OpEd

Komunikata...

Etiketimi që ka mundur të kishte pasoja të rënda i është bërë një familjeje të zhurmshme dhe të fuqishme edhe politike, që me ngulm ka kërkuar sqarimin dhe kërkimfaljen. Në fund, atë që e ka nxjerrë është, me gjasë, një provë e fuqishme kundër bile njërit nga njerëzit që akuzohen për krime të kryera në luftë dhe pas saj, e ku viktimat kryesore janë shqiptarët

Dhe fushata vazhdon. 

Opozita duke mbledhur nënshkrime për seanca të jashtëzakonshme, ku vetë i përzgjedhin temat dhe flasin më pas çfarë u teket; pushteti duke intensifikuar punimet në urën që nuk kryhet dhe rrugët që janë nisur qëmoti apo edhe duke shfrytëzuar udhëtimet zyrtare dhe paratë e taksapaguesve për takime me diasporën.

Gjasat janë se kjo do të vazhdojë kështu edhe këta dy muajt e mbetur deri në janar kur do të nisë zyrtarisht edhe fushata. Do të jenë interesante të shihen lëvizjet e fytyrave politike tash nëpër studiot televizive – sa prej tyre do të ngarendin të dalin para ekraneve, sepse tash që u duhet më shumë vizibilitet në media. Të njëjtët që i kanë shmangur në këta gati katër vjet, duke i injoruar mediat, apo edhe duke iu frikësuar atyre.

Po nejse – të shohim se si do të rrjedhin punët. 

Një gjë do të jetë evidente deri në fund të vitit: gjithsesi do të ketë qarkullim më të madh parash, të futura në treg nga partitë politike, kryesisht për sondazhe, por edhe për blerje të vullnetit për ta qitur votën. Nuk do të ishte hera e parë që e shohim të ndodhë. Por do të ishte interesante që me këtë punë, më në fund, të niste të merrej drejtësia.

* * *

Përderisa këndej shkojmë flakë me fushatë, në Hagë vazhdon gjykimi maratonik ndaj katër ish-komandantëve dhe ish-politikanëve të akuzuar nga Prokuroria speciale. 

Kësaj jave, e gjithë vëmendja u përqendrua te dëshmitari Fadil Geci, ish-deputet dhe anëtar i familjes së numërt Geci nga Llausha e Skënderajt. Gecët përherë janë deklaruar si përkrahës të flaktë Rugovës dhe LDK-së, qëndrim të cilin nuk e kanë ndryshuar kurrë, e që flet për konsistencën e tyre politike.

Dëshmitari, më pak i njohur sesa i vëllai, Ganiu, megjithatë tërhoqi vëmendjen e publikut kureshtar për të kuptuar diçka më shumë për “hasmëritë” që kanë ekzistuar gjatë luftës ndërmjet njerëzve që kishin veshur uniformat për të luftuar kundër forcave serbe në Kosovë.

E hasmëria më e madhe kishte shpërthyer në vjeshtë të 1998-s, kur në gazetën rinore “Bota e re”, më 31 tetor 1998, u botua aq e përfolura komunikatë nr. 59. Komunikata, e cila doli pas vrasjes së Abedin Rexhës-Sandokanit, në esencë, e shpallte Gani Gecin dhe familjen e tij njerëz të Serbisë, ndërsa vetë atë edhe si pjesëtar i ekspeditave ndëshkuese të forcave serbe ndaj shqiptarëve. 

Sidoqoftë, më pak se një javë më vonë, disa nga themeluesit e UÇK-së do të dilnin publikisht kundër kësaj komunikate, duke thënë se Geci kishte qenë luftëtar që nga fillimi i luftës dhe se e kishte vrarë Sandokanin në vetëmbrojtje.

* * *

Komunikata nuk kishte pasur as nënshkrim e as vulë – por megjithatë kishte mbajtur mbititullin “Shtabi i Përgjithshëm”. Me vite nuk është folur për autorësinë e saj, deri në çastin kur u kuptua se edhe kjo komunikatë do të ishte objekt i Gjykatës Speciale. 

Nga fillimi i 2019-s, Hashim Thaçi i dha intervistë RTK-së, me gjasë në përpjekje të fashitjes së çështjes së kësaj komunikate, ku do të thoshte se kishte pasur abuzime nga individët e caktuar me luftën e UÇK-së dhe me emrin e ushtrisë, dhe se “janë lëshuar komunikata apo deklarata edhe nga bahnofa jashtë vendit për të përçarë UÇK-në”, kurse sa i përket komunikatës 59 se ajo “është një komunikatë abuzuese që nuk i takon UÇK-së është nxjerrë nga individë keqbërës dhe pa dijeninë e Shtabit të përgjithshëm…”.

Në vijimin e kësaj deklarate, Thaçi, mes shumë fjalësh, do t’i kërkonte falje Gecit dhe familjes së këtij, se përse nuk ishte sqaruar kjo çështje më herët, e që kështu të shmangeshin situata të padëshiruara. 

Deklarata e tij erdhi 20 vjet pas komunikatës, dhe gjasat janë se për të nuk do të fliste, po të mos ishte fakti se Specialja kishte nisur me marrjen në pyetje të personave të dyshuar apo edhe dëshmitarëve potencialë që nga fundi i 2018-s. E Thaçin tashmë e kishin marrë në pyetje prokurorët nga Haga dhe EULEX-i para kësaj interviste.

* * *

Këtë deklaratë të Thaçit do ta demantonin Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. I pari do të thoshte se nuk është e vërtetë se komunikatat të jenë lëshuar nga banhofat, dhe se këtë punë Thaçi e dinte mirë ngase ishte udhëheqës politik i UÇK-së, kurse i dyti publikisht, në një intervistë televizive, e kishte thënë se autori i kësaj komunikate kishte qenë Hashim Thaçi. Në periudhën kohore të këtyre deklaratave, Thaçi, Krasniqi e Selimi kishin ndarë rrugët politike. Kurse të gjitha këto deklarata tash shërbejnë si prova materiale në gjykim.

Dhe shërbejnë për marrje në pyetje të njërit nga vëllezërit që në komunikatë janë quajtur “njerëz të Serbisë”, e besoj si parapërgatitje për marrjen në pyetje të vetë Gani Gecit dikur më vonë në procedurë. Etiketimi që ka mundur të kishte pasoja të rënda, i është bërë një familjeje të zhurmshme dhe të fuqishme edhe politike, që me ngulm ka kërkuar sqarimin dhe kërkimfaljen. Në fund, atë që e ka nxjerrë është, me gjasë, një provë të fuqishme kundër bile njërit nga njerëzit që akuzohen për krime të kryera në luftë dhe pas saj, e ku viktimat kryesore janë shqiptarët, e jo minoritetet.

Se sa do t’i shërbejë akuzës dëshmia e Fadil Gecit, mbetet të shihet. Për shkak se ekziston dyshimi shumë i bazuar që një pjesë e madhe e asaj që e ka thënë në gjykim të jetë përkthyer gabimisht, ose të mos jetë kuptuar nga përkthyesi.

Rasti i tij mbase më së miri dëshmon se përse përkthyesit nga Shqipëria nuk janë më të përshtatshmit për këtë proces. Fillimisht për shkak se nuk na e kuptojnë dialektin e as lokalizmat, e tutje për shkak se nuk kanë njohuri as për gjeografinë e Kosovës, ngase rregullisht ua huqin emrave të vendbanimeve. Për më keq, nuk e njohin as kontekstin.

Sido që të jetë, “i paqtë” u përkthye si “peaceful” (pra paqësor) ndërkohë që “u dek’ prej deke” nuk e di a u përkthye fare. E nëse as akuza e as mbrojtja nuk e kuptojnë atë që e thonë dëshmitarët, cili është pra qëllimi i këtij gjykimi, apo a duhet besuar se do të duhet kohë shtesë për t’i dëgjuar sërish incizimet e dëshmive.

* * *

Dëshmia e Gecit përfundoi pas dy ditësh. Deklaratat kryesore kishin të bënin me Thaçin, për të cilin tha se “e ka pasur synim pushtetin dhe se për këtë arsye ka dashur që t’i eliminojë pjesëtarët e Lidhjes Demokratike (LDK) në Drenicë e të cilët i ka parë si pengesë”, dhe se “disa shokë të tij nga dega e LDK-së në Drenicë janë vrarë dhe janë kërcënuar”.

Dje Prishtina u mbush me grafite me imazhin e tij dhe me mbishkrime denigruese (“Shka, i biri i shkinës”) – pra diçka që nuk është fort ndryshe nga akuza e hedhur në komunikatën e famshme.

Por atë që e dëshmuan më së miri këto grafite ishte arsyeja se përse Gjykata Speciale u vendos të mbahej larg Kosovës në kushte krejt të tjera të administrimit të provave, dëshmitarëve dhe të rasteve në përgjithësi. 

Për shkak se një etiketim është kërcënim dhe ftesë për diçka edhe më serioze. Sikurse dikur qe një komunikatë.

[email protected]