OpEd

Ku mbetën ato 2.1 milionë?

Situata me pandeminë gjithsesi mbizotëron mbi të gjitha çfarë po na ndodhin për çdo ditë. Porse lehtësia e pabesueshme e kësaj garniture për ta shmangur një skandal të përmasave jo të vogla, që ndodh brenda institucioneve pa "i lënë shenjë" askujt, është skandal më vete

Efekti i parë dhe i vetëm, me gjasë, i Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike, qe bllokimi i faqes së Trustit dje pasdite. Për më pak se tri orë, madje 30 mijë veta ishin regjistruar për t'i tërhequr 10% të kursimeve të tyre, që tregon situatën e pasigurisë që e ka krijuar COVID-i. Por që gjithashtu tregon edhe për brishtësinë e gjendjes në të cilën jetojmë, me këtë politikë që na mori në qafë të gjithëve.

Numrat alarmantë të të infektuarve dhe të të vdekurve që po vazhdojnë të jenë me qindra e dhjetëra, tashmë na janë shndërruar në përditshmëri që nuk godet qysh do të duhej. Thuajse njerëzit janë pajtuar që kjo të jetë diçka normale, teksa e shohim se kanë kaluar 20 vjet në të cilat sistematikisht kemi shkatërruar gjithçka, përderisa përpiqemi të mbijetojmë mbi rrënojat e kësaj që na ka mbetur.

Në arenën politike ende po flitet vetëm për zgjedhjen e kryetarit të shtetit, kush nuk çan kokën se pse Kuvendi kurrë nuk ka kuorum për asnjë gjë, pse ende e gjitha sillet rreth interesave partiake që po luftojnë për t'i pozicionuar sa më mirë në një sistem disfunksional, ku gjithçka ecën falë inercisë.

* * *

Fjalimet e dëgjuara gjatë javës së shkuar në Kuvend vetëm sa tregojnë se njerëzit që supozohet se na i përfaqësojnë interesat, ose nuk e kanë idenë se pse janë të ulur aty, ose thjesht kanë zgjedhur të tallen me ne. Kot krejt çfarë dëgjohet. Shumë irrituese se nuk ke çfarë u bën dhe se nuk ke si i ndëshkon për sjelljet e këqija karshi popullit. Sepse as vota e ndëshkimit në fund nuk po funksionon, ngase po gjenden deriçka nga të ndëshkuarit, që megjithatë, kthehen në pushtet.

Tri ishin fjalimet që u veçuan.

Një i Besnik Tahirit për djalin e Haxhi Shalës. Të dalësh në foltore të Kuvendit si zëvendëskryeministër e të thuash se "ai është djalë i mirë dhe se i ka pasur kualifikimet e duhura për t'u bërë konsull i përgjithshëm në Pragë", në situatën kur NUK bën të ketë konsullatë të përgjithshme në qytetin e njëjtë ku ke mision diplomatik, tregon se po gënjen. Pra, po gënjen se emërimi i këtij personi "super të kualifikuar" nuk është rezultat i shitjes së një vote me të cilën u zgjodh kjo qeveri dhe ai u bë zëvendëskryeministër.

Për më tepër, super të bajatshme janë arsyetimet se Kosova është e vogël, se krejt jemi kushërinj mes vete dhe se ja, qëllon që edhe djali, vajza, motra, tezja... i/e një komandanti, një ministri a një deputeti të dërgohet në shërbim diplomatik. Kjo po ma kujton kohën e stërzgjatur kur në Fakultetin e Mjekësisë patjetër do të regjistroheshin fëmijët e mjekëve apo të profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë, "jo për shkak se ishin fëmijët e tyre", por kishin qenë nxënësit më të shkëlqyer. Nejse.

I dyti qe i Abelard Tahirit, ku u bëri ftesë pushtetit dhe opozitës që të bëheshin bashkë për ta shpërndarë Kuvendin e Kosovës, pa e përmendur faktin se rrëzimi i Qeverisë paraprake dhe hapja e rrugës për formimin e kësaj Qeverie u bë falë votave të PDK-së. Për më tepër se votën kyçe ua siguroi Hashim Thaçi në bashkëpunim me Haradinajn. Për një arsye do ta kenë bërë, derisa PDK-ja i bënte sehir kësaj pune, sepse ashtu u shkonte për shtati edhe Thaçit edhe Veselit.

Pra rrëzimin e kësaj Qeverie mund ta bëjnë lehtë - të mos e sigurojnë kuorumin për zgjedhjen e kryetarit të shtetit ose edhe të mos e votojnë atë. Porse pas kësaj natyrisht se fshihet ambicia që PDK-ja të bëhet me postin e kryetarit të shtetit, që do të ishte shumë e mundur po qe se kjo parti i bashkohet koalicionit.

I treti qe i Arben Gashit, shefit të GP të LDK-së, që u çua dhe e kritikoi VV-në "për mbylljen kur pati shumë pak raste me COVID dhe e shkatërroi ekonominë e Kosovës", gjë e cila kishte ndodhur në periudhën mars-maj 2020. Pra në periudhën kur Kosova udhëhiqej nga koalicioni VV-LDK deri më 25 mars, e më pas me Qeverinë në detyrë, gjithashtu të udhëhequr nga koalicioni VV-LDK.

Pra, sipas Gashit del se LDK-ja në këtë qeveri paska shërbyer si marionetë dhe se askush nuk e paska pyetur për asgjë. Pra, për pasojë, nuk e merr asnjë përgjegjësi për periudhën deri më 3 qershor 2020. Në vijim nuk thotë nëse merr përgjegjësi për menaxhimin e COVID-it për periudhën pas formimit të kësaj qeverie - sepse shifrat po flasin vetë dhe do të duhej të ishin alarm.

Dhe nuk flet as për përgjegjësinë që do të duhej ta kishte posaçërisht LDK-ja për vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari i shtetit.

* * *

Situata me pandeminë gjithsesi mbizotëron mbi të gjitha çfarë po na ndodhin për çdo ditë. Porse lehtësia e pabesueshme e kësaj garniture për ta shmangur një skandal të përmasave jo të vogla, që ndodh brenda institucioneve pa "i lënë shenjë" askujt, është skandal më vete.

Pos një njeriu a dy që u arrestuan, askush nuk dha dorëheqje për skandalin, as që u mërzit më tej për të dhënë së paku një përgjigje nëse paratë janë kthyer, apo nëse do të kthehen ndonjëherë. Mbase sepse edhe këtu do të vlejë maksima "e piu macja ujin".

Nga ana tjetër, edhe ne si shoqëri e topitur plotësisht, pa asnjë fije iniciative, pa asnjë ndjenje fuqie për të kërkuar përgjegjësi, nuk është se kemi bërë shumë që milionat të na kthehen e të parandalojmë që milionat e tjerë të na zhduken.

Porse në mesin e atyre pak zërave që nuk e lënë temën në harresë është miku im i FB, Shkumbin Istrefi, i cili vazhdimisht, me shumë argumente e humor na e kujton se na i kanë vjedhur 2.1 milionë, thuajse asgjë nuk ka ndodhur.

Me lejen e tij, do t'i ritransmetoj disa nga postimet e tij, ngase zor do të gjeja mënyrë më inventive për të shkruar për këtë skandal:

 

Me shkrim: #Dymilionëenjëqindmijëeuro

Me numra romakë: (M)(M)(C)

Me numra binarë: 1000000000101100100000

Me numra heksadecimalë: 200B20

 

Mirëmëngjes. Mbrëmë flejta tu i numru yjet ose delet. Deri në 2.1 milionë mberriva t'u numru.

 

Sot m'u ka duke dita si 2.1 milionë.

 

Sa po du me e lexu qat Raportin që po flitet, ment' po m'shkojnë te ai 2.1 milionshi që u harru, e po dekoncentrohna.

 

2.1 milionë nuk janë as 2 kilometra autostradë, por në anën tjetër 2.1 milionë janë 22.105 pensione nga 95 euro. Relativiteti në perceptim

 

M'i bo t'ima nga 5 euro, e me i shtri rend për s'gjati, 50,4 kilometra gjatë shkojnë.

 

2.1 milionë në bankënota nga 5 euro peshojnë 294 kg.

 

51.925$ = 42.886,67€ kushton 1 vit studime në Harvard.

4 vite = 171.466,68 për 1 student

Me 2.1 milionë mund të shkolloheshin 12 studentë (të aftë dhe të përzgjedhur) nga Kosova në Harvard, të cilët mund të ishin liderë në shumë fusha në të ardhmen. Mund të ishin. Mund të jenë. Nëse kthehen 2.1 milionë, p.sh.

 

Jam i bindur që shteti do t'i kthejë 2.1 deri më 31 dhjetor 2020

 

Jam i bindur qe shteti tashmë ka ndërmarrë të gjitha veprimet për kthimin e 2.1 në thesar. Jam i sigurt që ka mekanizma që nuk i lënë këto para të humbin. Ndryshe nuk ka logjikë.

* * *

Logjika e Hotit thotë se për dialog s’prishet koalicioni, a për president ka mundësi. E po u prish koalicioni, s'i dihet kurrë, bëhet tjetri. E mandej edhe tjetri, po qe nevoja. Dhe sa ma shumë koalicione, aq më thellë shkon në harresë puna e një 2.1 milionëshi që ka rrafsh 62 ditë që është zhdukur nga arkat e shtetit.

Siç do ta përmbyllte Istra:

Lajmi i fundit për sonte: "Nuk ka ndonjë lajm për kthimin e 2.1 në thesar". Natën e mirë, e gjumë të këndshëm.

[email protected]