Që nga viti 2012 janë shpenzuar qindra miliona euro për integrimin e komunitetit serb në institucionet shtetërore dhe në shoqërinë kosovare. Por, ky investim po shërben vetëm si karburant për të mbajtur gjallë makinerinë që lufton institucionet shtetërore
Për ta bindur komunitetin serb që të integrohet në jetën institucionale dhe ta pranojë shtetin e Kosovës, Kushtetuta u garanton të drejta të mëdha të përfaqësimit politik. Për këtë qëllim është vendosur për vendet e rezervuara në Parlament e Qeveri, për të drejtën e vetos në legjislacionin vital, e kompetenca të zgjeruara në komunat me shumicë të popullsisë serbe.
Por, një aspekt tjetër që pak herë përmendet është edhe kostoja financiare e integrimit. Serbët që jetojnë në katër komunat në veri të vendit refuzojnë të paguajnë energjinë elektrike që e përdorin. Humbjet nga mospagesa e energjisë në veri të vendit janë kompensuar përmes rritjes së çmimit për 3.5% në faturat e konsumatorëve të tjerë. Në vitin 2017, Avokati i Popullit e cilësoi këtë praktikë si jo të rregullt dhe ushtroi padi pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Pesë vjet pas dorëzimit të padisë, këtë javë gjykata nxori aktgjykimin, sipas të cilit Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka bërë shkelje ligjore kur ka marrë vendim që në faturat e konsumatorëve të rregullt të përfshijë edhe koston e energjisë që shpenzohet në veri të vendit. Nga data 6 shkurt 2012 e deri më 20 tetor 2017 jashtëligjshëm ZRRE-ja ua ka faturuar qytetarëve një kosto shtesë prej afër 41 milionë eurove. Gjykata obligon Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) që këto mjete t’ua kthejë konsumatorëve. E KEDS-i këtë do ta bëjë vetëm nëse kjo vlerë mbulohet nga buxheti i shtetit, për shkak se në marrëveshjen për privatizimin e KEDS-it shteti merr përgjegjësinë që të bëjë kompensimin e humbjeve të energjisë në veri të vendit. Kjo i bie që do të merren taksat e qytetarëve për të kompensuar qytetarët për faturat e jashtëligjshme të energjisë.
Për më tepër, pagesat e energjisë së shfrytëzuar në veri nuk janë ndalur në vitin 2017. Nga viti 2018 këto pagesa janë bërë nga buxheti i shtetit dhe nga buxheti i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT). Në muajin maj të këtij viti, Kuvendi i Kosovës me shumicë të votave aprovoi kërkesën e KOSTT-it që t’i mbulojë shpenzimet për energjinë e shfrytëzuar dhe të papaguar në veri. Kostoja vjetore për këtë qëllim arrin në 12 milionë euro. Nëse merret e plotë, qytetarët poshtë urës së Ibrit kanë paguar rreth 90 milionë euro nga viti 2012 për faturat e energjisë së qytetarëve matanë urës së Ibrit.
Përveç rrymës, çdo vit shpenzohen miliona euro për pagat e zyrtarëve serbë, të cilët nuk paraqiten në punë. Sipas marrëveshjeve në Bruksel në vitin 2016, Qeveria e Kosovës ka marrë përsipër obligimet që t’i integrojë në institucionet e Kosovës pjesëtarët e strukturave paralele. Sipas raportit vjetor të Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2020, mbi një milion euro janë shpenzuar për pagat e 211 pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk kanë shkuar fare në punë. Këta 211 ish-pjesëtarë të strukturave paralele janë sistemuar në shtatë ministri.
Për vitin 2019, Auditori gjen se 215 pjesëtarë të komunitetit serb në tetë ministri kanë marrë mbi një milion euro paga pa dalë fare në punë, e në vitin 2018 ishin 271 punëtorë që kishin marrë 1.3 milionë euro paga. Pra, në tre vjetët e fundit janë shpenzuar mbi 3.3 milionë euro për paga të atyre që nuk dalin fare në punë.
Përveç kësaj, për shumë vite me radhë raportet e shpenzimeve buxhetore në komunat me shumicë serbe janë një ‘vrimë e zezë’ në buxhet të shtetit, duke mos u publikuar kurrë raporte të detajuara për të hyrat dhe shpenzimet. Deputetët, ministrat, zëvendëskryeministrat e zëvendësministrat nga komuniteti serb, në shumë raste kanë bojkotuar punën e institucioneve, por jo edhe pagat. Si shembull, më 10 tetor 2016 Lista Serbe mori vendim që t’i bojkotojë institucionet shtetërore si reagim për aprovimin e Ligjit për Trepçën. Në një shkrim të Kohës Ditore në shkurt të vitit 2017 raportohej se politikanët e Listës Serbe në Kuvend dhe Qeveri për pesë muaj bojkot kanë marrë paga në vlerë prej 168 mijë eurosh.
Në vitin 2013, po sipas marrëveshjeve në Bruksel, me qëllim që të funksionalizoheshin pikat doganore në veri të vendit, Qeveria e Kosovës u pajtua që të krijojë Fondin e Mirëbesimit, i cili do të mbushej nga të hyrat doganore në veri dhe do të shfrytëzohej për investime në infrastrukturë në katër komunat veriore. Deri në vitin 2018 ishin grumbulluar mbi 15 milionë euro.
Për krejt këto pagesa të jashtëligjshme, në përgjithësi, tatimpaguesit kanë qenë të heshtur, duke u besuar institucioneve se kjo është kostoja e shtet-ndërtimit. Por, kur Qeveria e Kosovës muajin e kaluar vendosi masat reciproke duke detyruar qytetarët serbë që mbajnë tabelat e veturave të regjistruara në Serbi që të paguajnë pesë euro për targat e përkohshme, pati reagim të ashpër të qytetarëve serbë, derisa Serbia kërcënoi me intervenim ushtarak.
Përderisa tatimpaguesit kosovarë paguajnë qindra miliona euro për integrimin e komunitetit serb, ky komunitet vazhdon t’i luftojë institucionet shtetërore të Kosovës, si nga brenda institucioneve, ashtu edhe nga jashtë.
Pagesat e tilla nga buxheti i shtetit në emër të integrimit të komunitetit serb do të arsyetoheshin në rast se ky komunitet e pranon shtetin e Kosovës. Në atë rast, institucionet do të duhej të hartonin një strategji afatmesme për trajtim preferencial të zonave më pak të zhvilluara ku banon komuniteti serb dhe të vazhdojë praktikën e diskriminimit pozitiv në përfaqësim politik. Në të kundërtën, pagesat qindra milionëshe do të shërbejnë vetëm si karburant për të mbajtur gjallë makinerinë që lufton institucionet shtetërore.