OpEd

Kujdes nga ekonomistët e paradigmave politike

Shoqëritë e tjera janë përballur me sfida jetike që kërkojnë qasje të reja ekonomike dhe eksperimentime të rëndësishme politike. Administrata e Bidenit ka nisur një transformim të madh dhe të fuqishëm ekonomik. Por ata që po kërkojnë një paradigmë të re ekonomike duhet të kenë kujdes çfarë po dëshirojnë. Qëllimi ynë nuk duhet të jetë krijimi i ortodoksisë së ardhshme të kockëzuar, por të mësohemi si t’i përshtatim politikat dhe institucionet tona me nevojat e ndryshueshme

Cambridge – Neoliberalizmi ka vdekur. Ose mbase është i gjallë si asnjëherë tjetër. Mbështetësit e dy skajeve e kanë gjykuar skajshmërisht ndryshe këto ditë. Por sidoqoftë, është e vështirë të mohohet diçka e re që po lëshon rrënjë në botën e politikës ekonomike.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka bërë thirrje për një zgjerim të gjerë të shpenzimit qeveritar në programe sociale, infrastrukturë dhe për transicionin në një ekonomi të gjelbër. Ai dëshiron të përdorë tenderimin publik për të rindërtuar zinxhirët e furnizimit të brendshëm dhe për të kthyer vende pune të prodhimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sekretarja e tij e Thesarit, Janet Yellen, po kërkon për një ngritje të koordinuar botërisht në taksat korporatave. Jerome Powell, që kryeson Rezervën Federale, tradicionalisht krahu më konservativ i Qeverisë për stabilitetin e çmimeve, po hedh poshtë drojën e inflacionit dhe ka shprehur mbështetjen e tij për zgjerimin fiskal.

Krejt këto ndryshime politikash paraqesin arratisje të theksuar nga urtësia konvencionale në Uashington. A paraqesin ato një ogur për një paradigmë të re të politikës ekonomike?

Politikat ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe në Perëndim në përgjithësi, kaherë kanë pasur nevojë për ndryshim. Idetë dominuese prej viteve tetëdhjetë – të njohura edhe me emrin Konsensusi i Uashingtonit, shënuan fundamentalizmin, ose neoliberalizmin – para së gjithash lëshuan rrënjë për shkak të dështimeve të perceptuara të keynesianizmit dhe rregullimit të gjerë qeveritar. Por ato e bënë të veten dhe prodhuan ekonomi jostabile, të pabarabarta dhe të financuara së tepërmi, saqë nuk ishin në gjendje t’ia dilnin me sfidat më të rëndësishme të ditëve të sotme: ndryshimi klimatik, gjithëpërfshirja sociale dhe teknologjitë e reja kaotike.

Ndryshimi i nevojshëm i paradigmës mund të fillojë dobishëm me mënyrën se si e ligjërojmë ekonominë. Ekonomistët priren të jenë të dashuruar me dashurinë e fuqisë së tregjeve për të promovuar, para së gjithash, prosperitetin ekonomik. Dora e padukshme e Adam Smithit – ideja se individët e vetinteresuar që rreken vetëm pasurim personal mund të prodhojnë prosperitet kolektiv në vend të kaosit social – vjen nga perlat e kurorës së profesionit të ekonomisë. Kjo në thelb është edhe kundër intuitës, që mbase është edhe arsyeja për t’i kushtuar një hise të kohës për të profetizuar për magjinë e tregjeve.

Por ekonomia nuk është himn për tregjet e lira. Në fakt, shumica e instruksioneve ekonomike qendërsohet se si tregjet mund të prodhojnë tepër pabarazi, dhe se si dështojnë kur vjen puna te ndarja e burimeve me efikasitet. Tregjet përsosmërisht konkurruese që prodhojnë harmonishëm ekuilibër të qëndrueshëm janë vetëm një mundësi në mesin e shumë sosh. Modeli smithian nuk është i vetmi. Prapëseprapë, reagimi zemërues i shumë ekonomistëve është të trajtohen tregjet konkurruese dhe mirëfunksionuese si shenjë dalluese për çfarëdo ndryshimi të propozuar.

Fatmirësisht, ekziston një paradigmë e re për ligjërimin e ekonomisë. Projekti CORE është mjet online ligjërimi dhe tekst shkollor falas e me qasje të hapur. Dy ekonomistë të shquar, Samuel Bowles, nga Instituti Santa Fe dhe Wendy Carlin, nga Kolegji Universitar i Londrës, janë vizionarët që qëndrojnë prapa tij. Por një grup i madh ekonomistësh në mbarë botën kanë bashkëpunuar në zhvillimin e tij. Tashmë është në përdorim në një hise të madhe të departamenteve universitare të ekonomisë në Mbretërinë e Bashkuar.

Një përparësi thelbësore e qasjes CORE është se merret me çështje si pabarazia dhe ndryshimi klimatik. Por në aspektin pedagogjik më interesante është se zëvendëson shtyllat standarde të ekonomisë me shtyllat alternative që janë më realiste dhe më të dobishme. Ta zëmë, në kontrast me ekonominë konvencionale, CORE pretendon se individët janë më fort pro-social dhe miopë sesa egoistë dhe largpamës. Konkurrenca nuk është e përsosur, me karakteristika të mendësisë se fituesi i merr të gjitha, sesa me rezultat të përsosur. Pushteti është gjithnjë i pranishëm në formën e lidhjeve epror-agjent në fuqinë e punës dhe në tregjet e kredive. Rentat ekonomike janë të kudondodhura dhe shpesh të domosdoshme për ekonomi mirëfunksionuese, jo fort rrallë si rezultat i gabimeve në politika.

Një paradigmë e re e tillë për ligjërim dhe për të bërë ekonomi do të prodhojë njohje më të mirë të rezultateve sociale. Por ne duhet ta pranojmë se nuk do të prodhojë një paradigmë e re për politikë ekonomike. Dhe kështu duhet të jetë.

Të gjitha paradigmat tona të mëhershme politike – qofshin merkantiliste, liberalklasike, keynesiane, socialdemokratike, ordoliberale ose neoliberale – kanë vrima të zeza për shkak se ishin marrë si programe universale që do të mund të zbatoheshin kudo dhe kurdo. Pashmangshmërisht, të gjitha vrimat e çdo paradigme lanë në hije inovacionet që sollën për ta përshtatur me mënyrën se si mendojmë për qeverisjen ekonomike. Rezultuan me luhatje ndërmjet optimizmit dhe pesimizmit të tepruar për rolin e qeverisë në ekonomi.

Përgjigjja e duhur për çdo politikë ekonomie është: “Varet”. Na duhen dëshmi dhe analiza ekonomike për të nxjerrë hollësisht rezultatin e dëshiruar. Fjalët thelbësore të ekonomisë njëmend të dobishme janë kontigjenca, kontekstualiteti dhe jouniversaliteti. Ekonomia na mëson se ka një kohë për një zgjerim fiskal dhe një kohë për tkurrje fiskale. Ka një kohë kur qeveria duhet të ndërhyjë në zinxhirët furnizues, dhe një kohë kur duhet t’i lërë tregjet të bëjnë punën e tyre. Nganjëherë taksat duhet të jenë të larta, nganjëherë të ulëta. Tregu duhet të jetë i lirë në disa fusha dhe i rregulluar në disa të tjera. Hartimi i lidhjeve ndërmjet rrethanave të botës reale dhe dëshirës së llojeve të ndryshme të ndërhyrjeve është ajo çfarë në të vërtetë thelbëson ekonominë e mirë.

Shoqëritë e tjera janë konfrontuar me sfida jetike që kërkojnë qasje të reja ekonomike dhe eksperimentime të rëndësishme politike. Administrata e Bidenit ka nisur një transformim të madh dhe të fuqishëm ekonomik. Por ata që po kërkojnë një paradigmë të re ekonomike duhet të kenë kujdes çfarë po dëshirojnë. Qëllimi ynë nuk duhet të jetë krijimi i ortodoksisë së ardhshme të kockëzuar, por të mësohemi si t’i përshtatim politikat dhe institucionet tona me nevojat e ndryshueshme.

(Dani Rodrik, profesor i ekonomisë politike ndërkombëtare në shkollën e qeverisjes në Universitetin e Harvardit, “John F. Kennedy”, është autor i “Straight Talk on Trade: Ideas for a Sane World Economy”. Opinioni është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).