Edhe disa ditë e mbase po shpëtojmë nga këto temperatura të larta, prej të cilave edhe zhapiku ka kokëdhimbje, ndërsa veza piqet në diell.
Dy muaj thatësi ekstreme sikur po i përshtatet thatësisë që kemi në jetën shoqërore, politike, thatësisë nëpër xhepa, në konto, në zemër. Thatë tokat pjellore, thatë fabrikat e dikurshme. Thatë edhe në Kuvend, thatë në Qeveri, thatë buxheti, thatë rezervat e qymyrit, thatë muhabetet e politikanëve, thatë numrat, thatë mundësitë. Edhe populli i ngratë po flet e po vepron çka po i thotë mendja e tij e thatë.
Korsia e krushqive
Por për të mos thënë se është krejt zi, kjo thatësi nuk ka depërtuar ende nëpër rrugë e autostrada, salla banketesh, dyqane nusesh, e salla me parukierë, grimerë, manekyrë, pedikerë, heqjedhjamerë, botoxerë dhe shumë “...erë, erë” të tjerë. Fillimisht, plazhet me dasmorë janë përplot.
Muzikë tallava në kupë të qiellit, njerëz që heqin valle nëpër rërë, ca me dimi, ca me brekë të larjes. Bile për nostalgjikët e Jugosllavisë, akoma mund të gjeni plazhe shqiptare me muzikë të Cecës dhe të Draganës.
Ani kur ma dridhin zanin si telin e gajdes, të merr malli për teta Zhivkën, çika Ljubën ose ndonjë komshi tjetër sevdalli, të cilët e adhuronin muzikën folk, ama kryekëput e njëjtë si kjo e estradës sonë. Sidomos të atyre që këndojnë balada zemërthyese, zemërçkyese e zemërshpërthyese në stilin “o tradhtar , shko puthi buzët e asaj…” Vërtet shumë po na e kopjon artin Serbia, bash po e tepron. Se për të dhimbshme, vërtet po ta luajnë trurin. Ec e mos qaj. Ec e mos u trano. Ta prish plazhin bre, kur të kujtohen ato tri dashnorët e Esmegylave e Esmeralldave, që i shikon tri herë në ditë në televizionet kombëtare, plus reprizën.
Sidoqoftë, plazhe me dasmorë vërtet ka plot, ama edhe dasmorë të veshur si për plazh nëpër bankete ka po ashtu shumë. Fustane që më shumë zbulojnë se mbulojnë, të pasme me tanga që hedhin kokën jashtë pëlhurave të holla, gra e vajza që e kanë keqkuptuar rolin e sutjenave ose pjesës së epërme të kostimit për plazh. Grimi që noton bashkë me djersët në fytyrat e lumtura me qeshjen e kuqe vesh më vesh. Gjithkush e gjen lumturinë sipas mënyrës së vet. Edhe derri në baltë.
Nëpër rrugë kolona të dasmorëve me tipa e tipesha ulur dritareve e të kapur për tavani sheh përditë. Çuditërisht, policët e dënojnë pa mëshirë ndonjë pensionist që nuk e ka vënë rripin se i jep siklet, dhe nuk e vërejnë turmën e dykëmbëshave në vetura të vezulluara duke bërë kërdinë në komunikacion.
Gra të veshura krejt xixa, me fytyrat plot akllëk, këndojnë “ojeojeo” e i mëshojnë defit brenda e jashtë veturave. Nuk e di a mund ta marrë dikush në konsiderim këtë që po them, ama askund si në Kosovë nuk ka nevojë më shumë për një korsi apostafat veç për krushq e për dasmorë. Verës do të shfrytëzohej për dasma, dimrit për veturat e shpejta të politikanëve. Kishte për t’ia nxjerrë paret qysh vitin e parë.
Ah, po shkrihem kur po mendoj se si do ta kishin zbukuruar komplet nëpër dy rrethojat me lule plastike e shirita vezullues që përdoren për bredhin e vitit të ri me ndonjë, qaty tender të thjeshtë, disa milionësh. Do të kishte anash kioska për ftesa, martesa zyrtare, oriz e grurë, kënaçe për t’u lidhur pas veture, ndonjë instant vjehërr nëse nuk ka qëlluar për shembull në Kosovë ose gjallë, bile edhe nuse zëvendësuese, nëse për shembull, largqoftë, kjo e para arratiset me dikë tjetër e familjen e mbulon turpi nga dështimi i banketit dhe bakllavave. Edhe një këshillë falas: Mos gaboni të mendoni bile për frizurën, thonjtë apo grimin profesional këto ditë vere. Të gjithë këta “profesionistë” janë të superzënë tani duke prerë para nga diaspora dhe nuk janë ngushtë për pesë eurot tuaja të mërzitshme. Lëshojini flokët egër, mos bëni fare grim, mos u depiloni e mos i nxirrni kthetrat jashtë. Është koha e të qenit sa më katunarisht seksi.
Tellallët e Facebookut
Eh, tamam mendon njeriu se me motin do të ndryshojnë edhe gjërat e tjera për të mirë, shoh si për inat se ajo thatësia i ka kapluar edhe kanalet televizive. Nuk ka xhanëm ndonjë debat politik as për ilaç. E fort mirë dihet se ne nuk marrim dot frymë pa to. Në vend të tyre tani shikojmë ca emisione me ca trupula estrade që na rrëfejnë për “ jetën e vështirë” të natës, dinarin me djersë dhe buzët fringo me botox. “Mamin e kam menaxhere” , thotë njëra, “ by…n e kam natyrale” thotë tjetra, sikur kloni i së parës, duke ia rrahur vetes prapa dy balonat me silikon si pelë e egër, e të cilat gati sa nuk i mbështet brutalisht për kamerë. Pyetja njëmilionëshe e moderatorëve që qeshin zakonisht kot, shkon përafërsisht kështu: “A është e vërtetë se vetullat i keni bërë tattoo?” ose “A është e vërtetë se ia keni bërë ‘like’ filanes në Instagram?” Dhe derisa trupula mendohet sikur do ta zbulojë grimcën e Higgsit, unë gjunjëzohem dhe lutem me vete: “O Zot, faleminderit që na lejon ta kuptojmë e ta mësojmë këtë lajm të rëndësishëm. Merre me mend nëse vajza nuk do të na e rrëfente këtë sekret. Çka do të bëhej prej nesh.
Si do të mundë ta vazhdonim jetën. Çfarë do të ndodhte me njerëzimin e shkretë. Do të ndalej evolucioni. Po shyqyr që janë këto intervista more njerëz, gjithë kjo mençuri që buron nga goja e këtyre kukullave me playback, ta komplekson edhe Einsteinin për së vdekuri. Në anën tjetër, pikërisht mbase për shkak të mungesës së emisioneve e debateve politike, ku politikanët fosilë, ata të sapokomponuar, ata të shitur e ata të blerë, përrallisnin çdo natë, tanimë fushëbeteja është zhvendosur përkohësisht në terren tjetër.
E ku tjetër pos në Facebook. Pas zgjedhjeve të fundit doli edhe një kategori e re njerëzish, që lirisht mund t’i quajmë tellallë politikë. Këta e quajnë veten politikanë, por nuk e dinë pse as vetë. Thonë që merren me politikë, por në fakt nuk bëjnë asnjë gjë të tillë. Mendojnë se bota sillet rreth tyre, por në fakt këta sillen e mbështillen rreth fjalëve e intrigave të botës. Mendojnë se fjala u ka peshë, por pesha e budallallëkut të tyre nuk përshkruhet me fjalë.
Kap njërin që llomotit tërë ditën plot urrejtje e propaganda kot, kap tjetrën që ia gjuan topin plot helm prapa. Ti bëre kështu, ti bëre ashtu. Ti je i keq, ti je e keqe. Thua ti je në Vanity Fair. E publiku “wwoooow” te njëri, “wooow” te tjetri, sepse edhe ai është kot sikur këta tellallët e partive të veta. Njësoj e përditë. Llaballaballaba. Dhe krejt kjo ma kujton Hajrie Spikericën e Televizionit të okupuar të Prishtinës. Prej kamerieres - pevaçicë, e drejt në studio televizive , Hajria me flokët krejt minivall e me theks “prapadiellit” i jepte lajmet e mbrëmjes. Në atë kohë nuk kishte Facebook, ama Hajrie Spikerica i rregullonte mirë flokët dhe mustaqet sikur për selfie, para se të dilte e të villte vrer për shqiptarët.
Dhe ec e fajësoje të shkretën. Ajo vetëm ka lexuar e folur çka i kanë thënë e çka i kanë shkruar. Ajo veç ka qenë e paguar për ta bërë këtë punë. Thjesht ka qenë tellalli i krimit, pisllëkut, tradhtisë e poshtërsisë. Dhe Hajria e mbante shumë mirë këtë barrë, bile i dukej e lehtë pendël, sepse ajo ishte e gatuar për atë punë. Ia kishte zanat, që thonë. E shijonte, sepse ishte momenti i saj. Dhe ku po dallon sot Hajrie Spikerica e TVP-së me Hajrie e Hajrana të partive e të Facebookut nuk e di. Mbase, sepse këta të dytët nuk kanë minivall.
Dhe përderisa ne u duartrokasim spikericave të reja (dhe kur po them spikericave po mendoj në dy gjinitë), i nxisim edhe më shumë dhe i lejojmë ta bëjnë aq me lehtësi të padurueshme përçarjen e shqiptarëve, gjë për të cilën janë paguar, atëherë nuk kemi pse të ankohemi se na kanë lodhur e bezdisur përditë me fjalë të njëjta e na e kanë mërzitur jetën.
Ata në fakt vetëm po jua tregojnë fundin ku jemi degdisur si popull dhe fytyrën tonë të urrejtjes për njëri-tjetrin. Atë të vërtetën.