OpEd

Kujdes, mos të degradohet pozita e Kosovës në dialog me Serbinë

Kosova nuk ka arsye më shumë se Serbia të ngutet kah finalja e dialogut. Me rëndësi është finalja e mirë. Tema e kufijve dhe e territorit në këtë fazë nuk duhet të jetë në tavolinë, sepse bart më vete shumë rreziqe dhe pasiguri. Më vonë, nuk bëhet vonë. Nëse edhe nuk e kemi shtetin në gjendje të mirë, së paku në dialog me Serbinë nuk duhet ta bëjmë edhe më keq.

Sa më shumë që flitet për një finale të dialogut për normalizimin e raporteve ndërshtetërore me Serbinë, gjendja vjen duke u mjegulluar dhe tensionuar. Serbia nuk ka ide as shpresë reale për ndonjë përfitim esencial nga ky dialog. E di se Kosova si shtet i pavarur e sovran është fakt që nuk mund të ndryshohet pranë tavolinës. Refreni se “Serbia është për një kompromis”, “Nuk mundet që njëra palë të përfitojë krejt e tjetra asgjë”, por asnjëherë pa i konkretizuar kërkesat, tingëllon bajat. A do Serbia territor, pushtet mbi pakicën serbe dhe komunat me shumicë serbe, apo ndonjë lloj pushteti mbi Kosovën? Nuk thuhet. Ama qëndrimi se Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën si shtet duket decidiv dhe i pandryshueshëm. Derisa të shohë se çka mund të përfitojë. As ideja e presidentit të Kosovës, H.Thaçi, për “korrigjim të kufirit”, që mund të kuptohej edhe si ofertë për këmbim territoresh, palës serbe nuk i bëri përshtypje, përveçqë e keqpërdori në fushatë për tërheqje të njohjeve të Kosovës nga disa shtete të vogla e të largëta.

Nga ana e Kosovës, duket si i definuar qartë pozicioni bazik: Finalja e normalizimit të raporteve me Serbinë ndodh vetëm atëherë kur të ketë njohje reciproke në mes këtyre dy shteteve. Thjesht: kur Serbia ta njohë Kosovën si shtet, që është me kufijtë dhe territorin që ka, me rend kushtetues sipas Planit të Ahtisaarit. Këtë pozicion jo që e kanë harmonizuar dhe qitur në letër subjektet politike të Kosovës si qëndrim konsensual që duhet të ishte, por disi kjo nënkuptohet, është formuar si spontanisht, me gjithë faktin se subjektet politike dhe të pushtetit janë të përçara dhe grinden mes vete lidhur me dialogun me Serbinë. Ky pozicion pa dyshim se ka përkrahje unanime të opinionit kosovar, me përjashtim të serbëve të instrumentalizuar nga Beogradi. Jashtë këtij pozicioni nuk ka çka të quhet normalizim as finale. Ne nuk kemi çka t’i ofrojmë Serbisë si kompromis apo përfitim që e kënaq, përveçse garantojmë trajtim të drejtë dhe korrekt të komunitetit serb në Kosovë sipas Planit të Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Kosovës. Njohja e Kosovës si shtet nga ana e Serbisë shumë do ta relaksonte pozitën e serbëve të Kosovës. Pala serbe duhet ta ketë të qartë se vetëm dy shtete që njohin njëri-tjetrin dhe kanë komunikim normal mes vete mund të bisedojnë dhe të bëjnë marrëveshje për secilën çështje që është në interes reciprok. Pra, pse jo, edhe për korrigjimin e kufijve, madje edhe për ndërrim të ndonjë cope territori për ndonjë nevojë pragmatike nëse është interesi reciprok.

Sa u përket përgatitjeve politike e organizative për vazhdimin e bisedave drejt finales, pala kosovare duket në gjendje gati kaotike. Subjektet politike në Kosovë goxha një kohë grinden mes vete lidhur me dialogun me Serbinë dhe akoma nuk kanë një qëndrim të përbashkët dhe një platformë lidhur me temat dhe përmbajtjen e “Marrëveshjes finale...”. Të gjithë thonë se fjalën kryesore lidhur me dialogun duhet ta ketë Kuvendi, e Kuvendi as që arrin të mbajë seancë për këtë. Kuvendi nuk arriti ta emëronte as ekipin për negociata të propozuar nga Qeveria.

Grindjet kanë plasur lidhur me idenë e lansuar nga presidenti Thaçi për “korrigjimin e kufirit me Serbinë”, sikur një gjë e tillë të ishte akt i kryer e Kuvendi as që arrin ta aprovojë një rezolutë që do t’i ndihmonte presidentit duke ia përcaktuar kornizat për dialog.

Sido që të jetë, pala kosovare duhet që dialogun me Serbinë ta vazhdojë kah finalja nga pozicioni bazik që duhet të ketë këto shtylla kryesore:

1. Kosova si shtet synon dhe dëshiron marrëdhënie të mira me Serbinë;

2. Kosova nuk bisedon me asnjë shtet e as me Serbinë për statusin e vet si shtet i pavarur e sovran;

3. Kosova i ka të zgjidhura çështjet kufitare me shtetet fqinje. Ndërsa me Serbinë, pasi të ndodhë njohja reciproke, bashkërisht do të bëhet demarkimi i kufirit, e dy vendet mund të bisedojnë dhe eventualisht të bëjnë marrëveshje për korrigjimin e kufirit në disa pika nëse e vlerësojnë si interes të përbashkët;

4. Kosova nuk bisedon me asnjë shtet tjetër për strukturën e vet kushtetuese si shtet unitar;

5. Kosova nuk bisedon me shtete të tjera për statusin e resurseve të veta natyrore e ekonomike, përveç në suaza të marrëveshjeve ndërshtetërore.

Në vazhdim “Marrëveshja finale” duhet të përfshijë të gjitha temat e nevojshme, prej fatit të të pagjeturve nga lufta, borxhet, çështjet pronësore etj. Nga ky pozicion del e qartë se dialogu zhvillohet për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve e jo për zgjidhje të statusit të Kosovës ngase kjo ka ndodhur.

E vetëdijshme se Kosova është shtet, pala serbe tenton të krijojë konfuzion dhe përshtypje se pa pëlqimin e saj Kosova nuk është shtet. Ky pozicion i Serbisë dialogun e vështirëson dhe e zgjat për kohë të pacaktuar. Por pala kosovare nuk është ajo që e përshpejton dinamikën. Beogradi përpiqet të krijojë përshtypje se e ka avancuar pozicionin e vet për dialog. Sidomos pas lansimit të idesë për korrigjim të kufijve që hap mundësinë edhe për këmbim territoresh. Ama asnjëherë nuk deklarohet se çka do nga Kosova. Me eufori agjitohet gjithandej nëpër botë për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë. Krejt kjo bëhet për ta dobësuar pozitën e Kosovës në vazhdim të dialogut. Beogradi e hesht dhe mundohet që ta shtyjë në harresë vlerësimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim as me të drejtën ndërkombëtare, as me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Aktualisht Beogradi nuk e ka qëllimin kryesor shkëputjen e ndonjë pjese të territorit që zakonisht mendohet në katër komunat veriore, sepse kjo do të ishte porosi e keqe për serbët në pjesë të tjera të Kosovës, që janë në numër më të madh sesa në veri. Prandaj, nuk pati deklarim decidiv lidhur me idenë e Thaçit për “korrigjim të kufirit”.

Krejt kjo qasje e pushtetit serb lidhur me Kosovën i ngjan frikacakut në lëvizje gjatë natës, i cili këndon zëshëm për ta zbutur frikën. Por, pala kosovare nuk duhet të lëvizë sikur në mjegull.

Në vazhdimin e dialogut Kosova mund të ketë pozicion dukshëm më të volitshëm sesa që duket. Para së gjithash, për faktin se ne nuk kërkojmë asgjë nga Serbia dhe asaj nuk i kemi borxh asgjë. Pushteti i Kosovës në kohë të fundit pati disa aksione që vërtetuan se edhe në pjesën veriore ushtron ndikimin dhe kryen detyrat e veta. Ishte rasti me atë trenin e vizatuar si provokim primitiv, e që u ndal në kufi. Masa policore e detyrimit ndaj Marko Gjuriqit për kalim ilegal të kufirit po ashtu. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksa doganore prej 100% Serbinë e goditi rendë dhe u pa se me gjithë zhurmën gjithandej nuk mund të ndryshojë asgjë. Arrestimi i disa personave serbë në pjesën veriore të Mitrovicës të dyshuar lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit ishte aksion i qëlluar. Përveç frustrimeve publike, Serbia asgjë nuk bëri lidhur me paralajmërimin e Qeverisë dhe Kuvendit se FSK-ja do të transformohet në ushtri. Klithmat nga Beogradi se me masa të tilla po rrezikohen serbët në Kosovë janë klithma dëshpërimi.

Nga deklaratat publike dhe veprimet e Vuçiqit mund të konkludohet se ky e ka të qartë se për Serbinë Kosova është histori e përmbyllur. Ankohet gjithandej te instancat e ndryshme evropiane, por njëkohësisht deklaron se Serbia nuk ka asnjë ndikim në asnjë pëllëmbë të territorit të Kosovës. Dhe është e pafuqishme karshi shteteve perëndimore që e kanë sponsoruar dhe e përkrahin shtetin e Kosovës. Pranon publikisht se qëndrimet e shteteve perëndimore, sidomos të SHBA-së dhe Gjermanisë lidhur me Kosovën, Serbia nuk mund t’i ndryshojë as t’i kontestojë.

Krejt kjo pozitën e Kosovës në dialog e fuqizon, nëse pala kosovare tregohet e mençur.

Por A.Vuçiqi ka ambicie të hyjë në historinë e Serbisë si njeri që i ka vënë pikë çështjes së Kosovës. Ama duke mos mbetur krejt duarthatë. Do që një kompensim diku ta marrë. Por jo doemos vetëm nga Kosova. Vëmendjen në Kosovë do ta përqendrojë te fuqizimi i pozitës së komunitetit serb, për një jetë normale të tyre. Në fund, sërish do t’i kthehet temës së Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me kërkesë për më shumë kompetenca për to dhe që Serbia të ketë lidhje më të ngushta me to.

Por Serbia nuk i ka mbyllur krejt aspiratat për zgjerim territorial për çka edhe i nisi luftërat në vitet ‘90. Në Kosovë shanse reale për zgjerim territorial nuk ka, pasi që synimi eventual për pjesën veriore do të ishte porosi e keqe për serbët në pjesët e tjera të Kosovës. Si pre goxha e lehtë Serbisë i dukët entiteti “Republika Sërpska” në Bosnjë, pasi që Marrëveshja e Daytonit për ruajtjen e Bosnjës unike po del si projekt i zorshëm. Për fillim, jo t’ia bashkëngjit këtë entitet Serbisë, por ta bëjë gati krejtësisht të pavarur nga Bosnja dhe ta hapë një perspektivë ndryshe për një të ardhme jo aq të largët. Nuk e besoj se Vuçiqit i realizohet kjo ëndërr, por Serbia së paku kënaqet edhe me ëndrra të tilla. Ideologu kryesor i nacionalizmit serbomadh, Dobrica Qosiq, pas përfundimit të luftërave, që ishin luftëra të Serbisë për territore, pati thënë: “ I vetmi përfitim real i popullit serb nga luftërat që ndodhën është Republika Sërpska”. Ndërsa para vdekjes, për Kosovën pati thënë: “Çështja e Kosovës për Serbinë ka përfunduar”.

Kosova nuk ka arsye më shumë se Serbia të ngutet kah finalja e dialogut. Me rëndësi është finalja e mirë. Tema e kufijve dhe e territorit në këtë faze nuk duhet të jetë në tavolinë, sepse bart më vete shumë rreziqe dhe pasiguri. Më vonë, nuk bëhet vonë. Nëse edhe nuk e kemi shtetin në gjendje të mirë, së paku në dialog me Serbinë nuk duhet ta bëjmë edhe më keq.