OpEd

Këshillat nga Ungjilli i Diplomacisë

Rrethanat e sotme unike në kontinentin e Evropës kërkojnë bashkëpunim më të afërt të shteteve respektive. Kërkojnë esprit de corps evropian për t’i bërë ballë Rusisë. Në këtë sfond, pesë vjet nga sot, takimi i sotëm i Komunitetit Politik Evropian mund të shihet si pikë kthese historike apo mund të jetë histori e harruar

Nëse do të ekzistonte diçka sikur Ungjilli i Diplomacisë, atëherë këshilla e parë e këtij libri të shenjtë do të ishte “Nganjëherë vetëtakimi është qëllimi i takimit”. Kësisoj, pak a shumë do të jetë edhe takimi i parë i Komunitetit Politik Evropian që mbahet sot në Pragë.

Ideja e Komunitetit u lansua në maj të këtij viti nga presidenti Macron gjatë fjalimit të tij në Parlamentin Evropian. Ai tha: “Komuniteti do të bashkonte Evropën, duke e respektuar gjeografinë, mbi themelet e vlerave tona të përbashkëta, me qëllimin e ruajtjes së unitetit të kontinentit, fuqinë dhe ambiciet tona për integrim”. Si e tillë, ideja nuk është tërësisht e re. Edhe pse vetë presidenti Macron në fjalimin e tij iu referua idesë së presidentit Miterand, ideja në fakt është edhe më e vjetër dhe na kthen te presidenti De Gaullë, i cili më 1949 ka folur për “Konfederatën e popujve evropianë” dhe përpjekjet e tij personale për negocimin e Traktatit (të dështuar) për Komunitetin Politik Evropian. Sidoqoftë, përderisa ideja nuk është e re, rrethanat e sotme janë të reja. Kjo është edhe arsyeja përse për dallim nga herët e kaluara, aleatët evropianë kanë shfaqur mbështetjen. Në këtë drejtim, janë së paku tri arsye që krijojnë një moment unikal për ngritjen e Komunitetit Politik Evropian.

E para: Ukraina. Pushtimi i paprovokuar rus mbi Ukrainën ka bashkuar kontinentin evropian në mbrojtje të rendit botëror kundër agresionit rus. Përderisa deri së fundi bota është ndarë në disa kampe ideologjike dhe politike, sot ndarja është më e thjeshtë: ose je me Rusinë, ose je me pjesën tjetër të botës. Ideja e Komunitetit Politik Evropian synon të shfrytëzojë këtë momentum të ri politik në kontinentin evropian dhe të mbledhë rreth vetes 44 vende sovrane nën ombrellën e një strukture të përhershme politike. Po ashtu, pushtimi rus e ka zhveshur Rusinë nga statusi i partnerit evropian. Rusia ka humbur të drejtën morale për t’u trajtuar si e tillë. Tani po flasim për riorganizim politik të kontinentit evropian. Pra Ukraina apo Kaukazi më nuk janë zonat legjitime të ndikimit rus. Ato janë Evropë. Kësisoj, krijimi i Komunitetit Politik Evropian do të ishte fillimi i valës së tretë të “evropianizimit” të kontinentit tonë. Pas Luftës së Dytë Botërore vala e parë e “evropianizimit” arriti deri në qytetin e Berlinit të cilin e ndau në dysh. Pas rënies së perdes së hekurt, vala e dytë e “evropianizimit” arriti deri në Poloni, duke lënë Ukrainën në bufer-zonë në mes BE-së dhe Rusisë. Vala e tretë e “evropianizimit” që do të sillte Komuniteti Politik Evropian do ta vendoste kufirin lindor të BE-së në vetëm 500 kilometra larg Moskës. Para tridhjetë vjetësh, ky kufi ishte 2000 km larg Moskës. Po ashtu, për herë të parë Komuniteti do të kishte kufi tokësor me Rusinë në krahun jugor të kontinentit. Diçka që Napoleoni dhe Hitleri kishin dështuar me armë dhe ushtri, BE-ja po arrin me demokraci dhe ekonomi.

E dyta: limitet e BE-së. BE-ja ka arritur pikën kritike të funksionimit të saj në bazë të traktateve ekzistuese. Në veçanti, unanimiteti është duke penguar thellimin dhe zgjerimin e procesit integrues. Regresi në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit të disa vendeve anëtare është duke sabotuar përpjekjet për integrim evropian të tërë bllokut. Shtyrja e SHBA-së për zgjerim të mëtutjeshëm të BE-së është po ashtu faktor urgjence. Në këtë drejtim, reformimi i BE-së çdo ditë e më shumë po vlerësohet si i paevitueshëm. Vetë kancelari gjerman, Scholz, ka nënvizuar se BE-ja e zgjeruar me 30 apo 36 anëtarë, por e pareformuar, është e pamundshme të funksionojë. Nuk mund të këtë veto në klubin 36 vendeve anëtare, nuk mund të ketë 36 komisionarë evropianë dhe nuk mund të ketë 2000 deputetë në Parlamentin Evropian. Por reformimi i BE-së dhe ndryshimi i traktateve merr kohë dhe në këtë drejtim, ngritja e Komitetit Politik Evropian duhet parë si urë lidhëse në mes BE-së së sotme dhe BE-së së nesërme.

E treta: situata gjeopolitike. Ku përfundon Evropa? “Azia fillon në Landstrasse”, ishte përgjigjja e perandorit austriak, Von Metternich. Kështu edhe ishte në shekullin XIX, por sot jemi në kohë të tjera. Sot Evropa e bashkuar gjen vetën në konkurrencë me SHBA-në, Rusinë dhe Kinën për lidership global. Asnjë vend i vogël nuk dëshiron të bjerë viktimë kolaterale e kësaj gare. Në një botë globale prej tetë miliardë banorësh asnjë vend i vetëm nuk mund të mbrojë individualisht interesat e veta nacionale. Rrjedhimisht, ato duhet të ngritin aleancë me ato vendet që ndajnë vlerat e përbashkëta. Vendet në kontinentin evropian kuptojnë se kanë afërsi më të madhe kulturore, historike, politike dhe ekonomike me BE-në sesa me Rusinë apo Kinën. Ky fakt i shtyn ato që të eksplorojnë shtigjet e reja të bashkëpunimit të cilat mund t’i sjellë Komuniteti Politik Evropian. Kjo është edhe arsyeja përse Mbretëria e Bashkuar, përkundër daljes nga BE-ja, do të marrë pjesë në takimin e sotëm. Po ashtu, Komuniteti mund të jetë forum ideal për të rimenduar kornizën konceptuale të procesit të zgjerimit të BE-së. Korniza momentale është dizajnuar në vitet ‘90 si përgjigje ndaj rënies së Perdes së Hekurt. Sot tridhjetë vjet më vonë, bota është një vend krejtësisht i ndryshëm. Para tridhjetë vjetësh Kina dhe India kanë qenë akterët margjinalë në skenën ndërkombëtare, ndërsa togfjalëshi “transicioni i gjelbër” apo “teknologjia artificiale” nuk kanë ekzistuar fare. Pra, sot Bota dhe Evropa janë vende krejtësisht të ndryshme nga vitet ‘90, rrjedhimisht edhe instrumentet politike evropiane karshi zgjerimit duhet rimenduar.

Tani kjo është piktura e madhe, por çfarë mund të bëjë Komuniteti Politik Evropian më konkretisht?

E para, nuk duhen pasur synimet utopiane. Komuniteti do të jetë fillimisht më shumë forum i lirë politik sesa një strukturë e institucionalizuar ndërqeveritare. Në këtë sens do të jetë më shumë si G20, e më pak si OKB. Në zanafillën e tij Komuniteti duhet t’u ofrojë shefave të shtetit dhe qeverive lirinë e nevojshme për të shkëmbyer dhe kalibruar qëndrimet e tyre për disa temat kyçe që preokupojnë kontinentin evropian. Veprimet më konkrete duhet lënë për stadet e mëvonshme kur arrihet një dakordësi e përgjithshme politike për vektorët kyç të drejtimit politik. Në stade të mëvonshme duhen lënë edhe diskutimet për kornizën institucionale, modelin vendimmarrës apo burimet e financimit. Ndërkohë, do të kuptohet natyrshëm edhe ndërveprimi i Komunitetit me strukturat ekzistuese politike siç është BE-ja, NATO, Këshilli i Evropës apo OSBE-ja.

E dyta, kontinenti Evropian nuk do të vuajë asnjëherë nga mungesa e arsyeve të bashkëpunimit. Në sfondin e luftës në Ukrainë, Komuniteti Politik Evropian do të ishte platformë e dobishme për koordinimin dhe unifikimin e pozicionit të 44 vendeve sovrane karshi Rusisë. Ato do të ishin digë e re politike kundër Rusisë. Në fushën e sigurisë, balanci efektiv në mes migrimit dhe sigurimit të kufijve të BE-së është temë e natyrshme. Në fushën e energjisë, krijimi i tregut të unifikuar pan-evropian të energjisë dhe bashkëpunimi në tejkalimin e krizës energjetike do të ishte tema e radhës. Në fushën e ekonomisë, koordinimi për ta parandaluar ndërprerjen e furnizimit me materialet kyçe industriale, siç janë çipat, është në interesin e të gjitha shteteve. Nëse sovraniteti digjital evropian është agjendë serioze, atëherë vendet pjesëmarrëse duhet ta bëjnë realitet prodhimin e gjeneratës së re të mikro-çipave “Made in Europe”. Krijimi i SpaceX-it Evropian është ëndërr e parealizueshme apo mundësi reale? Në kuadër të transicionit të gjelbër diskutimi i përafrimit me iniciativat e BE-së sikur që është ngritja e Bankës Hidrogjene Evropiane është temë kyçe. Në fushën e ndërlidhshmërisë, zbatimi i iniciativës 300-miliardëshe të BE-së “Global Gateway” dhe shtrirja e roamingut janë vetëm disa nga temat e mundshme. Pra, pyetja me të cilën ballafaqohet Komuniteti Politik Evropian nuk është tema për të cilën duhet bashkëpunuar, por a ka vullnet politik për bashkëpunim. Dhe në këtë drejtim “test is in the puding”. Komuniteti Politik Evropian mund të jetë shumëçka dhe mund të jetë asgjë. Pesë vjet nga sot mund të jetë pikë kthese historike apo mund të jetë histori e harruar. Dhe duke u kthyer kështu tek Ungjilli i Diplomacisë, besoj se njëra nga këshillat e këtij libri të shenjtë do ishte edhe “Ai që e synon idealen në bashkëpunimin e shteteve, nuk do të arrijë as idealen, as bashkëpunimin”. Kësisoj, pak a shumë mund të jetë edhe fati i Komunitetit Politik Evropian.