Askush nuk do ta kishte menduar para 21 vjetësh që sot do të vinte dita që sërish të na tmerronte një foshnjë në ballinë. Fotoja e këtij tetori tregon që Kosova ka harruar djaloshin me biberon të tetorit të ’98-s. Ka harruar flijimin e tij që sot foshnjat të mos jenë më viktima. Ka harruar flijimin e familjes Delijaj dhe të shumë familjeve të tjera që sot ta kemi shtetin që ka kushtuar shtrenjtë e ta ruajmë atë
Këtë tetor fotoja e një balline të “Kohës Ditore” iu kushtua një vajzukeje.
Tetorin e para 21 vjetësh, fotoja e një balline të “Kohës Ditore” iu pati kushtuar një djaloshi.
Të dyja foshnja.
Vajzuka e tetorit të 2019-s kishte të veshur një bluzë ngjyrë pembe. Djaloshi i tetorit të 1998-s, një triko të bardhë me vija të kaltra, dhe mbi të një pulovër ngjyrë pembe.
***
Askush nuk do ta kishte menduar para 21 vjetësh që sot do të vinte dita që sërish të na tmerronte një foshnjë në ballinë. Fotoja e këtij tetori tregon që Kosova ka harruar djaloshin me biberon të tetorit të ’98-s. Ka harruar flijimin e tij që sot foshnjat të mos jenë më viktima. Ka harruar flijimin e familjes Delijaj dhe të shumë familjeve të tjera që sot ta kemi shtetin që ka kushtuar shtrenjtë e ta ruajmë atë.
Çfarëdolloj fjale që e shkruan dhe sado fjalë që i shkruan për ta ilustruar ndjenjën që të shkakton pamja e një fëmije viktimë është e kotë. Djaloshi me biberon është dhimbje që të vret sa të jetojë fotoja e tij. Këta që e kanë udhëhequr e që e udhëheqin Kosovën do të duhej ta shikonin për çdo ditë para se të niseshin në punë.
Vajzuka e Bitisë dhemb më shumë kur e kujton djaloshin e Abrisë. Rrëfimi i tij na e ka sjellë lirinë, por cili është rrëfimi i saj?
Vajzuka është gjallë, por e frikësuar. Edhe një javë pasi zuri ballinën e gazetës i ka sytë e skuqur. Gjyshi i saj ia ka treguar gazetës ngjarjen e 8 tetorit.
***
Ka gjashtë vjet që banorët e Bitisë luftojnë në mbrojtje të jetës në fshatin e tyre. Pothuajse të gjitha familjet atje jetojnë nga toka. Bujqësia e blegtoria. Përveç për ta pirë e për t’u larë, uji atyre u duhet për të ujitur. Për këtë natyra ua ka falur lumin. Për të jetuar, pra.
Këtë të drejtë Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Shtërpcës kanë vendosur që t’ua marrin. Ia kanë mundësuar një kompanie që ta fusë lumin në gypa dhe atë ta përdorë për të prodhuar një grimce rrymë dhe atë ta shesë me tarifa të shtrenjta, ngase e quajnë ‘energji të ripërtërishme’. Qeveria e Komuna thonë se prodhimi i kësaj energjie nuk ndot, por e kanë gabim.
Ekspertët flasin për humbje të habitateve natyrore në lumë nga kontaminimi i rrjedhës së tij me vajra dhe turbullira gjatë ndërtimit. Flasin për debalancim të ekosistemit në lokacionin ku ngrihet hidrocentrali dhe për pasojë humbje në florë e faunë. Ndërkohë, fshatarëve u shteren krojet e puset, të mbjellat u thahen pa lumin me ujin e të cilit ujisin. Dhe, edhe hiç të mos ishte në pyetje jeta e njerëzve dhe florës e faunës, vdes bukuria që peizazheve ua jep lumi.
Por cili është rrëfimi i vajzukes me bluzë ngjyrë pembe e fytyrë të mbuluar me fashë në ballinën e “Kohës Ditore” të këtij tetori...
Ajo ende nuk e ka mbushur një motmot. Gjyshja e gjyshi, nëna e babai, xhaxhallarët e fëmijët e familjes kishin dalë për të protestuar kundër rinisjes së punimeve në ndërtimin e hidrocentralit, pasi ministri i dorëhequr i Mjedisit hoqi masën ndaluese të licencimit. Investitorit iu hap rruga t’i vazhdojë punimet shpejt e shpejt gjatë vakuumit institucional, meqë një qeveri e re potencialisht do të thoshte ndalesë e re.
Ishte 8 tetori. Ditë me diell, siç ishin edhe ditët e mëhershme. Fshatarët nuk e linin lumin pa i bërë rojë. Për çdo ditë. Por më 8 tetor, forca të shtuara të Policisë Speciale u vunë në mbrojtje të buldozerëve. Fshatarët ishin në anën e kundërt. Një shirit i verdhë i ndante.
Vajzuka ishte në shtëpi me hallën e vet. Ato dëgjuan britma. Vrap halla mori mbesën e doli të shihte çka po ndodhte. Nuk kishte kujt t’ia linte në shtëpi. Të gjithë ishin në protestë. Përnjëherë vajzuka u bë pjesë e betejës frontale. Burrat e uniformuar e neutralizuan rrezikun në tërësi. Dhe, natyrisht se do ta bënin këtë meqë janë të fortë dhe për më shumë edhe të trajnuar. Kështu që pësoi edhe vajzuka. Edhe po t’ia kishte marrë mendja të ikte do ta kishte pasur të vështirë, sepse me siguri ende nuk është mësuar të ecë. Mbase veç zvarritet.
Mediat raportuan se 20 persona kërkuan ndihmë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Brod, e pastaj u dërguan në Spitalin e Shtërpcës. Aty edhe u shkrep fotoja e ballinës së tetorit të këtij viti.
Vajzuka e shtrirë në krevatin e spitalit. Fytyrën e mbuluar me fashë të bardha. Spreji që policët kishin përdorur për t’i shkapërderdhur mbrojtësit e lumit nuk ia kishte kursyer as lëkurën e njomë, e as sytë e vegjël. Afër i qëndron e ëma dhe ulur në të njëjtin krevat edhe një grua me sy të mbuluar me fashë. Në foto shihen edhe duart me dorëza të një mjekeje apo infermiereje, që ua kishte ofruar ndihmën. Vajzuka kishte mbathur një palë çorape, aso që kanë një shtresë lëkure përfundi që ua veshin bebeve kur nisin t’i mësojnë hapat e parë. Ka një palë pantallona të errëta dhe natyrisht bluzën ngjyrë pembe. Duart e këmbët i mban paksa të mbledhura, në pozitë gatishmërie për t’u mbrojtur.
U bë vonë atë natë, më 8 tetor, kur e përfunduam gazetën që do të dilte të nesërmen. Shkova në shtëpi dhe kur e vura kokën në jastëk ndjeva sikur e kisha vajzuken pranë. Dëshiroja ta dija se si po ndihet ajo. A do të mund të bëjë gjumë? A do të trembet natën? Mendoja me çfarë po ia lehtëson e ëma irritimin e syve e të lëkurës.
Pas një jave e kuptova nga fjalët e gjyshit të saj se momentet e vështira i ka tejkaluar, por ende ndihet e frikësuar dhe i ka mbetur pak skuqje rreth syve.
Nuk është kohë lufte. Është kohë vetëshkatërrimi.
***
Ironia më e madhe në rastin e vajzukes qëndron në faktin se Policia e Kosovës nuk ka qenë në anën e banorëve, por të investitorit. Kjo për shkak se nuk e di, ose nuk do që ta dijë, që këtu i jashtëligjshmi është investitori. Ai ka marrë disa pëlqime në Ministrinë e Mjedisit dhe leje ndërtimi në Komunën e Shtërpcës, por nuk mjaftojnë. Ai tashmë operon në katër HC të ndërtuara përgjatë Lepencit pa poseduar fare leje mjedisore. Këtë e ndalon Ligji për Mbrojtjen e Mjedisit. Neni 31, paragrafi 1 i këtij ligji thotë: “Lëshimi në punë i objektit të ndërtuar apo i stabilimenteve dhe pajisjeve që kanë qenë objekt i vlerësimit të ndikimit në mjedis, nuk mund ta fillojë veprimtarinë pa marrjen e lejes mjedisore”.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mjedisit, në Kosovë asnjë hidrocentral i vogël nuk posedon leje mjedisore. Operatorët nisin ndërtimet duke marrë leje nga Komuna, pëlqim nga Ministria e Mjedisit dhe licencë të përkohshme për operim nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Atyre u lejohet investimi milionësh pa pasur kurrfarë garancie se pas përfundimit do të marrin leje mjedisore. Pa leje aktualisht në Kosovë operojnë 14 hidrocentrale të vogla dhe 21 të tjera janë në faza të ndryshme të procesit të ndërtimit.
Vajzuka dhe Bitia mbesin shpresa e vetme e lumenjve të Kosovës dhe amanetit të djaloshit me biberon. Ndërkohë Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka paraparë 77 pika nëpër tërë vendin, ku potencialisht lumenjtë mund të futen nëpër gypa për të prodhuar energji, ndonëse kapaciteti i tyre është i vogël e dëmi shumë i madh.