OpEd

Kosova “for sale”

Ndonëse menduam se jemi vend i varfër, tezga e Kosovës nuk ka të ndalur. Gjith’ ai bereqet për t’u falur, shitur e vjedhur pa hesap dhe nuk po kryhet kurrsesi. Shit e shit, njëherë çka ishte mbi tokë, pastaj nën tokë e tash edhe vetë tokën. 

Presidenti i Kosovës i shkreti u lodh duke dekoruar me medalje e mirënjohje estradën e vendit, që defilojnë me brekë a shllafroka nëpër Presidencë, ndaj në vend se të gabojë e të hutohet duke vlerësuar farë profesori, akademiku, shpikësi, kompozitori, sportisti apo mjeku, ka vendosur këtë herë të bëjë diçka ndryshe: Të zhvlerësojë ato që dikur mendonte si ia vlenin sa qimet e kokës: Kushtetutën, pavarësinë, Kodin penal dhe sovranitetin e Kosovës.

Ashtu si ndodh që ujku qimen e ndërron, ashtu dhe qimet e kokës së presidentit ndryshuan, u zbardhuan e u rralluan duke ia sjellë vetë kokën në rrezik. Gjithë ky diell i nxehtë, të ha dreqi, që thonë nga vapa. Ndaj dhe Kryetari ynë si pozitiv që është, ndërroi fletë dhe bashkë me pacifistin tjetër Vuçiq (ah, sa bukur, shih ku na doli ujku edhe këtu!) vendosën që nën ombrellën e Brukselit ta luajnë lojën “unë ty - e ti mua” derisa populli i vështron si hu gardhi, si diçka surreale, pa e ditur se po merr pjesë edhe vetë në këto momente tragjiko-historike. 

Dhe pse u deshën këto negociata me Serbinë kur “Kosova është vend i lirë, sovran dhe i pavarur”? Nuk e dimë.

Falja

Nuk e di njeriu çfarë amnezioni përjetuam këta njëzet vjet, por shpesh më del si njëfarë vegimi ngjarja e mbi pesëmbëdhjetë vjetëve më parë: njerëz të gëzuar, të cilët vallëzojnë nëpër rrugë, çmendurisht të lumtur kah shohin të valëviten flamujt kombëtarë dhe me zemrat plot ndjenjë, atë të lirisë së vërtetë. 

Nga ana tjetër ktheheshin kolonat e njerëzve të dëbuar, të cilët mund ta kishin shfrytëzuar rastin të dilnin dikah jashtë vendit. Asgjë nuk i priste këndej pos shtëpive të djegura shkrumb. Por ata erdhën, sepse shihnin një ardhmëri tjetër. 

Një vend të lirë, një dritë në fund të tunelit. Atë, që ky populli nuk e shihte, ishte se bashkë me të, gëzoheshin edhe shumë të tjerë, të pozicionuar me kohë shumë më lartë, sikur zotërat grekë. Dhe fërkonin duart. Jo se ne jemi ndonjë popull i shenjtë apo kemi burime të mëdha nafte, nuk është se nën livadhet tona fshihet ndonjë civilizim i vjetër miliona vitesh më parë. Por tezga po hapej. 

Mundësitë për të përfituar para të mëdha në një vend të vogël, të lënduar e të bërë lëmsh, ishin barabar me lakminë e egër për t’i kapur para të tjerëve. Kështu gati dy dekada. Nga kostumi i qepur komplet u shndërruam në tytyn-qese, sepse rrobaqepësit i patëm shpirt hajnash që nuk i shërojnë komplekset e çobanllëkut as atëherë kur i ndërtojnë pallatet me dukat. Eh more njerëz. 

Boll mirë e keni që nuk reagoni fare. Ju po tregoni kulturën tuaj të lartë dhe emancipimin. E pse tekefundit të reagoni që po humbni një pjesë të territorit para syve, kur po na mbetet boll? Çka na duhet neve liqeni i Ujmanit, Miniera, Mitrovica, Deçani, hamami, kur edhe këto që i kemi po duhet shumë telashe me i mbajtë. Për besë, dorën në zemër, nuk qenka lehtë të mbash shtëpi. Boll zor e patëm në kohën e okupimit pa shkolla, burgosje, dajak, vrasje, e deri në luftë, por ama gajlen e shtëpisë nuk e kishim. 

Nuk patëm si të vjedhim e çfarë të ndajmë, ndaj dhe ishim të bashkuar si grusht. Edhe me këta të huajt ca thasë i hangrëm e ndamë bashkë, por përsëri gajlen e shtëpisë ua lamë mbi kokë. Rahat ishim. Vitet kaluan, korrupsioni u rrit, rrjeta e nëntokës u ngrit dhe populli ende prit e prit. Punë e madhe bre. Në mujshin me i falë edhe këto qytetet tjera, boll mirë e kanë, ku po na duhen allahile. Liria po kërkoka punë e përgjegjësi, jo veç ankesa dhe pritje hazër. E qe besa ne për punë e përgjegjësi nuk jemi, kështu që fal u kofshin vendet tona. 

Njëmend dhamë mijëra njerëz e dhjetëra vjet tortura e vuajtje, por qenka më lehtë të jesh injorant dhe budalla. Aiha. Le ta marrin mençurinë të tjerët, nuk na bëhet vonë. Le ta shfrytëzojnë çdo potez serbët për hap përpara, lë t’i shfrytëzojnë negociatat si katapult për në Evropë, punë e madhe. Le ta marrin Mitrovicën e mos të na japin asgjë. S’ka bre dert. 

Mos të kërkojnë falje, hajde nami nuk u bë. Qe, del presidenti ynë e si shok i Vuçkos na kërkon për ta, çka bëhet? Kur përulet para tyre, çka bëhet para neve? Hiç, send. Veç thjesht nuk i ka rënë ende ndërmend.

Dhe sërish falja

E kur vjen puna me fal, edhe kryeministri hiç mbrapa nuk mbetet. U fal miliona “Bechtel Enkës” e ambalazhuesve të ujit, derisa populli vuan urie. Sa salla operash, spitale e shkolla do ndërtoheshin me to? Sa? Sa fëmijë të sëmurë do të shëroheshin me to, sa? Që nuk ma deshi këtë matematike dreqi lukthi kurrë’. 

Tutje, u fal rroga 100 zëvendësministrave, që më i mbledhë krejt tubë, nuk bëjnë punë as për një rrogë. U fal rroga këshilltarëve pa hesap, të cilët beli valla këshillën më të mirë që ia kanë dhanë Km-së, besoj është ajo me ia therrë diku në Zvicër për pushim. 

Natyrisht. Gjithë ato këshilltare e këshilltarë buzëtambël kanë njohuri se jo mahi. Bile Zvicra shumë thjesht po më duket. E kemi kryeministrin modest. Me qenë tjetri i kishte rrezitë muskujt në Maldive a Karaibe. Bre sa kisha dashtë që qaty në atë kallaballëk me m’i falë edhe mua disa gjëra. Nëse bën atë pushimoren në Deçan ku shkonin njerëzit përpara për pak ajër të pastër. 

Një tokë të madhe për strehimore kafshësh që vdesin rrugëve të pambrojtur. Një aeroplan privat se e kam fobi fluturimin në kallaballëk. Që bën me m’i falë edhe do gjynahe, ende më mirë. Më sigurt te politikani se te hoxha e prifti sot. Edhe populli po falë sa po mundet. Politikanët po luajnë “nata-dita” me të dhe ai po fal. Filan-politikani vodhi milionat e autostradës më të shtrenjtë në Evropë (ngaqë u frynë faturat e paekspozuara ndonjëherë) dhe përsëri populli e fal. 

Tjetri vjedh paratë e pasaportave, tjetri buxhetin për 30 milionë, tjetri vjedh rrymën, tjetri ju bën të paguani rrymën edhe për serbët ashiqare, nuk ka akuza shtetërore për masakrat e luftës, nuk ka përparime në gjetjen e të zhdukurve, nuk futen si kushte në negociata as humbjet humane, as dëmet materiale, as të pagjeturit, ama na çahet trapi për kishat serbe. Ju vidhen asetet shoqërore, të drejtat e ankesës, ju vidhet e drejta e fjalës, pensionet, ndihmat sociale, ju vjedhin bankat, komunat, shteti. Në pikë të institucionit, shërbyesi kërkon ta paguani në konto private. 

Shlirë, haptas, për ledine. Jo ryshfetin, por ryshfetin legal. Thjesht, sepse ju kryen punën për të cilën paguhet. Deputeti pos rrogës merr mëditje për seanca. E për çka e ka rrogën? Plus paguhet edhe pas mandatit. Se helbete, gjynah. Ndoshta i duhen për kravata të reja. Ose për ndonjë monedhë që ia hedh atij fëmijës së varfër me sy në gropë nga uria, që shet krem-banane. 

E populli përsëri fal e fal. Fal se s’ka çka shet. Dinjitetin e krenarinë i ka dhënë për dy pare kaherë. E jo bre milet se nuk je tuj fal. Ku dreqi din ti çka është falja. Ti o milet oriental, më thjesht e thënë, nuk je duke guxu! Shul shqip nuk ke b...për t’i lëvizur. Ti nuk do ndryshime se frikësohesh nga to. Ti fshihesh nën lashtësinë tënde të mërzitshme dhe dashamirësinë inekzistente. 

Me qenë që fal, ti do ta falje shokun, mikun, gruan, mjekun, profesorin e iks-personin dhe nuk do ta vrisje, sulmoje, rrihje, plagosje në pikë të ditës sepse je psikopat, xheloz, idiot, i paguar, injorant ose huligan. Nuk je duke e falur Mitrovicën a Graçanicën se je i mirë, por sepse s’po të pyet kush dhe sepse po të mungojnë guximi dhe mençuria. 

Nuk je duke falur send hiç, sepse thjesht ti nuk je aq i mirë sa mendon se je. As nuk je evropian sa mendon e sa ke dëshirë të jesh. Por, je aty, ndaj hapi sytë se me gjithë atë histori të mërzitshme pellazge, shkove për lesh.