Më shumë se dy dekada më parë, mediat zvicerane e përshkruanin Brezovicën si qendrën e dytë më të madhe të skijimit në ish-Jugosllavi. Me pista që shtrihen në 2500 metra lartësi, lëshime vertikale prej 1600 metrash dhe një pamje të jashtëzakonshme që kap horizontin e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Brezovica ka gjithçka që i duhet një destinacioni dimëror. Aty janë mbajtur gara ndërkombëtare dhe kampionate rajonale. Infrastruktura është modeste, por përjetimi mbetet autentik dhe i paharrueshëm. Krahasimet me Zillertalin në Austri apo Engelbergun në Zvicër, dy nga destinacionet më të njohura të sporteve dimërore në Alpet Evropiane, nuk janë të ekzagjeruara, por të merituara, vinin në përfundim zviceranët.
Rreth vitit 2010, një gazetë austriake vinte në dukje se bora në Brezovicë është e garantuar. Turistët, që shfaqen vetëm fundjavave dhe tre teleferikë funksionalë mbanin gjallë qendrën që ende quhet “resorti më i sigurt për borë në Ballkan”, por që operon shumë poshtë potencialit të tij të vërtetë.
Një perlë e fjetur
Brezovica mbetet një perlë e fjetur. Me klimë ideale, peizazh magjepsës dhe borë natyrore në sasi që ia kalon shumë resorteve të Evropës, i mungon vetëm vizioni afatgjatë, investimi serioz dhe menaxhimi i qëndrueshëm. Në një kohë kur Kosova kërkon modele zhvillimi dhe diversifikim ekonomik, Brezovica nuk duhet parë si një relikt, por si një mundësi reale për të ardhmen.
Tentime për ta aktivizuar dhe modernizuar Brezovicën ka pasur disa herë. Në vitin 2005 Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, paraardhësja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kishte nxjerrë Brezovicën në privatizim, por më pas e kishte tërhequr sërish. Procedura e papërshtatshme e privatizimit, por para së gjithash intervenimet dhe kampanjat e qeverisë serbe kundër këtij procesi, kishin dekurajuar investitorë seriozë të përfshiheshin.
Më vonë Brezovica u vendos nën administrim të drejtpërdrejtë të AKP-së, por qendra e skijimit në Malet e Sharrit, që di të numërojë deri në 280 ditë me borë, mbeti në vendnumërim. Oferta e Brezovicës sot kufizohet në dy hotele të stërvjetëruara dhe ski liftë të amortizuar.
Pas pavarësisë ishte nisur një proces i ri, që kishte për qëllim një investim prej rreth 400 milionë eurosh. Investitorë të ndryshëm nga Evropa dhe Amerika kishin shfaqur interesim, por i gjithë procesi më në fund kishte dështuar, për arsye që edhe sot e kësaj dite mbeten të paqarta. Megjithatë, ende nuk është vonë. E ndodhur në një lokacion të volitshëm, me aeroportet e Prishtinës dhe Shkupit në afërsi dhe autostradën moderne përbri, Brezovica brenda më së shumti pesë vjetëve mund të transformohet në një nga qendrat më të mira të Evropës.
Potencialet e Brezovicës
Me projektim dhe investime të mençura, Brezovica mund të arrijë deri në 100 km staza të ndërlidhura skijimi, me një kapacitet prej 15 mijë skijatorësh në të njëjtën kohë. Ajo mund të bëhet qendër e organizimit të garave ndërkombëtare, falë edhe sezonit të gjatë të skijimit, e cila mund të zgjatet me përdorimin e makinerisë për borë artificiale.
Brezovica ka mundësi të bëhet një destinacion gjithëvjetor i turizmit, dimrit për skijim, verës për ecje malore, çiklizëm malor e sporte të ndryshme, kamping veror e aqua parks, me potencial tërheqjeje të turistëve nga e gjithë bota. Kapacitetet e resortit mund të rriten dukshëm, nëse oferta pasurohet përmes bashkëpunimit me Kodrën e Diellit në Tetovë, duke shndërruar turizmin rajonal dhe malet e Sharrit në një destinacion të integruar dhe unik për turistët nga Evropa dhe më gjerë.
Me arritjen e kapaciteteve të plota dhe sipas një skenari konservativ, nga të hyrat e ski pass-it, fjetjeve dhe shpenzimeve përcjellëse, vetëm nga skijimi Brezovica mund të gjenerojë të hyra vjetore prej 170 deri në 200 milionë euro. Kjo nuk është thjesht një ëndërr, por një mundësi konkrete, që duhet të kthehet në realitet.
Efektet përtej turizmit
Zhvillimi i Brezovicës do të kishte efekte shumëdimensionale. Do të rriste ndjeshëm numrin e turistëve në Kosovë, jo vetëm nga rajoni, por edhe nga Evropa (sidomos ajo lindore), Lindja e Mesme dhe ShBA-ja. Si një destinacion i ri, i përballueshëm financiarisht dhe me dy aeroporte ndërkombëtare në afërsi, Brezovica mund të shndërrohet në një vend të preferuar për pushime dimërore dhe verore.
Por përfitimet nuk do të ndaleshin këtu. Kërkesa për produkte lokale (fruta, perime, mish, produkte qumështi, pije etj.) do të nxiste një rilindje rurale në rajonin përreth. Bujqit dhe prodhuesit vendas do të përfitonin nga një treg i qëndrueshëm dhe i afërt. Industria përpunuese dhe zinxhirët e furnizimit do të zhvilloheshin paralelisht.
Zhvillimi i resortit do të krijonte mbi 1,500 vende pune direkte dhe përmes efektit të multiplikatorit edhe rreth 1,000 vende të tjera indirekte, në ndërtim, logjistikë, turizëm dhe shërbime mbështetëse. Ky do të ishte një injeksion i fortë në ekonominë vendore dhe rajonale.
Brezovica do të ishte gjithashtu një kartolinë e re për Kosovën: një storje e suksesit të planifikimit afatgjatë, i bashkëpunimit publiko-privat dhe i ndërtimit të imazhit ndërkombëtar përmes investimeve dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Si tutje?
Qeveria duhet të nxjerrë nga sirtari planet e vjetra për zhvillimin e Brezovicës e t’i riaktualizojë ato në vijë me kërkesat e sotme të tregut. Është koha për një strategji të re, ambicioze, por të realizueshme. Duhet të hartohet një plan zhvillimor, i bazuar në parimet e Partneritetit Publiko-Privat (PPP) dhe i përqendruar në zhvillimin e infrastrukturës, menaxhimin profesional dhe mbrojtjen e mjedisit.
Me një investim prej rreth 350 milionë eurosh, resorti do të mund të arrinte kapacitetet e veta të plota brenda pesë vjetësh. Pjesa më e madhe e kësaj shume mund të sigurohet nga investitorë privatë (vendorë, mërgimtarë dhe të huaj) përmes një modeli të mirëfilltë të PPP, që ruan interesin publik dhe siguron kthim afatgjatë për investitorët.
Për të tërhequr kapital, Kosova duhet të prezantojë këtë projekt si një investim strategjik nacional, të promovuar aktivisht në forume ndërkombëtare dhe në bashkëpunim me bankat zhvillimore si BERZH, Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Botërore.
Nga mosaktivizimi i Brezovicës, për 20 vjet Kosova ka humbur potencialisht 4 miliardë euro në të hyra. Çdo vit i humbur është një sezon më pak, një mundësi e radhës që shkon huq. Koha për Brezovicën është tani. Nëse e trajtojmë këtë projekt siç e meriton, me vizion, seriozitet dhe partneritet, Brezovica mund të bëhet jo vetëm një qendër skijimi, por një pikë referimi për zhvillimin ekonomik të vendit.