Deri tani. Revolucioni i ri iranian ia ofron të majtës ndërkombëtare një mundësi të shkëlqyer. Gratë, studentët dhe punëtorët që ngrihen në mbarë Iranin janë të bindur: ato as nuk do t’i nënshtrohen fashizmit që fshihet pas pseudoantiimperializmit të regjimit dhe as nuk do t'ia dorëzojnë vendin e tyre hegjemonisë së SHBA-së ose ekonominë e tyre kapitalit të financuar. Ata po mësojnë në mënyrën e vështirë se si të refuzojnë opozitat binare mashtruese (neoliberalizëm-statizëm, imperializëm-autokraci, patriarki-konsumerizëm). Shpresoj dhe besoj se ata mund të na mësojnë të bëjmë të njëjtën gjë. Është një arsye tjetër pse ne duhet të mbështesim luftën e tyre
Të përballesh me abuzime të rastësishme dhe të paprovokuara nuk është kurrë e lehtë. Mirëpo përballja me lëvdata të rastësishme dhe të paprovokuara mund të jetë edhe më e vështirë.
Një shofer athinas taksie, simpatizant i nazistëve, më tha së fundmi: “Jam votues i Agimit të Artë, mirëpo e mbështes mendësinë tuaj”. Nuk mund ta besoja atë çka po dëgjoja.
Pata të njëjtën ndjenjë hutimi një ditë tjetër kur lexova propozimet e kryeministrit hungarez të ekstremit të djathtë, Viktor Orbán, për arritjen e paqes në Ukrainë – propozime jo shumë të ndryshme nga ato që kam sugjeruar që nga fillimi i pushtimit të neveritshëm të Putinit. Ndërsa Orbán, ndryshe nga votuesi i Agimit të Artë, nuk më lavdëroi personalisht, neveria ishte e njëjtë.
Me kalimin e viteve kam vuajtur nga shqetësimi i jashtëzakonshëm kur njerëzit, analizat e të cilëve të paktën pjesërisht rezonuan me të miat, u denoncuan papritur si antisemitë, fashistë, stalinistë, libertarianë të këqij ose, së fundmi, si trumpistë. Traktatet e bukura që ekspozonin mashtrimet e bankierëve degjeneruan në sulme të ndyra ndaj hebrenjve. Kritikat e epokës së praruar të kapitalizmit të hershëm të financuar u shndërruan në himne për Xhaxhain Joe. Analizat mjeko-ligjore të prirjes së bankave tona qendrore për të luajtur shpejt dhe lirshëm me paratë tona përfunduan me propozime të kriptomonedhave, të cilat gërmojnë idenë e rrezikshme libertariane të parave apolitike. Dhe, së fundi, por jo më pak e rëndësishme, qortimet krejtësisht të arsyeshme të imperializmit “liberal” ose të përbuzjes së establishmentit liberal për punëtorët burokratë, u bënë thirrje për ngritjen e mureve kufitare, përndjekjen e njerëzve esmerë ose pushtimin e Kongresit.
Detyra e shenjtë për ta dalluar kalimin e një shoku radikal nga humanizmi në mizantropi u kap në mënyrë të shkëlqyer nga Sergei Eisenstein në filmin e vitit 1925 “Battleship Potemkin”. Gjatë një demonstrate të zjarrtë kundër brutalitetit të ushtrisë cariste, Eisenstein përshkruan një agjitator i cili, befas, përpiqet të kthejë mllefin e demonstruesve kundër hebrenjve - në atë moment demonstruesit e tjerë ia morën anën. Sikur të ishte kaq e lehtë!
Në vitin 2011 kam qenë dëshmitar se sa e vështirë është. Gjatë demonstratave madhështore të Athinës që sollën dhjetëra mijëra grekë në Sheshin Sintagma për 72 net rresht për të protestuar kundër varfërimit të qëllimshëm të Greqisë nga trojka tashmë famëkeqe (Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar) pati fashistët që përgjojnë në mesin tonë. Ashtu si njeriu në filmin e Eisensteinit, ata nxitën turmën e madhe me posterë që bënin thirrje për varjen e të gjithë anëtarëve të parlamentit, që përshkruanin Angela Merkelin me uniformë naziste dhe, për ironi, duke përdorur shenja antisemite për të përfaqësuar ndihmësit vendas të Merkelit.
Teksa turma e krahut të majtë mësoi të mbante distancën tonë prej tyre, duke u mbledhur në pjesën e poshtme të Sheshit Sintagma, më erdhi keq që nuk u trajtuam kurrë me fashistët aq vendosmërisht sa demonstruesit në filmin e Eisensteinit. Më keq akoma, disfatat e njëpasnjëshme që e majta internacionaliste ka pësuar gjatë dekadave, kanë joshur shumë njerëz që të përqafojnë logjikën e tmerrshme se armiku i armikut tim është miku im.
Në vitin 1981, iu bashkua një demonstrate të vogël në Londër kundër Sadam Huseinit, i përkëdheluri perëndimor atëherë, regjimi i të cilit kohët e fundit kishte pushtuar Iranin në emër të Perëndimit. Pasi u torturova dhe u ndalova për një kohë të shkurtër nga policia, nga miqtë e krahut të majtë, më quajtën naivë, sepse nuk e pashë se detyra jonë ndaj kauzës palestineze ishte të mbështesim të vetmin regjim në rajon që ishte i gatshëm të përballej me Izraelin.
Rreth 22 vjet më vonë, pas një demonstrate kundër pushtimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Irakut të Sadamit, një grup tjetër majtistësh më nxorën për ta kundërshtuar pushtimin. Mundësia për të dënuar edhe Sadamin vrasës, edhe pushtimin katastrofik për ta rrëzuar atë u hodh poshtë.
Shpërbërja e Jugosllavisë krijoi shqetësime të ngjashme. Në vitin 1999, gjatë luftës për Kosovën, e majta u nda në dy kampe, të dyja i urreja. Disa ranë në grackën e mbështetjes së regjimit vrasës të Slobodan Millosheviqit si pengesa e fundit e mbetur ndaj imperializmit amerikan dhe ekspansionizmit ekonomik gjerman në Ballkan. Të tjerët i portretizuan bombardimet e NATO-s si ndërhyrje liberale që ishte e nevojshme për të futur demokracinë në Ballkan. Ishin ditë të vetmuara për ne që kundërshtuam me të njëjtin zjarr fashizmin e Millosheviqit dhe bombardimet ilegale të NATO-s ndaj civilëve serbë.
Ndoshta momenti më i vetmuar erdhi në vitin 2001, gjatë një takimi të bordit të fakultetit në Universitetin e Athinës, kur kryetari paraqiti një kërkesë nga presidenti i Greqisë që t'i jepnim një doktoratë nderi Vladimir Putinit, në këmbim të një nderi të ngjashëm që i është bërë presidentit tonë nga Universiteti Shtetëror rus. Unë isha pakica e atyre që kundërshtuan çmimin me arsyetimin se Putini kishte gjakun e mbi 200.000 çeçenëve në duart e tij, pasi kishte bombarduar Çeçeninë pa mëshirë gjatë një lufte mizore që synonte të forconte kontrollin e tij në pushtet.
Kolegët e ditur me prirje të majtë më qortuan më vonë se nuk e pranoja se një autokrat në Rusi ishte çmim i vogël për të paguar për kontrollin e përhapjes së fuqisë së SHBA-së në Evropën Lindore. Sot, disa shokë të Evropës Lindore më portretizojnë si idiotin e dobishëm të Putinit, sepse nuk besoj se një luftë e pafund do të sjellë regjim demokratik në Moskë.
Për vite të tëra, kam besuar dëshpërimisht se asgjë nuk mund ta shpëtojë të majtën ndërkombëtare nga pikat e verbra që bëjnë që progresistët të humbasin rrugën tonë herë pas here. Deri tani. Revolucioni i ri iranian i ofron të majtës ndërkombëtare një mundësi të shkëlqyer.
Gratë, studentët dhe punëtorët që ngrihen në mbarë Iranin janë të bindur: ato as nuk do t’i nënshtrohen fashizmit që fshihet pas pseudoantiimperializmit të regjimit dhe as nuk do t'ia dorëzojnë vendin e tyre hegjemonisë së SHBA-së ose ekonominë e tyre kapitalit të financuar.
Ata po mësojnë në mënyrën e vështirë se si të refuzojnë opozitat binare mashtruese (neoliberalizëm-statizëm, imperializëm-autokraci, patriarki-konsumerizëm). Shpresoj dhe besoj se ata mund të na mësojnë të bëjmë të njëjtën gjë. Është një arsye tjetër pse ne duhet të mbështesim luftën e tyre.
(Autori, ish-ministër i Financave i Greqisë, është lider i partisë MeRA25 dhe profesor i ekonomisë në Universitetin e Athinës. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Synidacate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).