OpEd

Komuna pa pushtet

Në rast se vazhdohet me gjendjen e tanishme, më e arsyeshme do të ishte që pushteti qendror t’i emëronte kryetarët që të administronin komunat, sikurse në kohën e UNMIK-ut, sesa të mbahen zgjedhje të kushtueshme e të krijohet përshtypja kinse komunat janë njësi të vetëqeverisjes lokale

Gjatë viteve është krijuar një sistem kompleks i adresimit të përgjegjësisë në mes të pushtetit qendror dhe atij lokal. Pamundësia për të ndryshuar Ligjin për vetëqeverisje lokale, për shkak se ky ligj është pjesë e legjislacionit të rëndësisë së veçantë për të cilin nevojitet shumica e dyfishtë në Kuvend, qeveritë i kanë rënë rrotull duke prekur kompetencat e nivelit lokal me ligje të tjera.

Kësisoj, për secilën pikë të kompetencave vetjake të komunave të përcaktuara me Ligjin për vetëqeverisje lokale ekziston një ligj tjetër, i cili ua merr ato kompetenca apo e mjegullon përgjegjësinë në mes të komunave dhe nivelit qendror. Në një raport të Institutit GAP të vitit 2017, të titulluar “Sa kanë kompetenca vetjake komunat?”, del se në fushat si: zhvillimi ekonomik lokal, furnizimi me ujë, menaxhimi i mbeturinave, shëndetësia primare, mbrojtja e mjedisit, dokumentacioni civil, reagimi ndaj emergjencave, komunat nuk ushtrojnë kompetenca të plota dhe varen shumë nga pushteti qendror.

Për shembull, dështimi i Agjencisë së Regjistrimit Civil, e cila funksionin në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për të siguruar me kohë letër për shtypjen e certifikatave të lindjes paralizon punën e të gjitha administratave lokale, ashtu siç ka ndodhur në shumë raste. Dështimi i Ministrisë së Ekonomisë për të menaxhuar si duhet ndërmarrjet publike për furnizim me ujë ndikon në përshtypjet e qytetarëve ndaj të zgjedhurve në nivel lokal. Dështimet në Kompaninë për Menaxhimin e Deponive të Mbeturinave, si ndërmarrje publike qendrore, ndikojnë në grumbullimin e mbeturinave në të gjitha komunat. Krijimi i zonave ekonomike apo ndërmarrjeve publike lokale varet nga disponimi i nivelit qendror.

Të njëjtat pengesa i has edhe Komuna e Prishtinës, si kryeqytet, statusi i së cilës rregullohet me ligj të veçantë. Me gjithë që është aprovuar Ligji për Prishtinën, i cili ndër të tjera parasheh edhe themelimin e policisë së kryeqytetit, deri më tani Ministria e Punëve të Brendshme e ka bllokuar këtë proces. Rrjedhimisht Prishtina, si të gjitha komunat e tjera, përballet me probleme bazike, siç është lëvizja e papenguar e qytetarëve nëpër trotuare.

Shembull tjetër është Komuna e Obiliqit. Problemi kryesor me të cilin përballen qytetarët e Obiliqit është ndotja e ajrit që shkaktohet nga aktiviteti i termocentraleve dhe mihjeve, si dhe nga deponitë e mbeturinave. Të gjitha këto janë përgjegjësi e nivelit qendror, zgjidhja e të cilave tejkalon kompetencat e komunës. Për të trajtuar këtë problem, në vitin 2016 u aprovua Ligji për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit, i cili ashtu sikurse Ligji për Prishtinën nuk solli asnjë përfitim praktik për komunën.

Së fundmi është shfaqur një problem tjetër në mes të komunave dhe nivelit qendror: ai i menaxhimit me arsimin fillor dhe të mesëm. Me gjithë që komunat kanë kompetenca të mjaftueshme ligjore për të organizuar rrjetin e shkollave në territorin e tyre, prapëseprapë Ministria e Arsimit dhe Shkencës ndërhyn në kompetencat e përcaktuara qartë të nivelit lokal.

Komuna e Kamenicës, e cila dy vjet më parë ndërmori një nismë për mbylljen e gjysmës së objekteve shkollore, për shkak të rënies deri në 44% të numrit të nxënësve në shkolla, nuk e ka pasur mbështetjen e MASH-it për këtë reformë. Në vitin 2020, MASH-i i kërkoi Komunës së Kamenicës që të pezullonte për një kohë reformën në rrjetin e shkollave. Kurse më 2021 MASH-i mori vendim që 441 nxënësit e Komunës së Kamenicës, të cilët nuk kishin vijuar shkollimin si shenjë proteste ndaj reformave në arsim, do të ndjekin mësimin e përshpejtuar. Kjo ka sjellë konfuzion tek nxënësit dhe prindërit, si dhe akuza të ndërsjella mes kryetarit të Komunës dhe udhëheqësve të MASH-it.

Me rregullativën e tanishme komunat më shumë shërbejnë si njësi administrative për zbatimin e politikave të nivelit qendror sesa të vendosin politikat e tyre. Kjo ka sjellë një uniformitet në komuna, ku ndryshimet janë të pamundshme. Të vetmit që dalin të kënaqur nga pushteti komunal janë ata kryetarë komunash, të cilët mjaftohen me punën administrative dhe menaxhimin e tenderëve.

Me Programin legjislativ për vitin 2021, Qeveria Kurti parasheh edhe plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për vetëqeverisje lokale. Ndryshimi i tij do të jetë i vështirë për shkak të bllokadës që mund të shkaktojnë deputetët e komunitetit serb. Por, në rast se ndryshimi i ligjit është i suksesshëm, atëherë duhet që me ligj të ri komunat të kenë kompetenca më të qarta dhe komunikim më të mirë me nivelin qendror. Po ashtu, duhet të krijohet një asimetri e kompetencave mes komunave dhe të mos barazohen, për shembull, Prishtina, e cila ka afër 300 mijë banorë, me Junikun, që ka rreth gjashtë mijë banorë. Po ashtu, komunat duhet të kenë më shumë kompetenca sa i përket themelimit të ndërmarrjeve komunale, shërbimet publike dhe organizimin e punës së policisë në territorin e komunës.

Në rast se edhe kësaj radhe dështon ndryshimi i Ligjit për vetëqeverisje lokale, Qeveria duhet të ndërmarrë një nismë për eliminimin e konfliktit të kompetencave përmes ndryshimit të ligjeve tjera sektoriale, kalimi i të cilave në Kuvend nuk kërkon shumicën e dyfishtë.

Në të kundërtën, në rast se vazhdohet me gjendjen e tanishme, më e arsyeshme do të ishte që pushteti qendror t’i emëronte kryetarët që të administronin komunat, sikurse në kohën e UNMIK-ut, sesa të mbahen zgjedhje të kushtueshme e të krijohet përshtypja kinse komunat janë njësi e vetëqeverisjes lokale.