OpEd

Kosova në prag të rirreshtimit

Rrugëtimi i Kosovës – përkujtimi i domosdoshëm

Rrugëtimi politik i Kosovës në këto tri dekada është i njohur për ne, por mbase një mini-përmbledhje është e nevojshme për të vendosur kontekstin e artikullit si më poshtë. Rezistenca paqësore dhe ajo e armatosur e viteve ’90, edhe pse në rivalitet dhe çkoordinim me njëra-tjetrën, kontribuuan në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe përfshirjen e Perëndimit në ”punët e brendshme të Jugosllavisë”. LDK dhe UÇK, edhe pse nganjëherë në konfrontim të hapur me njëra-tjetrën, janë pjesë e së njëjtës monedhë – që ishte aspirata për çlirimin dhe pavarësimin e vendit. Nga kjo përpjekje e përbashkët pasuan Konferenca e Rambouillesë, nënshkrimi në Paris, dhe fushata ajrore e bombardimit të NATO-s kundër Serbisë më 1999.      

Euforia e lirisë në Kosovë në qershor të atij viti u përcoll me instalimin e administratës më gjithëpërfshirëse dhe të avancuar të OKB-së që nga fillimi i operacioneve paqeruajtëse të saj pesëdhjetë vite më parë. Ishte një projekt tejet ambicioz që ngërthente në vete bashkëpunim dhe koordinim të një game të gjerë organizatash ndërkombëtare me një qëllim të përbashkët -  administrimin e territorit deri te përcaktimi final i statusit të tij politik. Nën mbikëqyrjen e Misionit të OKB-së, apo UNMIK-ut, projekti në përgjithësi do të strukturohej përgjatë katër shtyllave që do të merreshin me: 1. çështje imediate humanitare, udhëhequr nga UNHCR; 2. krijimin e një administrate civile të përkohshme, udhëhequr nga vetë OKB; 3. ndërtimin e institucioneve vendore, udhëhequr nga OSBE; dhe 4. rindërtimin ekonomik, udhëhequr nga BE. E tërë kjo përpjekje e misionit paqeruajtës mandatohej nga Rezoluta 1244 e OKB-së e cila, në mes tjerash, legjitimonte vendosjen e pranisë civile ndërkombëtare deri në statusin final në territorit, të paraprira nga demilitarizimi i UÇK-së, vendosja e paqes dhe stabilitetit, demokratizimi i vendit, promovimi i të drejtave të njeriut e pakicave, etj. E njëjta rezolutë po ashtu dha dritën e gjelbër për zbarkimin e forcës ushtarake të NATO-s – KFOR – e mandatuar me ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në tërë territorin e Kosovës.          

Paradigma neoliberale e shtetndërtimit

Ndërkombëtarisht, Kosova u shfaq në arenën globale në apeksin e ngadhënjimit të demokracisë liberale, të trumbetuar triumfalisht nga ShBA-ja dhe aleatët e saj perëndimorë në BE. Kjo ishte funddekada që pasoi fitoren historike të demokracisë liberale dhe shkërmoqjen së komunizmit. Ishte dhjetëvjetëshi i parë i triumfit të shoqërisë së hapur të tregut të lirë dhe e kapitalizmit karshi ideologjisë totalitare sovjetike. Ca madje iu referuan kësaj periudhe si fundi i historisë pas së cilës do të pasonte marshi i pafund i vlerave liberale perëndimore në çdo cep të botës. 

Rusia ishte më e dobët se kurrë, e plagosur në njërën anë në mes të rrënojave të perandorisë së rënë sovjetike, dhe në anën tjetër të reformave të dhimbshme ekonomike e politike që mëtonin përafrim me Perëndimin dhe NATO-n. E udhëhequr nga një lider që qëllimet i kishte të mira por mendjen mbase jo dhe aq të kthjellët (lakmi e tepruar për alkoolin), Rusia nën Jelcinin u orvat si kurrë më parë që të përqafojë ca vlera të demokracisë e të drejtave të njeriut. Por, në proces, u paraqit para Perëndimit e zhveshur në tërë brishtësinë e saj, duke u ndjerë kështu e varfër, e dobët dhe e poshtëruar. Kjo, në një mënyrë, shpjegon kthimin e saj të mëvonshëm në autokraci kleptomane nën udhëheqjen e Putinit, sepse të paktën aty – mbrapa dyerve të mbyllura të fuqisë brutale – pushteti ndihej më i sigurt nga vetëposhtërimi.

Por t’i kthehemi Kosovës. Intervenimi i NATO-s dhe instalimi i pranisë civile dhe ushtarake ndërkombëtare ndodhën, pra, në sfondin e këtyre zhvillimeve gjeo-politike. Ambicia e kësaj pranie civile – ambicie e prirë kryesisht nga triumfuesit perëndimorë – ishte implementimi i një paradigme të re, neoliberale të ndërtimit të shtetit dhe të institucioneve. Ku më mirë të zbatohej kjo paradigmë se në Kosovë, territor ky ku një mori institucionesh as që ekzistonin, pra duhej krijuar nga zeroja? Më vonë, kjo paradigmë do të përsëritej, diku më shumë apo më pak suksesshëm, në disa vende të tjera “post-konfliktuoze” apo “në tranzicion”. Këtu hyjnë Timori Lindor, Açeh në Indonezi, Sierra Leone, pastaj Iraku, Afganistani, Kolumbia etj. (tri të fundit me sukses mjaft të limituar apo dështim). Natyrisht se e njëjta frymë paradigmatike veçse ishte shpërndarë nëpër ish-Jugosllavi, e sidomos në

Bosnjë-Hercegovinë. Projekti ishte gjithsesi perëndimor dhe, në sfondin e triumfit të demokracisë liberale, synonte promovimin dhe integrimin e vlerave liberale dhe praktikave më të avansuara në paqebërje, demokraci, të drejta të njeriut dhe të pakicave.          

Kosova ishte përfituese e një fokusi të paprecedent të bashkësisë ndërkombëtare në ndërthurjen e këtyre vlerave dhe praktikave në secilin ligj dhe pore të jetës publike. Siç e dimë, një mori institucionesh u krijuan nga hiçi apo u përditësuan deri në atë masë sa të mos ngjasonin gati fare me pararendëset e tyre. Këtu hyjnë, për shembull, Policia e Kosovës me shkollën e Policisë, RTK-ja si transmetues publik, KQZ-ja dhe organet e tjera për zgjedhje të lira dhe demokratike, institucionet e pavarura si Ombudspersoni apo Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KPMShCK), madje edhe Kuvendi i Kosovës, etj. Ishte OSBE-ja ajo që kishte primatin mbi ”ndërtimin e institucioneve”, ndërsa OKB-ja krijonte kornizën ligjore për funksionimin e tyre. Dhe pasi që demokracia liberale shkonte bashkë me tregun e lirë kapitalist, paralel me krijimin e institucioneve prania ndërkombëtare e udhëhequr nga BE-ja ndërmori procesin e privatizimit të aseteve e ndërmarrjeve shoqërore dhe publike anekënd Kosovës.      

Bashkërendimi i paradigmës neoliberale me politikën vendore

Zbatimi i vlerave dhe praktikave të demokracisë liberale nuk do të mund të shpalosej suksesshëm po të mos kishte përkrahje brenda faktorëve vendorë në Kosovë. Mirëpo kjo nuk ishte e vështirë për t’u realizuar pasi që Kosova veç kishte përcaktuar fatin e vet një dekadë më herët. Orientimi properëndimor me synim Evropën dhe në miqësi të përhershme me ShBA-në tashmë ishte ravijëzuar si politikë shtetërore nga presidenti Rugova dhe LDK-ja e viteve ’90. Prandaj, me zbarkimin e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, paradigma neoliberale u përqafua në mënyrë të natyrshme dhe të paekuivoke nga kjo parti. E njëjta ndodhi pastaj edhe me dy partitë e dala nga lufta – PDK-ja dhe AAK-ja – lidershipi i të cilave kishin konsideruar UÇK-në (me të drejtë) aleate të NATO-s në terren, pra njëfarë këmbësorie e kësaj force ajrore. Demilitarizimi dhe transformimi i UÇK-së në TMK me nënshkrimin e përfaqësuesve të UNMIK-ut dhe KFOR-it, Bernard Kouchner dhe Gjeneral Mike Jackson, si dhe respektivisht Hashim Thaçit dhe Agim Çekut, në ditët e para të pasluftës në Kosovë, ishte projekt i domosdoshëm dhe i suksesshëm. Si i tillë, ishte fazë fillestare e realizimit të projektit të paqendërtimit dhe stabilizimit të vendit.

Ashtu siç ishte kuptuar nga LDK-ja e viteve ’90, edhe për PDK-në dhe AAK-në Kosova nuk kishte opsion tjetër pos integrimit euro-atlantik. Për rrjedhojë, paradigma neoliberale për ndërtim të institucioneve demokratike dhe privatizimit të aseteve shoqërore e publike u përqafua pa rezervë. Kjo ishte rruga, dhe e vetmja rrugë, drejt pavarësimit të vendit dhe integrimeve euroatlantike. Pra, bashkërendimi në mes të bashkësisë ndërkombëtare dhe spektrit politik vendor ishte në sinkronizim të plotë. Nëse ekzistonte ndonjë tensionim rreth kësaj teme, kjo kishte të bënte me njëfarë gare të brendshme se cila nga partitë vendore ishte më në bashkëdyzim me “ndërkombëtarët”. Kjo garë madje shkonte deri në servilizëm, gjë që nganjëherë u jepte përfaqësuesve të UNMIK-ut, BE-së apo OSBE-së një pushtet të tepërt karshi “vendorëve” vetëm e vetëm se ata flisnin anglisht dhe ishin “ndërkombëtarë”. Pra, kishte një ngarendje në këtë drejtim, gjë që shpjegon pjesërisht rreshtimin në qendër të djathtë të të tri partive të mëdha. Kjo sepse paradigma neoliberale kishte, në mes tjerash, orientimin e tregut të lirë dhe djathtist të ngërthyer në ideologjinë e saj, bashkë me promovimin e vlerave neoliberale.      

Sukseset dhe dështimet e paradigmës

Siç mund të shohim, demokracia liberale nuk gëzon më përkrahjen e parezervë që e kishte në dekadën e fundit të shek. XX, madje as në vatrat e saj në ShBA dhe BE. Në 10-15-vjetëshin e fundit vlerat demokratike e liberale kanë pësuar një rrudhje edhe në Perëndim, ku një përqindje e konsiderueshme e elektoratit pyet se a është kjo mënyra më e mirë për t’u përballur me sfidat e sotme si migracioni, papunësia, luftërat, ndryshimet klimatike, gara nukleare dhe sfidat rreth inteligjencës artificiale. Kjo e bën qytetarin të dyshojë së mbase vlerat demokratike e liberale janë joadekuate për të adresuar kriza të tilla. Ndoshta kërkohet një dorë më e fortë që t’i dalë zot vendit?

Dhe kështu, ngadalë, në Perëndim kanë zënë vend partitë populiste apo të ekstremit te djathtë që ofrojnë zgjidhje të shpejtë për elektoratin e frikësuar. Këto zgjidhje shpesh thirren në shpërbërjen apo shpërfilljen e institucioneve ekzistente, apo edhe të vetë rendit botëror siç e njohim sot. Mirëpo, përderisa pasiguria e elektoratit në Perëndim përballë sfidave si më lart është legjitime, zëvendësimi i vlerave demokratike e liberale me ato populiste e të ekstremit të djathtë rrezikon të çojë këto vende drejt një pasigurie edhe më të madhe dhe autoritarizmit. Pra, përkundër sfidave, demokracia liberale nuk ka alternativë më të mirë.

Ndërsa në Kosovë, kur filloi të vihej në pikëpyetje projekti neoliberal? Ky qëndrim do të ketë filluar të marrë formë konkrete në vitet pak para pavarësimit të vendit. Fryma kritike filloi të hetohej nëpër forume të shoqërisë civile, debate televizive dhe, në mënyrë më prominente, në qëndrimet e partisë së re, Lëvizjes Vetëvendosje. Paradigma neoliberale në Kosovë kishte hapësirë për kritikë: ishte autoriteti i tepërt i ”ndërkombëtarëve” karshi ”vendorëve”, përcjellë me servilitetin e këtyre të fundit ndaj të huajve vetëm se ata përfaqësonin organizata ndërkombëtare. Pastaj ishin kompromiset që u bënë gjatë negociatave në Vjenë për të akomoduar interesat e pakicave serbe në shkëmbim të pavarësisë e që gati çuan në defunksionalizimin e vendit. Dhe gjithsesi ishte përhapja e korrupsionit – apo perceptimi i korrupsionit - sidomos gjatë procesit të privatizimit të aseteve shtetërore, ku kishte dyshime se shpesh përfitonin individët që ishin të lidhur me partitë në pushtet, por besa edhe ndërkombëtarët. Madje edhe në raste të një procesi krejt ligjor të privatizimit, procesi shpinte drejt pasurimit të beftë të individëve, gjë që ngrinte hendekun në mes të pakicës së pasur dhe shumicës së varfër. Tranzicioni ishte i tillë – kapitalist dhe brutal – gjë që jepte një pasqyrë të thellimit të padrejtësive sociale.

Pra, ka hapësirë të bollshme për të kritikuar implementimin e paradigmës neoliberale në Kosovë. Mirëpo, është gjithashtu e lehtë që, nga distanca 25 vjeçare, kjo paradigmë të sulmohet si dështake dhe neokolonialiste në mendësinë e saj. Është e lehtë, por edhe mjaft dembele, përpjekja për të përligjur ngecjet e sotme të vendit me gjenezën e këtij projekti perëndimor që për pikë orientimi kishte këtë paradigmë. Kjo sepse, përkundër të metave të saj – të përmbledhura më lart – paradigma neoliberale ishte pikënisja që çoi drejt përfshirjes së Perëndimit dhe NATO-s në Kosovë më 1999, në luftë dhe pas saj. Ishte ky projekt që ndihmoi në bërjen e Kosovës shtet, në ndërtimin e institucioneve dhe të një sistemi mjaft të konsoliduar demokratik. Edhe pse kishte dhe ende ka hapësirë për përmirësim, projekti që nga Rambouillet e këndej ishte i suksesshëm. Gjithsesi nuk bëhej fjalë për pushtim kolonialist, siç u kritikua shpesh e më shpesh viteve të fundit.  

Politika e re anti-establishment

I tërë projekti i partisë së re Vetëvendosje, që nga koha para pavarësimit të vendit e tutje, bazohej në refuzimin e partive tashmë të etabluara. Nuk bëhej fjalë vetëm për kritikë për politika të caktuara që LDK, PDK apo AAK kishin, ta zëmë, në ekonomi, arsim, apo mjekësi. Bëhej fjalë për refuzim të esencës së këtyre partive dhe zëvendësim të tyre me parti dhe mendësi të reja politike. 

Po ashtu, refuzohej modus operandi i bashkëpunimit të partive “të vjetra” me ndërkombëtarë, i konsideruar si joproporcional, puthadorës e, madje, vetëposhtërues. Kritikohej dhe refuzohej mënyra se si prania ndërkombëtare ishte vendosur dhe operonte në Kosovë – UNMIK, e më vonë ICO dhe EULEX. Konsiderohej se kjo prani nuk ishte këtu për të ndihmuar Kosovën drejt statusit të ardhshëm të saj, por për ta mbajtur atë të prangosur në zinxhirët e njëfarë kolonializmi modern të veshur me petkat false të vlerave demokratike-liberale. Vetë prania e tyre stoponte vullnetin e natyrshëm të popullit për vetëvendosje dhe pavarësi. Rrjedhimisht, edhe partitë “e vjetra” që bashkëpunonin me këtë paradigmë neoliberale ishin vegla vendore e gati kuislinge të një projekti të padrejtë dhe ngufatës. Negociatat në Vjenë jo vetëm që po prodhonin kompromise të dhimbshme, por ato po çonin drejt defunksionalizimit të vendit dhe, gjithsesi, nuk do të rezultonin në pavarësi. Dhe, për të konfirmuar padrejtësitë që, sipas Vetëvendosjes, qëndronin në themelin e paradigmës neoliberale, rastet e korrupsionit dhe krimeve në jetën publike dëshmonin se sistemi ishte, me një fjalë, i kalbëzuar.

Pra, vetë manifestimi i Vetëvendosjes erdhi si kritikë dhe thirrje për korrigjim të praktikave keqqeverisëse. Bashkë me të, edhe i paradigmës neoliberale së ndërtimit të shtetit dhe institucioneve, paradigmë kjo e promovuar dhe e praktikuar në Kosovën e pasluftës nga tërë bashkësia ndërkombëtare. Për më tepër, pozicionimi si parti social-demokrate i Vetëvendosjes – pra, në anën e majtë të spektrit politik – e rreshtoi atë natyrshëm në frontin kundërshtues të partive mainstream, të vetëdeklaruara si qendër e djathtë. Me apo pa dashje, e vendosi Vetëvendosjen në kundërshti me ca praktika të tregut të lirë të promovuara nga prania ndërkombëtare, që rezultuan në procese privatizuese që, edhe kur dëshmitë tregonin se ishin konform ligjit, shpesh rezultonin në pasurim të shpejtë për individë. Për më tepër, rastet e korrupsionit dhe krimit në këto procese i jepnin shkak edhe më tej pjesëtarëve të Vetëvendosjes që të akuzonin tërë këtë projekt – të bazuar në paradigmën neoliberale – si të padrejtë, korruptiv dhe të dështuar.

Edhe kur u dëshmua se Vetëvendosje e kishte plotësisht gabim – p.sh. se negociatat nuk do të shpinin në pavarësi, apo se pavarësia kur eventualisht erdhi nuk ishte bash pavarësi – asaj i mbeti akuza për korrupsion dhe keqpërdorim si akuzë legjitime kundër partive “të vjetra”. Këtë kritikë ajo e përdori dhe e amplifikoi sidomos gjatë dy fushatave të fundit zgjedhore. Kjo solli, siç e dimë, në rritje eksponenciale të përkrahjes së saj më 2019 dhe sidomos më 2021. Luftimi i korrupsionit dhe kapjes së shtetit ishin mantra e platformës së saj. Kjo arrihej me këputjen e kokës së gjarprit, pra me mposhtjen e lidershipit të gjeratëhershëm politik të LDK-së, PDK-së, AAK-së, lidership i zhytur pa përjashtim dhe në një formë apo tjetër në korrupsion e shtet-kapje. Logjika thoshte se me ndryshimin e elitës politike do të pasonin ndryshimet strukturore në tërë sistemin. Dhe kjo nënkuptonte, gjithsesi, edhe ndryshim sistemik e sistematik të kahjes së deriatëhershme të paradigmës neoliberale, siç ishte promovuar nga prania ndërkombëtare. Nënkuptonte edhe ndryshim të qasjes së privatizimit agresiv kapitalist në shkëmbim të një qasjeje më socialdemokratike, pra të qendrës së majtë, që nuk përjashtonte nacionalizimin e mundshëm të aseteve kombëtare.    

Linja direkte e komunikimit parti - qytetar  

Zgjedhjet e 2021-tës dhe fitorja e madhe e Vetëvendosjes me mbi 50% të votës ishin, sipas kësaj partie, parakushti i nevojshëm i këputjes së kokës së krimit dhe korrupsionit në vend. Kjo kokë ishte lidershipi i gjeratëhershëm në tri partitë mainstream, pa dallim: LDK, PDK dhe AAK. Pas kësaj fitoreje dhe ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet, pritjet e tyre ishin që ndryshimet do të pasonin logjikshëm dhe do të ishin gjithëpërfshirëse: me mungesën e kokës së krimit dhe korrupsionit, ndryshimet sistematike do të shpërndaheshin nëpër tërë administratën publike e më tej.

Megjithatë, ndryshimet sistematike nuk ndodhën. Apo më mirë të themi, ndryshimet ishin sporadike, të mangëta dhe jo rrallë kontestoheshin për një sërë parregullsish nga opozita, mediat, shoqëria civile e madje edhe përfaqësuesit ndërkombëtar. Ka pasur një mori kritikash për tendencën e partisë në pushtet për të centralizuar fuqinë e vet, për të çkapur institucionet vetëm e vetëm për të kapur ato me përkrahës të vet, e madje edhe për anashkalim apo injorim të udhëzimeve të dhëna nga shtyllat e tjera të pushtetit.

Partia në pushtet, në anën e vet, është ankuar që këto institucione po vonojnë dhe po shantazhojnë reformat e prezantuara nga ajo. Dhe për këtë arsye, sipas saj, ato duhet ndryshuar. Kjo vlen për transmetuesin publik, institucionet e pavarura si KQZ, PZAP, KPMShCK, pastaj gjyqësorin e prokurorinë, madje edhe administratën publike. Përveç administratës, janë edhe sektorë tjerë që paraqesin problem: janë një pjesë e konsiderueshme e mediave, shoqëria civile, dhe në fund edhe ambasadat që janë mësuar të sillen si sherif në këtë shtet me sovranitet të brishtë. Por kjo duhet ndryshuar se duke bërë kështu shteti bëhet më sovran e më i pavarur. Kjo ishte logjika e ndryshimit.
Duke e parë se shtyllat e tjera të pushtetit po bëhen pengesë serioze për implementimin e reformave, siç i sheh ajo, partia në pushtet i apelon direkt qytetarit për përkrahje. Dhe kështu bëhet thellimi i raportit të drejtpërdrejtë të Vetëvendosjes me qytetarin, që në fakt është esenca e qasjes populiste. Në emër të demokracisë dhe duke përdorur metoda demokratike, qasja populiste i mëshon lidhjes direkte në mes të liderit/partisë dhe popullit, duke shmangur apo anashkaluar pengesën bezdisëse në mes, që është institucioni.

A po lind ”Republika e Tretë”?

Pas katër vjetësh qeverisje, Vetëvendosje duket e bindur se nuk ishte e mjaftueshme që të ndryshonte elita politike e deriatëhershme në mënyrë që të pasonin reformat. Sipas saj, nuk është vetëm elita politike që është e korruptuar, fajtore e keqqeverisjes, e shantazhuar etj. Kjo ndryshoi në vitin 2021. Pas këtij mandati pranohet se kjo nuk është e mjaftueshme për të ndryshuar realitetin e përditshëm. Sipas saj, korrupsioni, kapja, shantazhi janë të infiltruara në çdo pore të jetës institucionale. Është një pjesë e madhe e administratës publike, janë shërbyesit civilë, shefat e menaxhmentit të mesëm që janë problemi. Madje shpesh edhe legjislacioni është jo i përshtatshëm dhe jofleksibil. Vetë institucionet, shumica prej tyre, janë të predispozuara kundër partisë në pushtet dhe si të tilla ato s’kanë se si të mos jenë rivale. Për atë arsye ato duhet ndryshuar, gjersa të jenë mësuar të luajnë vallen bashkë me partinë në pushtet. Që për partinë në pushtet është e barabartë me të qenit pro shtet.

Rrjedhimisht, Vetëvendosje kërkon ndryshimin e institucioneve që, në të shumtën e rasteve, përfaqësojnë bazamentin e këtij shteti të ri, të ndërtuar pikërisht mbi bazën e paradigmës neoliberale. Ajo nuk do të reshtë së kërkuari këtë ndryshim asnjëherë. Për atë, kërkohet fitore edhe më e madhe se ajo e 2021-tës. Në fushatën e tanishme përsëritet shifra 500.000 vota e më lartë, që do të ishte e barabartë me 60% e elektoratit e përpjetë, varësisht nga numri i përgjithshëm i votuesve. Kjo do të mundësonte ndryshimin e madh, sipas këtij pretendimi.

Më herët në karrierën e saj opozitare, pjesëtarët e Vetëvendosjes promovonin shpesh lindjen e “Republikës së tretë”. Edhe pse së voni nuk kam dëgjuar referenca të tilla, këto pretendime për ndryshime sistematike duket sikur mëtojnë njëfarëlloj rilindjeje të institucioneve sipas shëmbëlltyrës së partisë. Siç u tha më lartë, në shqyrtim prapakthehu projekti neoliberal në Kosovë lë mjaft për të dëshiruar. Në mes të tjerash, për hir të stabilitetit është toleruar korrupsioni. Por Kosova ka mbërritur këtu ku është sot në saje të këtij projekti që, në balancë, tregon një sukses solid. Mëtimi për ndryshim të beftë e të thellësishëm të institucioneve demokratike rrezikon t’i japë goditje direkte këtij projekti të përbashkët perëndimor dhe vendor.