Prej kohësh forcat e errëta kanë filluar sulmin e tyre mbi demokracinë. Dhe gjatë gjithë kësaj kohe forcat liberale kanë marrë demokracinë për të mirëqenë. Si të paevitueshme. Apo në fjalët e historianit Timothy Snyder kemi trajtuar demokracinë si emër jo si folje. Demokracia nuk është diçka e garantuar. Secili nga ne duhet të japë kontributin e tij që ajo të fitojë dhe të mbijetojë. Njëjtë sikur që sot qytetarët e Ukrainës, Iranit dhe Mjanmarit japin jetën e tyre për të
Jetojmë në një kohë kur është vështirë të gjesh një raport optimist ndërkombëtar. Kështu ishte edhe javën e kaluar me publikimin e raportit “Gjendja globale e demokracisë 2022” nga ana e International IDEA. Raporti i fundit i IDEA-s ofron një pikturë të ngrysur të gjendjes në botë. Një botë e zënë në mes jostabilitetit politik, pabarazisë ekonomike, luftës në Ukrainë, konkurrencës teknologjike, krizës ushqimore dhe energjetike dhe ngritje çmimesh. Nga San Francisko deri në Tokio demokracitë janë në betejë me forcat e errëta për dominimin e civilizimit.
Në Afrikë dekadat e kapjes së shtetit kanë rezultuar në mungesën e elementeve themelore të demokracisë. Lufta në Etiopi ka ngritur dyshimet për gjenocidin. Burkina Faso, Çadi, Guineja dhe Mali kanë qenë nikoqirë të grushteve të shtetit dhe ndryshimit jokushtetues të pushtetit. Vendet sikur Sudani, Benini, Republika Qendrore Afrikane, Komoret, Mauritiusi dhe Nigeria kanë shënuar regres. Në Lindje të Mesme edhe pas një dekade nga Pranvera Arabe qytetarët janë ende në ndjekje të shpresës për ndryshim politik dhe ekonomik. Qytetarët e vendeve sikur Bahrejni, Kuvajti, Omani, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara ende nuk e kanë përjetuar demokracinë; ndërsa Irani, Palestina dhe Tunizia kanë shënuar regres. Në këtë drejtim vendet në Afrikë dhe Lindje të Mesme mbesin vendet më autoritare në botë, por sidoqoftë, me gjithë këtë sfond të zymtë, vendet sikur Kenia, Gambia, Nigeri dhe Zambia kanë qenë pikat e ndritshme të progresit demokratik. Në Azi dhe Paqësor demokracia është në tërheqje, ndërsa autoritarizmi në rritje. Rënia e Mjanmarit dhe sjellja agresive e Kinës janë simbole të këtij trendi. Amerika Latine është rajon i cili ka përjetuar progres më të madh demokratik në histori moderne. Në gjysmë shekull të fundit numri i vendeve demokratike është rritur nga 32% në 84%. Sidoqoftë trendët e viteve të fundit janë arsye për brengosje. Nikaragua, Venezuela dhe Haiti janë shndërruar në vendet autoritare. Vendet sikur Meksika, Bolivia, Salvadori dhe Guatemala kanë shënuar regres. Brazili – vendi më i madh në Amerikën Latine – ishte nikoqir i betejës së ashpër në mes demokracisë dhe autoritarizmit. Nga ana tjetër, vendet sikur Hondurasi, Ekuadori dhe Republika Dominikane kanë qenë pikat e ndritshme të progresit demokratik.
Pra në përgjithësi ajo çfarë shohim anembanë globit është një betejë në mes demokracisë dhe forcave të errëta; dhe sot raportet prestigjioze dhe lajmet ndërkombëtare janë plot tituj alarmantë për “sulmin mbi demokracinë”, por në fakt ky sulm nuk është i ri. Ai ishte këtu prej kohës, vetëm se ne kemi dështuar ta njohim. Që nga zhvillimi i fundit epokal politik, respektivisht rënia e Perdes së Hekurt, shpërbërja e komunizmit dhe Bashkimit Sovjetik, civilizimi ka perceptuar demokracinë si epilog dhe rezultat të paevitueshëm. Demokracia u konsiderua si stad i ardhshëm dhe i natyrshëm i progresit linear të civilizimit. Demokracia ishte fituese e betejës me komunizmin dhe si e tillë produkt më sublim i avancimit njerëzor. Apo për të huazuar nga titulli i librit të famshëm civilizimi kishte arritur në “Fundin e historisë”.
Problemi i kësaj qasjeje ishte se ajo vendosi civilizimin dhe demokracitë në auto-pilot. Pra, civilizimi u bë në një sens dembel nën supozimin se kemi arritur perfeksionin e zhvillimit politik. Me shpërbërjen e komunizmit dhe me bindjen se sistemet demokratike janë qartazi e vetmja zgjidhje për të gjitha shtetet në botë, civilizimi çmontoi mekanizmat e vet mbrojtës dhe luftues ndaj alternativave të tjera konkurruese. Ndërkohë forcat e errëta njohën dobësitë e demokracive anembanë botës dhe dalëngadalë filluan përgatitjet për t’u shpallur luftë vendeve demokratike. Kjo luftë filloi ngadalë dhe pastaj menjëherë, për të huazuar nga Hemingueji. Kësisoj u sulmua Kongresi Amerikan, kësisoj një politikane joliberale gati arriti të bëhej presidente e një vendi që për moto të vet ka “Liberté” dhe kësisoj Rusia pushtoj Ukrainën. Fatmirësisht të gjitha këto sulme kanë dështuar – së paku tani për tani. Por, dështimin e tyre nuk duhet konfuzuar me fitore të demokracisë. Pas humbjeve të tyre forcat e errëta janë duke përditësuar arsenalin e tyre autoritar dhe në pritje të zgjedhjeve të reja. Anembanë botës politikanët joliberalë ende përfaqësojnë vullnetin e miliona qytetarëve. Po ashtu ata kanë ngritur aleancat autoritare në mes vete. Kësisoj Trumpi ka kuptuar se aleat më i afërt i tij është Putini se Merkeli. Kësisoj Vuçiqi ka kuptuar se aleat më i afërt i tij është Xi Jinping se Boris Xhonsoni. Dhe kësisoj autokratët konsiderojnë se kanë humbur betejën, jo luftën.
Pra, ajo çfarë po mundohem të them është se prej kohësh forcat e errëta kanë filluar sulmin e tyre mbi demokracinë. Dhe gjatë gjithë kësaj kohe forcat liberale kanë marrë demokracinë për të mirëqenë. Si të paevitueshme. Apo në fjalët e historianit Timothy Snyder kemi trajtuar demokracinë si emër jo si folje. Demokracia nuk është diçka e garantuar. Secili nga ne duhet të japë kontributin që ajo të fitojë dhe të mbijetojë. Njëjtë sikur që sot qytetarët e Ukrainës, Iranit dhe Mjanmarit japin jetën e tyre për të.
Duke u kthyer tani më afër rajonit tonë, raporti i fundit i IDEA-s për gjendjen e demokracisë në botë është një dëshmi e radhës për suksesin e Kosovës dhe dështimin e Serbisë. Ndërsa Serbia është tani i vetmi vend në rajon që nuk konsiderohet më demokraci, Kosova ka njohur vetëm progres në çdo fushë të vlerësimit demokratik. Nga organizimi i zgjedhjeve, kontrollit të qeverisë, integritetit të mediave, e deri tek pavarësia e administratës publike, Kosova është vend me progres më të madh në gjithë rajonin tonë. Dhe tani, kur festojmë vitin e pesëmbëdhjetë të Pavarësisë sonë, është e mirëseardhur të njohim progresin që kemi bërë. Nga mënyra qysh organizojmë zgjedhje e deri tek ushtarët, sopranot dhe xhudistët e vendit tonë, Kosova është storie e suksesit.