Vaj halli për Kosovën që ka rënë në duar të sekserëve dhe të bosëve të tyre. Vetëshkatërrim më të shëmtuar zor se kemi mundur të parafytyronim ndonjëherë. Kurrë nuk do ta kisha imagjinuar se 18 vjet pas luftës do ta përjetonim ankthin e të jetuarit nën kthetrat e krimit të organizuar si shpagim kolektiv për “meritat e luftës” së kumandantave. Të cilit ankth i kemi kontribuuar ne qytetarët me heshtjen, frikën, por mbi të gjitha me oportunizmin
Në mesin e gjithë zhurmës që e krijoi pazari gjithëjavor partiak, gazeta publikoi dy nga një sërë shkrimesh të lidhura për krimin e organizuar në Kosovë – që për mua, dhe pa kurrfarë dyshimi paraqet lajmin e javës.
Se pse ky është lajmi i javës mjafton të përmenden vetëm disa elemente, që në mënyrë aq të thjeshtë e shpjegojnë natyrën e shtetit të cilin e kanë krijuar “prontashët”, e të cilin ne, qytetarët apatikë, kemi lejuar të na ndërtohet para syve.
Paraja blen gati gjithçka në Kosovë
Krimi i organizuar nisi me një OJQ. Të kujtojmë, Kosova i ka rreth 8 mijë OJQ të regjistruara. Nuk e di nëse mund të thuhet se nja 10% sosh janë aktive dhe se përnjëmend shërbejnë për atë për çfarë janë themeluar. Kjo OJQ e kishte emrin e madh: Qendra për Avokim dhe Diplomaci. Ta merr mendja këta do të krijonin ndonjë strukturë për të trajnuar njerëz që dikur do të mundë të hynin në diplomaci; apo se edhe do të ushtronin ndonjë veprimtari të diplomacisë publike, asaj të shoqërisë civile, që do t’u ndihmonte proceseve integruese politike të Kosovës; ose të angazhimit në lobim te shtetet që nuk na e kanë njohur pavarësinë, etj.,etj.
Po mirë, QAD-i në fakt zgjodhi të merrej me “ndihma” agrobizneseve. Dhe zgjodhi mënyrën tashmë të regjur në Shqipëri në vitet ’90 të shekullit të shkuar: skemat piramidale. Se tek e qysh nuk e di – porse në fund dolën të mashtruar bajagi shumë fermerë. Policia nisi hetimet. Ato u zgjatën. Në fund u arrestuan disa nga udhëheqësit e QAD-it. Se përse zgjatën hetimet aq shumë, u mor vesh: kësaj organizate i ishin qasur sekserët në emër të Policisë, me kërkesë për para si kundërshpërblim për t’ua mbyllur rastin në fazën e hetimeve.
Para se të zbuloheshin emrat e personave që janë të përfshirë në punën e mbylljes së rastit, m’u përcoll porosia tipike e atyre që e kanë mizën nën kapuç. Me shënimin se ky ishte “shkrim i porositur” (me gjasë kështu po funksionuakan mediumet nën kontrollin e tyre), në formë “elegante” më thuhej se tema që po trajtohej do të zgjidhej së shpejti në hetuesi, porse kishte nevojë edhe për pak kohë e sqarime – pra me fjalë të tjera, mirë do të ishte të mos botohej. Dhe të nesërmen dolën emrat, i sekserit dhe i personit që qëndron prapa mbylljes së këtij rasti në hetuesi: drejtorit të Krimeve Ekonomike në Polici.
“Baci Emin, çka o ka bahet me qet punën tonë”, pyet ai (i hetuari).
“Është punë që rregullohet veç ngone qysh t’ju thotë ky”, dëgjohet duke thënë Beqiri, ndërsa bën me shenjë nga Hashimi (sekseri).
E puna, ashtu siç është publikuar në gazetë, kryhet me 100 mijë euro të gatshme – të cilat, në videoincizimin të cilin e transmetoi KTV-ja, i numëronte sekseri me shpejtësi prej markaxhiu.
Përfshirja e Bacit Emin në bisedë me të hetuarit, lehtë do të mundë të kualifikohej pengim i hetimeve, pra vepër penale. Deklarata se është punë që rregullohet, porse duhej dëgjuar sekserin, është tejkalim i autorizimeve zyrtare, pra vepër penale. Edhe po të ishte ky rasti i vetëm ku ekzistojnë prova të këtij lloji, edhe Baci Emin do të duhej të ishte së paku nën hetime, nëse jo në paraburgim.
Problemi është çka nëse ky nuk është rasti i vetëm i mbylljes së rasteve në këmbim të parave. Sa krime paskan kaluar të pandëshkuara falë krimit të ri – blerjes së faljes “me të ngjofshëm” dhe me shumë para, dhe kjo para hundëve të Prokurorisë.
Vaj halli për Kosovën që ka rënë në duar të sekserëve dhe të bosëve të tyre. Vetëshkatërrim më të shëmtuar zor se kemi mundur të parafytyronim ndonjëherë. Kurrë nuk do ta kisha imagjinuar se 18 vjet pas luftës do ta përjetonim ankthin e të jetuarit nën kthetrat e krimit të organizuar si shpagim kolektiv për “meritat e luftës” së kumandantave. Të cilit ankth i kemi kontribuuar ne qytetarët me heshtjen, frikën, por mbi të gjitha me oportunizmin.
Paraja i blen edhe vijat e kuqe
Oportunizmi u dëshmua të ishte forca motorike e politikës në Kosovë. Në fakt, oportunizmi përkthehet në pushtet, e pushteti në para dhe kështu ekuacioni i luftës politike në Kosovë zgjidhet shumë lehtë.
Pazari i paralajmëruar doli përafërsisht ashtu siç e kisha shkruar javën e shkuar. Lëvizja më e mençur politike e javës qe ajo e Isa Mustafës, kur vendosi që të mos kandidonte si bartës i listës dhe kandidat për kryeministër i LDK-së. Nuk i di arsyet e vendimit të këtillë, porse bën vaki që Mustafa do ta ketë kuptuar se nëse s’do të bëhej bile një përpjekje e vogël ndryshimi në partinë e tij, do të kishte shumë gjasa që ajo të dilte forca e tretë politike në zgjedhjet e ardhshme.
Sekserët u vunë në aksion – flitej për kalimin e këtij apo atij në këtë apo atë parti, dhe për këtë apo atë kombinim koalicionesh. Sa u përket koalicioneve, e gjitha u shthur të martën e pazarit, pak para mesnatës. LDK-ja lidhi koalicion me AKR-në. Nuk e di kush ka mundur të jetë mesiti, por kushdo që të ketë qenë, ia doli t’i bashkonte sërish në të njëjtin front politik Pacollin dhe Kusari-Lilën. Kjo e fundit, së bashku me Ilir Dedën (i cili e votoi rrëzimin e Qeverisë Mustafa), në mungesë shansesh për ta kaluar pragun zgjedhor me partinë e tyre, pra edhe për të hyrë në Kuvend, bënë të vetmen gjë që u mbetej: t’i ngjiteshin në fund të trenit të LDK-së.
Pak para mesnatës erdhi lajmi tjetër: krahu i luftës bëhej bashkë dhe PDK dhe AAK-NISMA i ndanin numrin e kandidatëve fifti-fifti. Ani që vetëm disa ditë më herët Haradinaj e kishte deklaruar të famshmen “vijë e kuqe” – pra jo koalicion me PDK-në. Nejse, meqë nuk është hera e parë që krejt na i përmendin vijat e kuqe, dhe sa herë që i përmendin i kapin e i bëjnë lëmsh dhe i hedhin në shportë – as ky koalicion nuk befasoi. Nuk befasoi as oportunizmi që i bëri bashkë, e as deklarata pa lidhje e Haradinajt, që tha përafërsisht, se ishte bashkuar me PDK-në kur e pa që Pacolli u bashkua me LDK-në. Kjo flet mjaft për mungesë të parimeve dhe të integritetit dhe jo, nuk është pragmatizëm, por është demagogji.
Është jo pak vështirë e tretshme situata ku tash Veseli e Haradinaj i thurin lavde njëri-tjetrit. Shumë e pakapshme situata ku Limaj i kthehet partisë të cilën deshi ta shkatërronte me fraksionin e tij dhe i cili e fajësonte se e kishte bërë atë kurban për të gjitha të këqijat, ngase vetëm ai e kalonte kohën duke u paditur dhe gjykuar për lloj-lloj rastesh. E pakapërdishme bashkëjetesa ndërmjet Korkodilave, hedhësve të gazit, hedhësve të këpucëve, ofenduesve të ndërsjellë – thuajse asgjë nuk ka ndodhur, dhe përnjëherë u ka lulëzuar dashuria.
Po e kemi shumë të qartë që dashuria e vetme këtu quhet pushtet. E pushteti është ai i cili për PDK-në është ruajtja e pozicionit që e ka duke kontrolluar secilin cep të gjithçkaje që mund të kontrollohet, e që nuk është nën kontrollin e AAK-së; kurse për AAK-në, realizimi i ëndrrës së përjetshme të Haradinajt që të bëhet kryeministër edhe një herë. Për të dyja partitë, pushteti do t’ua siguronte edhe fuqinë e kontrollit të trazirave eventuale me rastin e aktakuzave të para. E pse jo, mbase edhe kalkulimin se kryetar i ardhshëm i shtetit do të mundë të votohej Kadri Veseli, po qe se Thaçi përnjëmend gjendet në listën e të akuzuarve.
Në fund, Vetëvendosja vetë vendosi të garojë vetëm.
Afati i shpejtë kalimtar
Sekserët u treguan shumë të suksesshëm me prurjen e fytyrave të reja nëpër parti. Dhe pos Arbana Xharrës (që hyri sefte në politikë, në PDK) dhe Labinotë Demit që kaloi në AKR, nuk pati femra të tjera që u përmendën. Prapë krejt muhabeti sillet rreth burrave që e kanë kënaq në këta 18 vjetët e fundit – e që kështu ia sigurojnë vetes kontinuitetin e politikëbërjes së keqe në këtë vend.
Disa aderime nëpër parti u kualifikuan si befasi dhe veprime joparimore, porse esenca e këtyre kalimeve është e drejta e secilit të zgjedhë se si do të veprojë dhe ku do ta zhvillojë karrierën politike po qe se e vendos ashtu. Secili do të duhej të ishte përgjegjës për veprimet e veta dhe do të duhej t’i bartte pasojat e vendimit që ka marrë. Deri në çastin kur vendimi i personit është individual dhe nuk i prek interesat e shoqërisë, ato vendime janë punë për ta.
Kjo, nga ana tjetër, nuk do të thotë se njerëzit janë bash krejt të verbër dhe të shurdhër dhe se nuk mbajnë mend. Janë pikërisht rrena, oscilimi, ndërrimi i parimeve, veprimi i kundërt me atë që e deklamon publikisht ato që do të duhej të ndikonin te votuesi në çastin kur e hedh votën. Mbase tash e kemi arritur pikën e pjekurisë, kur votuesi ynë nuk do të votojë me inerci, por do të ndalet e të analizojë se a duhet votuar njerëzit që janë pasuruar shumë për pak kohë; nëse duhet votuar njerëzit që vijat e kuqe i kanë hajgare e i nxjerrin në pah sa herë iu nevojiten; nëse duhet dhënë votën njerëzve që brenda natës ndërrojnë qëndrime e ideologji. Në kushtet e një demokracie normale, votuesi do t’i ndëshkonte njerëzit e listuar më lart. Në Kosovë, shumë varet se kush ia del të vjedhë sa më shumë vota.
Prandaj për ta kufizuar mundësinë e vjedhjes duhet dalë në numër sa më të madh. Edhe nëse votuesi nuk e ka të qartë se kujt do t’ia hedhë votën; edhe nëse partitë tona s’kanë programe politike; edhe nëse politikanët vazhdojnë me na rrejt për zhvillimin stratosferik ekonomik, për liberalizim a për punësim. Se, po qe se abstenimi mbetet në nivelin e herës së shkuar, rezultatet e zgjedhjeve të kaluara do të mundë të përsëriteshin.
* * *
Listat e partive tashmë janë dorëzuar mbrëmë. Kush e zuri trenin e zuri, dhe deri më datën 31 maj kur nis fushata, të gjithë do të bëjnë fushatë para fushate. Të gjithë do të na tregojnë se janë më të mirët, më të bukurit, më të zellshmit – edhe pse kur do t’i shikojmë listat e deputetëve nuk do të gjejmë shumë ndryshime në to nga hera e kaluar.
E gjithë lufta do të përqendrohet në atë se kush do ta fitojë shumicën, edhe nëse është relative, sepse zor se dikush do ta mbërrijë atë absolute. Pos nëse angazhon seksera boll për të blerë vota, me kesh apo me ndonjë premtim vendi pune, a granti, a ndonjë favori kur të vijë puna.
Kosova ka seksera plot. Kujdes, se asnjë punë nuk e kryejnë pa interes.