OpEd

Koeficienti i kaosit të zgjedhjeve amerikane

Një gjë në krejt këtë mes është e sigurt: zgjedhjet tejet të kontestuara do t’i shkaktonin dëm edhe më të madh imazhit global të Amerikës si një ekzemplar i demokracisë dhe sundimit të ligjit, duke ia minuar fuqinë e saj të butë. Veçanërisht gjatë katër vjetëve të fundit, vendi është parë përherë e më shumë si një rast politikisht i padobishëm

New York, 28 tetor – Sondazhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tash e sa kohë kanë aluduar për mundësinë e vrullit të fuqishëm të Partisë Demokrate në zgjedhjet e 3 nëntorit, me fitoren presidenciale të Joe Bidenit dhe me sigurimin e kontrollit në Senat e ruajtjen e tij në Dhomën e Përfaqësuesve nga demokratët, në atë që do t’i jepte fund një qeverie të ndarë.

Mirëpo, nëse zgjedhjet dalin të jenë vetëm se një referendum për presidentin amerikan Donald Trump, atëherë demokratët mund ta fitojnë vetëm Shtëpinë e Bardhë, por të mos arrijnë që ta rimarrin Senatin. Dhe në këtë rast mund të mos përjashtohet mundësia që Trumpi ta rrahë shtegun e ngushtë të fitores në Kolegjin Elektoral, dhe të ruajtjes së shumicës republikane në Senat, duke e riprodhuar kësisoj status quonë.

Më ogurzezë është gjasa e rezultatit të tejkontestuar, me ç’rast të dyja palët do të refuzonin t’u bindeshin përfundimeve me të zhvilluar beteja të shëmtuara ligjore dhe politike në gjykata, nëpërmjet mediave, dhe edhe nëpër rrugë. Në zgjedhjet e kontestuara të vitit 2000, u desh të kalonte 12 dhjetori që gjërat të gjenin njëfarë përfundimi: Gjykata Supreme vendosi në favor të George W. Bushit dhe rivali i tij demokrat, Al Gore, e pranoi këtë vendim me hijeshi.

I mbërthyer nga paqartësitë politike, tregu i aksioneve gjatë kësaj periudhe ka shënuar rënie më të thellë se 7 për qind. Kësaj radhe, paqartësia mund të zgjasë shumë më tepër – mbase për muaj të tërë – duke i shumëfishuar rreziqet serioze për tregjet.

Ky skenar makthi duhet të trajtohet me seriozitet, ani pse aktualisht mund të duket si i pamundshëm. Derisa Bideni prin vazhdimisht nëpër sondazhe, i këtillë ka qenë rasti edhe me Hillary Clintonin në natën elektorale të 2016-s. Mbetet të shihet nëse do të ketë ngritje të lehtë të votuesve Trump në të ashtuquajturat shtetet “të turpshme” e të pavendosura, duke e pasur parasysh faktin se ata janë të pavullnetshëm për t’i zbardhur preferencat e tyre të përnjëmendta nëpër sondazhe.

Për më tepër, sikurse në rastin e 2016-s, fushata masive të dezinformimit (të huaja dhe vendore) janë përsëri duke u ndërmarrë. Autoritetet amerikane kanë paralajmëruar se Rusia, Kina, Irani dhe fuqitë e tjera armiqësore të huaja janë duke u munduar në mënyrë aktive që të ushtrojnë ndikim në zgjedhje dhe ta vënë në dyshim legjitimitetin e procesit të votimit. Trollët dhe botët po i vërshojnë mediat sociale me teori konspirative, lajme të rreme, gënjeshtra të thella dhe dezinformata. Trumpi dhe disa prej bashkëpartiakëve të tij republikanë kanë përqafuar teoritë e çmendura të konspiracionit, si QAnon, dhe kanë sinjalizuar mbështetjen e tyre të nënkuptuar për grupet e supremacistëve të bardhë. Në shumë shtete të kontrolluara nga republikanët, guvernatorët dhe zyrtarët e tjerë publikë kanë përdorur haptas truçe të ndyra për shtypjen e votave të grupeve që anojnë kah demokratët.

Mbi të gjitha këto, Trumpi ka pretenduar vazhdimisht – në mënyrë të rreme – se votave me postë nuk mund t’u zihet besë, ngase aludon se demokratët do të përbëjnë një hise disproporcionale të atyre që nuk votojnë fizikisht (si një masë mbrojtëse në epokë pandemie). Ai po ashtu ka refuzuar të thotë nëse do ta dorëzonte pushtetin po qe se humb, dhe në vend të kësaj ua ka mbyllur syrin dhe u ka dhënë shenjë miratimi grupeve militante të së djathtës ekstreme (“rrini gati dhe jeni në gatishmëri”), të cilat veçse kanë mbjellë kaos nëpër rrugë dhe kanë përgatitur komplote për akte të brendshme terrorizmi. Nëse Trumpi humb dhe zgjedh të pretendojë se zgjedhjet janë manipuluar, atëherë dhuna dhe konflikti civil mund të bëhen më se të mundshme.

Ç’është e vërteta, nëse rezultatet fillestare të raportuara në natën e zgjedhjeve nuk e nxjerrin menjëherë një fitore bindëse për demokratët, Trumpi pothuajse sigurt mund ta shpallë fitoren në shtetet vendimtare, edhe para se të numërohen votat me postë. Zyrtarë operativë të Partisë Republikane tanimë kanë përgatitur plane për pezullimin e numërimit në shtetet kyç, duke e sfiduar validitetin e këtyre votave. Ata do të zhvillojnë beteja ligjore në kryeqytetet e shteteve të kontrolluara prej republikanëve, në gjykatat lokale dhe federale të mbushura me gjyqtarë të emëruar nga Trumpi, në Gjykatën Supreme me shumicë konservatore prej 6 me 3, dhe në Dhomën e Përfaqësuesve ku, në rast të barazimit në Kolegjin Elektoral, republikanët mbajnë shumicën e delegatëve shtetërorë.

Në të njëjtën kohë, të gjitha grupet e armatosura militante të të bardhëve që janë aktualisht “në gjendje gatishmërie”, do të mund të rroknin rrugët për të nxitur dhunë dhe kaos. Qëllimi do të ishte provokimi i dhunës majtiste, për t’i dhënë Trumpit pretekst që ta aktivizojë Aktin e Kryengritjes dhe të vendosë forcat federale të rendit apo ushtrinë amerikane për rikthimin “e rendit dhe ligjit” (siç më herët ishte kërcënuar që të bënte).

Duke e pasur qartazi në mendje gjithë këtë skenar, administrata Trump tanimë ka cilësuar disa qytete të mëdha të kontrolluara nga demokratët si “qendra anarkiste”, që do të duhej të viheshin në binarë. Me fjalë të tjera, Trumpi dhe besnikët e tij kanë bërë të qartë se do të përdorin çdo mjet të nevojshëm për t’i vjedhur zgjedhjet; dhe, duke e pasur parasysh gamën e gjerë të mjeteve në dispozicion të krahut ekzekutiv, ata edhe mund të korrin sukses, po qe se rezultatet e hershme zgjedhore dalin të jenë të ngushta, e jo t’ia japin Bidenit fitoren e qartë.

Sa për siguri, në rast se rezultatet e hershme në natën e zgjedhjeve e nxjerrin Bidenin në epërsi bindëse në shtetet tradicionalisht republikane, si Karolina Veriore, Florida apo Teksasi, atëherë Trumpi do ta kishte shumë më të vështirë t’i kontestonte rezultatet për më shumë se vetëm disa ditë, dhe do ta pranonte disfatën më shpejt. Problemi është se gjithçka tjetër që nuk është fitore bindëse e Bidenit do t’ia linte Trumpit (dhe qeverive të huaja që e mbështesin atë) të hapur mundësinë për t’i turbulluar ujërat me kaos dhe dezinformata, në kuadër të manovrimit për ta ndryshuar vendimin përfundimtar nëpërmjet mjeteve më përkrahëse, si gjykatat.

Kjo shkallë e jostabilitetit politik mund të nxisë një episod madhor përplot risqe për tregjet financiare, në kohën kur ekonomia veçse po ngadalëson dhe gjasat afatshkurtra për stimulim shtesë politik mbesin të zbehta. Nëse kontesti elektoral tejzgjatet – mbase deri në fillim të vitit të ardhshëm – çmimi i aksioneve mund të bjerë për më shumë se 10 për qind, rendimentet e obligacioneve qeveritare do të pësonin rënie (ndonëse tanimë janë në nivel tejet të ulët) dhe entuziazmi global për siguri do ta rriste edhe më shumë çmimin e arit.

Rëndom në këtë lloj skenari, dollari amerikan fuqizohet; por, për shkak se ky episod i veçantë do të nxitej prej kaosit politik të ushqyer nga SHBA-ja, kapitali mund faktikisht të largohej nga dollari, duke e lënë atë në një pozitë më të dobësuar.

Një gjë në krejt këtë mes është e sigurt: zgjedhjet tejet të kontestuara do t’i shkaktonin dëm edhe më të madh imazhit global të Amerikës si një ekzemplar i demokracisë dhe sundimit të ligjit, duke ia minuar fuqinë e saj të butë. Veçanërisht gjatë katër vjetëve të fundit, vendi është parë përherë e më shumë si një rast politikisht i padobishëm.

Duke shpresuar se rezultatet e këtilla kaotike të numëruara më lart nuk do të gjejnë zbatim në letër – sondazhet edhe më tutje flasin për epërsinë e fuqishme të Bidenit – investuesit do të duhej të përgatiteshin për më të keqen, jo vetëm në ditën e zgjedhjeve, por edhe në javët dhe muajt e mëpasmë.

(Nouriel Roubini, profesor i Ekonomisë në shkollën e biznesit Stern pranë Universitetit të New Yorkut, është udhëheqës i transmetuesit “NeurielToday.com”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).