“E pe çfarë ka bërë vaki. E pe? E ta mendosh se ata na fajësojnë neve se nuk kujdesemi për ta”.
“Po si nuk e pashë. Ishte e tmerrshme. Si nuk u mbushën mend njëherë”!
Ishte ky një dialog imagjinar shpirtrash në anën e përtejme. Ku sigurisht ishte mbledhur Kuvendi për t’i shtjelluar rrethanat e reja. Dialogu sigurisht që mund të mbivendoset në cilëndo rrethanë e situatë këndej e andej kufiri.
Andej sigurisht tërmeti, këndej një tërmet tjetër, të paktën derisa të na bjerë i vërteti. E që do të bjerë e thonë të dhënat historike për këdo që merr mundin t’i gjejë e t’i analizojë (këtu pak e ka huqur “parashikuesi” i tërmeteve, sepse burimet dhe të dhënat nganjëherë nuk kanë rregull përsëritjeje të njëjtë).
Dihet që Durrësi tashmë është shkatërruar disa herë para mijëra vitesh dhe përsëri në historinë e re (fundja amfiteatri i Durrësit u zbulua rastësisht, kur një pemë u zhyt në tokë dhe ngjalli kureshtjen e u hulumtua tutje). Po ashtu, edhe Butrinti e Apollonia.
Pra, nuk duhet kallauz, siç thotë populli. Kur ka një periudhë qetësie si duket mashtrohemi dhe harrojmë. Fillojnë abuzime me pronat e ndërtimet prej kohësh. Dihet po ashtu që këto treva kanë ciklin e përsëritjeve të dridhjeve të tokës çdo 50, 100, 500 e 1000 vjet. Por si ndodh të na gjejë kaq jo gati.
Fillimisht pas demokracisë erdhën në shprehje pronat, ku kushdo i dha të drejtën vetes të merrte e ndërtonte kudo. U ndërtua sërish, madje edhe në zonat që dihet se do të përmbyteshin çdo vit (edhe pse banorët ishin zhvendosur e zhdëmtuar prej kohësh për shkak të ndërtimit të digave e liqeneve akumuluese)... por fajet e përgjegjësinë për moskujdes gjithsesi gjithmonë i ka tjetërkush (ata sipër nga dialogu pra). Dhe nuk mbaron me kaq, por ndërtimi vazhdon kudo. Nuk mërziten fort për apelet e inxhinierëve si e mrekullueshmja Luljeta Bozdo apo sizmologëve. Vazhdojnë të ndërtojnë e abuzojnë në të njëjtën kohë. Edhe pas tërmeteve paralajmëruese, nuk e prish kush terezinë.
Nuk merren as me mbrojtjen civile, as me ushtrime simuluese, as me pajisjen e grupeve të shpëtim-kërkimit. Se fajin mbase e kanë ata sipër. Që nuk ngrihen në kryengritje e të mbushin mend njëherë e mirë këtë milet. Se duhet një kthjellim, njëfarë lloj katarsisi e t’ia nisim sërish nga e para e për së mbari. Se duhet respektuar rregullat. Se duhet respektuar ligjet. Të kuptojmë se nuk ka rëndësi se ku ndërtohet, por si ndërtohet. Të respektohen rregullat.
Të respektohen e pyeten inxhinierët e sizmologët. E kur jemi tek rregullat e ndërtimit, nuk duhet të jesh shumë ekspert për të parë që të gjitha muret e shkreta që kishin rënë i kishin blloqet e vendosur në krah (kudo në botë, e edhe tek ne, blloqet e mureve vendosen me vrima teposhtë e jo anash apo sipër, sepse edhe më laiku e kupton që nuk ka fuqi mbajtëse më në të dhe nuk lidhet betoni me blloqe ashtu). Por babëzia e kursimit të pak metrave katrorë blloqe e kishte bërë edhe këtë. Mbase edhe ndonjë fije armature e beton të dyshimtë. Dhe tmerri mund të ishte edhe më i madh.
Tragjedia edhe më e thellë. Thonë kanë ndërtuar në kënetë e në rërë. E po bota qysh moti ndërton edhe në ujë. Inxhinierët thonë nuk është problem, vetëm duhet ndërtuar themelet sipas rregullave. Duhet zbatuar ato. Kaq. Por ne as kaq nuk mundemi.
Na duhet leja pa meritë, na duhet të hedhim disa kate më shumë edhe kur e kemi lejen. Na duhet të mos përfillim projektin e ndërtimit. Na duhet të ndërtojmë pa rregulla. S’mërzitemi fare për to. Edhe kur ka rregulla e zbatohen ne përpiqemi ta korruptojmë sistemin e ta prishim. Sepse nuk jemi të sinqertë asnjëri. Sepse secili në vetvete do që t’i shmangë rregullat kur vjen puna tek “puna e tij”. Secili do që të kryejë punë “me mik”.
E shpirtrat nga ana e përtejme luten e shpresojnë që të mos na kthjellë ndonjë tërmet edhe këndejdyti. Se a e keni dëgjuar gjë të ketë kërkuar kush këndejdyti që të bëhet verifikim i nënndërtimeve. Apo mbindërtimeve. Apo ndërtimeve të reja. Apo mos keni dëgjuar gjë të ketë kërkuar kush para blerjes së një banese shkallë emergjente, dalje emergjente, mbrojtje nga zjarri apo “imtësira” të tjera të ngjashme. Uroj të mos ketë shumë punë për shpirtrat kryengritës në vitin e ri. Gëzuar me shpresën për kthjellim gjithandej!