Kam pasur tash mundësi të paktën t’i lexoj në shpejtësi akuzat kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe krerëve tjerë të UÇK-së, të akuzuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Ndonëse shtysë ishte raporti i Martyt, Dhomat e Specializuara kanë miratuar një përkufizim të gjerë të krimeve që po hetonin. Unë madje nuk mund të jem i sigurt nëse në aktakuzën e redaktuar përfshihen akuzat e lidhura me trafikim organesh, të pretenduara nga Marty për të cilat, siç ka thënë ai vet, nuk ka dëshmi të mjaftueshme për t’i paraqitur në gjyq. Nëse ato krime në “shtëpinë e verdhë” në veri të Shqipërisë janë të përfshira në këtë aktakuzë, janë vetëm një pjesë e vogël e të tërës.
Ajo që ka bërë gjykata është të akuzojë udhëheqësinë e UÇK-së si një ndërmarrje e përbashkët kriminale që ka kryer me dashje shumë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Viktimat ishin “kundërshtarë” civilë, identiteti i të cilëve nuk është specifikuar, por në mënyrë të qartë përfshin shqiptarë e serbë.
Do të ketë shumë persona në Serbi e disa në Kosovë që do t’u gëzohen aktakuzave. Krimet, ndonjëherë sipas vet aktakuzës të kryera pas abuzimeve të serbëve me civilë, ishin të dukshme gjatë luftës dhe menjëherë pas saj. Ajo që prokurori dëshiron të tregojë është se kriminaliteti nuk ishte sjellje spontane apo e padisiplinuar, por e organizuar, e bashkërenduar dhe drejtuar nga udhëheqësia e lartë e UÇK-së.
Shumë nga detajet janë redaktuar në versionin publik të aktakuzës, por disa me sa duket do të bëhen publike ndërsa gjykata procedon me dëshmitarë dhe prova tjera. Mbrojtja do t’i mohojë akuzat. Ne të gjithë më pas do të kemi mundësinë për të gjykuar vetë vlefshmërinë e portretizimit të UÇK-së të cilën ia bën prokuroria.
Por ajo që është e qartë është karakteri i njëanshëm i kësaj përpjekjeje gjyqësore. Bërja e njerëzve përgjegjës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit duhet të mirëpritet, por të bësh këtë për UÇK-në e jo për forcat serbe të sigurisë, që kanë vrarë shumë më tepër civilë sesa UÇK-ja, është e palogjikshme.
Është e vështirë të mos shihen akuzat aktuale si pjesë e një kthese dramatike amerikane kah Serbia dhe kundër Kosovës. Ndërsa Dhomat e Specializuara u krijuan para ardhjes në pushtet të presidentit Trump, prokurori aktual ishte një përzgjedhje e Trumpit.
U mbajtën tri gjykime ndaj serbëve në Tribunalin Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë, të lidhura me Kosovën. Ish-presidenti i Jugosllavisë, Slobodan Millosheviq, vdiq para se të përfundonte rasti gjyqësor kundër tij. Në dy rastet tjera, gjashtë zyrtarë të lartë të Jugosllavisë dhe Serbisë janë dënuar. Ata po ashtu janë akuzuar për një ndërmarrje të përbashkët kriminale, njëra që kishte synime kundër shqiptarëve në Kosovë e që qartë kërkonte të ndryshonte përbërjen etnike të popullsisë.
Nëse e lexoj në mënyrë korrekte mandatin e Dhomave të Specializuara, ka juridiksion mbi kryerësit serbë në Kosovë gjatë periudhës 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000, ndonëse parlamenti i Serbisë, ndryshe nga Kuvendi i Kosovës, nuk është pajtuar. Pretendimi i prokurorit i të qenit korrekt do të ishte shumë më i fuqishëm nëse do të ngrinte akuza edhe kundër komandantëve serbë në Kosovë gjatë asaj kohe. Ka komandantë që janë drejtpërsëdrejti përgjegjës për krime lufte në Kosovë, dhe për vrasjen e tre shqiptaro-amerikanëve në Serbi pak pas luftës, të cilët ende po gëzojnë pozita të shquara në politikën serbe dhe forca të sigurisë.
Qofshin serbë apo shqiptarë, të akuzuarit janë të pafajshëm derisa të dëshmohet fajësia e tyre, të paktën në gjykatë. Por në mendjen e publikut, reputacioni i UÇK-së do të njolloset nga këto procedura, ndërsa serbët do të shihen në Kosovë se po ia hedhin paq.
Edhe ata shqiptarë që kundërshtonin dhunën në atë kohë – dhe ishin viktima të mundshme sipas kësaj aktakuze – do të ndihen të detyruar të mbrojnë rezistencën ndaj abuzimeve serbe. Ndikimi politik si në Serbi ashtu edhe në Kosovë mund të jetë thelbësor. Të shpresojmë se do të jetë në favor të një mirëkuptimi dhe pajtimit, por unë kam dyshimet e mia.