Këtë Qeveri dhe cilëndo Qeveri që vjen pas kësaj e pret punë e madhe në rindërtimin e strukturës dhe kapaciteteve profesionale në fushën e integrimit evropian. Ndonëse me katër vjet vonesë, uroj që këtë javë kemi nisur hapin e parë në këtë drejtim
Është tipar i punëve të shtetit që gjërat e rëndësishme të interesit publik të marrin emërtime komplekse dhe burokratike. Sikur institucionet bëjnë maksimumin që qytetarët të mos kuptojnë asgjë nga punët e shtetit. Kësisoj, p.sh, kur Kosovës iu hoqën vizat nuk u tha thjesht “do të hiqen vizat”, por termi i saktë dhe formal ishte “do të bëhet miratimi i plotësim-ndryshimit të Rregullores së BE-së 2018/1086 për vendet e treta, shtetasit e të cilave duhet të kenë viza kur kalojnë kufijtë e jashtëm dhe ata shtetasit të cilët janë të përjashtuar nga kjo kërkesë”... do të thotë, totalisht e pakuptueshme.
Kësisoj, edhe në mbledhjen e fundit të Qeverisë ishte një pikë me titull monoton dhe burokratik: “Shqyrtimi i Propozim-vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2024”. Përsëri totalisht e pakuptueshme, porse për çfarë bëhej fjalë sqaroi kryeministri gjatë prezantimit të kësaj pike të rendit të ditës të Qeverisë.
“Ajo që vlen të theksohet është që po fillojmë hartimin e projektligjit për Agjencinë për Integrim Evropian, e cila do të funksionojë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit”.
***
Pra, pas katër vjetësh humbje kohe, Qeveria ka kuptuar atë që kemi thënë që nga fillimi. Kur para gati katër vjetësh Qeveria e re vendosi të mbyllë Ministrinë e Integrimit Evropian, ajo kishte para vetës dy opsione: (1) të integrojë strukturën administrative përgjegjëse për integrim evropian brenda Zyrës së Kryeministrit në formën e një Zyre/Sekretariati/Agjencie apo (2) ta integrojë atë brenda Ministrisë së Jashtme. Në atë kohë, instituti ku bëjë pjesë pati publikuar raportin: “Dashuria e Pashmangshme e Kryeministrit”, ku kemi bërë thirrje për opsionin e parë. Por në gjithë këtë mes, Qeveria bëri zgjedhjen më të keqe: nuk vendosi asgjë. Kësisoj, struktura përgjegjëse për integrim evropian ngeli jetime brenda Zyrës së Kryeministrit. Mungesa e vëmendjes politike, lidershipit administrativ dhe një strukture koherente organizative në fushën e integrimit evropian i prodhoi pasojat e veta. Sot kapacitetet administrative të Qeverisë në fushën e integrimit evropian kanë prekur nadirin e vet. Sidoqoftë, kjo është histori. Duke shikuar drejt së ardhmes lajmi për ngritjen e Agjencisë për Integrim Evropian është i mirë. Siç thotë ajo fjalë e urtë, më mirë vonë se kurrë. Ngritja e Agjencisë së Integrimit Evropian në kuadër të Zyrës së Kryeministrit është model i provuar i organizimit të funksionit të koordinimit të integrimit evropian edhe këtu te ne, por edhe në rajon. Një organizim i tillë ofron minimalisht gjashtë avantazhe strukturore.
E para, vendosja e procesit të integrimit nën lidershipin e kryeministrit përçon mesazh se integrimi evropian nuk është thjesht një nga proceset. Ai është procesi më i rëndësishëm shtetëror dhe përcaktim strategjik i shoqërisë sonë. Duke qenë kështu, asnjë autoritet më i ulët se kryeministri nuk mund të bartë këtë peshë shtetërore. Së dyti, në procesin integrues nuk ka vendime të lehta të cilat janë në juridiksionin e një ministrie. Vendimet në procesin integrues kërkojnë marrjen e vendimeve të vështira për shoqërinë, të cilat mund t’i marrë vetëm kryeministri. Rrjedhimisht, çfarëdo arkitekturë institucionale e procesit integrues duhet të jetë e strukturuar në atë formë që e mundëson përfshirjen dhe vendimmarrjen intime dhe të drejtpërdrejtë të kryeministrit në procesin integrues. Së treti: “Kryeministri emëron, kryeministri shkarkon”. Ky parim përmbledh esencën e argumentit të llogaridhënies në procesin më të rëndësishëm reformues, siç është procesi integrues. Arkitektura institucionale për procesin integrues duhet të jetë e dizajnuar ashtu që në epiqendër të saj të jetë kërkesa për ndërmarrjen e reformave dhe informimi i drejtë i kryeministrit për të kërkuar llogaridhënie nga ministrat përgjegjës. Së katërti, brenda Qeverisë ka shumë shefa, por është një person vendimet e cilit janë të pakthyeshme dhe të panegociueshme – vendimet e kryeministrit.
Prandaj, vetëm një autoritet superior, siç është kryeministri, mund të ofrojë peshën dhe autoritetin e nevojshëm politik për të siguruar koordinimin efektiv të agjendës evropiane, si brenda ashtu edhe jashtë Qeverisë. Së pesti, duke e njohur faktin se viteve të fundit jemi dëshmitarë të ndërlidhjes më të fuqishme mes procesit integrues dhe fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor, kryeministri do të jetë në situatë ideale që të jetë pikë ndërlidhëse mes dy proceseve, duke evituar kështu dikotominë mes tyre.
Së gjashti, Qeveria është një institucion jashtëzakonisht kompleks dhe shumëdimensional. Ekzekutimi i mandatit të kryeministrit është ndërmarrje shumë komplekse politike dhe teknike. Çdo ditë kryeministri vërshohet nga dhjetëra çështje urgjente dhe jourgjente, që konsumojnë vëmendjen, kohën dhe kapitalin e tij politik. Prandaj procesi integrues imponon bashkimin e strukturës integruese me qendrën e Qeverisë në mënyrë që të sigurohet unifikim i plotë i procesit integrues me politikat ditore të saj, duke fokusuar kështu vëmendjen e kryeministrit në çështjet më të rëndësishme dhe më urgjente. Çdo largim i këtyre dy strukturave bart më vete kosto koordinimi dhe i rrit gjasat e marrjes së vendimeve të gabuara politike në mungesë të informacionit holistik teknik dhe profesional.
Por në fund duhet nënvizuar se e gjithë kjo është teori. Në praktikë gjëja më e rëndësishme janë njerëzit. Njerëzit në dy kuptime. Në kuptimin e parë do të jetë e rëndësishme për të parë se si do të funksionojë marrëdhënia në mes të kryeministrit, zëvendëskryeministrit përgjegjës për Integrim dhe kryeshefit të Agjencisë për Integrim Evropian. Sikurse në çdo fushë, ashtu edhe në punët e shtetit karakteret e individëve dhe kimia në mes tyre do të jenë të rëndësishme. Në kuptimin e dytë dhe ndoshta më të rëndësishëm do të jetë detyrë urgjente që të investohet kohë dhe energji në kthimin e prestigjit të stafit profesional përgjegjës për integrim evropian. Kjo do të kërkojë njohje të rëndësisë së punës që bëjnë, por edhe krijim të kushteve për tërheqje dhe mbajtje të talentëve profesionistë – në qendrën e Qeverisë dhe në ministritë e linjës. E gjithë kjo çfarë po them është shumë më lehtë të thuhet sesa të bëhet.
Këtë Qeveri dhe cilëndo Qeveri që vjen pas kësaj do ta presë punë e madhe në rindërtimin e strukturës dhe kapaciteteve profesionale në fushën e integrimit evropian. Ndonëse me katër vjet vonesë, uroj që këtë javë kemi nisur hapin e parë në këtë drejtim.