Mbetet të shihet nëse drejtori aktual e ka seriozisht reformimin apo ndryshimi që ka nisur është vetëm maskim i mëtejmë i krimit brenda Policisë. Për t’i çrrënjosur krimin e korrupsionin në Polici duhet së pari përkrahje nga politika. Nëse drejtori nuk e ka përkrahjen, zor se mund të shënojë ndonjë sukses. Mund të ndodhë që edhe të largohet pikërisht nga ata që e kanë sjellë në krye të Policisë
Nuk ta merr mendja sa sfiduese janë bastisjet për pjesëtarët e Policisë. Nuk janë vetëm rrezik për jetën, por edhe test për karakterin dhe parimet tona jetësore. Çfarë të bësh, për shembull, kur bastis një shtëpi të një mafiozi apo biznesmeni, dhe në bastisje e sipër gjen kuti stolish të shtrenjta ose dënga parash të fituara pa djersë. Je i vetëm në dhomë, kolegët janë duke bastisur tjetërkah, nuk mund ta dinë në çfarë ke hasur, nuk ka dëshmitarë. Ke familje për të mbajtur, paga nuk mjafton, gruaja dhe fëmijët kanë dëshira që nuk mund t’ua plotësosh. Dhe ja ku të ofrohet rasti të bëhesh hajn, të fusësh në xhepa ca stoli ari ose një grusht para dhe t’i ofrosh vetes pak rehati, të jetosh bile për pak kohë pa presionin e mbijetesës. Ka plot që nuk i rezistojnë këtij tundimi. Në këso rastesh të ndalë vetëm ndërgjegjja jote.
Kështu më thoshte para disa vjetësh një polic i njësisë speciale gjersa bisedonim për vështirësitë në punën e tij, për mundësitë dhe mënyrat e përfshirjes së policëve në vepra kriminale.
Tundimit të rastit duket se nuk ka mundur t’i rezistonte edhe polici hetues nga Drenasi, i cili mbahet i arrestuar me dyshimin se ka keqpërdorur seksualisht një 16-vjeçare nga Drenasi. Skandali që plasi në fillim të këtij viti tronditi opinionin, por për gazetarët dhe organizatat joqeveritare që monitorojnë punën e policisë, rasti i Drenasit nuk ishte ngjarje për t’u befasuar.
Qe i pari që u publikua dhe madje jo me qëllimin për t’u zbardhur një krim, por për interesa të një avokati, i cili po ashtu u arrestua me dyshimin për keqpërdorim seksual të vajzës së njëjtë. Fatkeqësisht hetuesi nga Drenasi nuk është i vetmi që keqpërdori fuqinë e uniformës për të dëshmuar “burrërinë” me një vajzë të mitur.
Viktimat e zakonshme të policëve hetues janë vajzat e trafikuara që detyrohen në prostitucion. Në rastet kur ato burgosen për ushtrim të ndaluar të prostitucionit, ka hetues të cilët shfrytëzojnë rastin dhe ua kushtëzojnë lirimin nga burgu po qe se kalojnë natën me to. Gazeta ka raportuar për rastin e një zyrtari të lartë policor që u kap në hotel me një vajzë të trafikuar.
Në polici e dinë shumë mirë se kush nga kolegët çfarë bën. Burime nga policia kanë treguar se edhe për rastin e keqpërdorimit në Drenas e kanë ditur edhe kolegët, edhe eprorët e hetuesit. Dhe kanë heshtur. Sepse policët tanë në vend se të merren me luftimin e kriminalitetit jashtë institucionit ku punojnë, shfrytëzojnë mundësinë e përgjimit telefonik për të përgjuar njëri-tjetrin, që më pas ta shantazhojnë kolegun për interesat e veta. Dhe kështu nuk këputet zinxhiri i keqpërdorimeve dhe krimit as brenda vetë Policisë.
Natyrisht se nuk janë të përfshirë në krim të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Ka pjesëtarë të policisë që me mirësjelljen dhe korrektësinë e tyre na bëjnë të ndihemi krenarë dhe të mbrojtur.
Policinë e Kosovës që nga themelimi e kanë përcjellë skandale dhe afera për krim e korrupsion. Ndër skandalet më të rënda pa dyshim që mbetet vjedhja në dhomën e dëshmive, që kurrë nuk u zbardh e as që dha përgjegjësi dikush për vjedhjen.
Skandale dhe keqpërdorime kanë ndodhur dhe ndodhin edhe në policitë e vendeve të zhvilluara që zbatojnë standardet më të larta. Por për veprat e tyre kriminale ata hetohen dhe dënohen. Policët e Kosovës të përfshirë në kriminalitet i trimëron fakti se këtu nuk hetohen as politikanë, as liderë shteti, të dyshuar për keqpërdorim të parasë publike dhe abuzim me detyrën zyrtare.
Asnjëri nga drejtorët që kanë udhëhequr Policinë në rreth 20 vjet të ekzistimit të saj nuk mbahen mend për ndonjë rezultat të theksuar në profesionalizimin e mëtejmë të saj, në luftimin e krimit dhe korrupsionit të rrënjosur aty, apo mbajtjen larg të Policisë nga ndikimi politik. Sepse në post ata i solli politika për t’u shërbyer ekskluzivisht interesave të saj.
Lufta e politikanëve dhe e partive politike për ndikim në Polici është e madhe. Të kesh kontrollin mbi Policinë nuk jep vetëm fuqi politike, por edhe ekonomike. I mbron edhe bizneset nga të cilat politikanët pasurohen në mënyrë të paligjshme. Kështu politika i ka krijuar klanet brenda Policisë që përpiqen të dominojnë njëri-tjetrin.
Këtyre klaneve duket se po përpiqet t’ua këpusë lidhjet drejtori aktual i Policisë, Rashit Qalaj. Që nga marrja e detyrës ai ka treguar pak më shumë vendosmëri për të bërë ndryshime dhe për ta përmirësuar imazhin e zbehur të Policisë, që ia zbehu edhe më shumë rasti i Drenasit.
Në intervistën për gazetën Qalaj e ka pranuar se ka tentativa për ndikime politike në Polici. Ai ka filluar procesin e ristrukturimit në Polici dhe ka degraduar disa drejtorë policie për të cilët dyshohet se janë të lidhur me grupe interesi dhe nuk kanë treguar rezultate në luftën kundër krimit e korrupsionit. Por ai nuk ka nisur ndonjë hetim penal për të degraduarit.
Sado lëvizje pozitive qoftë, sipas organizatave joqeveritare që monitorojnë punën e sistemit të drejtësisë, ndryshimi i pozitave të drejtorëve nuk mjafton. Krimi e korrupsioni në çdo hallkë të shtetit, e edhe në Polici, luftohet vetëm duke i nxjerrë para drejtësisë të dyshuarit për vepra të tilla kriminale dhe me procesin e vettingut.
Mbetet të shihet nëse drejtori aktual e ka seriozisht reformimin apo ndryshimi që ka nisur është vetëm maskim i mëtejmë i krimit brenda Policisë. Për t’i çrrënjosur krimin e korrupsionin në Polici duhet së pari përkrahje nga politika. Nëse drejtori nuk e ka përkrahjen, zor se mund të shënojë ndonjë sukses. Mund të ndodhë që edhe të largohet pikërisht nga ata që e kanë sjellë në krye të Policisë.