Koncepti për kujdesin ka kuptim më të gjerë sesa që ofrohet në shikim të parë. Duke përfshirë në vete një sërë dinamikash, ky koncept, në Kosovë, reflektohet në politikat publike për personat me aftësi të kufizuara, të cilat synojnë ta rregullojnë çështjen e kujdesit dhe t’i ofrojnë kujdes – marrësit apo “konsumatorit” (lexoꓽ në termat e tregut të lirë) opsione për shërbime të kujdesit. Gjegjësisht, këto shërbime mund të merren në institucionin e familjes apo në institucionet e specializuara – këto të fundit këtu nuk janë të shumta.
Megjithëkëtë, mediet, raportet dhe narracioni shoqëror për kujdesin shpeshherë identifikojnë jo konsistencën në mes të asaj që këto politika e reflektojnë dhe implementimit të tyre në realitet! Leximi i gjendjes aktuale më së miri ilustron se, pavarësisht qëllimit që këto politika promovojnë për kujdesin ndaj çështjeve shëndetësore, aktiviteteve ditore apo pavarësimit individual, thirrja për përmirësimin e gjendjes së tanishme është e vazhdueshme. Ndërsa, prioritizimi për implementueshmëri më të mirë vetëm sa vjen e shtohet!
Me t’u bërë fjalë për kujdesin, mendja menjëherë të shkon te kategoritë e personave vulnerabël sepse, siç thonë studiuesit, është bërë ˝e natyrshme˝ tashmë. Ani pse vazhdojnë të na e rikujtojnë se për të gjithë, në një periudhë të caktuar kohore, kujdesi për të kryer ndonjë punë, kujdesur për vetën apo për t’u përgatitur për ndonjë aktivitet është i domosdoshëm. Në kuadrin e kësaj perspektive, çdo veprim që i kontribuon vazhdimësisë dhe mirëmbajtjes së ˝botëve˝ tona – për jetesë më mirë – i përket kujdesit dhe ka të bëjë me trupin dhe ambientin që na rrethon.
Për shembull, kërkesa për vlerësim më të saktë nga komisioni vlerësues për aftësinë e kufizuar përbën një nga rastet e fundit që, drejtpërsëdrejti, lidhet me çështjen e kujdesit. Vlerësimi jo adekuat, siç parashtrohet nga tetraplegjikët dhe paraplegjikët, ka bërë që disa nga këtyre personave t’u ndërpritet përkrahja financiare, edhe ashtu modeste, duke rënduar tutje mbi gjendjen ekonomike të familjes dhe të tyren njëkohësisht. Andaj, drejtimi i gishtit kah ky komision është cilësuar i drejtë!
Shembull tjetër që lidhet me kujdesin, e përmendet më shumë në institucionin e familjes sesa në hapësirat publike, është çështja e kujdestarit apo asistentit personal. Edhe pse kjo çështje rregullohet në bazë të infrastrukturës ligjore aktuale, rishikimi për shtim nga një kujdestar në dy është më se i nevojshëm. Kjo gjë është relevante sidomos për tetraplegjikët – ngaqë edhe kërkesa për ndihmë në kryerjen e aktiviteteve ditore është më e madhe dhe shtrihet përgjatë 24 orëve. Gjithashtu, në rast të mungesës të kujdestarit/asistentit të familjes, personave që këto shërbime i kanë të domosdoshme, mundësia për të punësuar të tjerët – jashtë familjes duhet t’u ofrohet sa më parë të jetë e mundur.
Madje, edhe praktika që kujdestari/asistenti i familjes të kompensohet financiarisht më pak sesa një person që punën e njëjtë e kryen në një institucion të kujdesit duhet të ndërpritet menjëherë, për dy arsye! Në fillim për të krijuar kompensim financiar të barabartë, duke bërë nivelizimin e rrogave për kujdestarin/asistentin e familjes karshi të njëjtit person që shërbimet e njëjta i ofron në tregun e punës. Ky është trajtim më dinjitoz dhe jo diskriminues. Dhe, së dyti, që çështja e kujdesit të shtrihet përtej familjes, duke e bërë tregun për këto lloj shërbimesh më të dëshirueshëm.
Çështjet e përmendura më lart janë po kaq me rëndësi sikurse këto që po prezantohen gjatë kësaj kohe për shkak të datës të zgjedhjeve, 9 shkurt. Prandaj, duhet shfrytëzuar të adresohen dhe rregullohen urgjentisht, sepse përfshihen pikërisht në çështjet zhvillimore – të cilat nga personat që duan të udhëheqin përmenden vazhdimisht dhe, madje, besohet se janë çelësi i suksesit për ta fituar garën në politikë.
Është shumë me rëndësi pra që kjo hapësirë të mos na ikë dhe t’u shërbejë zhvillimeve pozitive në këtë vend, duke na dhënë një dozë të “qelizave” rezistente që aktualitetin e gjendjes të rëndë ta përballojmë më lehtë. Shpresoj të mos jetë kështu, po sapo zgjedhjet të përfundojnë, komunikimi mes personave që synojnë të udhëheqin dhe të tjerëve që i ndjekin hap pas hapi ka tendencë të ndryshojë.