Nëse shumica e madhe që Kosova mori në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës nuk rezulton me anëtarësim në muajin maj, atëherë kjo fitore do të zbehet. Kosova, sa brengoset se çfarë do të ndodhë me kredibilitetin e Këshillit të Evropës nëse ministrat nuk e përfillin rekomandimin e parlamentarëve, duhet të mendojë se çfarë do të ndodhë me Kosovën në atë rast. E kaluara dëshmon se mosshfrytëzimi i rasteve shpesh është shndërruar në vonesa të mëdha për Kosovën
Ishte vërtet një fitore e madhe për Kosovën vota në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Jo vetëm se u arrit shumica e nevojshme prej dy të tretave në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, por ajo edhe u tejkalua. Ata pak që votuan kundër ishin serbë nga Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi, shumica e deputetëve nga Spanja dhe pothuajse të gjithë nga Hungaria. Ndërsa pati një numër befasisht të madh nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën e deputetët e atyre vendeve votuan në favor, ose abstenuan, ose nuk morën pjesë në seancë. Tingëllon si befasi e madje e pamundur, por më shumë pati Kosova vota në favor nga Moldavia, Armenia dhe Rumania dhe Greqia sesa nga Britania e Madhe. Bile mësohet se një deputet britanik në takimin e Komitetit përkatës ka votuar në favor të disa amendamenteve të propozuara nga serbët.
Ky votim duhet të kuptohet si një porosi e mirë, por edhe duhet të lexohet me kujdes. Sepse me këtë votim u përmbyll ajo faza që i takon nivelit parlamentar. U përmbyll faza e cila merret me fakte, me gjendjen reale dhe me kriteret që mund të maten. Dhe këtu Kosova doli fituese. Një punë të jashtëzakonshme bëri i tërë ekipi i Kosovës, nga Konsullata në Strasbourg, këshilltarët e brendshëm dhe të jashtëm, Ministria e Jashtme e deri tek deputetët e bashkuar të Kuvendit të Kosovës, të cilët pa dallim partie bënë maksimumin për të siguruar mbështetjen nga kolegët prej të gjitha vendeve anëtare. Në të njëjtën mënyrë pati mbështetje dhe punë të madhe edhe nga deputetët nga Shqipëria, edhe këtu për çudi pa dallim partie. E do të ishte mëkat sikur të mos përmenden miqtë që punuan shumë për të siguruar që të ketë kuorum, pastaj për t’u refuzuar amendamentet e deputetëve nga Serbia dhe një nga Italia, dhe në fund për përqindje kaq të madhe të votës në favor.
E tash nis puna politike. Që do të thotë se asnjë parim më nuk vlen përveç interesave dhe qëndrimeve politike. Dhe këtu Kosova ka një sfidë të madhe. Sepse nuk mund të llogaritet thjesht se përqindja kaq e madhe në Asamblenë Parlamentare do të sigurojë që në mesin e majit ministrat e Jashtëm të votojnë në favor të Kosovës.
Së pari vota në Asamblenë Parlamentare nuk ishte vetëm votë për Kosovën, por edhe për Raportin e Dora Bakoyannisit. Raporti ishte për Kosovën dhe duke qenë për Raportin ata që votuan në favor, ishin edhe për Kosovën. Por disa votuan për shkak se fjala ishte për Raport. Ata që do të votonin kundër do të votonin edhe kundër kësaj deputeteje nga Greqia. Së dyti me Raport u miratua një opinion në favor të Kosovës dhe u dha rekomandimi për Këshillin e Ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës që ta ftojnë Kosovën për anëtarësim. Parlamentarët kanë diskrecion të votojnë si të duan. Dhe ata jo doemos kanë votuar sipas qëndrimeve të shteteve të tyre. E kjo nuk mund të ndodhë në Këshillin e Ministrave.
Dhe ka një dallim në votim po ashtu. Në Asamblenë Parlamentare ishte e nevojshme të arrihej shumica prej 2/3 të atyre që votojnë për dhe kundër. Pra, abstenimi dhe mospjesëmarrja në votime nuk konsiderohen si votë kundër. Në rastin e Këshillit të Ministrave, Kosova duhej të siguronte 2/3 e të gjitha vendeve anëtare. Pra, nga 46 ministra në favor të Kosovës duhej të votonin së paku 31. Mospjesëmarrja dhe abstenimi ka peshën e votës kundër. Pra, asnjë favor nuk i bëjnë Kosovës ato vende që nuk do të marrin pjesë apo abstenojnë në votim. Në anën tjetër nuk mund të llogaritet me automatizëm se secili shtet që e ka njohur Kosovën do të votojë në favor. Prandaj gjithçka do të varet nga tri javët e ardhshme dhe nga qëndrimet, para së gjithash, të QUINT-it. Shembulli se nga Britania, Kosova pati vetëm një votë tregon se sa pak entuziazëm ka edhe në këtë shtet, që pa dyshim do ta vendosnim në vendin e parë ndër shtetet evropiane për mbështetje të pavarësisë së Kosovës.
Nëse shumica e madhe që Kosova mori në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës nuk rezulton me anëtarësim në muajin maj, atëherë kjo fitore do të zbehet. Kosova, sa brengoset se çfarë do të ndodhë me kredibilitetin e Këshillit të Evropës nëse ministrat nuke përfillin rekomandimin e parlamentarëve, duhet të mendojë se çfarë do të ndodhë me Kosovën në atë rast. E kaluara dëshmon se mosshfrytëzimi i rasteve shpesh është shndërruar në vonesa të mëdha për Kosovën. Sikur të shkonin në Evropë gjërat ashtu siç kërkojnë shumica e parlamentarëve, Kosova tashmë do të ishte anëtarësuar në BE, vizat do ishin liberalizuar para dhjetë vitesh, të gjitha vendet e BE-së do ta kishin njohur Kosovën, ndërsa me Serbinë do të ishte arritur marrëveshja për njohje të ndërsjellë. Për të gjitha këto tash e 16 vjet ekziston shumica e madhe në Parlamentin Evropian. Por vendet anëtare nuk e kanë përfillur atë. Askush, përveç ndoshta aty-këtu ndonjë analisti, nuk do të kërkojë llogari nga ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës se pse nuk e ftuan Kosovën të bëhet anëtare, ashtu siç ka rekomanduar Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.
Përpjekjet e Serbisë ditëve të fundit që të nxisë tensione janë të lidhura ngushtë me përpjekjet për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Sepse Serbia e di se anëtarësimi i Kosovës është shumë afër, por mbështetja është aq e pasigurt saqë mund të humbet shumë lehtë. E vendet kryesore që mbështesin Kosovën kanë përmendur disa kushte përmes të cilave “Kosova do t’u ndihmojë që ta ndihmojnë”. Ai kusht është që Kosova të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Me “nisjen e procedurës” mendohet në dërgimin e draftit të statutit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Uniteti që treguan deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë lobimit në Këshillin e Evropës do të duhej të shfaqej edhe nga partitë politike në Kosovë, pasi është fjala për interesin kombëtar që për nga rëndësia i tejkalon ato partiake. Nëse Kosova nuk do të gjendet në agjendën e takimit të ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës apo nëse do të jetë në agjendë dhe nuk sigurohen votat e mjaftueshme, ky do të jetë një rast i humbur për gjithë shtetin. Pakkush pyet atëherë se kush ishte përgjegjës e kush meritor. Sikurse u humb rasti në UNESCO, Interpol e në disa organizata të tjera dhe ato raste nuk erdhën më, as pas shumë vjetësh.