Analogjitë me luftën në Ukrainë fusin narracionet e Kosovës dhe Serbisë në një spirale negative që në fund e prodhon Serbinë si një fqinj euroaziatik. Ekziston një analogji më e mirë: Serbia si Austria.
1.
Më 1989, kur filluam me organizimin pluralist në Kosovë, ekzistonte një shpresë (e bazuar më shumë në dëshirë se në realitetin e njohur) se shembja e komunizmit në Evropë do ta shembte edhe sistemin në Serbi, që tashmë kishte okupuar Kosovën me anë të suspendimit të dhunshëm të autonomisë së saj. Milosheviqi kuptoi se parimi “një njeri, një votë” do të prodhonte sundimin e shumicës - edhe demokratike, edhe etnike - në Kosovë, ndaj vendosi ta suspendonte tërë sistemin dhe me çizme ushtarake e policore të vendoste sundimin e tij, në emër të shumicës shoviniste që ai përfaqëson.
Nëse duam analogji me Ukrainën, ja ku është. Pas shumë peripecive me tranzicion e demokraci rudimentare, Ukraina pas tridhjetë vjetësh ishte në pikën e krijimit të sundimit të shumicës - asaj demokratike dhe të asaj identitare ukrainase, folëse të gjuhës ukrainase apo ruse - dhe Putini vendosi që Ukraina nuk mund të ketë sundim të shumicës. Nisi ushtrinë e tij për të vendosur sundimin e tij, në emër të shumicës shoviniste që ai përfaqëson.
Dhe, nëse duam edhe më tej analogji, ka ende. Putini e konsideron Ukrainën shtet artificial, të krijuar nga Lenini, e bashkë me shtetin edhe kombin. Narracioni i shumicës politike në Serbi sot kur flet në media për Kosovën thotë “shteti i rrejshëm i Kosovës” apo “e ashtuquajtura Kosovë”. Në që të dyja rastet, vulosësi i identitetit (të Ukrainës a Kosovës), është mendësia totalitare e hegjemonit, i cili me stupc në dorë përcakton se kush si duhet ta ndiejë e shprehë identitetin e vet.
2.
Kështu mund të vazhdojmë më tutje dhe një pjesë e rëndësishme e fjalorit politik kosovar tashmë është në garë për t’i shtyrë analogjitë në pika kulmore. Njëra prej tyre, se Rusia po kryen gjenocid në Ukrainë, sikur në BeH a Kosovë, mund të jetë e padrejtë, tash ndaj Rusisë. Forcat serbe kanë kryer masakra në BeH e Kosovë, të cilat sot ende nuk kanë ndodhur, dhe shpresojmë të mos ndodhin. Pra, jo, nuk ka pasur zënie dhe ekzekutim të çdo mashkulli si në Srebrenicë dhe jo, nuk ka pasur djegie e ekzekutim të çdo mashkulli si në Krushë të Madhe. Bombardimi i caqeve civile s’do mend se do të shënohet si krim lufte, dikur në fund të kësaj lufte në Ukrainë, por forcat ruse nuk mund të akuzohen (sot për sot) për veprimet për të cilat qenë përgjegjëse forcat serbe në ish-Jugosllavi.
Dhe sa më shumë zhytemi në analogji, do të gjejmë se gjendja është edhe më e ndërlikuar se ç’kishim menduar deri dje. Në thjeshtësinë e vet, narracioni i shumicës në Serbi e sheh luftën në Ukrainë si vazhdim të luftërave të veta të humbura; rrjedhimisht del konkluzioni se fitorja e Rusisë, çfarëdo të jetë, do të jetë fitore e Serbisë. Në thjeshtësinë e vet, analogjitë të cilat po i zhvillojmë në Kosovë janë të Rusisë, e cila po i vazhdon luftërat e Serbisë, por tash kundër popullit ukrainas. Rrjedhimisht, Ukraina është në njëfarë forme mbrojtje e Kosovës (BeH, etj).
3.
Ky është kurthi ukrainas për Kosovën dhe Serbinë.
Dy shtete që ende janë me konflikt të papërfunduar përnjëherë ballafaqohen me zgjatim gjeopolitik të konfliktit të tyre dhe atë në dy kahe. Kur ukrainasit mbrohen është sikur të mbrohet Kosova dhe kur sulmon Rusia sikur të sulmojë Serbia. Apo, vënë në kontekstin territorial këtej, kufiri i Kosovës është vija ndarëse mes forcave të NATO-s dhe Serbisë ruse.
Ky kurth mund të ushqehet pafund, sepse janë të pafundme mundësitë e analogjive që mund të bëhen përditë. Për më tepër, ky kurth mund të ushqehet edhe më tej nga pozicioni i Qeverisë serbe, e cila do të shfrytëzojë politikën e deritanishme evropiane që lejon që Serbia të jetë në krah të Rusisë në marrëdhëniet komerciale e në krah të BE-së për ndonjë rezolutë joobligative të Asamblesë së përgjithshme të OKB-së që dënon agresionin rus.
Dhe, nuk është se mund të parashihet që Serbia të detyrohet të ndryshojë qëndrim; nuk ekziston presion a joshje nga paketa e deritanishme që do të bënte punë, dhe këtë e di presidenti Vuçiq.
Problemi i këtij kurthi atëherë është se britma “ ujku, ujku!” mund të shndërrohet në realitet, se Serbia fortifikohet në një enklavë euroaziatike (për sa i përket përcaktimit të sigurisë e politikës së vet të jashtme ruso-kineze), duke e shpërlarë gojën me floskulat e integrimit evropian. Dhe Evropa vazhdon të shpërlajë gojën me floskulat e veta të perspektivës evropiane për Ballkanin Perëndimor.
4.
Kemi të bëjmë me dy natyra të ndryshme të konflikteve, që mund të kenë pika prekëse, por megjithatë janë të ndryshme. Lufta në Ukrainë është luftë që do të ripërcaktojë peshën relative të Rusisë (apo Euroazisë, në bashkëpunim me Kinën) dhe kufirin me Evropën a hapësirën euro-atlantike. Konflikti i papërfunduar i Kosovës dhe Serbisë është proces i papërfunduar akomodimi i Ballkanit Perëndimor në hapësirën euroatlantike.
Shikuar kështu, kurthi ukrainas është në kundërshtim me interesat e Kosovës dhe të Serbisë. Me një fjali kaq të thjeshtë, mund të ndërpritet rrjedha e spiraleve të analogjisë që na çon deri te përfundimi se kufiri mes Kosovës dhe Serbisë është kufiri mes NATO-s dhe Euroazisë, siç po ravijëzohet në luftën e tanishme në Ukrainë.
Një fjali kaq e thjeshtë ka edhe shtesën e vet logjike, përcaktimi i interesit strategjik të Kosovës e Serbisë, e ai është se kufiri që ndan Kosovën e Serbinë, ndan një shtet anëtar të NATO-s dhe një shtet që dëshiron të qëndrojë neutral ushtarakisht.
Për këtë nuk hyjnë në punë analogjitë ukrainase, hyjnë në punë ato të fqinjësisë sonë. Serbia do të shënonte kthesën më të madhe historike ditën kur analogjia të cilën do ta aspironte nuk është Rusia dhe kërkesa për bashkimin e “botës ruse”, por Austria, një vend neutral i rrethuar, pothuajse në tërësi, prej shteteve anëtare të NATO-s.
Serbia, një vend që para tridhjetë e sa vjetësh dështoi që t’u bashkohet vendeve që krijuan demokraci në valën e rënies së Murit të Berlinit është para sfidës që të aspirojë e realizojë neutralitetin austriak në këtë valë të re historike të rirregullimit evropian. Kosova dhe të gjithë fqinjët e Serbisë kanë arsye strategjike e autentike që Serbia këso herë të mos dështojë. Dhe u bie hise bukur e rëndë, që të ndihmojnë të mos dështojë.