Po kështu, Kina nuk mund të zgjidhë mosmarrëveshjen e ujit të Egjiptit me Etiopinë, pavarësisht se është investitori dhe kreditori më i madh i Etiopisë. Vetëm Amerika – me historinë e saj të gjatë të zgjidhjes së konflikteve - mund ta arrijë këtë
Vizita e presidentit amerikan, Joe Biden, në Arabinë Saudite po del të jetë pak më shumë kundërthënëse. Pasi mbajti qëndrim të ashpër, gjoja parimor kundër Mbretërisë në fillim të administratës së tij, Bideni tani pritet të ketë qasje më pajtuese. Kjo qasje e tij ka shqetësuar kritikët, por ka arsye të mira për të përshëndetur ndryshimin.
Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2020, Bideni e quajti Arabinë Saudite si “paria”. Pasi shkeli në Shtëpinë e Bardhë, Bideni dëboi në mënyrë diplomatike sundimtarin de fakto të Mbretërisë, Princin e Kurorës Mohammed bin Salman (i njohur gjerësisht si MBS). Dhe vitin e kaluar, administrata e tij publikoi raportin e inteligjencës duke fajësuar MBS-në për vrasjen brutale të gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, në vitin 2018.
Por rritja e çmimeve të energjisë dhe inflacionit në hava – dhe zhgënjimi popullor që kanë nxitur – kanë ndryshuar llogaritjet e Bidenit. Tani, administrata e tij po bën gjithçka që Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe të rrisin prodhimin e tyre të naftës. Dhe kjo do të thotë të sjellësh MBS nga i ftohti.
Megjithatë, në kundërshtim me pretendimet e kritikëve, kjo nuk përbën shfaqje destabilizuese të dobësisë amerikane. Përkundrazi, Bideni, më në fund, po përqafon politikën e SHBA-së të testuar me kohë. Kur bëhet fjalë për Lindjen e Mesme, pranimi amerikan i status quo-s pothuajse gjithmonë është dëshmuar të jetë opsioni më i qëndrueshëm – dhe më i dëshirueshëm. Ndërsa politikat e muskujve ose aktive të SHBA-së ndonjëherë kanë prodhuar frikë, ato shpejt degjenerojnë në përbuzje, paqëndrueshmëri dhe poshtërim.
Merrni parasysh përvojën e presidentit Dwight D. Eisenhower në vitet 1950. Ylli i Shteteve të Bashkuara po ngrihej në rajon që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Për të forcuar pozicionin e vendit në rajon, Eisenhower kërkoi që Britania, Franca dhe Izraeli të tërhiqen nga territori egjiptian pas krizës së Suezit të vitit 1956. Megjithatë, vetëm dy vjet më vonë, çfarëdo vullneti i mirë që Eisenhower kishte krijuar u shkatërrua shpejt, pasi ushtria amerikane ndërhyri në Liban për të stabilizuar qeverinë e saj të brishtë.
Ronald Reagan ra viktimë e të njëjtit model shkatërrues. Ai fillimisht u përpoq të projektonte fuqinë në Lindjen e Mesme, duke dërguar trupa në Liban në vitin 1983 për të zbutur luftën civile. Por pas dy bombardimeve vdekjeprurëse që lanë të vdekur 258 amerikanë, Reagan tërhoqi papritur forcat amerikane. Aktorët rajonalë nuk u bënë përshtypje. Si mundet kjo superfuqi e supozuar të mos jetë në gjendje të zgjidhë konfliktin në një vend më të vogël se Connecticuti me më pak banorë se Kansasi?
Në vitet 1990 dhe 2000, Iraku u bë katalizatori kryesor i trazirave në Lindjen e Mesme. Kur forcat e presidentit irakian, Saddam Husein, pushtuan Kuvajtin në vitin 1990, George H.W. Bush nisi sulmin ajror 38-ditor – transmetuar drejtpërdrejt në CNN – e pasuar nga lufta tokësore 100-orëshe. Ushtria irakiane u shtyp. Kuvajti ishte i lirë. Dhe SHBA-ja kishte rifituar frikën dhe admirimin e aktorëve rajonalë. Për shembull, Siria, e cila ishte përleshur me forcat amerikane në Liban në vitin 1983, hoqi dorë nga rezistenca dhe iu bashkua procesit të paqes të sponsorizuar nga SHBA-ja.
Por ky nderim ishte jetëshkurtër. Kur Huseini nuk hoqi dorë nga pushteti, siç kishte dëshiruar SHBA-ja, ajo miratoi politikë të frenimit dhe izolimit ndaj Irakut. Aleatët rajonalë të Amerikës, si Emiratet e Bashkuara Arabe, e kundërshtuan këtë politikë, duke qortuar në vend të kësaj për riintegrimin e Huseinit në rendin arab. U krijua përçarja.
I njëjti cikël u zhvillua në vitet 2000. Pushtimi i shpejtë amerikan – i urdhëruar nga një tjetër Bush, George W. – rrëzoi Huseinin, duke lënë kundërshtarët të mahnitur. Këtë herë, Muammar el-Gaddafi i Libisë hoqi dorë nga armët e tij të shkatërrimit në masë, përqafoi fushatën kundër ekstremizmit islamik dhe pranoi hegjemoninë rajonale të SHBA-së.
Megjithatë, përsëri, rënia e Amerikës nga hiri ishte e shpejtë. Kryengritja irakiane bllokoi ushtrinë amerikane. Diplomatët amerikanë as nuk mund të pajtonin armiqësitë e ndërlikuara dhe as të zgjidhnin konfliktet e brendshme. Një satelit iranian u shfaq aty ku SHBA-ja kishte tentuar të mbillte farat e demokracisë.
Fuqia amerikane ishte përsëri në rënie. Edhe aleatët e fortë sfiduan SHBA-në, me liderin egjiptian Hosni Mubarak, për shembull, që refuzoi të vizitonte SHBA-në për gjashtë vjet. Siria - përsëri kundërshtare - u përpoq të destabilizonte qeveritë e mbështetura nga SHBA-ja në Irak, Liban dhe territoret palestineze.
Mes të tilla rrotullimesh, SHBA-ja ka kërkuar mbi të gjitha stabilitet. Kjo ka nënkuptuar mbajtjen e marrëdhënieve të mira me qeveritë autoritare – nga Egjipti në Gjirin Persik – që i privojnë njerëzit e tyre nga të drejtat themelore.
Sot, sauditët dhe emiratet nuk janë shumë të kënaqur me politikën e Amerikës ndaj Iranit – në veçanti, reagimin e saj të ndrojtur ndaj sulmeve në territoret e tyre nga përfaqësuesi jemenas i Iranit. Por, ashtu si Bideni nuk ka zgjidhje tjetër veçse t'i lehtësojë ata, ata nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të pranojnë hegjemoninë rajonale amerikane. Kina dhe Rusia, të cilat kundërshtojnë sanksionet ndërkombëtare kundër Iranit dhe e mbrojnë atë në Kombet e Bashkuara, nuk do t'i mbrojnë këto petroshtete të brishta kundër mullahëve.
Egjipti, ndërkohë, është zhvendosur drejt orbitës ruse. Por nëse do të kishte ndonjë shpresë për të vazhduar në garën e armëve me Izraelin, nuk ka asnjë zëvendësim për armët amerikane. Në çdo rast, trupi i oficerëve të ushtrisë egjiptiane ka kujtime të hidhura nga trajtimi i paraardhësve të tyre nga këshilltarët sovjetikë të vendosur pas luftës së vitit 1967. “Ata janë të ashpër, shpesh arrogantë” shkroi një gjeneral egjiptian.
Po kështu, Kina nuk mund të zgjidhë mosmarrëveshjen e ujit të Egjiptit me Etiopinë, pavarësisht se është investitori dhe kreditori më i madh i Etiopisë. Vetëm Amerika – me historinë e saj të gjatë të zgjidhjes së konflikteve, të dhënat e përmbushjes së detyrimeve të saj dhe arkat në dukje të pafundme– mund ta arrijë këtë.
Në vitin 2018, pas vrasjes së Khashoggit, unë thashë se pavarësisht dëshirës për t'i mbajtur sauditët sipas standardeve që priten nga aleatët e tjerë të ngushtë të SHBA-së, interesat e përbashkëta dhe varësia reciproke pothuajse me siguri do të mbizotëronin. Vizita e Bidenit në Arabinë Saudite tregon se ai tani ka arritur të njëjtin përfundim.
(Barak Barfi është ish-studiues në New America dhe ish-bashkëpunëtor në Institutin Brookings. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).