Si shkas për një reflektim se si është ndërtuar Kosova në aspektin kushtetues po e marrim 28 shkurtin 1974, ditën kur është miratuar Kushtetuta e parë e Kosovës para 43 vjetësh.
Porse ndërtimi konstitucional i Kosovës si entitet politik-juridik daton që nga tezat mbi çështjen nacionale të Kosovës dhe Metohisë, që i paraqiti njëri nga udhëheqësit e lartë të PKJ-së, Moša Pijade, në Konferencën e Pestë të vendit të mbajtur në Zagreb, në tetor 1940, ku thuhej: “Zgjidhja e çështjes nacionale (në Kosovë, vër. red.) mund të arrihet me krijimin e Republikës së lirë të punëtorëve dhe fshatarëve të Kosovës me ndihmën e kryengritjes revolucionare kundër fashizmit, si dhe kundër regjimit imperialist të borgjezisë serbomadhe...”
Halil Matoshi
Partia Komuniste e Jugosllavisë duke kërkuar zgjidhje për çështjen e shqiptarëve, turqve dhe myslimanëve angazhohej që së pari t’u siguronte këtyre popujve që të arrinin pronësi të plotë mbi tokën, që të çliroheshin nga shtypja nacionale dhe të siguroheshin kushte për zhvillim të plotë nacional, politik dhe kulturor. (Arkivi RSFJ, fondi i KQ.)
Kështu, PKJ-ja ia kishte pranuar popullit të Kosovës sikur edhe popujve të tjerë të Jugosllavisë të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje, të drejtën për republikën vetjake. Këto të drejta populli i Kosovës do t’i fitonte duke marrë pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Dhe shqiptarët e Kosovës morën pjesë në luftë, duke dhënë një kontribut të theksuar në çlirimin e Kosovës dhe të Jugosllavisë.
Në bazë të vendimit të Konferencës së Pestë të vendit të PKJ-së, Komiteti Krahinor i Partisë Komuniste për Kosovën, në Konferencën e Pestë të vendit përfaqësohej si organizatë autonome dhe kishte caktuar Boris Vukmirovićin që ta prezantonte, por për shkak të rrethanave të pasqaruara nuk kishte arritur në Zagreb.
Para 42 vjetësh, më 28 shkurt 1974, është miratuar Kushtetuta e Krahinës Autonome të Kosovës, e cila politikisht dhe juridikisht e kishte avancuar pozitën e shqiptarëve kosovarë në subjekt të federalizmit jugosllav.
Më 1966 u formuan komisionet për ndryshimin e plotësimin e akteve më të larta politike-juridike në Federatë, në republika dhe në krahina autonome.
Diskutimet kushtetuese që u organizuan kudo në Kosovë, i udhëhiqte një komision i posaçëm, në krye të të cilit ishte Fadil Hoxha, kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Pas debatit publik që zgjati më shumë se gjysmë viti, Kuvendi Federativ miratoi më 21 shkurt 1974 Kushtetutën e re të RSFJ-së. Disa ditë më vonë secili kuvend republike dhe krahine autonome miratoi kushtetutën e vet. Kushtetuta e RS të Serbisë u miratua më 25 shkurt, kurse Kushtetuta e KSA të Kosovës më 28 shkurt të vitit 1974. Kjo ishte Kushtetuta e parë e KSA të Kosovës.
Në këtë Kushtetutë ishin përfshirë edhe ndryshimet e rëndësishme që ishin bërë në bazë të serisë së amendamenteve të miratuara më 1971: këto u kishin dhënë krahinave autonome status të barabartë me republikat në shumë forma të marrjes së vendimeve për çështje ekonomike, madje edhe marrjes së vendimeve në disa fusha të politikës së jashtme. Amendamenti XXXVI përcaktonte se Presidenca e Jugosllavisë ishte një trup kolektiv me dy përfaqësues, nga çdo republikë dhe me nga një përfaqësues nga çdo krahinë autonome.
Kjo Kushtetutë është dokumenti i parë politik-juridik që shqiptarët kosovarë i barazonte me kombet e tjera të ish- Federatës jugosllave, ndonëse kishte një gjuhë ambiguitative, e sanksiononte Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë, por edhe si subjekt konstituiv të federalizmit jugosllav.
Janë dy elemente me fuqi juridike që Kosovën e përafronin me republikat e tjera jugosllave:
1. Elementi i parë i fuqishëm ishte se Kushtetuta e vitit 1974 ia kishte siguruar Kosovës të drejtën e vetos në organet shtetërore federale, në Kuvendin federativ dhe në Kryesinë e shtetit – për sa u përket çështjeve të interesit vital – si territori, simbolet, gjuha – por edhe në prerogativa të tjerë, si përfaqësimi në organet shtetërore.
2. Pra, Kosova nuk trajtohej më si pjesë integrale e Serbisë - integralni deo - (në aspektin territorial dhe të organizimit politik) porse si pjesë e bashkëngjitur – pjesë përbërëse (sasatvi deo).
Sipas Kushtetutës së RSFJ-së, Kosova ishte subjekt konstituiv i Federatës, por deklarativisht
(Konferenca e Prizrenit 1946) ajo i ishte bashkuar njëkohësisht “vullnetshëm” edhe Republikës së Serbisë.
Akademik Gazmend Zajmi konsideronte se Kosova, sipas Kushtetutës së vitit 1974, ishte e barabartë me republikat e tjera të ish-Federatës jugosllave.
“Në dispozitën e Kushtetutës së RSFJ-së të vitit 1974, (si akt normativ i njohur sipas së Drejtës Ndërkombëtare) mbi atë se Kosova është pjesë konstituive e Jugosllavisë (neni 2 i Kushtetutës), thënia se Kosova është në kuadër të Republikës Socialiste të Serbisë ka karakter deklarativ dhe jokonstituiv, meqë baza konstituive e gjetjes së Kosovës në kuadër të Republikës së Serbisë është “Rezoluta e Prizrenit” e vitit 1945 (10 korrik), e cila, si e tillë, u derogua me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990”.
Në Deklaratën Kushtetuese (2 korrik 1990) të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës, normativisht u rrumbullakua legjislacioni i brendshëm për pavarësimin e Kosovës, që u fuqizua me shpalljen e Kushtetutës së Kosovës, më 7 shtator 1990, në Kaçanik, prandaj historikisht u quajt edhe si “Kushtetuta e Kaçanikut”.
Ky proces konstituiv pastaj fitoi edhe legjitimitetin e përmasave plebishitare pas konsultave të qytetarëve kosovarë (Referendumi për pavarësinë dhe zgjedhjet e lira parlamentare dhe presidenciale), duke siguruar legjitimitetin e brendshëm për një udhëheqje kredibile, që ka mandatin e popullit shumicë, për përfaqësim në raport me Serbinë dhe me faktorin ndërkombëtar, si dhe në mbrojtjen e interesave vitale politike të shqiptarëve në konferencat e ndryshme ndërkombëtare që pasuan.
Prandaj, të flasësh sot në kontekst pezhorativ për gratë dhe burrat që e amendamentuan (1968-69 dhe 1970-71) dhe e miratuan këtë Kushtetutë (28 shkurt 1974) është mosmirënjohje dhe abuzim me historinë e shtetit, sepse Kushtetuta e vitit 1974 është pararendëse e asaj të Kaçanikut më 10 shtator 1990, është e bazuar në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, të shpallur më 2 korrik 1990, në Kornizën Kushtetuese, nënshkruar nga Hans Hakerup më 15 maj 2001, dhe e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (15 qershor 2008.)
Në këtë rrugë të ndërtimit konstitucional të Republikës së Kosovës – shtet sovran – kosovarët janë përballur me sfida të mëdha.
Me Kushtetutën aktuale (që në thelb është derivat i Pakos Ahtisaari), populli shumicë i Kosovës – ai shqiptar - për këmbim me pavarësi kombëtare ka bërë kompromise edhe më të dhimbshme se flamuri, si p.sh.:
1. E drejta e vetos për komunitetet joshumicë (serbët kosovarë) kur kemi të bëjmë me amendamentimin e Kushtetutës në pikat që prekin ose kanë të bëjnë me interesat vitale të tyre (pra a.); vota e dyfishtë në Kuvend!?); b.) garantimi i pjesëmarrjes në Qeveri (Mekanizmi i Badinterit);
2. Decentralizimi dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe;
4. Exterritorialiteti i kishave ortodokse serbe (me të cilat direkt menaxhon KOS-i);
5. Serbishtja si gjuhë zyrtare në tërë Kosovën etj.
Pra, për asnjë nga këto premisa nuk është pyetur populli, sepse janë të zgjedhurit e popullit (përfaqësuesit) ata që vendosin korniza politike-juridike për fatin e një kombi.
Sipas Matteo Albertinit, proceset kombkrijuese si rasti i Kosovës duhet të sigurojnë disa ilustrime bazë të kësaj dinamike, kujtesa për rritën gjatë Ditës së Pavarësisë, flamurin e ri të Kosovës, përderisa flamuri i Shqipërisë tashmë bëhet “i huaj”, sepse përfaqëson një komb-shtet tjetër.
Për shkak të kësaj natyre të dyfishtë të identitetit të kosovarëve është e rëndësishme për të analizuar lidhjen në mes të hapësirave të brendshme dhe të jashtme në çdo semiosferë: për shembull, në mes të identitetit dhe “identitetit alternativ”.
Kushtetuta e Kosovës, ndonëse një prej kushtetutave më liberale për sa u përket të drejtave të komuniteteve etnike, megjithatë ofron zgjidhje etnike në vend të zgjidhjeve qytetare.
Sfidë tjetër pa dyshim është konfuzioni që Kushtetuta krijon me rastin e përcaktimit të shumicës në Kuvend. Është ajo shumica që del e para në zgjedhje (partia, koalicioni parazgjedhor) apo shumica që mund të krijohet pas konstituimit të Kuvendit dhe betimit të deputetit?
Zaten, verdikti i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës (214) mund të vlejë si precedent në të ardhmen që përcakton partinë ose koalicionin që del e para në zgjedhje si mandatar për krijimin e institucioneve, përkatësisht që jep kryetarin e Kuvendit dhe përcakton rrjedhën e pastajme në mandatimin e kryeministrit.
Po ashtu, Kushtetuta nuk është mjaft e qartë rreth Forcës Mbrojtëse të Kosovës (FSK) si forcë kombëtare e popullit të Kosovës, nëse ajo mund të shndërrohet në ushtri klasike vetëm duke e ndërruar Ligjin mbi FSK-në, apo duhen për këtë ndryshime kushtetuese, duke e përfillur shumicën e dyfishtë (serbët kosovarë)?
Në vazhdën e paqartësive, në kontekstin aktual – Kushtetuta e Kosovës jep zgjidhje pa ekuivoke për rendin simbolik (flamurin, himnin, stemën), porse sipas nacionalistit tipik shqiptar (pra edhe për shumicën e liderëve politikë deri tek presidenti apo kryeministri i vendit), në Kosovë njihen dy lloj rendesh simbolike, ai kombëtar dhe shtetëror!?
Dhe në këtë aspekt shkelja më e madhe etike dhe politike që i është bërë Kushtetutës së Republikës është pikërisht tolerimi i dy rendeve simbolike.
Sipas Kushtetutës së Kosovës (Pakos Ahtisaari) dhe Ligjit për simbolet, vetëm krahas flamurit kosovar mund të përdoren flamujt e komuniteteve, pra edhe ai shqiptar. Por në praktikë nuk është kështu, sepse flamuri shqiptar përdoret gjithandej pa mbështetje në ligj.
Por një klasë politike me dije modeste për shtetformimin ka tendenca që t’i mbajë në përdorim dy rende simbolike në shtet, gjë që e cenon kohezionin e unitetit shtetëror dhe kombëtar.
Të gjitha komuniteteve ligji kosovar ua jep të drejtën t’i shpalosin simbolet e tyre etnike, por vetëm krahas atyre shtetërore.
Vetëm serbët kosovarë dhe VV-ja ende nuk e respektojnë këtë ligj!?
Dhe në fund Kushtetuta e Kosovës është e mangët që në preambulën e saj rreth përcaktimit të titullarit të shtetit: nëse është ky kombi shqiptar (si komb unitarist), kombi kosovar (i shumicës etnike shqiptare) apo shteti-komb i bazave qytetare!?
“Kosova u bë një komb, kur Parlamenti i saj shpalli Pavarësinë nga Serbia në muajin shkurt 17, 2008. Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende evropiane e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës.” (Shih: studimi "Peace Negotiations watch." Public International Laë & Policy Group. N.p., 14 Feb. 2005. Web. 15 Nov. 2013. Kosovarët definitivisht një ditë duhet të zgjedhin mes kombit unik (bashkimit me Shqipërinë që presupozon ndarjen e Kosovës) dhe identitetit të veçantë kosovar në një Kosovë unike. Nëse vendosin për opsionin etnonacionalist (shtetin unik shqiptar dhe kombin unik shqiptar), kjo d.m.th. se kosovarët janë pajtuar për ndarjen e territorit me Serbinë, sepse, nëse duam bashkim në parime etnike, serbët në veriun e Kosovës janë shumicë absolute dhe sipas këtij parimi e paskëshin të drejtën që t’i bashkohen Serbisë!? Fatkeqësia në këtë vend është se elitat nuk e dinë çka është atdheu në kontekstin e shtetit modern.