Shkrim i punuar në bazë të publikimit “Kërkimi i së vërtetës - Elementet e krijimit të një komisioni efektiv të së vërtetës” realizuar nga The International Center for Transitional Justice (4)
Në mënyrë që të jetë i suksesshëm, një komision i së vërtetës duhet të trajtojë dhe të arrijë jo vetëm tek viktimat, dëshmitarët dhe palët tjera që do të marrin pjesë në proceset e tij, por edhe audiencën e gjerë të cilën e mëton me anë të komunikimit. Angazhimi i publikut të gjerë është rrënjësor që komisioni t’i arrijë me sukses qëllimet e tij, sidomos në lidhje me:
- Informimin e saktë të publikut në mënyrë që edhe popullata të marrë pjesë në procesin e kërkimit të së vërtetës
- Dhënien e hapësirës dhe dëgjimit të zërit të popullatës së viktimizuar
- Promovimin e gjithëpërfshirjes dhe transparencës si praktika të duhura qeveritare
- Ndërtimin e ndjenjës së pronësisë në procesin e kërkimit të së vërtetës
Rëndësia e shpërndarjes dhe arritjes deri te të gjitha palët
- Ky aspekt i veprimit përfshin materialet dhe aktivitetet të cilat komisioni i së vërtetës i vë në përdorim me qëllim të ndërtimit të kanaleve të komunikimit me komunitetet e prekura. Informacioni nuk duhet të ekzistojë në vetëm një linjë, nga komisioni deri te shoqëria/popullata, por më shumë duhet të funksionojë si një paketë informacioni që i shërben dialogut dhe bashkëpjesëmarrjes.
- Meqë komisioni ka përgjegjësi që të angazhojë në procesin e punës edhe grupet e viktimave dhe të edukojë shoqërinë në masë më të gjerë, shpërndarja e mirëqenë e informacioneve bën pjesë në një prej qëllimeve dhe objektivave kryesore të komisionit të së vërtetës. Procesi i shpërndarjes së informacioneve ndikon në komisionin si një proces në zhvillim e sipër, sepse komunikimi me publikun e gjerë është thelbësor për të siguruar qëndrueshmërinë e funksionimit të komisionit të së vërtetës në një ambient politik fluid dhe të mbushur me rreziqe.
- Aktivitetet e shpërndarjes së informacionit, përfshirë këtu ato në terren, duhet të iniciohen sa më herët që është e mundur, kjo në mënyrë që publiku i gjerë ta kuptojë saktë dhe qartë misionin e komisionit të së vërtetës dhe të zvogëlohen mundësitë për çfarëdo lloj keqkuptimi. Rëndësia e shpërndarjes së informacionit duhet të reflektohet në dokumentet e themelimit/statutin dhe mandatin e komisionit të së vërtetës e po ashtu edhe në planin e punës (i formuluar gjatë fazës përgatitore).
Objektivat e procesit të shpërndarjes së informacionit
Shpërndarja e informacionit: - Komisionet e së vërtetës duhet të aspirojnë që të kenë transparencë, që nënkupton një publik të gjerë i cili ka qasje në të gjithë informacionin e nevojshëm për të kuptuar më mirë strukturën, qëllimet dhe mënyrën e punës së këtij institucioni, si dhe përditësimet e planit të punës gjatë progresit. Komisioni duhet të veprojë në mënyrë proaktive në ofrimin e informatave për grupet që kanë prioritet, veçanërisht për dëshmitarët dhe viktimat, në mënyrë që këta të fundit të marrin pjesë në proces dhe të kenë bashkëpunim të ngushtë me institucionin. Programi i informimit dhe shpërndarjes duhet të përdorë mediat online, mjetet tradicionale të komunikimit dhe mediat audiovizuele. Bashkëveprimi dhe afërsia me komunitetin e gjerë mund të forcohet edhe me anë të takimeve në salla pune, programeve në radio stacione, burimeve të internetit, panaireve në zonat më rurale dhe aktiviteteve kulturore si performancat teatrore dhe garat publike të artit.
Të dobishme mund të jenë edhe sesionet e trajnimit, punëtoritë, vizitat brenda objektit të komisionit ose vizitat në muze, shfaqja e filmave dhe seancat dëgjimore publike. Tjera elemente kyçe të shpërndarjes së informacionit përfshijnë edhe aktivitetet me karakter edukativ që fokusohen në të rinjtë, akademinë dhe proceset e konsultimit, përfshirë këtu proceset publike për përzgjedhjen e komisionerëve, sondazhet e ndryshme dhe punëtoritë.
Krijimi i një hapësire për dialog: Përtej shpërndarjes fillestare të informatave, procesi i shpërndarjes duhet të promovojë edhe bashkëveprimin dhe afërsinë me popullatën e gjerë, me qytetarët. Komisionet e së vërtetës duhet të krijojnë një komunikim të dy-anshëm gjatë së cilit publiku mund të krijojë pritshmëri adekuate rreth punës së komisionit, ndërsa komisioni mund të kuptojë më lehtë nevojat e publikut dhe të përshtatë planin e tij të punës konform këtyre nevojave.
Konsultimi: Konsultimi si proces u jep mundësinë grupeve shoqërore dhe atyre të viktimave, në veçanti, të kenë një mendim të artikuluar dhe zë gjatë punës së komisionit së të vërtetës, duke promovuar kësisoj ndjenjën e pronësisë apo zotërimit. Mekanizmat e konsultimit duhet të fokusohen në fakte, të tilla si vlerësimi i rrethanave, preferencave dhe pritshmërive të grupeve të viktimave. Në rastin e personave që i përkasin popujve indogjenë, konsultimi është një detyrim ligjor, pasi pëlqimi i lirë, paraprak dhe i dhënë me informim prej këtij grupi të popullatës është i nevojshëm për të marrë pjesë në proces.
Pjesëmarrja: Elementi i fundit për një proces të suksesshëm të shpërndarjes së informatave është promovimi i pjesëmarrjes në proces, kësisoj edhe nga ana e qeverive lokale, shoqërisë civile dhe grupeve të viktimave, për të hartuar dhe zbatuar më pas punën e komisionit të së vërtetës.
Hartimi i strategjisë për procesin e shpërndarjes së informatave
Programet e suksesshme të procesit të shpërndarjes së informatave kërkojnë një plan strategjik që duhet të përfshijë këto komponente:
• Analiza e popullatës së synuar dhe kontekstit: Një analizë e thuktë e kontekstit përfshin analizimin e të dhënave bazë mbi demografinë, vlerat shoqërore dhe kulturore, trashëgiminë dhe zanafillën e konfliktit si dhe klimën politike. Është shumë me rëndësi të kemi një pasqyrë të qartë të infrastrukturës ekzistuese të komunikimit, mediumeve të informimit dhe preferencave informative vendore.
• Përcaktim sa më i qartë dhe specifik i qëllimeve: Komisioni duhet të përcaktojë qëllimet kryesore të procesit të komunikimit dhe shpërndarjes së informatave në përputhshmëri me mandatin e tij të përgjithshëm, me prioritetet e brendshme të mandatit, duhet të caktojë kontekstin dhe sfidat që duhet të adresohen dhe po ashtu fazat e ndryshme në jetën dhe mbarëvajtjen e komisionit.
• Mesazhe të qarta: Komisioni duhet të formulojë me shumë kujdes mesazhet dhe informatat të cilat planifikon t’ia komunikojë popullatës së gjerë, dhe të specifikojë grupet e pranimit të informatës. Thelbësore është që këto mesazhe të kenë disciplinë në redaktim dhe të shmangin çfarëdo lloj kontradite dhe ngatërrese.
• Plani i aktiviteteve: Në bazë të burimeve të disponueshme, qëllimeve dhe prioriteteve për dhënien e mesazheve, komisioni duhet të përcaktojë një plan për të implementuar më pas një numër aktivitetesh që merren me komunikim, duke përfshirë: krijimin dhe mirëmbajtjen e pranisë së komisionit në mediat/komunikimin online, krijimin e materialeve të shtypura, organizimin e takimeve në salla më të mëdha, mbajtjen e punëtorive me pjesëmarrjen e akterëve të ndryshëm, mbajtjen e dëgjimeve publike dhe organizimin e vullnetarëve dhe punëve me karakter vullnetar.
Marrëdhëniet me publikun dhe marrëdhëniet me Media
Komisionet duhet t’i kushtojnë rëndësi të veçantë marrëdhënieve me mediat e ndryshme. Marrë parasysh kompleksitetin e punës së komisionit të së vërtetës dhe fuqinë e kapacitetin relativ të mediave kombëtare, nuk mund të anashkalohet fakti se aktivitetet e organizuara nga komisioni i së vërtetës do të tërheqin vëmendjen e mediave, të cilat do të raportojnë mbi procesin e drejtësisë në mënyrë të saktë dhe të paanshme. Marrëdhëniet e frytshme me publikun nënkuptojnë ofrimin e informatave me kohë për mediat, ndihmën kur është nevoja dhe material të strukturuar dhe detajuar për mediat.
Çështjet që duhet të merren në konsideratë janë edhe: mbështetja me infrastrukturë, aktivitete dhe materiale që lidhen me mediat, sesione të trajnimit për praktikat më të mira dhe ndërtimi i lidhjeve më të forta me mjetet e komunikimit masiv.
Kontributi i shoqërisë civile në kërkimin e së vërtetës
Organizatat joqeveritare kanë disa asete të vlefshme për t’i ndarë me komisionin në lidhje me komunikimin me publikun, përfshirë këtu qasjen në informata, aftësitë për hulumtim dhe aftësinë për të identifikuar rastet kyqe dhe situatat për shqyrtim/ekzaminim të mëtutjeshëm. Këto organizata kanë edhe rrjetin e tyre të kontakteve në shoqërinë civile dhe kanë lidhje më të fortë me viktimat, po ashtu edhe aftësinë për të mobilizuar opinionin publik dhe krijimin e presionit politik. Këto përparësi mund të çojnë deri në përfshirjen e këtyre organizatave në disa aktivitete përgjatë jetëgjatësisë së komisionit, potencialisht në përfshirjen e tyre në komunikimin me media, prodhimin dhe shpërndarjen e materialeve, punën me viktima dhe mbledhjen dhe shpërndarjen e informatave tjera të dobishme.
Roli i shoqërisë civile në shpërndarjen e informacionit në terren mund të ndahet në këto tri faza:
Përpara se të themelohet komisioni së vërtetës: Para se të themelohet komisioni i së vërtetës, shoqëria civile mund të luajë një rol jetësor në mobilizimin dhe ndërgjegjësimin e publikut të gjerë dhe angazhimin publik në procesin e kërkimit të së vërtetës, zhvillimin apo zgjerimin e mandatit dhe infrastrukturës operative të komisionit, dhe të sigurojë se komisioni ka kredibilitet dhe legjitimitet në sytë e popullatës së gjerë dhe komunitetit ndërkombëtar. Angazhimi i tillë përfshin, mes tjerash, edhe hartimin ose përmirësimin e legjislacionit, hapjen e rrugës për dialog dhe definimin e asistimit në procesin e përgjithshëm të komisionit të së vërtetës. Organizatat madje mund të luajnë një rol kritik në rastet kur vendimi për themelimin e një komisioni të tillë supozohet të jetë jodemokratik. Për shembull, Qendra për Zhvillim Demokratik në Ganë e transformoi një gjest politik në një agjendë kombëtare duke inkurajuar diskutime të hapura dhe reprezentative mbi komisionin e së vërtetës.
Konkretisht, organizatat joqeveritare mund të angazhohen në aktivitetet vijuese në fillet e themelimit të komisionit:
- Hartimi dhe kontributi në legjislacionin për themelimin e komisionit
- Lobimi për të përmirësuar legjislacionin e komisionit të së vërtetës (përfshirë mandatin dhe procesin e përzgjedhjes së komisionerëve)
- Përfshirja e akterëve kombëtarë për të diskutuar praktikat më të mira ndërkombëtare rreth komisioneve të së vërtetës
- Trajnimi i stafit që do të angazhohet për punën në komision (përfshirë edhe menaxherët ekzekutiv)
- Ofrimi i shërbimeve të këshillimit për të përgatitur viktimat për dëgjimet publike të organizuara nga komisioni
- Edukimi i publikut, akterëve politikë dhe medias në mekanizmat dhe tematikat rreth drejtësisë tranzicionale
- Zhvillimi i mekanizmave konsultative për komisionin
- Vendosja e modeleve për bashkëpunime të suksesshme me komisionin
Gjatë mandatit të komisionit të së vërtetës: Shoqëria civile mund të vazhdojë përpjekjet dhe avokimin në mbështetje të komisionit të së vërtetës dhe hulumtimeve të tij duke ofruar informacione prej disa burimeve, ose edhe duke ndërmarrë përpjekje rajonale dhe jozyrtare drejtë së vërtetës:
- Informata nga qendrat e dokumentimit të të drejtave të njeriut dhe dosjet e tyre
- Nga asociacionet e viktimave, përfshirë këtu dosje të mbledhura nga individë
- Nga dosjet e grupeve dhe individëve në mërgatë
- Nga komisionet ekzistuese për të vërtetën dhe komisionet e hetimit
- Transkripte, procedura dhe regjistrime nga gjykata
- Inçizime nga Agjencia e Intelegjencës
- Regjistrime nga organet profesionale (akademike, mjekësore, gjyqësore dhe nga mediat)
- Të dhëna nga arkivat kombëtare dhe nga muzetë
- Nga organizatat ndërkombëtare dhe qeveritë e huaja
- Materiale të disponueshme sipas dispozitave kombëtare dhe ndërkombëtare të lirisë së informacionit
Pasi që të përfundoj mandati i komisionit të së vërtetës: Organizatat e shoqërisë civile mund të kontribuojnë në mënyrë kritike në ndikimin më afatgjatë të komisionit të së vërtetës duke ndihmuar që raporti final i komisionit të jetë i qasshëm për publikun, i transkriptuar dhe përshtatur në mënyrën e duhur, dhe i disponueshëm në disa gjuhë dhe formate. Për këtë qëllim, organizatat e shoqërisë civile mund të:
- Përkthejnë raportin final të komisionit në gjuhët zyrtare kombëtare
- Përmbledhin gjetjet kryesore dhe rekomandimet
- Prodhojnë versionet ilustrative të këtyre gjetjeve kryesore e rekomandimeve
- Monitorojnë implementimin e rekomandimeve të dala prej komisionit në këtë raport
- Integrojnë gjetjet më të rëndësishme të komisionit në planprograme shkollore
- Zhvillojnë video të shkurtra ose dokumentarë në procesin e kërkimit të së vërtetës
Fuqizuar nga Integra, CPT, PAX dhe RBF.
Ky projekt u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.