OpEd

Krizë kah të sillesh

Një vit e gjysmë pushtet tregon se mbase zgjedhja e ministrave nuk ka qenë më e duhura dhe se nuk ka ide se si të dilet nga shumë hendeqet në të cilat jemi futur prej kohësh. E kemi të qartë se dialogu me Serbinë është menaxhuar keq që nga fillimi dhe se na ka lënë një problem shumë të madh pas. Porse janë bërë shumë vjet dhe shumë probleme tashmë, dhe jemi lodhur e stërlodhur me eksperimentime, me skema, me shëtitje, me hajgare dhe me mungesë vizioni

Inflacioni në Kosovë prek vetëm sektorin publik dhe ky do të duhej ta bënte lajmin që do të duhej ta përshkonte botën.

Kjo, ngase sektori privat është kontribuuesi më i madh i buxhetit të Kosovës dhe meqë ka para për të paguar tatime, sipas Qeverisë, logjikisht ka para edhe për t’i subvencionuar gjithë zyrtarët publikë, pa ndonjë kufizim, me nga 50 euro në muaj. Shto kësaj edhe disa shtesa të tjera te rastet sociale dhe te pensionistët, Qeveria e ka ndër mend t’i shpenzojë 150 milionë euro.

Nga këto 150 milionë euro do të ndajë edhe ca para për t’ua subvencionuar rritjet e rrogave që do të bëheshin në sektorin privat, për tre muaj, në vlerë prej 100 eurosh.

Sa herë marr e rilexoj raportin nga konferenca për shtyp që u mbajt javën e shkuar, pikërisht në 32-vjetorin e Grevës së përgjithshme (nga e cila grevë, përndryshe, me mijëra shqiptarë mbetën pa punë në kohë të suprimimit të autonomisë), nuk e di a të qesh, a të qaj.

* * *

Konferenca për shtyp u thirr për të shtunën, në ditën e tretë të grevës që nuk po dihet a është e përgjithshme ose jo, porse e cila përfundimisht e ka bllokuar sistemin arsimor të Kosovës. Nuk e di nëse qëllimi ka qenë që me këtë konferencë të mbyllej greva, porse nëse ky ka qenë qëllimi, ky përfundimisht ka dështuar.

E besoj se nuk është realizuar për shkak të shpërfilljes që i është bërë Sindikatës nga ana e institucioneve. Pavarësisht nëse është e arsyeshme ose jo greva (e unë mendoj se nuk është), Qeveria është dashur të ulej në tavolinë, nëse jo negociatash, atëherë bashkëbisedimi, me Sindikatën. Sindikata, posaçërisht ajo e Arsimit, e ka në duar atunë më të fuqishme: fëmijët. I keqpërdor ata për kërkesa, do t’i quaj, shumë vetjake dhe në kohën kur janë shfaqur shumë shantazhuese.

Do të ishte shumë më e logjikshme që ankesat apo protesta për paga a subvencione të ndodhnin në fazën e miratimit të ligjit të ri, po qe se koeficientet dalin të jenë problematike dhe diskriminuese.

Hiç nuk është e logjikshme kërkesa për 100 euro shtesë deri në miratimin e ligjit, për shkak se nuk janë veç arsimtarët e sektorit publik që i kanë punët ngushtë financiarisht.

* * *

Mbase SBASHK-ut në rend të parë duhet kujtuar se pos 20 mijë arsimtarëve Kosova i ka edhe nja 1.8 milionë banorë. Ata nuk jetojnë në balonë, as në hava, por jetojnë në po këtë Kosovë, shkalla e inflacionit në të cilën ka mbërritur në 19%. Çmimet e të gjithë artikujve janë ngritur, si për arsimtarët, si për të gjithë, porse ne të tjerët nuk i kemi 320 mijë nxënës si mjet për ta shantazhuar shtetin e për të kërkuar që të gjithëve t’u paguhen nga 100 euro, pavarësisht Ligjit të pagave.

Siç e thashë edhe në hyrje të kolumnes, sektori privat në Kosovë është taksapaguesi më i madh dhe ai që mbush buxhetin më së shumti. Kosova, sipas Agjencisë së Statistikave, më 2021 i ka pasur 347 mijë të punësuar, prej të cilëve 83 mijë paguhen nga Buxheti i Shtetit.

Pra, janë 260 mijë të punësuar në sektorin privat, që paguajnë tatime. E pos tatimeve, paguajnë edhe dogana e akciza e çkamos tjetër, për shkak se më 2021 Kosova ka importuar mallra në vlerë prej 4.7 miliardë eurosh (gjysma e vlerës nga shtetet e BE-së, rreth një e katërta nga shtetet e tjera dhe pjesa tjetër nga rajoni) dhe ka eksportuar 755 milionë euro mallra. Dhe po, e dimë se importin dhe eksportin kryesisht e bëjnë firmat private.

Mesatarja e të ardhurave personale neto në sektorin publik ka qenë 552 euro; në ndërmarrjet publike 680 euro, kurse në sektorin privat 342 euro.

Sipas logjikës së Qeverisë, pra më parë duhet përkrahur punëtorët e sektorit publik me nga 50 euro, ata të ndërmarrjeve publike me nga 100 euro, kurse atyre të sektorit privat duhet dhuruar nga një buzëqeshje, për shkak se inflacioni nuk i prek ata që i kanë rrogat nën 350 euro.

Ky qëndrim, a vendim, a si quhet, është sa diskriminues aq sa edhe poshtërues. Dhe të bën të ndalesh e të mendosh a është kjo Qeveri e vetëdijshme se çfarë në të vërtetë po ndodh në realitet dhe a po mendojnë sinqerisht se me shtimin e skemave sociale njëmend janë duke e ndihmuar këtë vend?

Tjetër është ndihma emergjente për një situatë emergjente, siç është kjo e inflacionit, e më vonë edhe e rrymës në dimër, tjetër është t’i rrisësh ndihmat sociale për njerëzit e aftë për punë, që refuzojnë të punojnë për shkak se “më mirë ua qet” nëse rrinë në shtëpi dhe ndjekin miza.

* * *

Pra, në vend se të caktohej një kufi e të thuhej se ata që marrin rrogë mbi 600 a 700 euro neto nuk mund të jetë përfitues të kësaj ndihme të menjëhershme, duke i përfshirë të 347 mijë të punësuarit në listën për t’u shoshitur, ministri i Financave del me propozimin ofendues të subvencionimit të rritjes së pagës për 33.3333∞ euro në muaj dikujt në sektorin privat, pa u ndalur për të menduar se çfarë pas tre muajsh: a të zvogëlohen pagat aty ku ishin, apo si t’i bëhet të mbahet rritja e subvencionuar, e cila sërish do të zbërthehet në tatim pjesërisht.

Në vend të hajgares me paranë publike, ministri do të duhej t’i fuste në qarkullim ato 600 apo 800 milionë euro (varësisht nga burimi) që i mban të bllokuara, sepse ky vend është futur në krizë edhe më të thellë seç ka qenë gjatë pandemisë.

Nuk e di a nuk po e kuptojnë apo nuk po duan ta kuptojnë zyrtarët e Qeverisë, por ky vend nuk ka para në qarkullim. E si të ketë kur gati 5 miliardë shkojnë jashtë vendit për importe; e kur subvencionet kryesisht përfundojnë në Shqipëri për një vikend, përderisa nuk ka lehtësira fiskale që do ta mundësonin mbarëvajtjen e punës së sektorit privat.

Më është shqyer gurmazi duke e përsëritur të njëjtën gjë nga mesi i vitit të shkuar: NUK KA PARA NË TREG – e nuk ka sepse po i mbani të bllokuara nuk e di për çfarë arsye dhe sepse nuk ka thuajse asnjë punë publike qe dy vjet. Frika nga vjedhja në tenderë nuk duhet të jetë arsye për ta bllokuar jetën dhe për ta vështirësuar veprimtarinë private. Nuk mund të pretendoni ta mbani gjallë sektorin privat, përderisa secili-secilit i ka borxh dhe futet përherë e më shumë në borxh.

* * *

Kosova kah të sillet është në krizë. Po, shumë nga problemet të cilat i kemi janë të trashëguara dhe topi s’e luan. Por arroganca, përqeshja dhe injorimi që i bëhet dialogut social, me përfaqësuesit legjitimë, i deshëm - s’i deshëm, nuk dallon aspak nga arroganca e pushteteve paraprake.

Ky vend qan që nuk e nis vitin shkollor me kohë për shkak se SBASHK-u i bllokon shkollat për nga 100 euro, sepse “janë në rrugë të Zotit” dhe i mbajnë 320 mijë fëmijë peng. Qan për shkak se në kohë të okupacionit dhe në mes të luftës shkolla është ndalur vetëm kur dhuna e ka ndërprerë atë. Tash e ndërpret inati.

Ky vend po zbrazet nga profesionistët mjekësorë për shkak se ministri i Shëndetësisë na flet për fanta-shkencë e sorollatet nëpër konferenca e shëtitje kot, duke mos e kuptuar se në çfarë derexheje kemi rënë, duke shpresuar se nuk bëhemi krejt kolektivisht për spital.

Ky vend nuk ka drejtësi, sepse një vajzë 10-vjeçare vjet, e 11 vjeçe sivjet, dhunohet jo një herë, dhe vetëm pas paraqitjes së nënës zihen fillimisht pesë e më pas edhe gjashtë veta, për të cilët Policia ka pasur informata, por s’është ndërmarrë gjë. Qan, se nuk ka drejtësi, për shkak se mungesa e një psikologu e ka shtyrë marrjen në pyetje të një fëmije; qan, sepse askush në prokurori nuk ndihet fajtor se një vajzë bëhet objekt shitblerjeje për shërbime seksi, duke paramenduar se të tilla mund të ketë shumë më shumë, por rrinë në sirtarët e organeve të ndjekjes.

* * *

Një vit e gjysmë pushtet tregon se mbase zgjedhja e ministrave nuk ka qenë më e duhura dhe se nuk ka ide se si të dilet nga shumë hendeqet në të cilat jemi futur prej kohësh. E kemi të qartë se dialogu me Serbinë është menaxhuar keq që nga fillimi dhe se na ka lënë një problem shumë të madh pas. Porse janë bërë shumë vjet tashmë dhe jemi lodhur e stërlodhur me eksperimentime, me skema, me shëtitje, me hajgare dhe me mungesë vizioni.

Jepini gjallëri këtij vendi! Jepini drejtësi dhe mos diskriminoni! Sillni investitorë dhe krijoni vende pune! Skemat sociale krijojnë dembelë. Shkelni pak në tokë! Mos pretendoni se i dini të gjitha dhe, mbi të gjitha, mos u tallni me neve!

[email protected]