Kontributin më të fuqishëm që Kosova mund ta bëjë për sigurinë evropiane është avancimi në marrëveshjen e dialogut me Serbinë. Një marrëveshje që normalizon marrëdhëniet dhe forcon pavarësinë e Kosovës dhe integrimin e saj ndërkombëtar përtej çdo dyshimi
Pardje mbajta një fjalim para studentëve të Universitetit të Prishtinës. Ishte mënyrë e shkëlqyer për të nisur vitin, duke kaluar kohë me të rinj energjikë dhe inteligjentë nga Kosova dhe duke u sfiduar prej tyre. Gjithashtu ishte mundësi për të reflektuar, pasi po hyj në vitin tim të fundit në Kosovë.
Historia e marrëdhënieve tona, duke qenë miq në luftë dhe në paqe, do të thotë se është një privilegj të jesh ambasador britanik në Kosovë. E pranoj që mund të jem subjektiv, por besoj se bashkëpunimi ynë në dymbëdhjetë muajt e fundit e ka forcuar marrëdhënien mes MB dhe Kosovës si asnjëherë më parë.
Për herë të parë ushtarët britanikë dhe kosovarë janë të dislokuar në mision krah për krah, një hap vendimtar në rrugën e Kosovës për t'u bashkuar me ne në NATO. Ndërsa po shkruaj, oficerët e Forcave të Sigurisë së Kosovës po komandojnë ushtarët e Mbretërisë së Bashkuar në operacione. Për herë të parë Kosova ka qasje në mbështetje financiare nga agjencia e kreditimit të eksporteve të Mbretërisë së Bashkuar, UKEF, e cila ofron mbështetje deri në mbi 10 miliardë funte në rajon. Kjo falë zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe përmirësimit të marrëdhënieve biznesore dhe ekonomike mes vendeve tona. Për herë të parë kemi sanksionuar individë të lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin në Kosovë. Kjo është pjesë e një bashkëpunimi më të thellë për sundim të ligjit që përfshin edhe mbështetjen për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Mund të vazhdoj tutje. Në dhjetor ne kemi konkretizuar gjithë këtë në një dialog zyrtar vjetor institucional, në Këshillin e Partneritetit Mbretëri e Bashkuar-Kosovë.
Ky partneritet vjen në një kohë me shumë trazira dhe dhimbje në Evropë, e cila ishte tema kryesore e diskutimit tim me studentët dje. Vitin e kaluar lufta u kthye sërish në kontinentin evropian, që është hera e parë që nga koha kur forcat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë.
Në vitin 1999 NATO-ja ndërhyri në Kosovë për të parandaluar një fatkeqësi humanitare. Të gjithë kishim shpresuar që tmerret e shekullit 20 i kishim lënë pas nesh, por fatkeqësisht Vladimir Putin na dëshmoi që kemi gabuar. Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës është një sulm i paprovokuar, i paramenduar dhe barbar kundër një shteti sovran demokratik. Kjo luftë është një sfidë për Ukrainën dhe të ardhmen e Evropës, dhe e cila nuk do të përfundojë shpejt.
Pamjet e tmerrshme që vazhdojmë t’i shohim nga Ukraina janë të dhimbshme. E di se këto pamje janë një kujtesë traumatike për të gjithë kosovarët, për krimet e tmerrshme të kryera këtu mbi 20 vjet më parë.
Ashtu siç vepruam për Kosovën, Mbretëria e Bashkuar ka ndihmuar në udhëheqjen e reagimit ndërkombëtar. Ne kemi ofruar mbi 2.3 miliardë funte mbështetje deri më tani përmes asistencës humanitare dhe me armatim për të ndihmuar mbrojtjen e Ukrainës. Ne po e bëjmë këtë në bashkëpunim me aleatët tanë, sepse vetëm së bashku mund të ballafaqohemi me realitetin e ri gjeopolitik. Unë jam thellësisht mirënjohës për ndihmën që Kosova i ka ofruar Ukrainës, nga strehimi për refugjatët dhe gazetarët deri te mbështetja psikologjike për të mbijetuarit e dhunës seksuale.
Për shkak të agresionit të Putinit, tani ekziston një realitet i ri i krijuar në të gjithë Evropën. Në Ballkanin Perëndimor, tani asnjë komb nuk mund ta injorojë pyetjen se çfarë të ardhme dëshirojnë. A janë për liri dhe prosperitet apo dëshirojnë të mbeten mbrapa me autokratë dhe kriminelë?
Vendet nga gjithë bota që po e mbështesin Rusinë, po e shohin veten gjithnjë e më të izoluar dhe nën presion. Më vjen mirë që pozicioni i Kosovës është më i qartë, por tani është më urgjente se më parë, që Kosova të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar të ardhmen evropiane.
Fatkeqësisht, është e vërtetë që 24 vjet pas luftës dhe 15 vjet pas pavarësisë, Republika e Kosovës ende nuk njihet nga një pjesë e botës. I është dashur të luftonte në çdo hap, për çdo njohje, për çdo anëtarësim. Jam krenar që Mbretëria e Bashkuar ka qenë krah për krah me ju në çdo hap të këtij udhëtimi. Miqësia jonë është e pakushtëzuar.
Tani është koha që të vazhdohet tutje. As Kosova dhe as Serbia nuk përfitojnë nga status-quo-ja, por vetëm Rusia përfiton, e cila do të ishte e lumtur që të dyja vendet të mos zhvillohen.
Kontributin më të fuqishëm që Kosova mund të bëjë për sigurinë evropiane është avancimi në marrëveshjen e dialogut me Serbinë. Një marrëveshje që normalizon marrëdhëniet dhe forcon pavarësinë e Kosovës dhe integrimin e saj ndërkombëtar përtej çdo dyshimi.
E di që nuk do të jetë e lehtë. Do të duhet guxim, vendosmëri dhe unitet nga liderët e Kosovës dhe mbështetje dhe mirëkuptim nga populli i saj. Do të duhet besim në të ardhmen. Të tregohet përkushtim dhe të gjendet forcë në parimet e parashikuara në kushtetutën e Kosovës, përballë asaj që do të ndihet si opozitë e palëkundur. Kjo nuk do të thotë se Kosova dhe Serbia duhet të lënë anash dallimet mes tyre, dhe as të harrojnë të kaluarën, por do të duhet kompromis, dhe mbi të gjitha, që prioritet të jetë mirëqenia afatgjatë e të gjithë qytetarëve.
Në vitet pasi NATO-ja hyri në Kosovë, duke u dhënë fund konflikteve të viteve ‘90, janë shpenzuar mbi 50 miliardë dollarë për ndihma në rajon. Derisa sytë e botës janë të kthyer nga Ukraina, është koha që rajoni të luftojë korrupsionin, të tejkalojë mosmarrëveshjet e së kaluarës dhe të tregojë se është gati për një të ardhme euroatlantike.
Unë e kuptoj që Perëndimi duhet të bëjë më shumë për të dëshmuar se rruga është e hapur.
Ndonëse Mbretëria e Bashkuar është larguar nga BE-ja, ne mbështesim plotësisht një të ardhme të rajonit në BE. Është e qartë që në muajt e ardhshëm BE-ja dhe vendet anëtare të saj duhet të qartësojnë dhe përforcojnë ofertën e tyre për rajonin.
Ne duhet të tregojmë gjithashtu se rruga drejt anëtarësimit në NATO është e hapur. Pas gjithë këtyre viteve qëkur gjenerali Sir Mike Jackson udhëhoqi hyrjen KFOR-it në Kosovë, NATO-ja përsëri qëndron e vendosur dhe e bashkuar kundër armiqve të lirisë dhe demokracisë. Kështu po vazhdon NATO-ja të qëndrojë e palëkundur në Kosovë, duke ofruar siguri dhe mbrojtje. NATO-ja dhe Kosova kanë një lidhje të pathyeshme.
lufta tragjike në Evropë vazhdon, derisa njerëzit po vdesin përsëri në kontinentin tonë, pa asnjë dyshim, është koha për ta vendosur Kosovën si një vend me të ardhme të sigurt dhe prosperitet. Të sigurohemi që Kosova të jetë më shumë se vetëm një fusnotë në histori dhe të zërë vendin e vet të merituar në familjen e kombeve evropiane.
(Nicholas Abbott është ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë. Fjalimin me përmbajtjen e mësipërme ai e ka prezantuar gjatë bashkëbisedimit me studentët e Universitetit të Prishtinës, më 17 janar)