OpEd

Kujtim lufte 25 vjet pas (4)

Jeta kishte zgjedhur një rrugë më ndryshe për to. Ua kishte lëshuar një barrë të madhe mbi supe. Nxënia e mangët e teorisë ishte zëvendësuar me praktikën më të prekshme të mundshme që nuk kishte çmim më të madh se jeta: ato u ndihmonin nënave refugjate që t’i lindnin fëmijët në kohë lufte, në lindtoret e improvizuara nëpër bodrume. Fëmijët po lindnin në territor të lirë, por me sigurinë minimale se do të mund t’i kalonin madje muajt e parë të jetës në liri

Është ditëlindja ime e dhjetë. Kam të veshur një fustan të kaltër, çorape peri të bardha e të shkurtra dhe sandale bordo. Fytyrën time të buzëqeshur e rrethojnë flokët e zinj të gjatë thuajse deri te krahët. Dy “shnolla” e mbajnë vëllimin e dendur të flokëve që të mos më bien në sy.

Mbase do të ketë qenë dëshira e nënës sime që t’i rrisja flokët. Nuk është se i kam duruar fort – kam jetuar me përshtypjen se ma nxehnin kokën përtej mase, e të nxehtët, sikurse edhe të ftohtët, nuk i kam duruar kurrë. Kënaqësia e mamit që të kujdesej për lookun tim do të ketë përfunduar shpejt. Disa muaj më vonë, fotografitë do ta dëshmonin se i isha kthyer stilit të vjetër “laj e baj” – sa më shkurt, aq më lehtë.

Njëzetepesë vjet më vonë do të vendosja vetë t’i lija flokë të më rriteshin. Ishte mënyra që kisha zgjedhur për të “protestuar” kundër luftës. Vendosa që të mos i prisja deri sa të përfundonte lufta.

* * *

Ende nuk ishim këndellur nga ofensiva e korrikut, kur plasi ajo e gushtit, e që do të pasohej me atë, edhe më të përgjakshme, të shtatorit.

Rrezja e veprimit serb tash po përhapej me të madhe. Pas rënies së Rahovecit do të përfshiheshin në luftime më të rënda Malisheva, e pak më vonë Suhareka, Peja, Deçani e Gjakova.

Nga fillim i gushtit, së bashku me ekipin, u nisëm për në Suharekë. Do të linim takim, si zakonisht, me Rexhep Kuçin, përgjegjësin e “Nënës Terezë” për Suharekën. Rexha ishte “çelësi” ynë në Suharekë. Nuk kishte njeri që nuk e njihte, dhe mbi të gjitha, që nuk e respektonte. Njëmend më linte shumë përshtypje: njeri më të qetë kurrë nuk kisha parë. Edhe kur kishte arsye për t’u shqetësuar e mbante veten nën kontroll. Vuante nga diabeti dhe jam e sigurt se ky vetëkontroll do të ketë qenë arsye se pse e kishte përherë sheqerin mbi normë.

Gjysma e Suharekës, nga ana e majtë e rrugës kah drejtimi i Prizrenit ishte zbrazur. Nga ajo anë ishte përqendruar policia në numër shumë të madh. E nga ajo anë e rrugës ishte edhe Shtëpia e Shëndetit, e udhëhequr nga dr. Boban Vuksanoviq, që njëkohësisht ishte edhe kryetari i dhunshëm i komunës. E Bobani? Ky ishte muhabet më vete. Fliste rrjedhshëm serbishten, shqipen dhe gjuhën rome. Shqipen e kishte aq të pastër sa, të mos ia njihnim identitetin, do të besonim se atë e ka gjuhë amtare. Kishte bashkëpunim shumë të mirë me Rexhën, kurse Gani Demollin dhe mua njëherë na shpëtoi nga arrestimi. E megjithatë, me fillimin e bombardimit e ndërroi uniformën e bardhë me atë të eprorit ushtarak.

Mbase pikërisht për shkak të policisë dhe të Bobanit, shqiptarët e atyre lagjeve kishin dalë të jetonin në anën tjetër të qytetit dhe në fshatrat përreth. Kishte javë qëkur asnjë lindje nuk ishte kryer në maternitetin e shtëpisë së shëndetit.

* * *

E morëm Rexhën me vete dhe u nisëm për në Reshtan. E kaluam një urëz dhe u nisëm në drejtim të Semetishtit kur përnjëherë na doli përpara një trashaluq, me një bluzë të bardhë me mëngë të shkurtër, me rripin mbajtës që ia përshkonte gjoksin e që ia qiste në pah tulat dhe me një bazukë të kthyer nga vetura: Ndalu! Kah po shkon?

Euuu! Ishte hera e parë që e shihnim një shqiptar me bazukë. Sinqerisht, nuk e dija po qe se e mbante bazukën mbarë apo mbrapsht. Atë që e kisha të qartë, e ai me gjasë jo, ishte se bazukën ia kishte kthyer veturës mike.

U kthyem të gjithë nga Rexha: Rexhë, allahile kush o ky? Për herë të parë e pashë Rexhën të mërdhezur në fytyrë. E hapi dritaren: Naim, heke djalë atë send, edhe mos gabo me e ndalë mâ asnjë veturë humanitare që kalon këndej pari, a ndive? Naimi nisi diçka t’i kundërshtonte, por ky, si arsimtar i rreptë, e qortoi sërish. Naimi e uli bazukën dhe e vazhduam rrugën. Naimi nuk e kishte pasur namin e bardhë. Kaq mund të kuptonim për të.

Mbërritëm në Semetisht. Ishte hera e parë që e vizitoja këtë fshat. U ngjitëm rrugës së pashtruar dhe kthyem nga një shtëpi e pafasaduar ku dallonin tullat e kuqe dhe fakti se i gjithë objekti kishte dyer e dritare relativisht të reja. Na futën në odën e madhe.

U takuam me disa eprorë e ushtarë të UÇK-së. Pas pak na u bashkuan edhe të tjerë me tjera uniforma: të bardha, e më pas edhe të gjelbra. Ishin kryesisht vajza të reja, të posadala nga shkolla e mesme e mjekësisë. Jeta kishte zgjedhur një rrugë më ndryshe për to. Ua kishte lëshuar një barrë të madhe mbi supe. Nxënia e mangët e teorisë ishte zëvendësuar me praktikën më të prekshme të mundshme që nuk kishte çmim më të madh se jeta: ato u ndihmonin nënave refugjate që t’i lindnin fëmijët në kohë lufte, në lindtoret e improvizuara nëpër bodrume. Fëmijët po lindnin në territor të lirë, por me sigurinë minimale se do të mund t’i kalonin madje muajt e parë të jetës në liri.

* * *

Dy javët e para të gushtit shënuan lëvizje masive të tankeve nga drejtimi i Shtimes nga Suhareka e Malisheva. Nga fundi i muajit, do të ndodhte një masakër në Senik të Malishevës. Tanket ushtarake do ta sulmonin fshatin që kishte strehuar refugjatë nga fshatrat Lipjanit dhe Shtimes. Do të qëllonin në grumbullin e njerëzve të strehuar në pyll. Do të vriteshin 17 persona, ndër ta një foshnjë dhjetëmuajshe dhe një djalosh katërvjeçar.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq që kishte bërë evakuimin e 14 prej 52 civilëve të plagosur prej aty, na informonte se nuk kishte mjekë as aty e as në fshatin fqinj Ngucat.

Rrugën deri në Lladrovc e dinim por jo edhe atë për Senik. U nisëm disi me intuitë. Rrugës e takuam Antigona Buçajn, e KNKK-së, e ajo na udhëzoi nga tutje. E kuptuam se situata ishte më e rëndë në Ngucat, prandaj e ndamë ekipin në dysh ashtu që të mund të ofronim sa më shumë ndihmë atyre që kishin nevojë. Ngucati nuk kishte më shumë se 160 shtëpi, por u kishte dhënë strehim mbi 10 mijë njerëzve nga fshatrat, kryesisht, të Malishevës.

Ishte një kaos i organizuar – shumë tollovi e shumë nevoja, por megjithatë të rehatuara me ato pak mundësi e kushte që kishin. Ardhja e ekipit mjekësor ishte melhem shpirtëror për ta: kishte edhe dikush “i huaji” që mërzitej për ta.

Ngucatit do t’i ktheheshim edhe disa herë për të ofruar ndihmë mjekësore. Nga mesi i tetorit tashmë, ai pak gjelbërim që kishte i sjellë pak ngjyrë verës së tollovitur, kishte nisur t’i merrte ngjyrat e vjeshtës së mjegulluar.

Koordinatori i fshatit, emrin e të cilit më nuk e mbaj mend, porse sytë e kaltër të të cilit më kanë mbetur në kujtesë, m’u afrua me një çast sa ishim së bashku me ekipin mjekësor, dhe më tha se kishte diçka për të më treguar. E përcolla deri te një shtëpi me një palë shkallë që shpinin drejt në odë. Më tha të vazhdoja tutje dhe të futesha brenda, se ai do të vinte menjëherë.

Hapa derën, dhe në krye të odës së ndritshme dhe të rregulluar me fare pak inventar, ishte i ulur një burrë. Kishte këmbët e mbuluara me batanije. Më priti me buzëqeshje: “Më fal, nuk mund të çohem me të përshëndetë. Ende nuk kam fuqi të çohem në këmbë. Unë jam Naim Maloku”.

Nuk e kisha takuar kurrë, por kisha dëgjuar shumë për të. Kishte qenë komandant i njësive të UÇK-së që u kishin rezistuar forcave serbe mbi katër muaj në Junik, korridori nga kanë kaluar armët prej Shqipërisë në Kosovë. Juniku qe rrethuar nga fundi i korrikut, sulmuar me të gjitha forcat e mundshme dhe kishte rënë në duart e policisë speciale serbe nga mesi i gushtit. Më pas ishte shpallur zonë ushtarake e paqasshme për civilë.

Maloku ishte plagosur në të dyja këmbët me breshëri plumbash.

Shokët e kishin bartur ashtu të plagosur prej Junikut e deri në Semetisht, që ka qenë edhe spital ushtarak. E përmendte mikun e tij, dr. Agim Bytyçin, i cili, nëse e mbaj mend me saktësi, kishte specializuar në Slloveni, përderisa edhe vetë Naimi e kishte kaluar një kohë atje.

M’i tregoi këmbët – tashmë ishin në fazën e rikuperimit të plotë, porse dukeshin sikur t’u kishte rënë njëfarë lloj fruthi me pika të mëdha ngjyrë vjollce që tregonin nga i kishin depërtuar plumbat. Nuk doja ta pyesja për më shumë detaje, as si kishte mbërritur aty dhe si ia kishin bërë t’u shmangeshin rreziqeve, përfshirë edhe takimin me mua. Fakti se kishin vendosur të na takonin tregonte se tashmë kishim besimin e plotë të popullatës dhe të aktivistëve me të cilët punonim.

Rreziqet të cilave po u ekspozoheshim nuk ishin të njëjta: ata mund t’i godiste ndonjë raketë në cilindo çast, e ne do të mund të na ekzekutonin nëpër postblloqe sa herë që niseshim diku në terren. Por ne, megjithatë, në fund të ditës, u ktheheshim shtëpive tona.

* * *

Flokët vazhdonin të më rriteshin.

Nuk kishte as shenjë minimale që luftimet do të ndaleshin. Tashmë kishim parë se masakrat nuk ishin gjë që nuk ishin të gatshëm ta bënin serbët kurdo që kjo do t’u binte ndërmend. Nga mesi i vitit tashmë ishin regjistruar disa sish. Shtatori do ta sillte një masakër të tmerrshme në Abri.

Do ta sillte edhe ndërrimin shumë më të shprehur të ngjyrës së flokëve të mi. Nuk ishin më futë të zeza e as nuk mund t’i mbaja të lidhura me “shnolla”.

Ndonjëherë flokët duheshin mbuluar fytyrën time, e me të, edhe lotët që vinin paftuar.

[email protected]