OpEd

Ku mbeti liberalizimi i vizave një vit pas ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi

Mungesa e vullnetit tek disa shtete të BE-së, dështimi i gjykatave në Kosovë, ideja për ndryshimin e kufijve që mendohet se do të nxiste tensione, zgjedhjet evropiane janë vetëm disa prej arsyeve pse sot entuziazmi për liberalizim vizash për kosovarët është më i vogël sesa para një viti, kur u ratifikua Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi e që kosovarët deshën të besonin se vërtet ishte kushti i fundit që duhej përmbushur

Ka kaluar saktësisht një vit prej kur Kuvendi i Kosovës, pas një periudhe të gjatë tensionesh, akuzash e kundërakuzash për tradhti kombëtare dhe shitje të tokës së Kosovës, kishte miratuar Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Kjo marrëveshje, për të cilën kishte shumë vërejtje, përpos vetë përmbajtjes së saj, ishte bërë temë dominuese edhe për shkak se ajo ishte lidhur, pa asnjë arsye, edhe me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Që atëherë dyshohej nëse vërtet ratifikimi i kësaj marrëveshjeje ishte “kushti i fundit” që Kosova duhej të përmbushte për të hapur rrugën që BE-ja të heqë vizat dhe izolimin për shtetasit e Kosovës. Ata që donin kalimin e Marrëveshjes insistonin se me këtë do të hiqej izolimi i qytetarëve. Ata që ishin kundër, dhe u gjetën në Qeveri, si AAK-ja dhe Nisma, donin të besonin se me këtë ratifikim, me çka shkelnin edhe qëndrimet e tyre të mëhershme, po ia hapin rrugën liberalizimit të vizave.

Por që nga dita e parë e ratifikimit të Marrëveshjes nisi zvarritja e re nga ana e BE-së. Së pari pasoi rikujtimi se, pos ratifikimit, kishte mbetur edhe një kusht tjetër, dëshmia për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelin e lartë. Prandaj Komisioni Evropian “i ngrëni” edhe tre muaj deri tek raportimi se Kosova i ka përmbushur të dyja kushtet e fundit të mbetura. Pasoi festa në Kosovë dhe deliriumi i politikanëve, të cilët besonin se ua kanë siguruar qytetarëve udhëtimin pa viza në BE. Por shtetet anëtare të BE-së nuk u impresionuan shumë. Disa thoshin se raporti i Komisionit Evropian ishte “tepër i nxituar” dhe ishte dashur të pritej më shumë. Disa shtete të tjera thjesht nuk e morën parasysh fare këtë raport, sepse nuk besojnë se në Kosovë ka vërtet rezultate të kënaqshme në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. E një numër i vogël i shteteve të BE-së ishte në favor të heqjes së vizave, por shtetet kryesore nuk ishin.

Dhe gjatë kësaj periudhe njëvjeçare politikanët e Kosovës vazhduan me premtime çfarë kishin thënë edhe gjatë gjithë dhjetë vjetëve të fundit, se “shumë shpejt vjen liberalizimi i vizave”. Por prapa deklaratave të tilla të politikanëve nuk qëndronte ndonjë gjasë reale. Më shumë ishte fjala për deklarata për t’ua bërë qejfin qytetarëve, të cilët gjithmonë kanë tendencë të besojnë në atë që u pëlqen. Dhe, si gjithmonë, nuk pasoi liberalizimi, por më shumë dëshpërimi. Dhe sa herë që ka dëshpërim të qytetarëve, natyrisht se politikanët e Kosovës nuk e marrin përgjegjësinë për vete, por fajin ua hedhin të tjerëve, në këtë rast BE-së.

Kështu vazhdon të jetë gjendja rreth liberalizimit të vizave edhe një vit pas ratifikimit të Marrëveshjes, për të cilën besohej se ishte kushti i fundit që qëndronte si pengesë për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës. Ndërkohë situata u keqësua edhe më shumë. U afrua koha e zgjedhjeve evropiane. Në Kosovë u ngadalësua edhe më shumë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, u rrit nepotizmi edhe më shumë në shërbimet publike, doli në sipërfaqe edhe ideja për ndryshimin e kufijve, e cila rriti shqetësimet se mund të sjellë edhe tensione të reja, e me këtë edhe të nxitë më shumë emigrim nga Kosova.

Në BE vetëm u bën ca procedura në mënyrë shumë të ngadalshme, por me kushtin që të mos ketë lëvizje drejt aktit final, drejt heqjes formale të vizave. Parlamenti Evropian ishte i vetmi që miratoi mandatin për negociata me Këshillin e BE-së për liberalizim vizash. Por në Këshill, pos disa diskutimeve në grupet punuese, çështja nuk ka lëvizur fare. Disa shtete me ndikim, si Franca dhe Holanda, por edhe të tjera, janë kundër që në këtë moment të merret vendimi për liberalizimin e vizave për kosovarët. Sidomos janë kundër që për këtë temë të vendoset para zhvillimit të zgjedhjeve evropiane, që zhvillohen në fund të majit të këtij viti. Gjermania, përmes prononcimit të ministrit për çështje të Evropës, ka premtuar se është në favor dhe do të punojë në Bruksel për ta bërë realitet liberalizimin e vizave. Por mbetet ende të shihet se sa sinqerisht Gjermania po angazhohet në Bruksel për liberalizimin e vizave për Kosovën. Deri tash nuk janë parë shenja konkrete të një angazhimi të Gjermanisë në këtë drejtim. E Kosovës në këtë moment nuk i mjafton një mbështetje e Gjermanisë, por i duhet një angazhim i Gjermanisë për të bindur shtetet e tjera, e sidomos partnerin kryesor tradicional të Gjermanisë në BE, Francën. Nëse pajtohen Franca dhe Gjermania atëherë shtetet e tjera nuk do të kenë ndonjë kundërshtim të prerë më.

Kështu mungesa e vullnetit tek disa shtete të BE-së, dështimi i gjykatave në Kosovë, ideja për ndryshimin e kufijve, që mendohet se do të nxiste tensione, zgjedhjet evropiane janë vetëm disa prej arsyeve pse sot entuziazmi për liberalizim vizash për kosovarët është më i vogël sesa para një viti, kur u ratifikua Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, e që kosovarët deshën të besonin se vërtet ishte kushti i fundit që duhej përmbushur.

Ka shumë arsye për të qenë të dëshpëruar me BE-në. Por duhet pranuar se nga BE-ja askush nuk ka dhënë premtime për afate se kur mund të ndodhë liberalizimi. Së paku premtime të tilla nuk kanë ardhur nga ata që kanë mundësi të vendosin. Kanë ardhur shpesh nga zyrtarë të përfshirë në lehtësimin e dialogut, për të nxjerrë kompromise nga pala kosovare, por ata nuk kanë qenë në gjendje të realizojnë premtimet e tyre. Premtimet kanë ardhur kryesisht nga politikanë të papërgjegjshëm të Kosovës. Por disa zyrtarë të BE-së, përfshirë edhe përfaqësuesen e lartë të BE-së Federika Mogherini, dhe komisarin Johanes Hahn, u kanë ndihmuar politikanëve të Kosovës që të manipulojnë opinionin dhe të japin premtime joreale për liberalizim të shpejtë të vizave. Në vend që të dalin me deklaratë se kjo nuk do të ndodhë shpejt, ata ose me heshtje ose me deklarata kanë ndihmuar që të krijohet përshtypja e tillë. Përfaqësuesja e lartë Mogherini madje kishte thënë një herë në një intervistë për RTK-në se “Ratifikimi i Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi do të nënkuptojë menjëherë liberalizimin e vizave: tash, kur ia rikujtojmë pohimet e tilla, në BE sqarojnë se kanë menduar në “vazhdimin e procedurës” e jo në heqjen e vizave menjëherë.

Por edhe në BE ka të tilla që duan të hedhin fajin tek të tjerët. Në pyetjet se pse nuk pasoi liberalizimi pas ratifikimit të Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi? Disa zyrtarë të BE-së përgjigjen se “fajin e ka Ramush Haradinaj, i cili ka pritur aq shumë me ratifikimin. Sikur të ishte ratifikuar më herët marrëveshja, atëherë do të ishte momenti më i përshtatshëm për liberalizim!”. Pra, tash na thonë se para një viti ratifikimi kishte ndodhur tepër vonë për të arritur liberalizimin e vizave. Sido që të jetë, me kalimin e kohës, duket se po humb edhe ky vit si afat i liberalizimit të vizave. Edhe nëse miratohet vendimi në Këshill gjatë verës, do të duhet kohë që të kalojë në negociata me Parlamentin në vjeshtë, dhe kështu do të afrohet fundi i vitit. Pra kosovarëve nuk u mbetet asgjë tjetër pos të presin, siç kanë pritur tash e 15 dhjetë vjet. Por duhet ta kenë parasysh se as tash nuk ka premtime për ndonjë afat të prerë se kur do të liberalizohen vizat.