OpEd

Kina, Kosova e Shqipëria dhe kohezioni i politikës së jashtme të dy shteteve shqiptare

Para pak kohësh Enver Robelli në një analizë mjaft të mprehtë “Palestina si vijë ndarëse mes Prishtinës dhe Tiranës” vë në pah divergjencat ndërmjet dy shteteve shqiptare, të cilat mbajnë dy qëndrime të kundërta për Lindjen e Afërt. Disonanca qëndron me njohjen e Jerusalemit kryeqytet të Izraelit nga Kosova, por jo nga Shqipëria.

Robelli e argumenton mjaft mirë procesin e votimit të Shqipërisë që nga viti 2012 në suaza të Kombeve të Bashkuara në raport me çështjen palestineze. Por, përtej kësaj, ka edhe një dimension tjetër të politikës së jashtme që prek direkt Shqipërinë dhe Kosovën. Ky segment nuk lidhet as me SHBA-të e as me Lindjen e Afërt, por me Lindjen e Largët, përkatësisht me Republikën Popullore të Kinës, edhe atë si për rastësi që nga viti 2012, e cila çuditërisht ka mbetur në heshtje dhe meriton domosdoshmërisht të zbardhet.

Kina e madhe ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës

Kur në vitin 2012 Kina inicoi platformën “16+1”, në të cilën morën pjesë 16 vende evropiane nga Evropa Qendrore, ajo Lindore dhe Juglindore (të gjitha ish-vende komuniste), Shqipëria ishte një nga shtetet pjesëmarrëse në samitin iniciues të Varshavës. Kjo iniciativë u bë një nga udhërrëfyesit e shtrirjes dhe përhapjes së investimeve kineze në Evropë. Kjo platformë politike u institucionalizua në nivel kryetarësh të qeverive, në të cilin forum takohen çdo vit kryeministrat e vendeve pjesëmarrëse. Pas vitit 2019, me pjesëmarrjen e Greqisë, ky forum u “zgjerua” për herë të parë në “17+1”. Pas Varshavës kryeministrat e këtyre vendeve u takuan në Bukuresht (2013), në Beograd (2014), në Suzhou (2015), në Riga (2016), në Budapest (2017), në Sofje (2018) dhe në Dubrovnik (2019). Për më tepër kjo iniciativë përfshin bashkëpunimin e Kinës me vendet evropiane në fusha të ndryshme, sikurse atë të investimeve, transportit, financave, turizmit, shkencës, arsimit dhe kulturës. Sipas burimeve kineze, ndërmjet viteve 2012 dhe 2018 janë organizuar afro 300 aktivitete të ndryshme në fushat e lartcekura.

Realisht indiciet e para për themelimin e platformës “17+1”, si dhe për matjen e pulsit në Evropë, se sa këto shtete janë të gatshme të bashkëpunojnë me Kinën, ishte mbajtur në një “samit joformal” në Budapest në vitin 2011. Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka përfaqësuar Shqipërinë në dy samitet e para dhe nga qershori i vitit 2013 Shqipëria përfaqësohet nga Edi Rama.

Ajo çfarë bie në sy në “Mini-Shëngenin” kinezo-evropian është mospërfshirja e shtetit të vetëm nga Evropa Juglindore: Republikës së Kosovës, ngaqë Kosova nuk njihet si shtet i pavarur nga Kina. Tekefundit, problemi nuk qëndron tek mos pjesëmarrja e Kosovës, por (shpesh) tek mosfigurimi i kufijve të Kosovës në samitet e ndryshme. E për me keq, Kosova u vendos shpeshherë në kuadër të territorit të Republikës të Serbisë. (Për më shumë kliko në linkun zyrtar të samitit). Kështu që, qysh në samitin e parë në Varshavë, delegacioni i Republikës së Shqipërisë nuk ka marrë mundin të ngrejë zërin qoftë ndaj Kinës si iniciuese e këtij samiti, ose qoftë ndaj Polonisë, si nikoqire, ngaqë Polonia e ka njohur shtetin e Kosovës më 26 shkurt 2008.

Në disa nga samitet e tjera nuk ka pasur përdorim të hartave, por përfaqësim të shteteve vetëm me flamuj. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur tek materialet shoqëruese të samiteve. Kur shefat e 16 qeverive evropiane dhe të Kinës u takuan në Rigë të Letonisë, Ministria e Punëve të Jashtme e Letonisë kishte shprehur kundërshtimin e saj zyrtar me përfshirjen e Kosovës nën kufijtë serbë. Gjatë fazës përgatitore të organizimit të këtij samiti në Rigë, organizatorët dhe personat përgjegjës të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Letonisë ishin zmbrapsur si rezultat i presionit kinez (dhe jo atij serb). Njëri nga personat përgjegjës të organizimit të samitit “16+1” në Rigë, i njohur për autorin e këtyre rreshtave, bënte të ditur se “ne letonët mbetëm të vetmuar dhe asnjë shtet tjetër evropianë, duke përfshirë edhe shtetet fqinje të Kosovës, nuk na dolën në ndihmë për të përkrahur qëndrimin tonë”. Kështu që, përballë Kinës së madhe Letonia e vogël u dorëzua. Sakaq, me kalimin e kohës përfshirja e Kosovës nën kufijtë serbë u normalizua, ngaqë asnjë shtet anëtar i iniciativës “17+1” nuk ka reaguar publikisht kundër këtij veprimi. Të paktën nuk ka asnjë reagim distancues. Reagim publik nuk rezulton të ketë pasur as nga Republika e Kosovës. Ajo që vlen në këtë rast për dy shtetet shqiptare është një shprehje kineze, sipas së cilës “jo të gjithë dijetarët duhet të bëhen zyrtarë, por të gjithë zyrtarët duhet të jenë të ditur”.

Njësimi i politikës së jashtme shqiptare me BE-në

Republika e Shqipërisë mund të kritikohet me të drejtë për mungesën e guximit (apo të vigjilencës) për të reaguar ndaj palës kineze për vendosjen e Kosovës brenda kufijve serbë, por Tiranës zyrtare duhet t’i jepen kreditë për votën e saj kundër Kinës në kuadër të Kombeve të Bashkuara dhe që lidhet me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të demokracisë.

Shqipëria ishte në mesin e 23 shteteve evropiano-perëndimore (të udhëhequra nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe), të cilat i bënin thirrje udhëheqjes kineze që t'i jepte fund ndalimit (të të paktën) një milion ujgurëve dhe minoriteteve të tjera në Xinjiang në takimin e Komitetit të Kombeve të Bashkuara për Çështjet Sociale, Humanitare dhe Kulturore në tetor 2019. Kina mobilizoi një koalicion prej 54 shtetesh (të drejtuara nga Bjellorusia), të cilat përmes një deklarate të përbashkët lavdëronin masat e Pekinit për të luftuar terrorizmin, islamizmin dhe radikalizmin në Xinjiang. Nga iniciativa “17+1” vetëm Shqipëria, Estonia, Letonia dhe Lituania votuan kundër Kinës. Serbia ishte i vetmi vend me një perspektivë evropiane që votoi në favor të Kinës, dhe 12 shtete të tjera evropiane për shkak të politikës së tyre “të kujdesshme” ndaj Kinës thjesht abstenuan.

Në korrik të vitit të kaluar 27 shtete perëndimore kritikuan ashpër veprimet e “Mbretërisë së Mesit”, kur kjo e fundit miratoi ligjin e ri të sigurisë kombëtare për Hong-Kongun, i cili i jep kompetenca Pekinit për të ndërhyrë në statusin gjysmautonom të qytetit metropolitan, duke minuar parimin “një vend, dy sisteme”. Kundër grupit të shteteve perëndimore, Kina reagoi me një grup prej 53 shteteve autoritare dhe gjysmautoritare, të cilat mbështetën fuqishëm pozicionin e Kinës në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë. Mali i Zi, Maqedonia Veriore dhe Shqipëria si pjesë e procesit të Stabilizim-Asociimit iu bashkëngjitën Deklaratës së vendeve perëndimore. Republika e Kosovës nuk është përfshirë fare në këtë deklaratë nga BE-ja, ndërsa Serbia nuk ka pranuar t’i bashkohet korit të shteteve perëndimore.

Në këtë pikë domosdo duhet të përmendet roli i presidentit turk, Rexhep Taip Erdoan, të cilin jo pak njerëz e shohin si mbrojtës të myslimanëve në botë. Kur Rexhep Taip Erdoan vizitoi Kinën në korrik të 2019-s, lëre më që nuk doli në mbrojtje të ujgurëve (të cilët etnikisht dhe gjuhësisht janë të afërt me turqit), por thuri elozhe për masat e ndërmarra nga Qeveria kineze për t’i bërë “të lumtur banorët e etnive të ndryshme që jetojnë në rajonin e Xinjiang”. Ndërsa në anën tjetër, bota katolike perëndimore çështjen e kampeve të internimit dhe paraburgimit të ujgurëve myslimanë e quan “gjenocid kulturor”. Nga 53 shtetet mike të Kinës, 23 prej tyre janë shtete arabe apo me shumicë myslimane. Por Shqipëria mbetet shteti i vetëm kritik me shumicë myslimane nga grupi i 27 shteteve perëndimore ndaj Kinës.

Hipokrizia e vendeve islamike nuk mbaron me kaq. Për më tepër, as Organizata për Bashkëpunim Islamike (OBI) që përbëhet prej 56 shteteve me shumicë myslimane nuk ka marrë guximin ta kritikojë Kinën me një deklaratë të përbashkët për çështjen e ujgurëve. Por Turqia dhe OBI-ja i patën reaguar ashpër Qeverisë së Myanmarit për persekutimin e myslimanëve të Rohingyas.

Kur në tetor 2020, 38 shtete demokratike (nën drejtimin e Gjermanisë) kritikuan veprimet e Kinës kundër shtypjes sistematike të ujgurëve dhe kundër miratimit të ligjit të sigurisë kombëtare për Hong-Kongun, Kina përsëri demonstroi fuqinë e saj globale me një koalicion prej 45 vendeve përmes një deklarate të përbashkët, duke i quajtur masat e Qeverisë kineze kundër terrorizmit dhe de-radikalizimit në Xinjiang si një hap të domosdoshëm. Në këtë betejë diplomatike ndërkombëtare, Shqipëria pati guximin të rreshtohej me shtetet liberale dhe të civilizuara të grupit të parë.

Me shembujt e lartcekur Tirana zyrtare ka treguar fuqishëm përkushtim të njësimit të politikës së jashtme me atë të BE-së, ose siç quhet ndryshe “evropianizim” të politikës së jashtme nacionale. Në këtë drejtim, në mbrojtje të vlerave demokratike ndaj shtypjes sistematike nga ana e Kinës, rezulton se Shqipëria ua ka kaluar shumë shteteve të NATO-s dhe BE-së, sikurse Greqisë dhe Hungarisë, por edhe shteteve të tjera evropiane që janë botërisht të njohura si gardianë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, sikurse që është Zvicra (e cila në tetor 2019 tërhoqi nënshkrimin e saj kundër Kinës). Deri këtu jemi në rregull. Por ajo çfarë mbetet për t’u parë është fuqizimi i kohezionit dhe i njësimit paraprakisht të politikës së jashtme brendapërbrenda shqiptare. Ose thënë ndryshe: evropianizim të provincializmit shqiptaro-kosovar.

Dr. Faruk Ajeti është bashkëpunëtor shkencor në Institutin Austriak për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Vjenë.