OpEd

Krushqit politikë kosovarë

Viteve të fundit jemi shndërruar në një lloj kolektivi dubioz dhe assesi nuk dëshirojmë t’i pranojmë sukseset e dikujt. Ndërskamcat dhe nënçmimet politike, apo edhe personale, mbeten si valutat e vetme të politikë-stërkeqjes kosovare. Aq më i dhimbshëm bëhet fakti kur sukseset e atyre personave, në fakt, do t’i atribuohen suksesit të gjithëmbarshëm të shtetit të ri kosovar dhe emancipimit e zhvillimit të shoqërisë kosovare. Tranzicionin mund ta pranoj dhe kuptoj si një proces të dhimbshëm, mirëpo atdhedashuria do të duhej të ishte një konstantë e cila nuk ndryshon dhe nuk ka kompromis.

Ashtu qysh unë po e shoh motin dhe natyrën, ne sapo u përshëndetëm edhe me një stinë dimri. Edhe një vit i cili, sikur ai të cilin e lamë pas, po na bind se definitivisht ky planet u është nënshtruar ndryshimeve klimatike. Qershitë kanë lulëzuar në muajin shkurt!

Dimrat e fëmijërisë time ishin me shumë borë, thellë në ditët e muajit mars.

Mirëpo, çfarë kuptimi do të kishte Ditari i një ambasadori nëse në përmbajtjen e tij nuk do të kishte kabllograme diplomatike? E sa i përket dimrit, vetëm të mos bëhet ashtu siç e kishin thënë të moçmit tanë shumë kohë në parë: "Cungun më të madh ruaje për Shëngjergj".

Kabllogrami i cili pritet të arrijë sot në orën 11:00 do të duhej të ishte ai i shpalljeve të rezultateve zyrtare nga ana e KQZ-së, të zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit.

Ajo që do ta deklasojë secilin analist politik kosovar që është marrë me zgjedhjet në Kosovë qysh nga përfundimi i luftës është fakti se ata gjithmonë kanë trumpetuar se për shkak të sistemit proporcional të zgjedhjeve asnjë parti politike nuk mund t’i arrijë 50% të votave. Ndoshta edhe kishin të drejtë, sepse kjo që e arriti atë fitore ishte lëvizje dhe jo vetëm një parti politike. Pra, Lëvizja Vetëvendosje! Partitë e tjera të cilat qeverisën me Kosovën, në mënyrën se si qeverisën, ishin pikërisht ato të cilat e rritën këtë lëvizje, e jo ndonjë bindje ideologjike e popullit të rreshtuar pas kësaj lëvizjeje.

Thjesht, popullit i ishte premtuar ndryshimi nga partitë politike qysh në zgjedhjet e kaluara të 8 tetorit, e kjo sidomos nga ana e koalicionit post-zgjedhor të proklamuar nga ana e LDK-së dhe VV-së. Se si vajti i gjithë procesi pre dhe post-zgjedhor tashmë është pjesë e historisë dhe të gjithë jemi në dijeni në lidhje me atë gjë.

E populli, sikur populli: "Kur bregu nuk vjen te Muja, atëherë Muja shkon te bregu". Ndryshimin populli po e kërkonte me ngulm dhe bashkëngjitja e znj.Vjosa Osmanit me listën e saj në kuadër të Vetëvendosjes definitivisht e vulosi atë kërkesë nga ana e popullit, e besuar me numrin dhe rezultatin rekord të shënuar të votave dhe përqindjeve të tyre në raport me partitë e tjera politike.

Nga kabllogramet e djeshme diplomatike e pamë edhe mikpritjen si dhe deklaratat e shumta të zyrtarëve zviceranë, të bëra në llogarinë e ushtrueses së detyrës së presidentes, zonjës Vjosa Osmani. Ishte një përfaqësim i munguar e tejet dinjitoz i Kosovës, për ndryshim nga plejada e politikanëve të shumtë kosovarë, të cilët origjinonin nga komuniteti i mërgatës sonë në Zvicër dhe të cilët fatkeqësisht atje ishin të regjistruar si keqpërdorues me skemat e sigurimit social dhe atij mjekësor. Fatkeqësisht ky ishte imazhi i një politikani kosovar në këtë shtet të vogël, por shumë të rëndësishëm evropian. Tashmë Kosova do të mund ta ketë rastin që të përfaqësohet ndryshe, ashtu siç ai vend dhe ai popull e meritojnë pas të gjitha sakrificave të bëra ndër shekuj, me gjenerata të tëra të paraardhësve tonë.

Viteve të fundit ne jemi shndërruar në një lloj kolektivi dubioz dhe assesi nuk dëshirojmë t’i pranojmë sukseset e dikujt. Ndërskamcat dhe nënçmimet politike, apo edhe personale, mbeten si valutat e vetme e politikë-stërkeqjes kosovare. Aq më i dhimbshëm bëhet fakti kur sukseset e atyre personave, në fakt, do t’i atribuohen suksesit të gjithëmbarshëm të shtetit të ri kosovar dhe emancipimit e zhvillimit të shoqërisë kosovare. Tranzicionin mund ta pranoj dhe kuptoj si një proces të dhimbshëm, mirëpo atdhedashuria do të duhej të ishte një konstantë e cila nuk ndryshon dhe nuk ka kompromis.

Desha të merrem edhe me një dukuri nga dita e djeshme dhe diçka të cilën nuk do ta quaja kabllograme diplomatike, sepse nuk ishte e tilla. Do ta quaja më shumë ashtu siç njëherë ishte shprehur miku im i ndjerë tashmë, por gjithnjë shumë i çmuar, Adnan Mustafa. Ai pati afishuar njëherë thënien "Shqiptari edhe me dashtë me nënën e vet me u martu gjen krushq". E kështu dje pamë cicërima të diplomatit të dështuar të quajtur Richard Grenell, i cili ka gjetur krushq ndër shqiptarë për glacitjet e tij në Twitter, hapësirë virtuale sociale prej nga ish-shefi i tij është dëbuar përjetësisht.

E kujt i plas se çka mendon Richard Grenell për Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen?

4 cicërima brenda 24 orësh me temën e Albin Kurtit nga ana e një diplomati të dështuar, qoftë ai edhe amerikan, të bëjnë ta kuptosh se në lojë është diçka tjetër. Kjo ndodh pas zgjedhjeve. As para fushatës, as gjatë fushatës, por pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, për rezultatin e të cilave jam i sigurt se edhe krushqit e vet politikë nga Kosova e kanë informuar. Në sytë e mi dhe pikëpamjet e mia, Richard Grenelli me arrogancën dhe poltronizmin e tij bash nuk paraqet asgjë hiç, e aq më pak që tashmë edhe votuesi amerikan ua ka treguar atij dhe shefit të tij vendin.

Pika e cila e ka ndezur Grenellin sigurisht ka qenë deklarata e Albin Kurtit se qeveria e re e tij do t’i rishqyrtojë "marrëveshjet" apo, thënë më mirë, zotimet e bëra në Washington, më shumë për nevojat e PR-it të ish-presidentit Donald Trump dhe garave presidenciale në Amerikë sesa për faktin se ato ishin marrëveshje me ndonjë sinqeritet ndaj Kosovës dhe popullit të saj të dëshmuar si një shtet me popullin më pro-amerikan në botë. Edhe njohja e siguruar nga shteti i Izraelit ishte e bërë në atë mënyrë që nga ajo të përfitonte secila palë, mirëpo Kosova do të mbetej me këmbët e arushës në duart e saj.

Përderisa jemi ende në procesin e shtetndërtimit, me sfidat e mëdha në atë rrugëtim, neve nuk na kursejnë dhe padrejtësisht na fusin në agjendën e konflikteve historike qindravjeçare e edhe fizikisht na "zhvendosin" si vend mysliman në Lindjen e Mesme. Këtu Richard Grenellit dhe të gjithë atyre të cilët e dizajnuan atë plan asnjëherë nuk mund t'ua bëj hallall.

Por, kur vetëm jemi te problematika e vendosjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, mendoj se aty nuk na është lënë shumë hapësirë për ndonjë manovrim diplomatik. Ne duhet ta vendosim atë aty, e ata të cilët na konsiderojnë miq të vërtetë duhet ta kuptojnë se pse Kosova nuk është në pozitën për ta refuzuar atë.

Ne jemi shtet i ri. As nuk jemi anëtarë të Kombeve të Bashkuara, e në Evropë trajtohemi sikur të ishim shtet me leprozë – as të drejtat e lëvizjes së lirë nuk i gëzojmë. Ne gjithashtu, me moshën tonë si shtet, jemi shumë të rinj për t’i trashëguar apo për t’i pasur në hipotekë në çfarëdo forme problemet dhjetëra vjeçare politike izraelite-palestineze. Ambasada jonë aty as nuk e zgjidh atë konflikt, as nuk eskalon në diçka tjetër.

Kjo është bretkosa të cilën qeveria e re e Kosovës do të duhet ta gëlltisë dhe të vazhdojë tutje në një rrugë shumë më të qartë të orientimit diplomatik, se ku dëshiron të shkojë dhe të rreshtohet në të ardhmen dhe gjithashtu të mos lejojë situata të tilla me ad hoc diplomaci. Aty nuk duhet lënë dilema, qofshin ato edhe vetëm në ajër.

E, për t’u kthyer edhe njëherë te Grenelli – me të cilin unë fare nuk do të isha marrë, mirëpo u morën të gjitha mediat dhe portalet kosovare me glacitjet e tij në Twitter duke ia shpërndarë dhe duke ia komentuar ato – do të ishte mirë që ai të përqendrohej në terrorizmin i cili ndodhi në Capitol Hill, e ndaj të cilit ishim dëshmitarë të gjithë. Pastaj, në mospranimin e rezultateve të fitores së presidentit Biden, në vend se të ketë fytyrë ta këshillojë për ta kundërshtuar qeverinë e re Kurti. Dikujt të cilit nuk ia njeh fitoren s’ke çfarë ta këshillosh, apo jo? Është oksimoron, o moroni politik!

Ishte fatkeqësi në fatin tonë që ti u emërove emisar i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një injorant total që as haberin më të vogël të kësaj problematike dhe të asaj hapësire gjeografike nuk e ke pasur, e atë e ke dëshmuar në shumë intervista të tua, qofshin ato edhe me krushqit e tu politikë kosovarë, të cilët vazhdojnë të të qëndrojnë gatitur. Por, ai është problem i tyre. Deri më sot asnjë njeri nuk vdiq nga marrja.