OpEd

Klerofashizmi dhe mesjeta në shekullin XXI

Nuk dëgjuam asnjë fjalë as nga Dritan Abazoviqi e as nga kryeministri Edi Rama mbi këngën e kënduar gjatë shugurimit për "kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë". Sikur një situatë e ngjashme të kishte ndodhur në Kosovë, ku p.sh. do të zgjidhej myftiu i ri i BIK-ut e ku do të këndoheshin këngë për kthim të një ushtrie shqiptare në Serbi, kjo çështje tashmë do të ishte në tryezën e mbledhjes emergjente të radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në New York. Për këtë gjë jam më se i bindur, pasi që disponojmë me shumë fakte bindëse se gjërat do të rridhnin në atë mënyrë. Sigurisht se në Kosovë ngjarje të ngjashme nuk ka mundësi që të ndodhin, sepse fillimisht Kosova asnjëherë nuk ka qenë pushtuese në toka të të tjerëve dhe as që do të jetë ndonjëherë, dhe së dyti roli i feve dhe i shtetit është plotësisht i ndarë dhe duhet të mbetet i ndarë

Gjumin e kisha shumë të vështirë që ta bëja i qetë pas tragjedisë e cila në orët e mbrëmjes të ditës së mërkurë goditi Spitalin modular në Tetovë. Lajmet e fundit që i lexova tregojnë për 14 të vdekur pas zjarrit të shkaktuar nga eksplodimi i bombolave të oksigjenit. Aty ishin të shtrirë pacientë të sëmurë nga COVID-i, familjarë të tyre të cilët po u qëndronin pranë, si dhe stafi mjekësor.

Sigurisht se hetimet për këtë rast janë ende duke u kryer për të gjetur shkaktarin e kësaj tragjedie. Nga disa portale lajmesh për të cilat assesi nuk mund të them se janë lajme të konfirmuara, thuhet se shkaktari ka qenë faktori njeri. Sa e pështirë është vetëm ta imagjinosh se dikush mund të ketë një mendje aq të qelbur për një akt të tillë, se lëre më ta ekzekutojë atë vepër. Mirëpo nuk do të duheshim që të futeshim në lajme konspirative përderisa organet përgjegjëse janë duke e kryer hetimin e tyre.

Pjesa më e dhimbshme ngelet humbja e jetëve të pafajshme në një ngjarje aq tragjike dhe pikëlluese. Familjarëve të viktimave ua dëshiroj qetësinë dhe durimin për t’u përballur me humbjen dhe dhimbjen e tyre të paimagjinueshme. Në këto momente të vështira për popullatën e Tetovës bashkëndiej thellësisht për tragjedinë e tyre të përjetuar.

***

Ditën e diel, ashtu siç edhe ishte planifikuar, në Cetinë u mbajt shugurimi i kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi. E gjitha kjo u përcoll me protesta të shumta dhe bllokada rrugësh nga malazeztë, të cilët këtë akt jo pafajësisht e shohin si cenim i pavarësisë dhe i rendit ligjor të shtetit. Kisha Ortodokse Serbe nuk e njeh pavarësinë e shtetit të Malit të Zi e rrjedhimisht nuk e njeh as Kishën malazeze.

Dhuna e cila u manifestua ndërmjet protestuesve dhe policisë nëpër rrugët që shpinin për në Cetinë, si dhe në vet qytetin e Cetinës ishte mjaft e theksuar.

Ajo gjë e cila më shqetësoi mua si dhe çdo shqiptar i cili i thërret logjikës së shëndoshë ishte fakti se gjatë shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe, Joanikije, popat kishtarë, si dhe pjesëmarrësit e kësaj ceremonie kënduan këngën "kur të kthehet ushtria në Kosovë".

Në kujtesë i kemi ende të freskëta këngë dhe thirrje e "lutje shpirtërore" të ngjashme për kthimin e Serbisë në Kroaci, pastaj në Bosnjë e së fundmi edhe në Kosovë. Bekimi i ushtarëve dhe i komandantëve ushtarakë serbë para nisjes për në betejat e tyre gjenocidiale bëhej pikërisht nga ky soj i klerikëve të Kishës Ortodokse Serbe.

Fatkeqësisht klerofashizmi serb është gjallë dhe po aq autoritativ siç ka qenë gjithmonë. Shteti serb nuk arriti asnjëherë që ta ndajë veten nga ndikimi i Kishës Ortodokse Serbe. Në fakt, mund lirisht të thuhet se Kisha Ortodokse Serbe është ajo e cila e drejton dhe ndikon në ideologjinë e politikëbërjes serbe dhe këtu çdo gjë është e pastër si loti për të gjithë ata të cilët këtë dukuri e shohin me logjikë të shëndoshë dhe mendje të kthjellët. Çfarëdo aludimi dhe shpjegimi tjetër i kësaj dukurie e cila Ballkanit i shkaktoi trazira ndër shekuj është vetëm se ndihmesë apo thjesht pjesëmarrje në propagandën e politikëbërjes serbomadhe.

I kemi dy figura tragjike shqiptare të zëna në këtë kurth me apo pa vetëdijen e tyre. Ata janë zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Mediat malazeze thonë se ishte pikërisht Abazoviqi ai i cili u përkujdes që kjo ceremoni të zhvillohej dhe që të sigurohej ardhja e Joanikijes në Manastirin e Cetinës për shugurimin e tij. Ai u soll me një helikopter dhe nën përcjelljen e afërt të shumë forcave speciale policore malaziase.

Nuk dëgjuam asnjë fjalë as nga Dritan Abazoviqi e as nga kryeministri Edi Rama mbi këngën e kënduar gjatë shugurimit për "kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë".

Sikur një situatë e ngjashme të kishte ndodhur në Kosovë, ku p.sh. do të zgjidhej myftiu i ri i BIK-ut e ku do të këndoheshin këngë për kthim të një ushtrie shqiptare në Serbi, kjo çështje tashmë do të ishte në tryezën e mbledhjes emergjente të radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në New York. Për këtë gjë jam më se i bindur, pasi që disponojmë me shumë fakte bindëse se gjërat do të rridhnin në atë mënyrë.

Sigurisht se në Kosovë ngjarje të ngjashme nuk ka mundësi që të ndodhin, sepse fillimisht Kosova asnjëherë nuk ka qenë pushtuese në toka të të tjerëve dhe as që do të jetë ndonjëherë, dhe së dyti, roli i feve dhe i shtetit është plotësisht i ndarë dhe duhet të mbetet i ndarë.

Mirëpo të kthehemi tek dy figurat tragjike shqiptare të kurthuar në këtë situatë. Koketimini i zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviq me partitë e djathta serbe të afërta me pushtetin e Serbisë në vete ngërthejnë një mori problematikash për vetë integritetin e shtetit malazias. Aty pala serbe është në kërkim të një dominimi të tyre dhe minimit të vetë shtetësisë dhe kombit malazias. Heshtazi, Dritan Abazoviq është duke u ndihmuar që ata të arrijnë qëllimet e tyre thjesht duke e përdorur atë sikur një piun në tabelën e shahut. Duke qenë se Mali i Zi është edhe anëtar i NATO-s është në interesin e Serbisë, Rusisë e edhe të Kinës që ta destabilizojnë këtë vend në brishtësinë e situatave provokuese. Sigurisht se edhe ngjarjet e fundit në Afganistan vetëm sa i kanë shtuar apetitet e këtyre vendeve për eksploatimin e pikave dhe lidhjeve të dobëta përbrenda NATO-s.

Në anën tjetër, figurën tjetër tragjike shqiptare, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rampa, e përdorin sikur kalin në tabelën e shahut. Për të gjithë njohësit e kësaj loje e dinë se kali në shah i ka lëvizjet në formën e shkronjës "L" e që në autoshkollë është sinonim për "Learner" (dikush që është duke u mësuar). Unë e shoh se edhe në politikë Edi Rama lëvizjet e tij i bën nën siglën "L". Një fjalë nuk iu dëgjua që t’i del nga goja pas ngjarjes së ditës së diel. "L" (Lingua Silentium) "gjuha e qetësisë". Personalisht as që do ta prisja ndonjë reagim nga ana e tij, mirëpo nuk kemi si të mbetemi të heshtur përderisa ai aq hapur e mbështet dhe e kërkon projektin "Open Balkan", të cilin unë momentalisht e shoh si njërën nga ato kafenetë tipike serbe, të njohura si “birtija”, të stërmbushura me çetnikë të etur për gjak, ku nuk dihet as kush pi e as kush paguan. Në fakt, në këtë birtijën "Open Balkan", çekun në fund medoemos se do ta paguanin shqiptarët.

Përderisa shteti i Serbisë nuk e pastron veten plotësisht nga e kaluara e së paku 30 vjetëve të fundit, e edhe pse edhe vitet e shumë mëparshme nuk dallojnë shumë, çdo pjesëmarrje në një projekt me pushtetin i cili nuk i gjykon të gjitha ato masakra dhe gjenocide është njëjtë si të pranosh të marrësh pjesë në një "ballo vampirësh" të cilët herët apo vonë "natyra e stërkequr" i thërret në atë të cilën dinë ta bëjnë më së miri, derdhjen e gjakut të të pafajshmëve dhe aktet gjenocidiale.

Jemi dëshmitarë se si tashmë në Amerikë pas qindra vjetësh hiqen edhe përmendoret e njerëzve apo të udhëheqësve të Konfederatës së atëhershme amerikane të cilët asokohe ishin mbështetës të skllavërisë, siç ishte rasti dje në Richmond me largimin e statujës së gjeneralit Robert E. Lee. Nuk mund t’i tregohet respekt dikujt i cili ka pasur aso qëndrimesh qoftë ajo edhe një e kaluar më e largët.

Gjë e ngjashme ndodh edhe me disa përmendore të ngritura gjatë shekujsh nëpër Angli, të cilët dikur ishin edhe kolonizatorë, edhe tregtarë, edhe skllavopronarë, por edhe "humanistë dhe filantropë", sepse hapën ca shkolla apo universitete apo krijuan fonde për studentë të asaj kohe natyrisht ku zezakët nuk e kishin të drejtën e shkollimit, e këto fondacione ekzistojnë edhe në ditën e sotme. Shembull është p.sh. Edward Colston dhe fondi i tij i cili ende është ekzistues për studentët e Universitetit të Bristolit. Pas vrasjes së George Floyd në Amerikë, trazirat e përcjella edhe në Angli sollën deri te hedhja e përmendores së Edward Colstonit në lumë nga ana e protestuesve.

I mora këta shembuj sepse shoqëritë e zhvilluara e kuptojnë ndarjen e së kaluarës nga zhvillimi i shoqërisë dhe civilizimit të ditëve të sotme.

Fatkeqësisht, pikërisht kjo ndarje e së kaluarës nuk po ndodh me qeveritë serbe, si dhe me Kishën Ortodokse Serbe. Ata ende vazhdojnë që të glorifikojnë figura të errëta të cilat gjatë historisë shkaktuan vetëm tmerre dhe llahtari në të gjithë popujt të cilët ishin të rrethuar me serbët, e në veçanti në popullin shqiptar.

"Open Balkan" thank you but NO, thank you.