Më 1998 ishim dëshmitarët e një solidariteti të jashtëzakonshëm të kosovarëve, që nuk lejuan që uria t’i kaplonte të ikurit, apo “mysafirët” si i quanin. Ai solidaritet vdiq menjëherë pas lufte dhe u zëvendësua me grykësi që tash u vesh me petkun e tregtisë së lirë që i formon çmimet, me vetëdijen e plotë se këtë që po e bëjnë, po e vjedhin popullin e vet.
Se një luftë në afërsi mund të të shkaktojë shumë telashe e dëshmon ditë më ditë ajo që po ndodh në Ukrainë. Futja e sanksioneve, lëvizjet e bursave monetare, varësia nga produktet dhe prodhues të caktuar, të gjitha shpërfaqin një grumbull problemesh që në mënyrë zinxhirore barten nga një shtet në tjetrin, me efekte negative te paguesi i fundit, që përherë është qytetari.
Dy javë pas shpërthimit të luftës atje, në Kosovë nisën të lëvizin çmimet e të gjitha artikujve dhe krijimi i një paniku të panevojshëm që na bën të krijojmë rezerva të cilat as nuk kemi ku i ruajmë si duhet e me gjasë as nuk kemi kapacitet për t’i konsumuar deri në afatin e skadimit të tyre.
Nuk kishte si të mos më kujtoheshin ditët e para të pandemisë, kur u mbyllëm krejt dhe kur filluam të blinim miell, sheqer e vaj, thuajse po na kanosej uria që nesër. Nuk mbaj mend të kisha parë më shumë thasë mielli me mbishkrime cirilike, sesa para dy vjetësh – as nuk dihej nga vinte, as çfarë lloji ishte dhe në i kishte njëmend 25 kilogram thesi. Me rëndësi ishte se dikush ia kishte dalë ta gjente dikë të njohshëm që kishte mbledhur sasi marramendëse mielli, të cilit natyrisht ia kishte rritur çmimin prej 30 në 50 centë kilogramin.
* * *
Po të njëjtën gjë, porse në formë edhe më drastike e përjetuam para dy ditësh kur tregtarët vendosën që çmimin e vajit ushqimor ta dyfishonin brenda natës, duke e krijuar një krizë artificiale të, kinse, mungesës së artikullit në treg.
Vaji i la në harresë benzinën dhe naftën, çmimet e të cilave gjithashtu u rritën, për shkak se te karburantet kështu reagon tregu kur ka krizë. Ani që ne nuk jemi importues nafte nga Ukraina, por kryesisht nga Greqia nëpërmjet të Maqedonisë apo edhe ilegalisht nga Serbia. Porse tregtarët tanë e kanë edhe një adet të keq: njëherë kur i rrisin çmimet më nuk i ulin, pavarësisht se çmimi i karburanteve mund të bjerë në bursat botërore. Pse t’i ulin, kur thuajse krejt ankohen për rritje çmimi, por askush nuk zbret nga veturat për vozitje, qoftë edhe për t’u parkuar para kafeve, për me qitë qallëm.
* * *
Situata e krijuar në javë e fundit tregon se ky vend ka nevojë tepër të madhe për inspektorë tregu me integritet që në bashkëpunim me policinë e krimeve ekonomike duhet ta luftojnë spekulimin në treg dhe pasurimin e shpejtë të atyre që ia lejojnë vetes t’i mbajnë me qindra mijëra shishe vaji nëpër depo, duke qitur sasi të kufizuara në shitje, derisa njëkohësisht e rrisin çmimin.
E problemi është që sistemi ynë nuk është ndërtuar mirë dhe ka mangësi njerëzish në pikat më nevralgjike – siç është tregtia për shembull. Me vite jemi ankuar se cilësia e produkteve që vijnë në Kosovë është diskutabile, sidomos mishi i cili na vjen nga importi. Jemi kënaqur me shkatërrimin e ndonjë tonelate mishi aty-këtu, duke vazhduar të mos dimë se nga na vjen mishi, i lopës, i viçit apo i pulës. Për shkak se nuk jam e sigurt se Agjencia e Veterinës dhe e Ushqimit e ka kapacitetin e kontrollimit të secilit mall që hyn në Kosovë, që importon thuajse çdo gjë, e nuk prodhon thuajse asgjë.
Është tash që po i shohim pasojat e stihisë së shndërrimit të tokës bujqësore në atë ndërtimore; po i shohim pasojat e menaxhimit katastrofik të pronave publike nga ana e AKM-së së dikurshme, kur një arë tokë bujqësore shitej për një cent, apo tri euro, apo çfarëdo shume tjetër qesharake, vetëm jo vlerën që në të vërtetë e ka.
Kush e ka ende kujtesën e freskët do të mbajë mend se rruga prej Prishtinës deri në Lipjan, ta zëmë, ka qenë e rrethuar nga arat e mbjella me luledielli, që i shërbenin fabrikës së vetme të vajit në Kosovë për ta prodhuar vajin tonë – mbase jo më cilësorin në botë, porse produktin tonë që mund ta mbulonte tregun pa ndonjë problem të madh. Nëse sot kaloni andej, do ta shihni projektin e dështuar të një “qyteti italian”, që ka pasur të ndërtohej para 20 vjetësh; do t’i shihni nja dy-tri sallone dasmash, një “separacion” asfalti a çimentoje dhe shumë, shumë pluhur në vendin ku do të duhej pasur shumë, shumë gjelbërim.
* * *
Pra, prej një vendi ku shumica e popullsisë dikur ka qenë rurale dhe megjithatë ka kultivuar kultura të ndryshme bujqësore dhe është marrë edhe me blegtori, jemi shndërruar në një shtet që bujqësinë e ka shansin më të mirë për të vjedhur në skema grantesh mashtruese dhe thuajse pa asnjë produkt që do të tepronte edhe për eksport, këtu hiç disa nga rastet e rralla, si patatet apo edhe boronicat.
Nga ana tjetër, shteti ynë vazhdon të ketë shkallë shumë të madhe të papunësisë, ndërkohë që nuk ka strategji zhvillimi që do ta ringjallte bujqësinë dhe do të siguronte vende pune me kushte pune të dinjitetshme në atë sektor. Vetë fakti se një shtet kaq i vogël ka aq shumë institucione të shkollimit të lartë që prodhojnë kuadro me përgatitje shumë të dyshimtë profesionale, vetvetiu e tregon se orientimi i sektorit arsimor ka qenë gabimisht i vendosur që nga fillimi. Qëllimi i tyre nuk ka qenë prodhimi i kuadrove profesionale, por krijimi i një skeme pasurimi për këto institucione dhe për mësimdhënësit “superburra” e “supergra” që kanë dhënë mësim nëpër to.
Nuk ka ndodhur në këta 14 vjet të Kosovës shtet që dikush të jetë dënuar me para në formë ekzemplare për një shkelje të këtij lloji, ku fuqia blerëse e dikujt që bën tregti ka për efekt final shkatërrimin e fuqisë blerëse të qytetarit, veç për shkak se mbështeten mbi “tregun e lirë” për ta arsyetuar veten. Edhe tregu i lirë i ka kufizimet e veta dhe njëfarë etike. E te ne etika është fjalë që është harruar moti dhe jo vetëm në tregti.
* * *
Ditën që u bë i madh lajmi se ishte shtrenjtuar benzina m’u kujtua kriza e 1993-s që shumë prej nesh e kemi mbijetuar dhe ende e kujtojmë.
Atëherë që të gjithë, pa asnjë përjashtim, kishim qenë miliarderë. Bankënota më e madhe që kishim parë ndonjëherë ishte prej 500 miliardë dinarësh që më duket vlerën e ka pasur të një 50 markëshi kur ishte lëshuar në qarkullim. Inflacioni ditor kishte mbërritur në nja 113 për qind në ditë dhe çmimet na ndërroheshin thuajse çdo dy orë. E jo që kishte edhe shumë mall për të blerë, porse megjithatë e humbnim thuajse gjithë ditën në përpjekje për të siguruar diçka nga ajo që ishte në shitje – dhe bëhej fjalë për gjëra ushqimore.
E mbaj mend mirë se gjatë gjithë 1993-s, ditën e nisja në tre të mëngjesit, për të pritur rend për bukë dhe për, nëse kishte fat, ndonjë litër qumështi të Fushë Kosovës në qese plastike. Buka do të arrinte nga ora 6:00 dhe ishte e racionalizuar, se mund të merreshin vetëm dy copë, e ndonjëherë vetëm një. Qumështi kurrë më shumë se dy litra dhe zakonisht çdo të dytën a të tretën ditë.
Benzina ishte e racionalizuar gjithashtu. Kushdo që kishte veturë të regjistruar kishte të drejtë të merrte kuponë për 40 litra benzinë/naftë. Problemi ishte si të arrihej te pompa në ditën kur mbërrinte cisterna me karburante. Edhe këtu duhej pritur rresht, e rreshti dinte të ishte i gjatë sa prej rrethit të flamurit e deri te ambulanca bri postës së re. Dhe shpesh më kot prisje, se një cisternë nuk mjaftonte për gjithë ato vetura.
Karburantet futeshin në Kosovë ilegalisht nga Maqedonia dhe ta blije një litër benzine kushtonte deri në 5 marka gjermane. Blerja e benzinës në këso kushte bëhej vetëm për raste urgjence.
Efektet direkte të kësaj ishte se nisëm të hanim më pak, të ruanim ushqimin më shumë, të ecnim apo edhe të ngisnim biçikleta. Nuk kishte kush do të mund të të shkelte, sepse rrugët thuajse nuk kishin vetura tjera pos atyre zyrtare dhe të policisë. Mbase nuk do të kishte qenë keq po të na shërbente kjo krizë, sado artificiale, për ta replikuar këtë përvojë.
Kriza e asaj kohe qe rezultat i drejtpërdrejtë i çintegrimit të Jugosllavisë dhe të financimit të luftërave të Millosheviqit në Kroaci e Bosnje. Atij nuk i interesonte nëse populli do të varfërohej ose jo – sepse siç do ta përshkruante Holbrookeu, ai përherë kishte boll patate e mish të pjekur për ta gostitur veten dhe mysafirët.
* * *
Krizën që po na e shkaktojnë tregtarët tanë është artificiale dhe me qëllim të pasurimit të drejtpërdrejtë të tyre derisa luajnë me kartën e frikës që ka kjo popullatë nga lufta të cilën e mbijetoi para dy dekadash. Askush nuk do të donte të kthehej aty ku ka qenë para 24 vjetësh, e kjo që po ndodh në Ukrainë e që përcillet me kamera ditë më ditë, vetëm sa po na e kthen kujtesën për luftën, me dëshirën më të madhe që ajo të mos përhapet edhe këndej.
Çelësin për ta ndalur këtë hov të pakontrolluar e ka Qeveria, për shkak se ka një varg mekanizmash ekzekutivë që mund të veprojnë dhe të gjobisin maksimalisht spekuluesit. Sa u përket qytetarëve, në Kosovë për dallim nga Shqipëria, ende nuk ka reagim në formë protestash nëpër qytete, porse edhe këto nuk do të përjashtohen nëse nuk ka reagim të mirëfilltë të ekzekutivit këtu.
Më 1998 ishim dëshmitarët e një solidariteti të jashtëzakonshëm të kosovarëve që nuk lejuan që uria t’i kaplonte të ikurit, apo “mysafirët” si i quanin. Ai solidaritet vdiq menjëherë pas lufte dhe u zëvendësua me grykësi që tash u vesh me petkun e tregtisë së lirë që i formon çmimet, me vetëdijen e plotë se me këtë që po e bëjnë, po e vjedhin popullin e vet.