilometra katrorë, kur në vend të një sheshi, mundesh me i nxjerrë shtatë sheshe brenda një kilometri gjatësi.
Po hajt, qe, ndoshta edhe kinezët e japonezët mësojnë diçka nga ne, se megalomania, po dëshmohet, nuk është zgjidhje as e mirë e as praktike. Ja, Prishtina e dëshmon më së miri.
Dhe këto sheshe bëhen të natyrës aq jetike, sa realizimi i tyre është me patjetër, aq sa edhe lejohet që të shkelet ligji.
Në fakt jo, nuk shkelet.
Sipas edhe një shpikjeje epokale të një ekonomisti, kryetar i moçëm Qeverie i Prishtinës para nja 18 vjetësh, në Prishtinë dhe sa herë është LDK-ja në pushtet, ligji nuk shkelet, po veç NDRYDHET.
Në versionin modern të shkeljes/ndrydhjes – sot në Prishtinë “rrugët nuk mbyllen, por ato hapen”, pavarësisht faktit se ekziston një vendim gjyqësor që i anulon dy vendime të kundërligjshme të “hapësit” të rrugëve dhe e mban në fuqi masën e përkohshme që ndalon çfarëdo veprimi në to. E në veprim e sipër i gjen edhe ata që do të garojnë për deputetë të LDK-së në zgjedhjet e radhës. Garant moton e fushatës do ta kenë “Për ndrydhje të ligjit!”
Po të kishte prokurori ky vend, ka mbi një javë që dikujt i kishte krisur një kallëzim penal. Por, prokurori nuk ka, e as kallëzim; ka zhurmë shurdhuese dhe ndrydhje ligji deri sa të plasë. Sepse ligji vlen për të gjithë, por jo edhe për Komunën e Prishtinës. Pra, me fjalë të tjera dhe duke e cituar dikë që këtë shprehje e ka modus operandi, kësaj i thuhet: “F*CK the law”.

* * *
Fundi i vitit po afron, dhe pas një orteku tenderash, shkelje procedurash e rrëfimesh që kalohen nëpër të, qyteti u mbush me kolibe që edhe Norvegjia do të na i kishte lakmi.
Aaa, dorën në zemër era dru taze u vinte si dhe pak erë llaku për dru... ishin findo të reja, një zot e di kah kanë përfunduar ato “kantat” e Shpend Ahmetit verë/në dimër/në verë – fundja pse duhet të lodhemi për to, kur janë blerë prej parave tona. Qyh!
Nejse, i kishin vendosur nja 100, s’di ndoshta edhe më pak, veç dukeshin si me qenë 100. E qysh mos me qenë, kur sheshi që dikur e kishim pasur rrugë, është nja gjysmë kilometri i gjatë (a ndoshta ia teprova, nuk e di)... e pra në rresht mundesh me i vendosë sa t’i ka ënda. E me dashtë fort e fort, mund t’i vendosësh edhe në mes të mesit, që me e bâ edhe më të tollovitur ambientin.
Po get që qëllimi është që ta kemi edhe ne një treg dimri, qashtu qysh e kanë edhe metropolet evropiane, por ato gjithsesi mbesin prapa kryeqendrës së botës, Prishtinës: kurrkush, ama bash kurrkush nuk ka as rrugë që quhen sheshe, dhe asnjëri nga ta, bash asnjëri, nuk e ka një strukturë çfarë e kemi ne: Kullën e Sheshfellit. Ia kalon Parisit, Londrës, Madridit a Vjenës... a kujt të duash.
Pse jo. E ha pazari.