Pa marrë parasysh se kush do të fitojë në zgjedhjet presidenciale në Turqi, shoqëria e këtij vendi tejet të rëndësishëm është e polarizuar. Erdogan në periudhën e gjatë sa është në pushtet ka pasur episode të ndryshme në raporte me aleatët në NATO dhe me Bashkimin Evropian, herë duke i qortuar e herë duke bashkëpunuar me ta. Por as BE-ja nuk ka qenë asnjëherë e sinqertë me Turqinë. Pas zgjedhjeve do të duhej të relaksoheshin raportet, sepse Turqia dhe BE-ja kanë një varshmëri nga njëra- tjetra
Një vjeshtën e vitit 2005 në Luksemburg, Bashkimi Evropian formalisht hapi negociatat e anëtarësimit me Turqinë pas shumë vjetësh pritjeje. Ndodhi kjo vetëm një orë para se negociatat e njëjta të hapeshin edhe me Kroacinë. Përderisa Kroacia në verën e vitit 2013 u bë edhe formalisht anëtare e Bashkimit Evropian, Turqia nuk ka lëvizur shumë në këtë proces. Për më tepër, që nga viti 2016 procesi është ngrirë edhe pse formalisht nuk është hequr dorë nga synimi që edhe Turqia një ditë të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.
Sot Turqia jo vetëm se nuk i është afruar Bashkimit Evropian, por ka lëvizur në drejtim të kundërt. Vetë BE-ja në raportet e progresit për vendet në procesin e zgjerimit si të tillë e trajton edhe Turqinë, vazhdimisht nënvizon se ka “ecje prapa” në përafrimin me standardet e BE-së, sidomos me ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, lirinë e shprehjes dhe me liritë politike. Dhe për BE-në problem serioz e pengesë e pakapërcyeshme vazhdon të jetë edhe qëndrimi ndaj Qipros, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian, ndërsa pjesën e saj veriore e mbajnë turqit qipriotë me mbështetjen e Turqisë.
Raportet mes Perëndimit dhe Turqisë kanë qenë gjithmonë specifike. Të dyja palët janë të vetëdijshme se sa kanë ndërvarësi mes vete. Turqia është vërtet për shumë gjëra ura kryesore mes Lindjes dhe Perëndimit. Zhvillimi i saj ekonomikë varet shumë nga tregtia me vendet e BE-së dhe ato të Perëndimit. Miliona qytetarë të Turqisë jetojnë dhe punojnë në vendet perëndimore dhe kontributi i tyre edhe për ekonominë turke është me rëndësi të veçantë. Por në anën tjetër as BE-ja nuk mund ta paramendojë një situatë në të cilën nuk do të kishte bashkëpunim me Turqinë në çështjet si menaxhimi i migracionit ilegal dhe qasja ndaj Lindjes së Mesme. Në anën tjetër Turqia, me gjithë problemet për shkak të hezitimit që t’i bashkohet tërësisht politikës së Perëndimit ndaj Rusisë, ka qenë gjithmonë një prej vendeve kryesore të NATO-s. Raportet me Perëndimin në Turqi janë përdorur nga Erdogani sipas nevojës. Kur ka dashur që të përfitojë mbështetje popullore e ka akuzuar Evropën, shpesh edhe Amerikën, për “hipokrizi, gënjeshtra, islamofobi” dhe gjithçka tjetër. Asnjëherë për shembull për liderin e Rusisë, Putin, nuk ka folur me gjuhën që e ka përdorur për disa politikanë evropiano-perëndimorë. Por Erdogani, në fund të fundit kur ka qenë nevoja ka gjetur zgjidhje edhe për bashkëveprim me Perëndimin. Në këtë mënyrë raportet janë gjithmonë mes tensioneve dhe bashkëpunimit, mes mungesës së besimit në njërën anë dhe të vetëdijesimit se bashkëpunimi nuk ka alternativë.
Por nuk duhet drejtuar gishtin vetëm nga Erdogani për komplikimet në raportet mes Turqisë dhe BE-së. Sepse edhe po të ishte dikush tjetër në pushtet, vështirë që BE-ja do ta ndryshonte shumë qëndrimin sa i përket mundësisë që Turqia një ditë të bëhet anëtare. Në këtë më nuk beson askush. Vështirë që në Turqi, po ashtu, dikush beson se ky vend do të bëhet anëtar i BE-së. Thjesht, Turqia është tepër e madhe për t’u bërë anëtare e BE-së. Në anën tjetër, për standarde të BE-së është edhe jo aq e pasur. BE-ja nuk do të mund ta përballonte një shtet të tillë, i cili që tani supozohet se ka më shumë banorë sesa Gjermania, shteti më i madh i BE-së. Sjellja e Turqisë në NATO në rastin e bllokimit të anëtarësimit të Suedisë ka ndikuar që të rritet kujdesi dhe dyshimi për lojalitetin e Turqisë si aleate. Disa diplomatë evropianë e kanë parë këtë edhe si një vërejtje se çfarë do të ndodhte me BE-në sikur Turqia të ishte anëtare në kohën kur edhe ashtu miratimi i vendimeve në një union të zgjeruar është bërë shumë i vështirë.
Mënyra se si Erdogani ushtron pushtetin nuk është sipas standardeve demokratike të BE-së, por as BE-ja më nuk mund të mburret shumë, pasi brenda saj ka shtete që kanë atribute të autokracive. Është i gabueshëm dhe krahasimi i Turqisë me Rusinë. Turqia ka një traditë demokratike që Rusia nuk e ka pasur asnjëherë. Në Turqi opozita është aktive dhe ka një mbështetje të madhe që në Rusi nuk është ashtu. Erdogani ka humbur pushtetin lokal në qytetet kryesore që Putini, për shembull, nuk do ta lejonte asnjëherë. Dhe shoqëria turke ka edhe kapacitet demokratik që nuk e ka ajo në Rusi.
Pa marrë parasysh se kush do të fitojë në zgjedhjet presidenciale në Turqi, shoqëria e këtij vendi tejet të rëndësishëm është e polarizuar. Erdogani në periudhën e gjatë sa është në pushtet ka pasur episode të ndryshme në raport me aleatët në NATO dhe me Bashkimin Evropian, herë duke i qortuar e herë duke bashkëpunuar me ta. Por as BE-ja nuk ka qenë asnjëherë e sinqertë me Turqinë. Pas zgjedhjeve do të duhej të relaksoheshin raportet, sepse Turqia dhe BE-ja kanë një varshmëri nga njëra-tjetra.
Raportet mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian janë aq të rëndësishme saqë nuk mund të varen nga fakti se kush është në pushtet në cilin moment. Por përgjigjen formale se a e do vërtet BE-ja një ditë Turqinë si anëtare të saj dhe a dëshiron Turqia vërtet të bëhet anëtare formale, nuk do ta marrin në një të ardhme të afërt.