OpEd

Ku është amerikani?

Për pronën që iu mor QKU-së, për spitalin privat që pushtetarët iu subordinuan, për misterin e një vendimi të avulluar të qeverisë, për videon që na i shfaq tek numërohen paratë e ryshfetit, për mijëra pacientët që kurrë nuk u trajtuan falas dhe për pyetjen e mikut që u përball me sëmundjen e rëndë

Rrallë kam përjetuar turpërim më të madh, sesa në një ditë korriku të 2008-s kur, si gazetar në fillet e punës, po shihja pafuqinë e zyrtarëve shtetërorë përballë pronarëve të një spital privat, që edhe sot kundërmon nga stoku i dallavereve.

Ishte data 9 korrik dhe para orës 10 u vizatova te një hapësirë që e shfrytëzonte Qendra Klinike Universitare (QKU), por që Komuna e Prishtinës si titullare e pronës, kishte vendosur t’ia kalonte në shfrytëzim një mjeku biznesmen, për ta ngritur një që atëkohë quhej “Qendra e Kardiologjisë së Kosovës”. Leja iu dha, ndonëse Qeveria e mbante në fuqi vendimin që institucione private të cilat ofrojnë shërbime shëndetësore nuk mund të ngrihen në perimetrin prej 1.5 kilometrash nga institucioni shëndetësor publik. E, spitali që mori lejen, ishte ngjitur me QKU-në.

Shkova aty, sepse një ditë më parë autoritetet qendrore u zotuan se do ta stoponin punën e nisur jashtëligjshëm. Por, nuk ia arritën.

Ku mos të ishte ndjenjë turpërimi? Dy zyrtarë të institucioneve shtetërore, njëri i Ministrisë së Shëndetësisë e tjetri i QKU-së, u kthyen kokulur pas tentativës për t’i bindur pronarët që t’i stoponin punimet rreth përgatitjes së terrenit për ta vënë bazamentin e spitalit privat kardiokirurgjik. 

“As policët nuk po vijnë, e as inspektorët. S’kemi çka me nejt këtu ma”, dëgjova zyrtarin e Ministrisë së Shëndetësisë, tek fliste në telefon me kolegë të tjerë në ministri, para se të vendoste të largohej nga vendi ku realizoheshin punimet jashtëligjshëm.

Të trimëruar nga mosveprimi i policisë dhe inspektoratit, pronarët filluan ta konsiderojnë si pronë të tyre tokën, të cilën për më shumë se 30 vjet e kishte në shfrytëzim QKU-ja. 

Pronarët nuk na lejuan të shkelnim në “tokën e tyre”, as mua dhe as fotoreporterin, me të cilin përbënim ekipin e “Kohës Ditore”.

“Kërkush nuk mundet me i nalë punimet pa m’u derdhë pika e fundit e gjakut”, pati thënë i frustruar njëri nga ta.

Nga distanca, i dëgjova edhe polemikat e zëshme mes tij dhe zyrtarëve të ministrisë. Po ashtu, edhe kërcënimin nga pronari se në rast se vendoset për ndërprerjen e punimeve, ai dhe shumë të tjerë “do ta paguajnë”.

Një zyrtar policor, që justifikoi mosprezencën për t’i asistuar zyrtarët qeveritarë në përpjekjen për t’i ndaluar punimet, më tha: “Ne nuk do të lejojmë të krijohet një ‘Republikë’ brenda Prishtinës” dhe dha zotime për veprime në ditët në vijim.

***

Veprimet që rrodhën ishin improvizime. Spitali privat funksionoi si republikë, sepse përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, pra republikës që u themelua atë vit, iu subordinuan pronarëve.
Qe çfarë u bë. 

Me një vendim të marrë në 2007-n nga Qeveria e Agim Çekut, ndalohej të ngriheshin spitale private në rreze prej 1.5 kilometrash nga institucione publike shëndetësore. Kjo nënkuptonte se nuk mund të ngrihej as spitali ngjitur me QKU-në, e aq më pak, në pronën që deri atëherë e kishte në shfrytëzim QKU-ja. Me një vendim tjetër të Qeverisë Çeku, i miratuar po në 2007-n, pezullohej aktvendimi i Kuvendit Komunal të Prishtinës mbi pronën te QKU-ja dhe ndërpriteshin punimet në spitalin privat. Një vendim i tretë u mor në qershor të 2008-s nga Qeveria e drejtuar nga Hashim Thaçi, e me të cilin u vendos të “mbetet në fuqi” vendimi i Qeverisë Çeku.

Vendimet qenë jetëshkurtra. 

Në mbledhjen e 70 të Qeverisë Thaçi, e cila u mbajt më 25 qershor 2009, u mor edhe një vendim, me të cilin u shfuqizuan të tria aktet paraprake që i ishin bërë barrierë spitalit privat. Kësisoj, u hoqën pengesat në letër. Spitali nisi të ngrihet.

***

Ka një mister në vendimin “08/70”, të datës 25 qershor 2008, që e pati marrë Qeveria Thaçi. 
Këtë të shtunë i hyra sërish arkivin elektronik të Qeverisë dhe pashë se publike janë vetëm 7 vendime të mbledhjes së 70 të Qeverisë Thaçi 1. Mungon vendimi i 8-të. Pra, ai “08/70”, me të cilin iu hoqën pengesat spitalit privat.

Kjo nuk është informatë e re, meqë të njëjtin kërkim në arkivin elektronik e pata bërë pesë vjet më parë, kur u publikua një video që tregoi se pronari i spitalit ishte në hall. Aty shihej përballja me tre burra, të cilëve, sipas komunikimit, ishte detyruar t’ua jepte më shumë se 200 mijë euro ryshfet, për çështjen që lidhej me spitalin. Burrat dëgjohen tek arsyetohen se këtë e kanë bërë me direktivë të disa eksponentëve të partisë që atëkohë e mbante pushtetin qendror. Pas kësaj, u zhvillua një proces gjyqësor.

Kur plasi skandali me videon, vendimi “08/70” u avullua nga arkivi elektronik e Qeverisë. 

Në publik, u qarkullua një vendim me numër reference e edhe datë identike, por me përmbajtje ndryshe. Dokumenti i falsifikuar e prezantonte vendimin si akt, me të cilin Qeveria Thaçi “respekton vendimet paraprake” që lidhen me këtë spital privat. Por, vendimi origjinal, ai që edhe sot është në arkivin e KOHËS, e thotë të kundërtën – anulon të gjitha vendimet që spitalit iu bën pengesë.

***
Spitali ka ndërruar pronarët, e hija e dyshimeve për mënyrën si është ngritur dhe si e ka zhvilluar veprimtarinë, kurrë nuk i është ndarë.

As tani. 

Aktakuza e Prokurorisë Speciale, e ngritur të premten, tregoi se Ekrem Lluka bashkë me djalin e tij, Korab Lluka, si pronarë të “Qendrës Kardiake të Kosovës”, Klodian Allajbeun pronar dhe Igli Larashin drejtor në “American Hospital Kosova”, si dhe pronarja e “Medbrand KS”, Edlira Malaj, kanë prezantuar dokumente e fatura me kompani që nuk ishin të regjistruara, me qëllim edhe të përfitimit të milionave por edhe të legjitimimit të transaksioneve të tyre bankare. Bazuar në aktakuzë, përmes një skeme të falsifikimit të dokumenteve, ata shpëlanë para në vlerë të 3.4 milionë eurove.

Pronarët e rinj s’e bënë vetëm këtë. Kontrata që ia mundësoi veprimtarinë i obligonte ata që për pacientët e përzgjedhur nga Komuna e Prishtinës të ofronin shërbime e të kryenin operime pa pagesë. Në mars të 2023-tës, KOHA raportoi se spitali shpërfilli obligimin, ani se deri atëkohë do të duhej të operoheshin falas rreth 350 pacientë e të kontrolloheshin falas rreth 3 mijë qytetarë.
Këto janë gjëra që i dimë. Mund të ketë shumë të tjera, që nuk dihen.

***

Dje dhe sot, kur më ra të lexoj më shumë pas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e t’u rikthehem hulumtimeve që kemi bërë ndër vite, m’u kujtua një pyetje e një miku që e bëri, derisa po e shoqëroja në këtë spital. 

Ai kishte probleme serioze me shëndetin. Mjekë të QKU-së i kishin sugjeruar ta vizitonte spitalin privat, pak metra larg. Shkuam bashkë, dhe meqë caktimi i diagnozës kërkonte shumë analiza, incizime e edhe konsultime, na ra të kalojmë në shumë dyer të Spitalit Amerikan. Në të gjitha u përballëm me mjekë e infermierë shqiptarë. Prandaj, pyeti me shaka: Ku është amerikani?

Është pyetje që na nxjerr në shesh edhe një formë tjetër abuzimi, atë me mbiemrat. Por, stoku i dallavereve të spitaleve dhe klinikave private nuk mbështillet dot me mbiemrat “... gjerman”, “... italian”, “... evropian” e edhe “... amerikan”.