Serbët dhe shqiptarët s’kanë asnjë opsion tjetër më të mirë përveçse të jetojnë bashkë me njëri-tjetrin dhe të përpiqen për mirëqenie në jetët e tyre dhe zhvillim. E politikanët shkojnë e vijnë...
VUÇIQIT PO I ngutet për Kosovën. Dhe është mirë që po i ngutet. Së shpejti do të bëhen 20 vjet prejse Serbia është ndëshkuar nga NATO-ja për krimet në Kosovë dhe rrjedhimisht e ka humbur Kosovën.
Presidenti serb - i njohur më herët për qëndrimet e tij ekstreme nacionaliste dhe kundër shqiptarëve - tashmë ka filluar të flasë hapur se do të jetë i gatshëm të nënshkruajë “një marrëveshje” për Kosovën në afat prej më së paku gjashtë muajve dhe më së largu një viti prej tash.
“Jemi të gatshëm ta diskutojmë çdo çështje të mundshme, të shqyrtojmë çfarëdo propozimi të mundshëm, i cili do të nënkuptonte një zgjidhje kompromisi”, ka theksuar ai në një intervistë të rishtme për të përditshmen britanike “The Guardian”.
Kjo gazetë prestigjioze e ka interpretuar këtë qëndrim të Vuçiqit si gatishmëri për ta pranuar pavarësinë e Kosovës, nëse Serbisë i ofrohet diçka konkrete si kompensim.
ÇKA KA PROPOZUAR në praktikë deri më tash Vuçiqi?
E para, fshehurazi, ndarjen e Kosovës, kurse e dyta, haptazi, “Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe”.
Ndarja e Kosovës, tashmë, është hedhur poshtë fuqishëm nga SHBA-ja dhe shtetet e rëndësishme të BE-së, përfshirë Gjermaninë, si një politikë kundër frymës evropiane të multietnicitetit dhe multikulturalizimit, si dhe për efektin domino që do ta kishte në Maqedoni, Bosnjë, Serbi, e që ndoshta nuk do të ndalej as brenda Ballkanit.
“Asociacioni…” i ka mbetur në tavolinë, i mbështetur edhe nga ndërmjetësja e BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Federica Mogherini.
Mirëpo, a nënkuptojnë këto propozime të tija edhe atë që thotë se e synon ky lider serb mirëqenien e komunitetit serb në Kosovë?
Jashtë mëngës së dorës së tij në Kosovë, që është Lista Serbe, shumica e liderëve të serbëve kosovarë, por edhe figura të shquara publike nga kleri ortodoks dhe shoqëria civile serbe i kanë parë me dyshim ose i kanë refuzuar këto “zgjidhje kompromisi”.
FILLIMISHT, PËRVEÇ mospërkrahjes nga Perëndimi të “kompromisit” që nënkupton ndarjen e Kosovës, kjo nuk u shkon për shtati as serbëve kosovarë. Gati dy të tretat e serbëve të Kosovës jetojnë në jug të lumit Ibër. Secili opsion i ndarjes asnjëherë nuk do të mundë të mendohej përtej vijës së këtij lumi. Kjo do të nënkuptonte se shqiptarët dhe serbët nuk po mund të jetojnë bashkë dhe për këtë arsye po ndahen, mirëpo pjesa më e madhe e serbëve që jetojnë poshtë lumit do të mbesin “me shqiptarët”.
E nëse porosia është se serbët e shqiptarët s’mund të jetojnë bashkë dhe për këtë shkak duhet të ndahen, atëherë si të jetojnë bashkë me shqiptarët serbët që mbesin me ta në jug? A ka menduar Vuçiqi dhe bashkëmendimtarët e tij se këta qytetarë serbë janë më pak të rëndësishëm sesa qytetarët serbë që jetojnë në veri? Ky do të ishte një krim. Meqë serbët e jugut edhe pa u nxitur nga shqiptarët do të dëshironin të shkonin e të jetonin në mjedise ku ka serbë, meqë kufijtë po u ndakan në baza etnike.
Shto këtu që me çfarëdo opsioni të ndarjes do të kërkohej që edhe tri komunat e Luginës së Preshevës t’i bashkoheshin Kosovës. Kujt do t’i duhej pastaj zhvendosja e popullsisë, prishja e familjeve e jetëve të njerëzve?!
NJËLLOJ, EDHE “ASOCIACIONI...” është një “kompromis” i pamenduar i Vuçiqit, i cili i dëmton vetë serbët kosovarë.
Ta rikujtojmë: Ka qenë një betejë e madhe e serbëve kosovarë, e ndihmuar edhe nga Beogradi, gjatë Procesit Ahtisaari, që të ndodhë decentralizimi i pushtetit në Kosovë dhe të krijohen edhe disa komuna me shumicë serbe. Arsyetimi atëherë ishte – kështu pushteti, që i bie vendimmarrja, do të jetë më afër qytetarëve, rrjedhimisht qytetarëve serbë, gjë që në proces do t’ia mundësojë atyre integrimin më të lehtë në institucionet e Kosovës edhe jetën shoqërore e politike në përgjithësi.
Por, me të fituar këtë decentralizim, këtë afrim të pushtetit, tash, nga Beogradi po i vjen porosia se duhet sërish të delegojnë pushtet drejt një qendre – “Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.
Teksa me procesin e decentralizimit, sado që ishte shumë problematik kriteri i përkatësisë etnike në hartimin e kufijve të rinj komunalë, mund të pranohej deri në një masë si kompromis që nëpërmjet fuqizimit që jep pushteti i drejtpërdrejtë mund të ndodhë edhe integrimi. Raste të këtilla ka edhe nëpër shtete të Bashkimit Evropian dhe mund të shihet edhe si standard i pranueshëm evropian.
Sidoqoftë, një “Asociacion...” që bazohet në kriterin etnik nuk ka të bëjë asgjë me standardet evropiane dhe bie në kundërshtim me vetë procesin e decentralizimit, por edhe të krijimit të një shoqërie të qytetarëve të barabartë pa dallime etnike, fetare ose kulturore. Për më tepër, pse në momentin kur qytetarët e fituan të drejtën që të kenë më afër pushtetin, me decentralizim, tash duhet sërish ta kthejnë mbrapshtë atë? Përveç nëse është i menduar si hapi i parë për realizimin e qëllimit tjetër, ndarjes së Kosovës, gjë që, siç u tha edhe më lart, nuk u sjell gjë të mirë as vetë serbëve. Sigurisht, pra, se nuk ka shumë logjikë...
...LOGJIKË MUND të ketë vetëm nëse kuptohet si lëvizje për “shpëtimin e fytyrës” së ndonjë politikani të caktuar. Në këtë rast Vuçiqi duket se është duke menduar se, i mbështetur për muri për ta pranuar pavarësinë e Kosovës - si një hap i pashmangshëm i pranimit të një realiteti tashmë të përqafuar nga shumica e demokracive të botës dhe të vendeve të rajonit – të thotë se po iu bën një favor serbëve kosovarë, por edhe dinjitetit të Beogradit. Mirëpo, duke i dëmtuar vetë serbët, serbët që vendosën të jetojnë në shtëpitë e tyre në Kosovë?!
Edhe BE-ja e edhe Vuçiqi duhet tashmë të jenë më realistë. Kosova nuk mund të kthehet nën Serbi, nuk do të kthehet nën Serbi, për një varg të gjatë arsyesh të stërpërsëritura tash e 20 vjet. As serbët e as shqiptarët më kurrë nuk do të duhet të detyrohen t’i braktisin pronat dhe shtëpitë e veta, për shkak se duhet shpëtuar fytyra e cilitdo politikan në Serbi ose në Kosovë.
Kosova është e humbur për Serbinë, por s’ka pse të jetë e humbur për serbët që jetojnë në Kosovë. Serbët dhe shqiptarët s’kanë asnjë opsion tjetër më të mirë përveçse të jetojnë bashkë me njëri-tjetrin dhe të përpiqen për mirëqenie në jetët e tyre dhe zhvillim.
E politikanët shkojnë e vijnë...
Twitter: @adriatikk