OpEd

Kujtim lufte 25 vjet pas (2)

Era e dheut të rrëmihur ndihej prej larg. Ishte e tmerrshme të shiheshin madje 24 piramida të vockla me nga një dërrasë që identifikonte viktimën, teksa fryma e bartte heshtjen tonë pikëlluese tutje, si ngricë që ta kaplon zemrën kur e sheh vdekjen me sy

Secili mars në 25 vjetët e fundit më ka kthyer prapa në luftë.

E di që shumëkujt që e ka pasur rastin t’i dëgjojë rrëfimet e mia jo rrallë të përsëritura nga koha e kaluar në terren gjatë luftës, mund të mos i duket interesant insistimi im që t’i kujtoj ato ditë. Por kjo shkon përtej kontrollit që e kam mbi veten – për të mos harruar, duhet përsëritur. Porse ne, thjesht, luftën e harruam shumë shpejt.

Nuk është se bëmë shumë për të krijuar një historiografi tonën që t’i përmblidhte krejt ato që na ngjanë. E faj për këtë kemi edhe ne që atëbotë punonim në organizatat ndërkombëtare në Kosovë. Ishim dëshmitarë të shumë gjërave kryesisht të këqija që mbetën të parrëfyera.

Dita në të cilën po e shkruaj këtë kolumne ka qenë e ngrysur. Qielli i zënë me re të zeza kërcënuese që paralajmëronte shiun, para 25 vjetësh paralajmëronte acarin dhe ndryshimin radikal të jetës që ndërroi brenda natës për shumë fshatra të Drenicës, ku edhe krisi lufta.

* * *

Ende nuk kishte kaluar muaji nga masakra e Likoshanit dhe e Qirezit. U nisëm për në Gllogovc te Baca Xhemë sërish. Na priti në shtëpi. UNICEF-i ende nuk e kishte të qartë se si do të ndihmonte në terren, ngase puna e organizatës ishte e lidhur për një memorandum bashkëpunimi mes zyrës në Beograd dhe Qeverisë së ish-Jugosllavisë që de fakto ishte qeveria e dytë e Serbisë. Sipas këtij memorandumi, i gjithë aktiviteti duhej kanalizuar nëpërmjet institucioneve shtetërore, që në rastin e Kosovës, ishin nën administrimin e dhunshëm.

Shumë energji duhej humbur për t’ua shpjeguar të gjithë vendimmarrësve se kanalizimi i ndihmës nëpërmjet institucioneve ishte i kotë – se ato as nuk kishin qasje e as nuk donin që ta ndihmonin popullatën shqiptare që kishte nisur të dyndej nga vendbanimet origjinale dhe të strehohej në mal. Nga lart insistohej me ngulm që gjithsesi të organizohej një aktivitet që nënave e fëmijëve t’u ofrohej bile diçka.

Të gjata kanë qenë debatet dhe kundërshtimet të ne kosovarëve që punonim në zyrën e Prishtinës me eprorët tanë. Thuajse të verbër, nuk e kuptonin, apo nuk donin ta kuptonin, kontekstin në të cilin përpiqeshim të ofronim ndihmë. Nuk e kuptonin barrierën e gjuhës, nuk e kuptonin se vetë prezenca e ndonjërit përfaqësues të pushtetit të dhunshëm në Kosovë nënkuptonte jetimin e serishëm të ankthit të përjetuar, në një trajtë më ndryshe.

* * *

Ndihmat me pako sanitare e veshmbathje për fëmijë ende qëndronin në depon në Kopenhagë. Duhej pritur që të kaloheshin procedurat dhe që ato të na mbërrinin dikur në Prishtinë. Në mungesë të materialit, të vetmen mundësi që kishim ishte të dilnim në terren për t’i evidentuar nevojat.

Njëra nga shtyllat e programit të UNICEF-it kishte qenë përkrahja psikosociale fëmijëve në nevojë. E ata që kishin më së shumti nevojë për përkrahje psikologjike, ishin fëmijët prindërit e të cilëve ishin vrarë në shtëpitë e tyre më 27 e 28 shkurt 1998.

Ia shpjeguam idenë Bacës Xhemë. I treguam se një program i këtillë do të mund realizohej vetëm me pëlqimin e familjarëve dhe nëse programit i bashkoheshin edhe fëmijët e tjerë që e vijonin shkollën e njëjtë. Fundja të gjithë ishin viktima të dhunës.

U nisëm për në Likoshan. I ramë nga rruga e Çikatovës së Vjetër bri Ferronikelit, kaluam Gllanasellën dhe u kthyem në të majtë për të shkuar lart. Nga e djathta e rrugës ishin ca trupa drurësh.

Biologjia nuk ka qenë lënda ime më e preferuar dhe më duhet ta pranoj, me gjithë turpin, që kam vështirësi t’i dalloj llojet e drurëve. Këta kishin qenë lisa.

Do ta kuptoja se ky kishte qenë vendi ku kishin nisur luftimet mes ushtarëve të UÇK-së dhe policisë serbe, që më vonë sollën sulmin me gjithë forcat, përfshirë edhe helikopterët, kundër civilëve në Likoshanin e Gllogovcit dhe Qirezin e Skenderajt. Emri i vendit ishte “Gjashtë lisat”.

Dolëm në krye të rrugës përtej shkollës, dhe kthyem nga e majta, për të hyrë ngushticës që na shpinte te shtëpia e familjes Gjeli. Një shtëpi e vogël, thuajse pa oborr, një rrethojë dërrasash të vjetruara me patinën që ia jep koha... ca pula silleshin vërdallë, mbase të vetmet qenie me fat, që nuk e dinin se çfarë është lufta me plumba, vrimat e të cilave shiheshin nëpër mure.

Na doli një grua e re me një fëmijë ngrykë e tjetrin te këmbët. Ishte bashkëshortja e Naserit dhe e reja e Muhametit, dy viktimat e para të sulmit serb. Ganimete Demaku, nga Abria e Epërme, kishte qenë e burgosur politike dhe pas lirimit nga burgu ishte martuar me Naserin, në këtë fshat. Tash kishte mbetur e ve, me dy fëmijë të vegjël dhe me një shtëpi në gjendje jo fort të përshtatshme për të jetuar. Krenare, e fortë, e artikuluar – shihej që leximin do ta ketë pasur pasion, na e shpjegoi ngjarjen ndërsa ne i shprehnim ngushëllime. Fëmijët i kishte shpëtuar duke i fshehur në banjë. Vendosmëria e saj për të ecur tutje, me gjithë tragjedinë e përjetuar, ishte sa mahnitëse aq edhe frymëzuese.

* * *

Shtëpia më e madhe dhe më impozantja në Likoshanin e vogël ishte ajo e familjes Ahmeti. Në natën e sulmit, kësaj familjeje iu vranë dhjetë burra e djem: tre vëllezër dhe djemtë e tyre. U vranë edhe dy mysafirë nga Gradica. Dera që shpinte drejt shtëpisë së madhe të bardhë ishte demoluar – po supozoj me tank apo me autoblindë. Thuhej se i kishin nxjerrë të gjithë burrat e djemtë nga shtëpia dhe se i kishin çuar në një shkurre aty afër ku edhe i kishin ekzekutuar. I vetmi burrë i mbijetuar i kësaj familjeje, ishte vëllai i vogël, i cili në çastin e sulmit gjendej në Prishtinë.

Vazhduam tutje për të arritur në shtëpinë e familjeve Nehibu e Sejdiu. Rrëfimet për sulmin nga helikopteri, vrasjen e të resë shtatzënë, së cilës vjehrra ia kishte mbledhur copat e trurit si dhe fshehjen e binjakëve në shportat e thurura që shërbenin për ruajtjen e misrit, në përpjekje për shpëtim na lanë pa fjalë. Në njërën shtëpi kishin pësuar bashkëshortët Nebihu, në tjetrën, prindërit i kishin humbur katër djem, duke qenë në shtëpi, të paarmatosur dhe pa mundësi për të ofruar rezistencë.

* * *

Policia tashmë ishte tërhequr prej asaj treve. I kishin vrarë 24 civilë, që i kishin mbledhur dhe dërguar në morgun e Prishtinës, për t’i fshehur me gjasë, gjurmët e krimit që e kishin kryer. Familjarët i morën kufomat dhe dy a tri ditë më vonë do t’i varrosnin në një kodër, disi bash në mes Likoshanit dhe Qirezit.

Era e dheut të rrëmihur ndihej prej larg. Ishte e tmerrshme të shiheshin madje 24 piramida të vockla me nga një dërrasë që identifikonte viktimën, teksa fryma e bartte heshtjen tonë pikëlluese tutje, si ngricë që ta kaplon zemrën kur e sheh vdekjen me sy.

I lamë varret nga e djathta dhe vazhduam rrugës plot baltë drejt Qirezit. Diku, mbase shtëpia e tretë a katërt në varg, nga e majta, ishte ajo e familjes Rexhepi. Në shtëpi e takuam Zeqirin – një burrë i pashëm, plot energji, diku në të tridhjetat. Gjatë sulmit serb iu vranë axha Rexhepi dhe i vëllai Beqiri. Zeqiri mori përgjegjësinë për familjen, ndërkohë që vazhdonte luftën me uniformë.

Beqiri kishte lënë pas një foshnjë disajavëshe. Vajza kishte lindur në kohën më të keqe të mundshme. Xhaxhai kishte vendosur që të kujdesej për të. Tash kishte motiv edhe më të madh të luftonte në veçanti për mbesën e vogël të cilën kishin vendosur ta pagëzonin Shotë. Në rrugë për t’u larguar nga shtëpia e tyre, Zeqiri mori ngrykë vajzën e mbështjellë me pelena të bardha nga koka deri te këmbët. Teni i saj i bardhë dhe faqet paksa të skuqura jepnin përshtypjen se në duar e mbante një kukull porcelani. E brishtë, sikur jeta e atyre që po linim pas, teksa po ktheheshim në Prishtinë.

* * *

Likoshanit dhe Qirezit do t’u ktheheshim edhe shumë herë të tjera në vitin që do të vijonte. Do të mbesnim absolutisht të impresionuar dhe pa fjalë kur Qirezi i vogël strehoi me mijëra refugjatë që vinin nga Skenderaj me rrethinë, aq sa me një shtëpi do të jenë strehuar mbi 200 veta, që disi ia kishin dalë, siç thoshin vetë, të flinin “të paketuar si sardele”, ndërkohë që shkolla e xhamia e fshatit gjithashtu ishin mbushur plot me njerëz që gjetën shpëtimin aty.

Por gjithashtu do të mbetesha e shokuar me faktin se para ambulancës së fshatit rrinin të parkuar dy traktorë me vaj ushqimor, të prodhuar në Serbi, e i cili nuk gjendej në shitje të lirë nëpër Kosovë, ndërkohë që këtu shitej me çmim stratosferik.

Shije tepër e hidhur e përfitimit mafioz të “një të forti” në kohën e dëshmimit të solidaritetit më të madh që kisha parë gjatë luftës. Solidaritet i cili u dënua me djegien e shkollës dhe xhamisë si dhe thuajse shkatërrimin e tërësishëm të Qirezit të vrarë, jo një, por shumë herë.

Ata që dikur kishin mirëpritur të njohur e të panjohur me gjithë çfarë kishin, tash ishin shndërruar në pengje të ngujuara në Çyçavicë.

Ngado vinte era luftë. Ishte luftë.

[email protected]